Mendime
Besnik Rama: Vëzhgim i heshtur drejt Heroit
E merkure, 04.08.2010, 09:42 PM
Vëzhgim i heshtur drejt Heroit
Nga Besnik Rama
Po shikoj i trazuar dallgët…Hidhen, hidhen e s’po dinë të ndalen… Matanë ka shtete, ka kufinj…Duhen kaluar gjithë ato për të mbërritur atje…Sa larg për t’u bërë në këmbë!…Atje ka pranverë dhe është nxehtë…
Këtej nga ne shumë ftohtë, por gjithsesi digjem nga brenda…Po mendoj…Mendimi i mendimit të mendjes sime përmbi mendimin e mendimeve të disa mendimtarëve shqiptarë është ku e ku… Por pse mos t’i them edhe une nja dy – tre fjalë?! Si?... Çfarë do them do thuash ti? Mos u lodh të pyesësh shumë, se për atdheun e atdhetarët shqiptar flas unë gjithë kohës…Pra, mos pritni ndonjë shkrim kushedi se çfarë…Ato që nuk e duan dhe nuk e ndjejnë të qenurit shqiptar me zemër, t’i thonë STOP leximit, pasi nuk është për to…JO zotëri nuk jam i ashpër…Nuk jam as Migjen që thumboj e godas me penën time…Jam thjesht një atdhetar që zemra më qan për Alpet tona….Të dua o atdhe….
Miq e dashamirës (sidomos nëpër diasporë) më dërgojnë email-e ku më japin mbështetje për ndjenjat e mia atdhetare, si dhe kërkojnë që gjithë sëbashku të propagandojmë dhe promovojmë vlerat më të arrira të kulturës shqiptare nëpër Botë. Por gjithsesi edhe kjo është pak or mik, or vlla. Shumë pak për të qenë shqiptar… Atdheu tej maleve na thërret sa gjatë – gjerë se ku jeni o bijtë e mi, e ndërsa ne fshihemi si struci që të gjithë pasi kemi turp… Kemi turp shumë nga ne, pasi çdo ditë që ngrihemi me zemrën kuq e zi, aq më shumë edhe dëshira shtohet për vepra të mira e burrërore ashtu siç i takojnë një shqiptari të denjtë. Shumë nga ne ngrihen dhe me ëndrrat e një nate të kaluar ku shqiponjat bënin sehir mbi votrat e tyre. E dëshira për punë në ditën pasardhëse, për të sjellur “erë” të re në vatanin tonë rritet çdo çast, çdo moment, çdo ditë e çdo javë e muaj plot…
Vëzhgoj me ëndje prej ditësh heronjtë tanë ndër shekuj. E në mesin e tyre rri Skënderbeu lavdiploti. Ne jemi krenar për lavdinë e Iskenderit, por edhe për bëmat e shumë e shumë të tjerëve. Pa harruar heroinën e bamirësisë Nënë Terezën, pa anashkaluar plakun e Vlorës, pa rifreskuar qeverisjen e A.Zogut, e për t’u kthyer më prapa me kujtime nuk dua… Më lejoni që të vazhdoj me këto dy apo tre dekadat e fundit. Vallë kemi pasur heronj?! Kemi pas dhe akoma vazhdojmë të kemi si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në trevat shqipfolëse kudo, e sidomos në Kosovën tonë të dashur. Sot njëri nga këto është thirrur në Gjykatën e Hagës për krime lufte, e ndërsa NE heshtim… Sa keq!
“Ramboja” i pushkës e i barotit ka nevojë për një përkrahje morale, pasi vërtetë Kosova është e pavarur, ama s’duhet harruar që ky bir i saj dha një kontribut të çmuar në çlirimin e saj nga dushmani, si dhe në fitimin e të drejtave të popullatës kosovare. Z.Haradinaj është një politikan, i cili gëzon një respekt të qëndrueshëm në Kosovë, siç gëzon edhe mbarë elita kosovare ( ato që luftojnë për interesat e saj kombëtare). Goditja që prapaskenat e inskenuara nga Beogradi duan t’i japin Rambos, nuk janë goditje direkt për të, por është një dhelpëri e gatuar në oborrin e “millosheviçave” të vegjël që duke goditur një nga figurat e shtetit të Kosovës arrijnë të thumbojnë dhe nënvlerësojnë elitën drejtuese kosovare dhe institucionet e saj.
Tirana dhe Prishtina duhet të dalin në një komunikatë për shtyp që liderin që sot e vëzhgojmë të gjithë në heshtje ta ndihmojmë duke thyer heshtjen me një fjalim plot moral e entuziasëm ku shpirti i shqiptarit të zgjohet dhe të fitojë lirinë e një shqiponjë që vërtetë lëviz në malet tona. A thue do qëndrojmë akoma ore burra duke vëzhguar të heshtur HEROIN?!
(Besnik RAMA – Kryeredaktor i gazetës NacionalAlbania.com)