E enjte, 24.07.2025, 11:09 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: O e Gurit të Zi, o e Vardarit (II)

E marte, 10.08.2010, 09:58 PM


O e Gurit të Zi, o e Vardarit (2)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Hoxhë Ramadani e ka fjalën për librin e Samuel Huntington “Përplasja e qytetërimeve”, ku sikur dihet studiuesi amerikan i shikon luftrat e së ardhmes si luftra mes qytetërimeve me bazë religjioze. Këtu të bën përshtypje fakti se imam Ramadani i përfshin shqiptarët e Maqedonisë në botën islame, edhe në sens gjeopolitik. Në këtë shkrim imam Ramadani shtjellon gjatë historinë e Memës së këngës, madje e sjell për lexuesin krejt tekstin e saj. Thelbi i këngës janë këto vargje:   “T'ishin kane dy djem si Mema!/ paten me i hi Vezirit mbrena./ E me ja thy kalane permrena”

Kënga tregon për një ngjarje të ndodhur në kohën kur Bushatllinjtë sundonin nga Shkodra krejt Shqipërinë e Veriut, në dy anët e kufirit të sotëm shtetëror, duke përfshirë Shqipërinë e sotme, mbi Lumin Shkumbin, Kosovën e sotme dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë. Veziri është Kara Mahmud Pasha, i quajtur “kara”, do të thotë “i zi”, “rebel”, për shkak të rebelimeve të tij të shumta ndaj sulltanit, luftoi kundër sulltanit dhe bëri aleanca me fuqitë perëndimore, çka nuk u pranua nga ekstremistët islamikë brenda pashallikut të tyre. Këta konspiruan shumë herë për ta vrarë vezirin. Ndër këta njerëz që luftuan kundër vezirit është dhe Mema i këngës. Imami kolumnist e di historinë e luftës së Memës, prandaj e pëlqen këngën dhe e ka përzgjedhur për ta vendosur në një shkrim që fillon me citimin e mësipërm nga libri i Huntington. Imam Ramadani shkruan: “Një version tjetër i këngës së cituar në titull është: T'ishin kane dy djem si Mema! paten me i hi Vezirit mrena…dhe kjo është ndoshta artikulimi më i mirë për atë se çka kërkon ky popull këtu. Para se përfundimisht të marrë rrugën e të shkojë për aty ku i ec puna; Belgjikë, Dubai, Kosovë e Shqipëri. Ose ta kaplojë ndonjë apati e përgjithshme politike. Dy nevojiten jo vetëm për faktin se sipas shpresës, e cila mban gjallë përveç njeriut edhe popujt e tërë, gjithmonë ka një Memë, por ngase këtu duhet të kesh një brenda te veziri e edhe një jashtë, si opozitë i cili funksion kryesor duhet ta ketë që kur Mema të hyjë brenda t’ia mbajë gjallë kujtimin për atë se çka është dhe çka duhet të bëjë ky Mema i këngës”.

Por sipas imamit, konteksti në të cilin shqiptarët e Maqedonisë duhet ta bëjnë këtë politikë, është ai religjioz islamik, të cilin ai e jep në paragrafin e cituar nga Huntington, në fillim të shkrimit. Kështu del se “Mema” do të jetë një lloj Haxhi Qamili, dhe njeriu më i përshtatshëm për të bërë këtë lloj “Meme” është vetë Ramdan Ramadani, me djemtë e tij të “Shpatës”. Imam Ramadani shkruan:  “Pra, Mema dhe tjerët që kërkon populli, nuk është ndonjë shpëtimtar prej qielli, por është një udhëheqje politike e procesit të kësaj bote, që do t’i tregonte çdo kryeministri që vjen në krye të këtij vendi, ndërkombëtarëve dhe të gjithëve se ky vend o do të bëhet Evropë o do të bëhet shtet tamam”. (“Me e pas ni djal si Mema, me i hy vezirit mrena”, 15 korrik 2010)

Që Maqedonia nuk do të bëhet Europë, sa u përket shqiptarëve, me atë çka thotë hoxha në fillim të shkrimit, kjo duket e sigurt. Se ashtu nuk ka se si të jetë Europë. Madje maqedonasit këtë duan, që shqiptarët e Maqedonisë të paraqiten si pion i gjeopolitikës islame, ashtu që maqedonët të kenë mundësi që të apologjizojnë para Perëndimit për trajtimin që u bëjnë atyre dhe për spastrimin etnik që eventualisht do t’ ua bëjnë nesër. Imam Ramadani supozohet që t’ i kuptojë këto, derisa ka lexuar edhe Huntingtonin që është një zëdhënës i establishmentit strategjik amerikan dhe perëndimor në përgjithësi. E megjithatë imam Ramadani shkruan sikur këndon Tuna në atë këngën “Asgjë në këtë botë”: “Nuk jam helmuese as vdekjeprurëse/as negative, radioaktive/nuk mund ta kontrolloj nje gje me shfrenon/ritmi me ben te luaj edhe te fluturoj/une do vazhdoj njësoj wouwou/nese dhe kjo pengon mua s’ me intereson”.

Imam Ramadanit nuk i intereson fati i shqiptarëve të Maqedonisë se ai mendon se nëse ata e pësojnë megjithatë Allahu do t’ i çojë gjërat në vend dhe të mirët prej tyre do të shkojnë në Xhehnet. Kryevepra e hoxhë Ramadanit është shkrimi i tij “O e imja, o e Vardarit”, i botuar në 29 qershor 2010, katër ditë pas rrahjes në xhaminë e Isa Begut. Në këtë shkrim, autori, u sugjeron shqiptarëve të Maqedonisë kështu: “Për të sqaruar edhe titullin e edhe hapin e propozuar politik na duhet ta tregojmë anekdotën prej ku vjen klithma: O e imja, o e Vardarit! Sipas anekdotës; një shqiptar nga Pollogu i ndikuar nga arabeskat turke kishte përkthyer një këngë nga ndonjë Tatlises; ku këndohet diçka si; O je e imja, o je e dheut! Dhe diku në ndonjë urë, përmbi ndonjë lumë, prej larg i bërtet të dashurës së tij, e cila nuk e ka njohur as atë e as që ka ditë dashurinë e te për të: O e imja, o e Vardarit! Thonë se kjo ka ndodhur në urën në Tetovë përmbi lumin Pena (Artat). Dhe përveç se thënësit i ka shkuar huq përkthimi me Vardarin ai edhe nuk e ka ditur se kjo klithmë që në turqisht është romantikë e hallakatur në dëshpërim në shqip i bie kërcënim i njëmendtë. Thënia në shqip është: O e imja o e askujt! Dhe është thënie verdikt, të cilën më pas duhet ta kuvendojnë burrat. Nuk di se si ka përfunduar ky episod romantik nga anekdota, por ndiej se puna e emrit nuk ka të sosur pa klithur diçka të ngjashme ne shqiptarët. Punët e mëdha nuk rregullohen pa të zotin e shtëpisë. Ashtu ne do të duhet të shkelim dhe sqarojmë se ose do bëhet e Vardarit, ose e jona. Mund të jetë romantike, mund edhe të dalë si kërcënim, por efekti është tejet pozitiv. Prej inatit tonë vetvetiu do të bëhet Vardar”. (“O e imja, o e Vardarit”, 29 qershor 2010)

Pra, hoxha u sugjeron shqiptarëve të Maqedonisë që ata të dalin me një qëndrim të prerë politik se, ose Maqedonia do të bëhet realisht edhe shteti i tyre, ose ata do ta shkatërrojnë atë, duke e bërë të mbytet në Lumin Vardar. Por, derisa hoxhë Ramadani më lart, i ka quajtur shqiptarët e Maqedonisë si të Gurit të Zi të Mekës, kur ka interpretuar thënien e Huntington, atëherë kjo ajo çka thotë ai, më saktë do të shprehej kështu: “O e Gurit të Zi të Mekës, o e Vardarit”. Pra, Maqedonia duhet të ishte edhe e Gurit të Zi të Mekës, sa u përket shqiptarëve, ose do të përfundonte në Vardar! Me ato që ka thënë imami më lart, kur ka interpretuar për shqiptarët thënien e Huntington, mund të merret me mend se çka do të thotë në shkrimin “Shqipëria si opsion”, ku shkruan:

“Ajo që propozoj unë është që të dilet dhe publikisht të premtohet se pas disa viteve do bëhet Shqipëri. Dhe aq. Pa kurrfarë shtjellimi. Besoni që ne do besojmë dhe të durueshëm siç jemi do presim atë ditë ose vit i cili do na caktohet si afat. Mundësisht para vitit 2014, pasi nuk duam të lodhemi duke hequr shëmtueshmërinë që na u është bërë qyteteve tona të bukura. Kjo është deviza politike kryesore e cila do duhej të i thuhej popullatës shqiptare tani dhe këtu. Dhe, të jetë parulla dhe shpjegimi bosht për çdo lëvizje politike. Ashtu për shembull në pyetjen se nëse ka ose jo divergjenca brenda partisë të shpjegohet se krejt ne punojmë për të njëjtën Shqipëri, por kemi mendime të ndryshme rreth disa afateve. Në pyetjen se pse na duhet integrimi në NATO dhe BE, të thuhet se kjo bëhet sebep asaj Shqipërie. Po ashtu edhe në pyetjen se çka do ndodhë nëse kjo puna e emrit zgjat dhe ky shtet mbetet ende pa emër dhe si i tillë nuk mund të integrohet në BE, të thuhet se ne do angazhohemi për një Shqipëri e cila do ketë marrëdhënie të mira me shtetet fqinje dhe para së gjithash me Bullgarinë”. (“Koha e Re”, 1 qershor 2010)

Pra, imam Ramadani propozon që shqiptarët e Maqedonisë të dalin me politikën e përbashkët të bashkimit të trojeve të tyre me shtetin shqiptar. Shumë mirë, por si do të bëhet kjo kur hoxhë Ramadani e kërkon Shqipërinë e bashkuar, Albarabia dhe i përfshin shqiptarët e Maqedonisë dhe krejt shqiptarët muslimanë në gjeopolitikën islamike? NATO dhe BE, të cilat përmend imami këtu, janë instrumente të atij establishmenti strategjik perëndimor, i cili pati si zëdhënës më të shquar Huntington-in dhe që është i shqetësuar nga perspektiva e aleancës mes Kinës dhe botës islame, një aleancë me kahje antiperëndimore kjo. Atëherë çfarë vendi do të ketë Shqipëria e bashkuar në NATO dhe BE, kur imami e sheh atë të kyçur në gjeopolitikën islamike? Në të njëjtin shkrim, imami më tutje shkruan: “E nëse atëherë dikush pyet se nëse shkohet diku dhe ku, atëherë me gojë plot do mund të thuhej, nuk shkoj kund, vazhdoj të rri këtu në qytetin, vendin tim, i cili për shqiptarët është Shqipëri”. (“Koha e Re”, 1 qershor 2010)

Me ezanin që thirret me megafonë në arabisht nga minaret e xhamive, nuk ka nevojë me i pyetë kush shqiptarët e Maqedonisë se ku po shkojnë se duket që po shkojnë tek Guri i Zi i Mekës. Si në atë këngën e Tunës “Te ikim së bashku”, ku thuhet: “Sonte mua eja me merr/larg te gjithve t'ikim per çdoher/s'e kam dert nese dikush na ndjek/ikim rrugve ku askush nuk na gjen”.

Derisa hoxhë Ramadani, pasi elaboron edhe kyçjen e shqiptarëve të Maqedonisë, dhe krejt shqiptarëve, në gjeopolitikën islamike, flet edhe për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian, atëherë, duke qenë se atij i pëlqen të përdorë këngë popullore në kolumnet e veta, i duhet sjellë ajo kënga “O ku po më shkon o Rrushja e Lalës”. Se imam Ramadani i bën shqiptarët e Maqedonisë dhe krejt shqiptarët si ajo Rrushja e këngës që thotë: “O ku po m’ shkon oj rrushja lales me dimit e bardha/

Hej aman aman sonte jam te daja/ Hej syn oj zii lum baca per ty/ Me sy e vetulla ishalla vjen apet./ O ku pom shkon oj rrushja lales me dimit e verdha/Hej aman aman sonte jam te tezja/Hej syn oj zii lum baca per ty/Me sy e vetulla ishalla vjen apet./ O ku pom shkon oj rrushja lales me dimi lahuri/Hej aman aman aman sonte jam te burri/Hej syn oj zii lum baca per ty/Me sy e vetulla ishalla vjen apet”.

Kështu Shqipëria e bashkuar shkon një natë tek teze Europa, një natë tek dajë NATO, por definitivisht shkon tek burri në Mekë. Kjo puna e hoxhës që shkruan kolumne është si ajo kënga tjetër e Rrushes: “Na u çu rrushja me sabah e/rroki siten me bismilah e/bsimilahi mori site e/me dure te bardha haj haj ta kam ngjite e/me dure te bardha o ta kam ngjite e/plot hall halle e bylyzyke/plot hall halle e bylyzyke”.

Edhe hoxhë Ramadani çohet në sabah, bën bismilah e fillon e shkruan kolumne absurde. Por do të ishte gjysma e së keqes sikur punët e tij të qenë të tilla, për t’ u marrë me humor. Ai është një piroman reliogjioz dhe politik, një zjarrëvënës maniak, e ndoshta një arsye pse i pëlqen Tuna është kënga e saj “Piroman”: “ouuuoouuououuuuu uuuu ouuu ouu uouuouoououo/Un nuk dehem por un zgjohem/Dehur ne ket room with a view/Nuk ka ngohje por un zgjohem/Ndezur nga nje piroman like you!/o si parfumi i ri i bossit/Mir te rri e te paska hije,/Por je mesuar ti te shkretosh/Sa her ne sy qe te me shikosh!/Ndize piroman/Ndezi pyjet e pashkeluar,/ndize, ndize piroman/S' do te mbetem e perhitura”.

Aspekti më interesant i kolumneve të hoxhë Ramadanit, alias Komandant “Tunës” është se sipas të dhënave që jepen në faqen on-line të gazetës “Koha e Re” ku shkruan ai, ratingu i tij (nga numri i lexuesve) është më i lartë se i të gjithë intelektualëve shqiptarë në Maqedoni, me profil publik, që shkruajnë atje, të marrë së bashku. Rating-u i hoxhës kolumnist është më i lartë se i Adelina Markut, Ermira Mehmetit, Salajdin Salihut, Ardian Ramadanit, të marrë së bashku. Kjo është e vërteta e trishtuar e shqiptarëve të Maqedonisë.

 



(Vota: 17 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx