E premte, 25.07.2025, 07:28 PM (GMT+1)

Mendime

Fejzulla Arifi: Errësira e mendjemadhësisë

E enjte, 12.08.2010, 09:58 PM


Errësira e mendjemadhësisë

 

Nga Fejzulla Arifi

 

     Personaliteti i njeriut është një kosmos i pafund, në të cilin janë të shpërndara pika të ndryshmë vizëlluese, të lidhura në mes vete për të kontaktuar dhe shkëmbyer informatat e përvojave jetësore qofshin ato shpirtërore psikike apo trupore në një rrjet që e mban veten në funksion deri në një moment të prishjes së forcave balancuese të po atij sistemi.Në atë kosmos të “pa fund “përpos pikave që ndriçojnë të cilat ne i quajmë virtyte dhe energji pozitive, gjithashtu ekzistojnë edhe “vrima të zeza” të cilat në mënyrë të papritur e dëmtojnë rëndë këtë kosmos të mrrekullueshëm duke e destabilizuar sistemin e tij dhe duke krijuar një kaos në personalitetin e njeriut i cili përfundon ose ne një gjendje dëshprimi por të qetë në vetvete ose në një gjendje dëshprimi por shumë aktive në çlirimin e energjive negative, si nje vulkan që djeg dhe përvëlon gjithçka për rreth vetes duke lënë pasoja në vetëvete dhe tek të tjerët, qoftë në familje apo në një rreth më të gjërë shoqëror. Këto pika të errëta dhe trishtuese u ngjajnë “vrimave të zeza” që gjithëçka gëlltisin në vete përfshirë edhe vetë dritën, e cila nuk kthehet më, por vazhdon rrugën drejt burimit fillestarë. Dëshira e çdo njeriu është për të arritur diçka në jetë dhe kjo dëshirë është vetë natyra e kësaj qenie subtile, e mbjellur thellë në personalitetin e tij ,shpesh e motivuar nga  impulsi jetësor, i tejkalon kufijtë e vizatuar nga ndërgjegja duke bredhur nëpër djerrina pa vërejtur fare se është shmangur nga rruga e cila e dërgon në fundin e lumtur, i habitur në këtë garë të madhe të quajtur konkurencë njerëzore, fillon dalëngadalë duke u shmangur nga virtytet që ndriçojnë në qiellin shpirtërorë që e orientojnë njeriun në oqeanin e hapur të jetës. Pa orientimin e këtyre yjeve vizëlluese e humb kursin sikur anija e rrëmbyer nga valet e tërbuara të jetës, u afrohet aq shumë “vrimave të zeza” që shpesh janë shumë tërheqëse sakaq është vështirë të shmanget nga  forca e tyre magnetike dhe pa hetuar fare zhytet aq thellë  që shpesh kthimi prapa është shumë i vështirë dhe me pasoja të rënda. Vallë a nuk janë aq të shumta këto “vrima të zeza” që ne i quajmë vese. Secili  nga ne shpesh bie në to, por pas ngritjes së kokës lartë drejt qiellit shpirtëror kërkon yjet që na orientojnë dhe na kthejnë sërish në kursin tonë drejt udhëtimit të amshueshëm i cili kërkon çiltërsi dhe fuqi shpirtërore e cila merr energjinë nga drita hyjnore që nuk harxhohet kurrë.

       Shumë keq është kur nuk jemi ne gjendje të ngrisim kryet lartë drejt yjeve udhërrëfyes për  të na orientuar në  kursin e jetës dhe për të na  shpëtuar nga humbja  në errësirat e pa fund të oqeanit të paditurisë dhe të një fundi të pakuptim dhe pikëllues.

E si mund të ngrisim kryet lartë kur pranga të shumta na e rëndojnë këtë kokë të vogël që mbajmë mbi supe, të stërngarkuar me një mendjemadhësi shumë të madhe dhe të errësuar nga vetëpëlqimi naiv dhe vetëvrasës ?!. Kush mund të jetë më fajtor se vetë ne për gjendjen tonë të mjerueshme dhe të pafuqishme për të dalë nga kjo tutelë shpirtërore, gjithmonë në pritje të kotë se do të na nxjerrë një dorë e padukshme dhe misterioze pa treguar vet ne edhe një vullnet simbolik për këtë. Ajo dorë e padukshme dhe misterioze padyshim se do të jetë pranë nesh në çdo kohë , por ne duhet ta ngrisim pak dorën tonë të lodhur e të molisur nga ngarkesat e pakuptimta që mbajmë mbi ne sikur ai udhëtari mendjemadh dhe matuf që mbante thesin në shpinën e tij edhe pse kishte  hipur në anijen që lundronte duke kundërshtuar të gjithë ata që e këshillonin dhe në të njejtën kohë habiteshin me injorancën e tij që  e bënte qesharak, duke mos lëshuar thesin nga shpina, dhe  për të qenë ironia edhe  më e madhe kundërshtonte  dhe u bërtiste atyre se nuk është kjo punë e tyre. Sa e sa njerëz kjo vrimë e zezë shpirtërore i ka rrëmbyer dhe nuk i ka kthyer më kurrë duke ua shkatërruar këtë botë dhe tjetrën para këmbëve të tyre. Mendjemadhësia është një vello e zezë që mbulon psikën tonë duke e bërë që të humbë aftësinë e gjykimit të drejtë. Shumë raste na jepen në jetë që të përfitojmë shumë, qofshin ato përfitime materiale apo përfitime në dituri, kalojnë pranë nesh e ne  nuk jemi në gjendje as  ti shohim nga ajo errrësirë e mendjemadhësisë. Të mirat vijnë dalëngadalë dhe pa zhurmë duke u shtresuar njëra mbi tjetrën pa dëmtuar as mendjen e as shpirtin dhe ndriçojnë rrugën tonë aq sa na duhet dritë, pa na i verbëuar sytë tanë,e jo sikur ajo vetëtima në natën errët kur për një moment ndriçon gjthçka dhe pas largimit të saj edhe më shumë zhytemi në errësirë dhe trishtim,jo, të mirat nuk janë kështu, por janë si yjet që na bëhen në të njëjtën kohë fanar ndriçues dhe  udhërrëfyes besnik. Çdo nxitim i pa kontrolluar drejt të mirave është një mashtrim. Të mirat që sjell jeta janë si frutat e pjekura që bien nga pema pa e tundur atë fare, mjaftonë që ne të rrimë pranë saj dhe të presim, do të bien aq sa ne kemi nevojë dhe vazhdimi ynë i rrugës ua mundëson të tjerëve që të ulen pak për të pushuar aty ku ishim ne, do të ëmbëlsoheshim pak me ato fryta dhe do të vazhdonin rrugën në destinacionin e paracaktuar. Mendjemadhësia na bën që të nxitojmë, nxitimi  vjen nga djalli dhe djalli nuk na lë të përfitojmë nga gjërat që na i ofron jeta. A nuk është mjaftë i mirë njoftimi me një person të urtë dhe të devotshëm i cili mund të na japë atë që nuk munden mijëra njerëz , e ajo është  urtësia, ky vyrtyt tepër i çmuar dhe ndriçues në rrugën tonë drejt amshueshmërisë. Po si të na e dhurojë këtë dritë kur ne nuk i lëmë kohë as për të hapur gojën e lëre më për të na këshilluar për diçka të rëndësishme dhe primare për ne. Ne jo rastësisht kemi dy sy ,dy veshë dhe një gojë që më shumë të shikojmë ,më shumë të dëgjojmë dhe më pak të flasim, edhe ashtu njerëzit e urtë flasin pak por  shumë dëgjojnë dhe shohim edhe më shumë aq sa depërtojnë në zemrat tona sepse ne ua shpalosim të gjitja dobësitë tona pa na pyetur fare, dhe më e keqa që nuk e dimë se e kemi bërë këtë, dhe më pas pyesim si e ditkan vallë ata për këto “sekrete” tona personale. Maturia dhe durimi i të urtëve është instrumenti më i mirë për ti vështruar të tjerët, dhe koha e duhur që përfitojnë nga kjo u jep mundësinë e krahasimeve dhe konkluzave për çështjet që ne habitemi se si arritën ti kuptojnë. Përballë kësaj, devotshmëria është ajo drita që ua ndriçon të paqartat dhe ua rritë fuqinë e të gjykuarit të drejtë .Devotshmëria ka vend vetëm te njerëzit e matur dhe durimtarë dhe urtësia rrinë vetëm tek të devotshmit, kurse devotshmëria i ngritë atje ku nuk mund të ngritet secili ,dhe sa më lartë të arrijë njeriu aq më larg sheh. Largëpamësia është kurora e gjithë asaj që bëjnë këta njerëz.

     Ja çfarë mundë të na bëjë mendjemadhësia, të na privojë nga një mundësi e mrekullueshme që mund të sjell jeta me anë të atyre që ia dijnë vlerën dhe e kultivojnë vazhdimisht  atë, e personat mendjemëdhej mbeten të krekosur dhe të zhytur në vetpëlqimin e pakuptimtë dhe degradues.

   Shpëtimi nga kjo vrimë e errët është dhënia përparësi të tjerëve, në mënyrë që të përfitojmë kohën e duhur për t`i  rishikuar qëndrimet tona, duke i korigjuar para se të bëhet aq vonë sa që koha më nuk do jetë në krahun tonë,  dhe të mësojmë nga gabimet e të tjerëve është më mirë se të tjerët të mësohen nga gabimet tona. Pozicionimi  në fundin e rreshtit të të urtëve është më mirë se në ballë të rreshtit të të “gjithëditurve”sepse  gjithëdituria është cilësi e Krijuesit e jo e krijesave kurse modestia  është cilësi e atyre që e dijnë se janë njerëz. Njerëzorja është kostumi që na qëndron shumë bukur sepse për ne është i modeluar .



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx