E enjte, 24.07.2025, 09:11 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Recidivistët e rrezikshëm provincialë

E hene, 26.07.2010, 09:57 PM


RECIDIVISTËT E RREZIKSHËM PROVINCIALË

 

Nga Fadil LUSHI

 

    Dikur kur Enveri kishte vendosur t’i pezullojë fetë në Shqipëri, në rezidencën e tij verore në Vlorë kishte ftuar në darkë pesë qytetarë shqiptarë për t’u interesuar për dertet, hallet, kërkesat dhe dëshirat e tyre. Pasi kishin darkuar, çdonjërit të ftuar i kishte ofruar nga një gotë raki rrushi të Skraparit. Më pastaj kishte filluar muhabetin. Të parit shqiptar (i cili kishte refuzuar të marrë gotën me raki rrushi të Skraparit) i kishte parashtruar pyetjen me sa vijon: Ti, shok i dashur, ç’dëshirë e ç‘kërkesë ke për të ta plotësuar!  Përgjigjja e tij kishte qenë: Unë kërkoj një xhami me hoxhë gjegjësisht me imam dhe myezin! Ndërkaq, i dyti “mysafir i Enverit” kishte dhënë këtë përgjigje: Unë kërkoj një kishë kokë më vete, me prift me mjekër. Edhe i treti qytetar kishte kërkuar një kishë me prift, por prift pa mjekër. I katërti qytetar i ftuar i Enverit, kishte kërkuar një teqe me një babasheh! Kurse i ftuari i fundit kishte shprehur dëshirën për themelimin e një institucioni të lartë arsimor dhe njëkohësisht kishte kërkuar një leje për të dalë jashtë shtetit. Që të katër kërkesat e qytetarëve ishin refuzuar nga ana e “xhaxhit”. Ai që kërkoi xhami me hoxhë, thonë se përfundoi në Burrel, pasi që kjo kërkesë e tij për Enverin ishte një ofendim i madh e i rëndë. Për kërkesën e tij, Enveri e kishte këtë hazërxhevap: sa për hoxhë që kërkon ti, hoxhë jam unë, dhe në Shqipëri ka vetëm një të tillë, e ai jam unë. Qytetari që hiqej për ortodoks dhe që kishte kërkuar një kishë me prift me mjekër, mandej katoliku që kërkoi kishë me prift pa mjekër, si dhe ai  qytetari bektashi, që kërkoi një teqe me babasheh, ashtu toptan, duke e hëngër sapunin (e Enverit) për djathë, përfunduan në Spaç!? Këtij të ftuarit të fundit të Enverit, që s’kishte as din e as iman dhe që vazhdimisht shante fetë dhe Zotin, çuditërisht i vajti mbarë kërkesa e  tij. Të thuash se në vaktin e Enverit, qytetarit të rëndomtë i ka ecur zari, është thjeshtë një llaf jallan, megjithatë këtij të “privilegjuarit” iu plotësua dëshira. Ky, me urdhër të të parit të nënës parti, vajti në Universitetin Lomonosov të Moskës, për të specializuar diplomacinë dhe kurvërinë politike. E gjithë kjo mesele kishte ngjarë në Vlorë.

            Kur myftyu i Gjirokastrës, që ishte një mik i ngushtë i babait të Enverit, e pyeti Enverin se pse i pezullove xhamitë, ky i fundit tha: më mirë të bësh një mëkat, sesa besimtarëve t’u mundësosh që në hapësirat e faltoreve ku bëhen shërbesat fetare, të bëjnë një mijë e një mëkate të tilla! Dhe sot, siç perceptohet ky vendim i Enverit sa i përket mbylljes së faltoreve, të krijon përshtypjen se nuk mund të thuash se ai na paskësh qenë një ateist i përbetuar. Ku ta di unë këtë histori?

   Të nderuar lexues të vëmendshëm dhe të paanshëm, në krahasim me Enverin, Tito shqiptarëve nuk ua ndaloi fetë, përkundrazi u mundësoi që ata ta ushtrojnë këtë të drejtë. Ata që mbajnë mend atë të kaluar, do të dëshmojnë se qytetari shqiptar që kishte kërkuar nga shteti i Titos të pengoj shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi dhe që njëkohësisht të themelojë institucione arsimore, kishte përfunduar pa nam e pa nishan në birucat e Goli Otokut. Për këtë dhe arsye tjetër, mua do më duhet që paragrafin e lartpërmendur, që ia dedikova Enver Hoxhës dhe kërkesave të pesë qytetarëve të tij, ta ndërlidh me ca marrëzira që në vazhdimësi këtej pari po përsëriten, përsëriten dhe vetëm përsëriten, si për inat të vjehrrës, të nuseve, të armikut dhe për inat timin. Dhe shih, për çudi këto marrëzira gjejnë strehë mu aty ku nuk e kanë vendin, mu në hapësirat e institucioneve arsimore dhe fetare, institucione këto që kryekëput udhëhiqen dhe mbikëqyren nga vetë shqiptarët e shtetit të Maqedonisë. Dhe të tilla marrëzi ndodhin edhe në një institucion të lartë arsimor këtej katundit të madh të Tetovës!??  Këto marrëzira bëhen nga njerëz, të cilët sa herë që e rrëmbejnë pushtetin, aq herë në emër “të popullit”dhe të votës së tij deliberative do ta anashkalojnë, do ta nëpërkëmbin, madje në instancë të fundit e për interesa të ngushta klanore, do t’ia  çekuilibrojnë autonominë, perspektivën, vizionin, imazhin dhe, bile, do ia cenojnë edhe ato pak vlera që kanë ngelur të paprekura! Ky institucion do të udhëhiqet, do të mbikëqyret, do politizohet, instrumentalizohet, kontrollohet, ngatërrohet, trafikohet, censurohet dhe zaptohet nga njerëz që do kthehen nga fushat e betejave ndërshqiptare. Dhe kjo do bëhet pikërisht nga njerëzit (jo nga themeluesit e saj), padija e të cilëve është verifikuar nga diplomat e blera në kioskat e Qafë Thanës! Kjo përzierje në punët e brendshme të këtij institucioni arsimor, do të bëhet nga njerëzit, gjegjësisht nga recidivistët e rrezikshëm dhe provincialë, të cilët duke qenë të uritur për një emër me nam, do ta ushqejnë prapësinë, nihilizmin, mendjemadhësinë, katandisjen, mungesën e higjienës mentale, prapambetjen krahinore dhe qytetarinë e tyre të vonuar!?

     Dhe të gjithë këta që gjetën strehë në këtë institucion, lëre që nuk do t’i nënshtrohen (pa) përgjegjësisë për bëmat e tyre, por do të ngelin edhe të  pandëshkueshëm dhe të paprekshëm! Edhe përkundër kësaj, ata që duhet t’i qortojnë këta njerëz, këto marrëzira do t’i perceptojnë me kollajllëk, sheherxhinjtë dhe sehirxhinjtë do të thonë se këto gjymtime janë rezultat i një tranzicioni të stërzgjatur. Intelektualët që do të vihen në siklet do të thonë se janë të pafuqishëm t’u dalin përballë marrëzirave në fjalë(!??), sidomos të pajtohen me një barsoletë që prej kohësh qarkullon në qarqet akademike, e cila, pos tjerash, llafos rastin e një shqiptari që pasi kishte “diplomuar” kishte thënë: “Juridiku ishte shumë i lehtë, tani do t’i hyj gjimnazit”(!?)

    Një marrëzi tjetër e radhës ndodhi kohë më parë në hapësirat e kryeqytetit të shtetit të Maqedonisë. Fillimisht kjo mesele rezultoi të kishte karakter lokal, por ama duke u shtrirë si haber jo i mirë do të zgjerohet në të gjitha hapësirat ku jetojnë ata që i takojnë fesë islame. Kjo mesele do të zhvillohet me etapën e saj hyrëse, atë të brendisë dhe me pjesën (jo) përfundimtare të saj. (Kush e di se a me kaq do të përfundojë).  Madje kjo ndodhi në xhaminë më prestigjioze të Myftynisë të Shkupit. Ata që kanë qenë dëshmitarë okularë do të thonë se protagonistë të kësaj meseleje kanë qenë njerëz karrieristë, teknokratë, inatçorë, njerëz që kanë hequr dorë nga avdesi, njerëz recidivistë të rrezikshëm, të ardhur nga provinca, njerëz që ushqejnë të keqen dhe anarkinë, njerëz që duhej që në emër të njerëzisë dhe të zotit t’i shërbejnë mirësisë dhe fesë që i takojnë. Unë këtë informacion e pranoj paksa me rezervë! Nëse është e vërtetë, atëherë Zoti ua faltë gabimet dhe i bekoftë! Tekefundit ata duhet të dëgjojnë zërin e arsyes, për t’iu kthyer arsyes. Ato zënka, ato fyerje, ato grushte dhe, në instancë të fundit, ato mosmarrëveshje nuk ishin (nuk janë dhe as që do të jenë) personale, përkundrazi ato janë zënka të trashëgimisë sonë kolektive.

    Dhëntë Zoti që kjo marrëzi dhe maskarallëku ynë të jetë e fundit dhe, nëse prapë do ballafaqohemi me një tjetër të radhës, atëherë nuk do të kemi të drejtë të esëllohemi, nuk do të kemi të drejtë të themi se për këto mosmarrëveshjet tona, duhet të akuzojmë të tjerët, nuk do të kemi të drejtë të fajësojmë “sunduesin pesëshekullor otoman, përbindëshin njëshekullor sllav, sundimin gjysmëshekullor enverian dhe atë komunist apo edhe politikën hileqare dhe djallëzore maqedonase”(!?) Ose, vallë, dikush do të pandehë të thotë se në këtë mesele paska dorë z. Nikollë dhe politika e tij!

    Të nderuar lexues, më thoni se a jemi të denjë t’i udhëheqim institucionet tona? A e kemi forcën që të arrestojmë njerëzit që shesin dhe blejnë padijen, a e kemi forcën që të padisim njerëzit e paprekshëm, që klandestojnë fetë tona. Nëse e kam për gabim këtë opinion gazetaresk, ju lexues të paanshëm, keni të drejtë të thoni se ky opinionbërës i vockël dhe i mërzitshëm o është i marrë, o ka nevojë të shkojë te urologu për kurim.

    Gëte dikur kishte thënë: “...e shenjta është ajo që bashkon shumë shpirtra”, dhe nëse xhamia është një objekt i shenjtë, atëherë nuk do mend se duhet t’i bashkojë besimtarët e jo t’i përçajë dhe t’i rebelojë.

    Në një kapitull të Kanunit thuhet, pos tjerash: “Autoriteti i klerit, qoftë i hoxhës apo priftit është i barabartë me autoritetin e dymbëdhjetë burrave”!



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx