Mendime
Igli Totozani: Kosova si provë e civilizimit europian
E merkure, 28.07.2010, 09:04 PM
Kosova si provë e civilizimit europian
Nga Igli Totozani
Rreth njëzet e ca vjet më parë, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Sllobodan Miloshevicit, një nga veprimet e para të Serbisë, atëherë shtet anëtar i Federatës Jugosllave ishte suprimimi i autonomisë së Krahinës Autonome të Kosovës.
Me dëshirën për të mbrojtur, popullin e shumëvuajtur Serb, dinjiteti i të cilit, sipas autorëve të aktit të mësipërm, ish nëpërkëmbur nga të gjithë e në mënyrë të veçantë nga Shqiptarët, por dhe integritetin territorial të Serbisë, parlamenti Serb shkeli në mënyrë flagrante Kushtetutën e 1974-ës e cila, në nenin 402, parashikonte që akte të kësaj natyre do të mund të realizoheshin vetëm me aprovimin e të gjitha republikave të tjera.
Kjo, jo vetëm nuk ndodhi, por më tepër se kaq, bota u gjend, në pak kohë, përballë një shteti që mendonte dhe vepronte si qindra vjet më parë. Të parët dhe gjerë në fund e pësuan këtë Shqiptarët, më të pambrojturit nga të gjithë.
Më pas e mësuan në kurrizin e tyre sllovenët, kroatët, boshnjakët. Si i dalë nga një muze, në terminologjinë, politikat dhe mjetet e përdorura nga ky shtet dhe strukturat e tij ndjehej aroma e egër dhe gjakatare e periudhave më të errëta të njerëzimit. Këtë e bënte më të thjeshtë edhe kontrasti i jashtëzakonshëm që politikat e tij kishin me frymën dhe kontekstin e kohës.
Ndërkohë që në botë po flitej gjithmonë e më shumë për të drejtat dhe liritë e njeriut, për rendin e ri botëror të përmendur më parë nga Georges Bush, për integrimet madhështore që propozonte Traktati i Mastrihtit, për dobësimin e kufijve në dobi të afrimit të popujve, të fqinjësisë së mirë midis vendeve dhe përhapjes së demokracisë, mu në zemër të Europës fuqizohej çdo ditë e më shumë, një njeri, një shtet, një politikë, në thelb të të cilëve qëndronin parime që koha e re nuk mund t'i pranonte më.
I shtyrë nga dëshira absurde për zmadhim (ëndrra e vjetër e këtij vendi) dhe hegjemoni, për të mbrojtur integritetin territorial të një ëndrre të pavërtetë (Sllavët zbritën në Jug, veçse duke filluar nga fundi i shekullit VI, ndërkohë që Ilirët dhe Grekët gjendeshin aty prej 2000 e ca vjet para JC) në mes të entuziazmit që rënia e diktaturave kish krijuar në Europë, ky shtet ia doli t'u ngrijë buzëqeshjen të gjithëve, duke krijuar një det të madh gjaku në zemër të Ballkanit.
Pa pyetur as për të drejtat e njeriut, të cilat prej kohësh po dominonin moralin dhe ligjet ndërkombëtare dhe as për të drejtat kolektive të parashikuara në atë që gjuhën juridike ndërkombëtare quhet vetëvendosja e brendshme.
Asnjë ligj, asnjë zakon ndërkombëtar, asnjë moral fitues i kohës nuk mundi të ndalojë këtë vend, në frymëzimin dhe realizimin e një prej genocideve më të mëdha pas atij të hebrenjve.
Mbi dhjetë mijë Shqiptarë të vrarë e masakruar, akoma pa varre, me qindra gra të përdhunuara, me qindra shtëpi e fshatra të djegur e përcëlluar, mbi një milion të zhvendosur nga Kosova brenda dhe jashtë territorit, me mijëra kilometra katror të minuara që vrasin sot e kësaj dite në Kosovë dhe Shqipëri njerëz të pafajshëm vlente integriteti territorial i ëndrrës serbe.
Në të njëjtën kohë, në Kanada, Gjykata Kushtetuese e këtij vendi konsideronte si absolutisht legjitim kërkesën për referendum për pavarësinë e Kebekut. Ndërkohë që edhe në këto kushte Shqiptarët e Kosovës kërkonin ende veç autonominë e brendshme. Veç ndërhyrja e Natos, mundi të ndalojë në minutat e fundit të pabërën.
Po lufta mbaroi dhe si rrallë ka parë njerëzimi, shqiptarët u kthyen të rindërtojnë tokën e dashur e të djegur të Kosovës. Disa kohë më pas ra dhe Miloshevici.
Të gjithë u nxituam të besojmë se edhe në këtë vend erdhi demokracia, sistemi që ka mekanizma të mrekullueshëm që mund të ndalojnë luftën. Një klasë deri diku e re politike u shfaq dhe të gjithëve iu pëlqeu t'i konsideronte si europianët e Serbisë.
Sigurisht jo nga kostumet dhe kravatat e kohës që vishnin gjithë shije e nur, por nga mentaliteti që bartnin. Por a rezultoi kështu? Tashmë s'ka asnjë dyshim: absolutisht jo.
Dhjetë vitet që pasuan mbarimin e përgjakjes së Shqiptarëve, habitën sërish botën mbarë. Habitën shqiptarët por habitën edhe serbët. Nga të parët pritej hakmarrje, pa fund, pa kufij, në çdo cep, në çdo rrugë, në çdo kthinë, në çdo skutë ku mund të ishin strukur përgjegjësit e masakrës.
Për habinë e të gjithëve edhe pse sot duket e kaluar në kohë nga shumë njerëz, ata kryen një nga gjestet e rralla në historinë e Europës, të asaj Europe që i pëlqen aq shumë të flasë për paqen franko-gjermane. Shqiptarët nuk u hakmorën, as kërkuan ta bënin këtë.
Të veshur e mbathur si mos më keq, të djegur e zhuritur si kurrkush, ata ishin europianët e vërtetë të këtij shekulli, të këtij kontinenti. Pranuan me lehtësinë më të madhe, gjithfarë parimesh për ndërtimin dhe mbijetesën e të cilëve Europës vetë i janë dashur me qindra vjet. Pranuan Kosovën multietnike, siç në fakt e kishin pranuar gjithmonë në histori.
Pranuan të jetojnë e bashkëpunojnë me serbët. T'u njohin dhe sanksionojnë atyre autonomitë më të çuditshme në botë dhe standarde diskriminimi pozitiv siç është rasti i pranisë së përhershme të dhjetë deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Pranuan ndërtimin e komunave serbe. E një sërë e sërë të drejtash të tjera, disa prej të cilave mund të konsiderohen standarde të paarrira në shumicën e vendeve demokratike të Europës. Filluan gjithashtu të ndërtojnë shtëpitë e serbëve, ndërkohë që shumë Shqiptarë e kanë të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre në veri.
Por jo më pak habitën europianët e Serbisë. Europianë që s'ditën sot e kësaj dite të kërkojnë falje ndaj masakrës dhe genocidit ndaj shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq. Për politikë të brendshme apo përfitime të jashtme ndaj Kosovës vazhdoi i njëjti lajtmotiv ai i integritetit territorial të vendit.
Ky i fundit, pavarësisht gjithçkaje që ndodhi në terren, në logjikë të fundit të të drejtës ndërkombëtare e humbet rëndësinë kur një populli të tërë i mohohet brutalisht vetëvendosja e brendshme.
Pa dashur ta kuptojnë këtë, për habinë e të gjithëve, mu në sy të Europës dhe pa asnjë problem, europianët e Serbisë çdo ditë të këtij dhjetëvjeçari, ndërkohë që në Kosovë ngriheshin institucionet e multietnicitetit, vazhduan të prodhojnë plane e strategji tepër të ngjashme me ato të Miloshevicit.
U provua me djegiet e doganave, me provokimet ndaj shqiptarëve, me ngritje dhe financim të strukturave paralele në veri të Kosovës, me financim të elementëve dhe bandave të armatosura, me organizim zgjedhjesh të paligjshme.
U konceptua dhe u shpall pa asnjë merak plani për bllokimin ekonomik të Kosovës, të lëvizjes së mallrave dhe njerëzve nga Kosova në territorin e këtij vendi.
U bllokua anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe u pengua integrimi i minoritetit serb në institucionet e shtetit të ri. U mundua të pengojë njohjen e Kosovës dhe tash së fundi edhe shpallja në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, paralelisht me këto, së bashku me miqtë e saj, disa prej të cilëve europianë, vazhdon të financojë dhe mbështesë si rezultat të fundit atë të ndarjes së Kosovës, sipas gjithfarë projektesh e shembujsh, si p.sh., ai qipriot edhe pse për dhënien fund të të cilit sot po investohet aq shumë.
Për habinë e të gjithëve, mu në sy e zemër të Europës, nuk do shumë mend se Serbia po vazhdon edhe pse, me pak më shumë kujdes, rrugën e Miloshevicit.
A është vërtetë kaq e vështirë të kuptohet se me politikën e saj, ky vend ka kohë që po del hapur kundër, jo thjesht logjikës së kohës, por më shumë se kaq, kundër vetë parimeve dhe ligjit ndërkombëtarë?
Kush mund të thotë e bind sot, se politika e Serbisë në Kosovë, nuk përbën as më shumë e as më pak, një rrezik të drejtpërdrejtë të paqes dhe stabilitetit në rajon? Kush mund të thotë e bind sot edhe më naivin mes nesh, se kjo politikë e europianëve të Serbisë, jo vetëm s'ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe parimet Europiane, por është diametralisht e kundërt me to. Se është në kundërshtim të hapur me politikën e fqinjësisë së mirë aq të kërkuar dhe nxitur nga Bashkimi Europian në Ballkan?
Po kështu me konceptin e bashkëpunimit rajonal? Me dialogun konstruktiv etj., etj. Duke i dhënë fund, më së fundi, me mosnjohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të dilemës mbi europianizmin e udhëheqjes së saj.
Por, si mund të kërkosh dhe respektosh zbatimin e ligjit ndërkombëtar, ndërkohë që nuk njeh vendimin e GJND, si institucioni suprem i OKB në dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër kur e ke kërkuar vetë atë?
Për të kuptuar këtë vazhdimësi të politikës Serbe në Kosovë, Serbia po i ndihmon të gjithë me sinqeritetin e politikës së saj. Ajo po shkel hapur jo vetëm mbi parimet dhe zakonet ndërkombëtare, por dhe mbi përpjekjet integruese në Europë, duke mos u përpjekur për asnjë çast t'i kamuflojë qëllimet e saj.
As më me kostumin europian që ne vetë, ua veshëm pa takt e kujdes, udhëheqësve të saj, në këtë dhjetëvjeçar, as me planet, strategjitë dhe veprimet konkrete në Kosovë dhe më gjerë.
Kambanat në fakt, nuk po bien më për Serbinë. Ato po kumbojnë për Europën e Bashkuar, këtë shembull të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit se si interesat reciprok të një jete më të mirë për qytetarin, bëjnë të pamundur luftën. Kosova ishte dje dhe mbetet ende sot një sprovë e jashtëzakonshme e Europës, civilizimit të saj, vlerave të saj historike, politike dhe shoqërore.
Parimet që ajo vazhdon prej tashmë njëzet vitesh të na i kërkojë me ngulm, si fqinjësia e mirë, bashkëpunimi rajonal, dialogu konstruktiv, shoqëritë multietnike, etj., etj., vazhdojnë të hasin rezistencë të jashtëzakonshme në këtë vend të quajtur Serbi, duke rrezikuar kështu, me pa të drejtë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Aq më e ndjeshme bëhet kjo sfidë, kur qarqe të veçantë të saj vazhdojnë edhe pas fjalës së drejtësisë ndërkombëtare, të shtjellojnë skenarë të jashtëligjshëm ndarjeje të Kosovës, duke mos respektuar me këtë rast as ligjet ndërkombëtare, as zakonet e mira e kujtimet e këqija, as parimet mbi të cilat u ngrit Europa dhe as dëshirën legjitime të malazezëve, maqedonasve e sa e sa popujsh të tjerë për një jetë më të mirë, të cilët do të mund të rrezikonin paqen e tyre, nga hapja e një kutie djalli, kapakun e së cilës s'do të dinte më kush ta mbyllte.
Pyetja në këtë rast nuk i drejtohet më Serbisë dhe europianëve të saj, por Europës dhe Komunitetit ndërkombëtar në tërësi: a nuk ka ardhur koha për të alternuar paksa politikën e karotës ndaj Serbisë? Ose e thënë më troç: a ka ardhur koha për t'i thënë kësaj politike boll?