E premte, 09.05.2025, 04:52 AM (GMT+1)

Mendime

Anita Haradinaj: S'ka drejtësi në Gjykatën e Hagës

E diele, 25.07.2010, 02:48 PM


Nga Elira Çanga

E gjithë bota ime është rrëzuar sot, shpresat për drejtësi janë zbehur, sepse burgimi i dytë i Ramushit nuk ka asnjë bazë". Anita Haradinaj flet me zë të dridhur. Është e shqetësuar, e zhgënjyer nga vendimi që u shqiptua dje nga gjykatësit e Apelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të rikthyer sërish gjyqin ndaj bashkëshortit të saj. Anita, e martuar në vitin 2003 me liderin e dikurshëm të UÇK-së, e ka shoqëruar atë gjatë gjithë seancave gjyqësore në Hagë, deri dy vjet më parë kur Haradinaj u lirua nga akuzat. Dje në Prishtinë, ajo nuk dinte më ç't'i thoshte djalit Gjin dhe vajzës Hana, që babanë e tyre e kanë pasur më shumë larg sesa afër në vitet e para të jetës. Ndërsa për Anitën, ky është rifillimi i një kalvari të lodhshëm e të dëshpëruar udhëtimesh nga Kosova drejt burgut të Sheveningenit, ku Haradinaj ndodhet që prej paradites së djeshme. 
Znj.Haradinaj, sapo është shpallur vendimi i Gjykatës së Hagës për të rigjykuar sërish bashkëshortin tuaj. Cili është reagimi juaj i parë? 
Ndihem e zhgënjyer, ndihem e fyer nga e gjithë kjo që po ndodh. Është një dhimbje e madhe. Nuk besoja se do të shkonte kështu, kisha besim te Gjykata e Hagës. Vetë kjo gjykatë rrëzoi akuzat e ngritura ndaj tij dhe nuk ishin pak. Ndodhi kaq shpejt e gjitha dhe nuk e prisja aspak, nuk doja ta besoja. 
Besoni se ka drejtësi në vendimin që u dha sot? 
Unë nuk di ç'të mendoj. Kjo gjykatë, ose nuk ka profesionistë, ose nuk ka aspak drejtësi aty. Akuzat e ngritura ndaj Ramushit, 37 të tilla, u rrëzuan pasi dolën para gjykatës më shumë se 100 dëshmitarë. Ndërsa tani, me dy dëshmitarë mund të kthehet pas vendimi e të rinisë edhe njëherë gjyqi. Nuk mund ta besoj që ka diçka të drejtë në këtë mes. 
Por gjykata tha se dëshmitarët e paraqitur gjatë gjyqit ishin nën presion... 
Kjo është punë e gjykatës, të përcaktojë cilësinë e dëshmitarit, cilësinë e dëshmisë së tij. Unë s'di ç'të them për këtë, por nuk besoj të kenë qenë nën presion. E vërteta është që ata dëshmitarë i rrëzuan akuzat ndaj Ramushit, para Gjykatës së Hagës. Ishin dëshmitarë të thirrur prej tyre. 
E prisnit një odise gjyqësore kaq të gjatë në Gjykatën e Hagës? 
Është tepër e gjatë, me të vërtetë. Ka nisur që në vitin 2005. Njeriu lodhet, dërrmohet nga një zgjatje e tillë pafund. Ne prisnim të kishte sorollatje të tilla, pasi ka një hierarki të jashtëzakonshme në Gjykatën e Hagës. Këtë e kuptuam kur nisi e mbaroi faza e parë, kur nisi faza e dytë, para se të jepej vendimi për lirimin. Por, pas shumë vështirësish, tani që menduam se do të rifillonim jetën normalisht, ndodhi kjo. Është e paimagjinueshme. 
Sa e vështirë ka qenë kjo kohë për ju? 
Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Kur Ramushi u dorëzua në Hagë, ishte viti 2005 dhe ne kishim vetëm 2 vjet martesë. E gjithë kjo kohë ka kaluar duke shkuar në Hagë e duke u kthyer, shtatzënë, me fëmijë të vegjël më pas. Ata e kanë ndjerë mungesën e të atit, edhe pse u kam qëndruar shumë pranë. 
Cili do të jetë hapi tjetër i bashkëshortit tuaj? 
Do të bëjë kërkesë për lirim me kusht. Më pas do të shohim ç'do të ndodhë. Datat e gjykimit të ri ende nuk janë vendosur. Partia e tij gjithashtu e ka kundërshtuar vendimin, duke e kritikuar atë. 
Besoni se do të lirohet së shpejti? 
Shpresoj shumë, me-gjithëse të gjitha shpresat e mia për drejtësi janë të zbehura sot. 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx