E enjte, 08.05.2025, 10:11 PM (GMT+1)

Mendime

"Vlonjatët qanë me ligje, kryepolicin Arben Zylyftari"

E diele, 01.08.2010, 07:25 PM


Nga Dino Kaja

BERAT -Dhjetë vjet më parë, bataretë e armëve në lagjen "Guerile" të Shkodrës tronditën gjithë banorët e këtij qyteti, i cili akoma nuk e kishte marrë veten nga trazirat e '97-ës. Më shumë se krismat që mbanin në ankth banorët, ishte vrasja e kolonel Arben Zylyftarit që shokoi gjithë opinionin publik në Shqipëri. Ndonëse u ekzekutua autori i krimit Bahri Tafili dhe djali i tij (Genci) më pas u dënua me 25 vjet burg, ende mbeten të paqarta rrethanat e vrasjes së kreut të Policisë së Shkodrës të asaj kohe. Përkundër dyshimeve, pjesëtarë të familjes Zylyftari besojnë versionin zyrtar dhënë nga instancat shtetërore. Ata pohojnë se Arben Zylyftari dha jetën për të vendosur rendin e qetësinë në vend. Ndërsa, bëjnë apel që gjaku i gjithë policëve të vrarë të shërbej për një Shqipëri të qetë, të integruar në shoqërinë demokratike europiane me qëllim që të jetojmë ashtu si e meritojmë. Në një intervistë dhënë dje për "Gazeta Shqiptare", vëllai i viktimës, Vullnet Zylyftari tregon me detaje se çfarë ndodhi në banesën e tyre më 2 gusht të vitit 2000. Ai tregon se në ceremoninë e varrimit të vëllait të tij morën pjesë qindra vetë nga Korça, Erseka, Vlora, Shkodra etj. Ndërsa një grup vajtonjësish nga Vlora qanin me ligje kryepolicin e rënë në krye të detyrës. 
Si e mësuat lajmin për vrasjen e vëllait tuaj, Arbenit? 
Ka qenë ora 16:00 e ditës 2 gusht të vitit 2000. Sapo isha kthyer nga puna në shtëpi. Hapa televizorin për të ndjekur lajmet, kur dëgjova se ishte vrarë drejtori i Policisë së Shkodrës, kolonel Arben Zylyftari. Nuk po u besoja veshëve. U ngrita rrëmbimthi dhe shkova në Drejtorinë e Policisë, këtu në Berat. Pyeta oficerin e rojes nëse dinte gjë për këtë lajm. Ai më tha se nuk kishte konfirmim zyrtar, por lajmi ishte përhapur se Arbeni ishte vrarë. Ndërkohë që vëllai, Petriti shkoi për të lajmëruar bashkëshorten e Arbenit, Elsën që banonte në lagjen "30 Vjetori". Shkuam të shtëpia e prindërve dhe aty të gjithë bashkë filluam vajin për dhimbjen që po përjetonim. 
Më pas ç'ndodhi? 
Shkuam në Tiranë. Pas homazheve që u bënë në kryeqytet u nisëm për në Berat. Më ka bërë përshtypje nderimi që iu bë Arbenit. Nga nisja në Tiranë deri në Berat, njerëzit kishin dalë në rrugë. Të gjithë e kishin marrë vesh lajmin kobshëm. Pasi mbërritëm në Berat, ishte e vështirë të kalonim nga njerëzit e shumtë që na përqafonin dhe ngushëllonin. Homazhet u bën në Qendrën Kulturore të qytetit. Atë ditë në Berat kishin ardhur njerëz edhe nga Korça, Erseka, Vlora, Shkodra, shokë të Arbenit nga e gjithë Shqipëria. Në shtëpi kishte shumë njerëz, aq sa na ka ngelur merak që nuk mundëm ti njohim të gjithë. Por më shumë kishin ardhur nga Vlora dhe Korça. Nga Vlora kishte ardhur edhe një grup vajtonjësish që qanin me ligje. Vaji i tyre, ishte vërtet shumë prekës. Atë ditë që në Berat u zhvilluan homazhe, edhe qytetarët e Korçës kishin bërë të njëjtën gjë në qendër të qytetit. Ata kishin ndezur qirinj në respekt të vëllait tim të vrarë, i cili kishte punuar me devotshmëri në këtë rreth. 
Çfarë mbani mend nga ceremonia e varrimit? 
Në ceremoninë e varrimit ishte i pranishëm kryeministri i atëhershëm Ilir Meta, ministri i Brendshëm dhe shumë të tjerë. Atë ditë më ka mbetur në mendje një thënie e Ermelinda Meksit. Ajo i tha drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Veli Myftari: Kur ju e dinit që Arbeni ishte kaq i përkushtuar dhe përballej vetë me krimin, përse nuk i caktuat eskortë policie? Në atë kohë ishin hequr truprojat për drejtorët e policisë. 
Dinit gjë nëse Arbeni kishte probleme si titullar policie në Shkodër? 
Kur Arbeni filloi punë si drejtor policie në Shkodër, në këtë qytet sundonte krimi. Në atë kohë, banorët nuk dilnin as për 
xhiro në mbrëmje. Puna e Arbenit dhe e kolegëve të tij bëri që edhe ky qytet ti kthehet normalitetit. Arbeni vepronte gjithmonë në emër të ligjit. Ai pasi i arrestonte të dyshuarit, i vinte përballë provave, ndaj asnjë nga të arrestuarit nuk i zemërohej sepse ai fliste në emër të ligjit. Madje, im vëlla u tregonte edhe rrugët ligjore se si mundë të mbroheshin. 
Mendoni se vëllai juaj është vrarë në kurth? 
Arbeni u vra më 2 gusht të vitit 2000 në lagjen "Guerile" të qytetit të Shkodrës nga një person me emrin Bahri Tafili, i cili kërkohej nga policia për dy vrasje të kryera në vitin 1998 bashkë me të birin Gencin. Personi përgjegjës i vrasjes ngeli i vrarë në vendngjarje. Për vrasjen ne i besojmë versionit zyrtar. Edhe kolegët e Benit që morën pjesë në aksion na thanë se vëllai u qëllua nga Bahri Tafili. Të njëjtën gjë ka vërtetuar edhe ekspertiza balistike. 
Cili është mesazhi juaj në 10-vjetorin e vrasjes së dëshmorit të atdheut, Arben Zylyftari? 
Vëllai shërbeu për të ndërgjegjësuar armën e policisë, sepse në atë periudhë shumica e kuadrove ishin moshatarë të Benit që i vunë gjoksin punës për vendosjen dhe ruajtjen e rendit në vend. Ne si shumë familje të tjera që kanë humbur djemtë apo vëllezërit për ruajtjen e rendit, urojmë që gjaku i tyre të shërbej për një Shqipëri të qetë, të integruar në shoqërinë demo-kratike europiane me qëllim që të jetojmë ashtu si e meritojmë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx