E enjte, 24.07.2025, 09:31 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Llampa e Salajdinit (III)

E diele, 08.08.2010, 07:57 PM


Llampa e Salajdinit (3)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Këtu së pari më duhet t’ i them Salajdinit se unë jam i vetmi njeri në Republikën e Shqipërisë të cilit nuk mund t’ i thuhet se Enver Hoxha ishte mësuesi im, se unë jam i pari shqiptar që po shkruan një monografi kritike për të, nga e cila kam botuar dy të tretat. Së dyti më duhet t’ i them se kur një njeri me emrin Salajdin thotë se ka admirim të thellë për priftërinjtë mendjendritur, kjo është sikur thotë Shakespeare, “teologji e ferrit”. Salajdini e barazon atë që kam shkruar unë për Islamin me ato që ka bërë Enver Hoxha kundër feve në përgjithësi. Por unë ndalimin e Islamit dhe rrënimin e xhamive nuk e kërkoj se ato i ndaloi regjimi komunist, por se Islami e pushtoi me dhunë Shqipërinë pesë shekuj më parë dhe u imponoi shqiptarëve fekthimin. Pavetëdija në të vërtetë tradhton intelektualin Salajdin kur mbron Islamin, se tek ai ngjallet Sulltan Salajdini.

Salajdini më tutje shkruan: “Është fat i madh për shqiptarët dhe Shqipërinë që ka një elitë intelektuale, e cila nuk mendon si Myftari dhe koekzistencën fetare e konsideron si një nga të arriturat më të mëdha kombëtare; një elitë e cila ndryshon nga lloji që shtiret se është kundër ideologjisë komuniste, por që ka vetëdije revolucionare, teksa si letërsi kombëtare ende konsideron librat me vargje të tipit: ‘Sot më loton syri se ka vdekur xhaxhi Stalini’. Vetëm se ka zëvendësuar xhaxhi Stalinin dhe ideologjinë marksiste me gjoja ideologji kombëtare”.

“Koekzistencë” shkruan mësimdhënësi i letërsisë shqipe! Pas të gjitha gjasave fjala “bashkëjetesë” i duket provinciale dhe fshatareske “metropolitanit” sllatino-tetovar (apo mos duhet thënë “tetovali”), Salajdin! Sa për bashkëjetesën fetare ajo është një iluzion derisa bashkësitë islame në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni, e pranojnë bashkëekzistencën veç nëse lejohen që nga megafonët e minareve të xhamive pesë herë ditën të thirret ezani në arabisht, a thua se trojet shqiptare janë të mbushura me arabë! Pra, për institucionet zyrtare të fesë islame në trojet shqiptare në dy anët e kufirit, bashkëekzistenca pranohet veç nëse ato tolerohen që trojeve shqiptare dhe nacionit shqiptar t’ i vishet një profil arab. Derisa Islami është i identifikuar me arabizimin atëherë nuk mbetet veç që të ndalohet Islami dhe të mbyllen xhamitë. Salajdini po të ishte i sinqertë do të thoshte se atij ezani i thirrur në arabisht nga megafonët e minareve i duket siç më duket mua muzika e Mozartit. Sa për ato vargjet për Stalinin, në fakt për vdekjen e tij ka shkruar disa poezi të gjata Ismail Kadare, në moshën 17 vjeç dhe me to u promovua. Salajdini i cili ma ze për të madhe mua se kritikoj Kadarenë mund t’ i gjejë këto poezi tek libri im për Kadarenë dhe të verifikojë referencat që jap unë në librat e Kadaresë. Salajdini, në pamfletin e vet “Më dhemb kur hesht” shkruan: “Më thoni të hesht, por unë nuk mund të jem heshtak që përvidhet si zvarranik drejt olimpit të një karriere të pështirë.”

Salajdini ka bërë pikërisht këtë gjë, ai ka bërë një karrierë të pështirë në çdo rrafsh, si gazetar, si mësimdhënës, si burokrat i shoqërisë civile, me organizatat e veta jofitimprurëse shumë të pasura, madje edhe si poet. Salajdini shkruan: “Dije, o kooperativist, se do të isha i mjerë nëse do prisja të më vlerësoje në jam apo nuk jam poet, nëse jam apo nuk jam gazetar, nëse jam apo nuk jam profesor”. 

Që Salajdini nuk është poet, kjo kuptohet kur ai thotë se është përkthyer në 24 vende të botës, apo gjuhë, dhe megjithatë jeton në një banesë me qira. Nëse do të ishte një poet kaq i suksesshëm ai do të jetonte vetëm me të ardhurat nga poezia e tij dhe nuk do të kishte nevojë që të shkruante skripte e të jepte mësim në UEJL për lëndë për të cilat nuk e ka kualifikimin shkencor, nuk do të kishte nevojë që të bëhej burokrat i një NGO ku shpenzohet koha në mbledhje të mërzitshme për çështje shumë larg poezisë, nuk do të kishte nevojë të bënte bargain të pista me Velija Ramkovskin, nuk do të kishte nevojë të firmonte librat e llogarisë së Veton Latifit, që nuk ndryshojnë shumë nga ato te Velija Ramkovskit. Salajdini i ka bërë të gjithë këto gjëra të tjera se në sajë të tyre ai është promovuar si poet, dhe në sajë të tyre jeton. Djaloshi nga Sllatina, ashtu si Alajdini i përrallave arabe, gjeti një llampë magjike e cila i përmbushte dëshirat. Kjo ishte “llampa e Salajdinit”. Salajdini kur studionte për gjuhë dhe letërsi shqipe priste që kur të diplomohej të bëhej mësues në ndonjë shkollë katundi në mënyrë që të jetonte, por “llampa” magjike i hapi perspektiva të tjera. Salajdini fërkonte atë llampë dhe thoshte: “Unë dua të jem poet i përkthyer në kaq gjuhë të botës”. “Xhindi” i llampës ia përmbushte dëshirën por në mënyrë iluzore se poezia e Salajdinit botohej në këto gjuhë në mënyrë simbolike, në kuadrin e projekteve sorosiane për promovimin e intelektualëve antinacionalistë. Salajdini fërkonte “llampën” dhe thoshte: Unë dua të jem mësimdhënës në USHT, në UEJL, të ligjëroja këtë e atë lëndë dhe dëshira i plotësohej. Salajdini fërkonte “llampën”-këtë herë së bashku me Veton Latifin- dhe thoshin të dy në një zë, duam që organizata jonë “jofitimprurëse” të marrë kaq e kaq grante nga ndërkombëtarët dhe ta ketë selinë në kampusin e UEJL, dhe dëshira u plotësohej. E kështu me radhë. “Xhindi” i mirë i “llampës” herë qe Sorosi, herë Velija Ramkovski, herë ndonjë tjetër. A do të flasë Salajdini për këtë “llampë magjike”? Ai nuk do të flasë për të as si poet. Poeti tek ai është një fiksion, është maska e tij. Salajdin Salihu është hipokriti par excellance. Në pamfletin “Universiteti dhe ngrohja globale” ai shkruan për Universitetin Shtetëror të Tetovës: “USHT-së i është pakësuar buxheti për shkak të ngrohjes globale. Ky fakt duhet shfrytëzuar nga qeveria maqedonase (apo si i thonë ndryshe qeveria e Maqedonisë), veçanërisht nga zëvendëskryeministri i gjithëdijshëm dhe i kudondodhshëm dhe deputeti i PPD (më falni i BDI-së), Safet Neziri alias ‘dashamirësi i arsimit’, dhe Tahir Hani etj., për t’i bindur njerëzit se kjo është në dobi të tyre dhe të njerëzimit dhe jo në dëm të studentëve dhe pedagogëve të USHT-së. Duke ia pakësuar buxhetin USHT-së do të ketë më pak profesorë që vijnë nga hapësirat tjera shqiptare, më pak indoktrinim, më pak  udhëtime, më pak djegie karburanti dhe, detyrimisht, ambient më të pastër”.

Nëse Salajdini do të ishte kalorës i së vërtetës ashtu sikur pretendon në pamfletet e veta, ai do të pyeste se përse donatorët ndërkombëtarë nuk ndajnë për USHT as 5% të granteve financiare që kanë ndarë deri më tash për UEJL? Madje USHT ka marrë më pak para nga ndërkombëtarët se organizata jofitimprurëse shumë e pasur e drejtuar nga Salajdini dhe Veton Latifi, e cila e ka selinë në kampusin e UEJL. Por Salajdini nuk do t’ i bëjë kurrë këto pyetje. Dhe meqënëse jemi tek buxheti, po i jap përgjigje Salajdinit edhe për atë që më thotë mua se: “Mos ke qasje në konton time për hyrjet e honorarëve? Në Maqedoni ka një ligj ku, në fund të vitit, çdo person i paraqet honorarët. Një letër e thjeshtë, por e mjaftueshme që mbi ti të rëndonte akuza për shpifje”.  

Në rastin e kontos së tij për hyrjet e honorareve, Salajdini ka vec një problem, ai duhet të gjejë një njeri të vetëm në Maqedoni që të besojë tek librat e llogarisë së Velija Ramkovskit. Duket se është Velija Ramkovski që ka instruktuar Salajdinin dhe Veton Latifin se si t’ a mbajnë kontabilitetin e organizatës së tyre “jofitimprurëse”. Meqënëse Salajdini e filloi shkrimin duke përmendur një fjali nga Faik Konica, unë po gjej një fragment nga Konica që i përshtatet drejtor Salajdinit dhe president Vetonit kur bëjnë llogaritë e shpenzimit të granteve financiare në organizatën e tyre “jofitimprurëse”. Është ai episodi tek “Doktor Gjilpëra” kur vartësi i thotë komisarit të policisë i cili morri mitë nga doktor Gjilpëra se ai përgjoi pas derës dhe tash donte pjesën e vet. “Hesht melum se unë s’ ta ha hakën” i përgjigjet shefi. Pastaj vartësi duke dalë bashkë me doktorin merr mitë nga ky i fundit dhe shefi del në dritare dhe i thotë: “Edhe unë të pashë iblis, tani ti hisen tënde e more vetë!” Kështu janë punët e Salajdinit dhe të Vetonit me donatorët ndërkombëtarë. Prandaj, Salajdinit, i cili përmend Konicën në polemikë, i duhen thënë vargjet që Konica kishte thurrur për njerëz si ai:

“Gojëmjaltë e buzëlule,

A do një tas fasule?”

Salajdini më tutje më kthen përgjigje dhe për kritikën që i bëj unë për shkrimin e tij për Bekim Fehmiun: “Pastaj jep shenjë dhe kalo në të majtë: shpalle aktor katundi Bekim Fehmiun, sepse të pengon po qe aktor përmasash botërore! Gjatë ditës të pengojnë të gjithë, kurse në mbrëmje të pengon edhe vetvetja! Pra, tregohu i pandershëm ndaj Bekim Fehmiut dhe jo unë me kolumnën time, (si duket je duke bërë libër për kolumnat e mia). Përkundrazi, jam shumë vlerësues, përkundër tipave që e shpallën të paqenë këtë aktor (e përsëris) përmasash botërore. Po ku merr vesh Myftari çka është aktrimi? Jo, po Myftari është enciklopedist.”

Së pari këtu më duhet t’ i them Salajdinit se unë kam po aq atribute sa ai për të folur për Bekim Fehmiun, se as Salajdini as unë nuk jemi ekspertë në kritikën e kinematografisë. Salajdini nuk kthen përgjigje për thelbin e kritikës sime. Unë e qortoj Salajdinin se ai e ka përdorur vdekjen e Bekim Fehmiut për të elaboruar dhe potencuar shabllonet sorosiane kundër idesë nacionale. Unë e citoj Salajdinin kur e kritikoj, ai nuk e bën këtë. Bekim Fehmiu nuk mund të bëhet aktor me përmasa botërore se këtë e them unë apo Salajdini, apo edhe se e thonë të gjithë shqiptarët. Këtë duhet ta thonë të huajt. Dhe Bekimi për fat të keq nuk hyri në Gotha-n e kinematografisë botërore me së paku një rol të madh. Sa herë duhet t’ ja përsëris Salajdin sharlatanit se roli i Ulisit, të cilin ai e veçon duke e quajtur “Odise” (me këtë Salajdin poeti tregon se nuk e ka lexuar “Odisenë” e Homerit, se “Odise” është emri i rrugëtimit të personazhit kryesor që është “Ulisi”) ishte vetëm një rol në një serial të televizionit publik italian. Nëse ne e quajmë Bekim Fehmiun aktor të rangut botëror, atëherë të huajt do të qeshin e tallen me ne, ashtu si tek “Një ambasadë e zulluve në Paris” tallen me të dërguarin e zulluve. Kjo është njëlloj si gafat që bëjnë kryetarët e shtetit shqiptar të cilët u japin aktorëve mirënjohjen “Nderi i Kombit”, çka do të thotë se një shqiptar mund të shkojë në Australi, Brazil, Skandinavi, Japoni dhe të thotë, bie fjala, Kadri Roshi apo Sandër Prosi është shqiptar. Dhe të huajt supozohet që të thonë me habi dhe zili: Ashtu, keni te drejtë të krenoheni me ta. Mjaft me këto idiotizma, se këto janë bëma provincialësh dhe kooperativistësh- terma që Salajdini i përdor ndaj meje.      

Salajdini në pamfletin e vet “Faktive dhe fiktive” shkruan: “Gazetaria dhe letërsia kanë të përbashkët vetëm fjalën. Përderisa gazetaria është faction, letërsia është fiction”.

Në rastin e Salajdinit është e kundërta, derisa gazetaria e tij është fiktive, poezia e tij është faktive. Në gazetarinë e Salajdinit, derisa pret faktin, ne vend të tij gjen fiksionin. Në poezinë e Salajdinit, derisa pret fiksionin, në vend të tij gjen faktin e varrosur në botën e fiksionit. E gjithë karriera e Salajdinit është një luftë kundër fakteve, një krim permanent ndaj fakteve. Salajdini i vret faktet dhe për të zhdukur përfundimisht gjurmët e krimit të tij, i varros ato në poezinë e tij, ku ato mund të zbulohen nëse e shikon poezinë e tij me sy kriminologu. Poezia e Salajdinit është corpus delicti e poetit të njëmendët, anipse jo të talentuar, që gjithsesi ka ekzistuar dikur tek ai dhe të cilin ai e vrau për komoditetin e unit tjetër të tij, të cilin mund ta quaj vetonlatifian. Tek “Më dhemb” kur hesht, Salajdini shkruan: “Më dhemb të hesht... O Promethe, në kohën tonë ti je opozitari. Të ligështuarit i duhen Zeusit, sepse i përdor për të dërguar kumte turpi deri te ty, që nuk e ndërron vuajtjen me mjerimin e tyre”.

Por a nuk jeton edhe tek Salajdini një “Zeus” i cili e ka lidhur “Prometheun”-poetin në “shkëmbin” e subkoshiencës dhe e torturon se ai i prish komoditetin e karrierës së vet? Poezia e tij është simptomë e trishtuar e gjithë kësaj të keqeje shpirtërore. Salajdini shkruan për mua: “Thellë në qenien tuaj dhe tënden është denoncuesi, shpifaraku, shpjeesjellësi… Po ti e di”.

E mirë, pra, denoncuesi i “Zeusit” që ka bërë krimin ndaj “Prometheut” tek Salajdini, “shpjeesjellësi” i “Prometheut”. “Po ti e di… Salajdin” Salajdin shkruan për mua: “Tani e tutje edhe sikur Myftari të bëjë libër polemizues kundër meje s’do merrem me të. Mjaft u argëtuam, tani është koha për gjëra më serioze... Myftari le të merret me mua, le të shkruajë libra! Është i paparë dhe spektakolar. Kam vetëm një sugjerim: Mundësisht të jenë me letër tualeti”.

Salajdini me sa duket kërkon që unë të shkruaj një libër për të, prandaj thotë se nuk do të merret me mua edhe nëse e shkruaj librin. Salajdinit i konvenon që unë të shkruaj një libër për të, se kështu ai do ta marrë atë libër dhe do ta tundë para donatorëve ndërkombëtarë të UEJL, të “organizatës jofitimprurëse” që drejton Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, të Sorosit, duke u thënë: Ja se cilin intelektual msyjnë ata, “nacionalistët zoologjikë”, ja se cilin shohin si rrezik!

Kështu ndoshta Salajdinit do t’ i rritet rating-u mbi atë të Veton Latifit dhe do te bëhet nr. 1 ndër intelektualët shqiptarë në Maqedoni, si më i preferuari i ndërkombëtarëve. Por unë nuk do t’ ia jap Salajdinit këtë kënaqësi. Ai mund të shfaqet në një libër timin vetëm kur të shkruaj një libër për shefin e tij, Veton Latifin, këtë shembull shqiptar të species së manipulatorëve intelektualë të shekullit XXI, të krijuar në laboratorët ndërkombëtarë.

 



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx