Mendime
Isa Mulaj: Pyetje dhe komente për artikullin e mikut tim Shkëlzen Gashi
E shtune, 24.07.2010, 09:58 PM
Shkëlzen,
Po e postoj këtë mendim pas vendimit të GjND-së, jo për të dalë me ndonjë qëndrim, por më bënë përshtypje disa keqinterpretime juridike në artikullin: “Çfarë ka me qenë vendimi i GjND-së për Kosovën?”. Pra, mos e merr këtë si një revansh pasi mendimi i GjND-së doli i kundërt me tuajin. Supozo se ai është tërësisht në favor të Serbisë, të Kosovës, apo i paqartë me disa kuptime ose siç e quani ju në anglisht “ambiguous”. Krejt në rregull është me parashikimet e sakta ose të pasakta. T’i kthehemi disa çështjeve thelbësore në interpretimet juridike sepse këto kanë më shumë rëndësi të drejtpërdrejtë se mendimi i GjND-së i cili nuk është obligues, por siç pajtoheni edhe ju, prodhon efekte morale të cilat më vonë mund të shndërrohen në reale.
Pyetjet me komente ndaj çështjeve thelbësore në mendimin tuaj janë:
Kur e përmendni RFJ-në dhe dokumentet ndërkombëtare që i referohen kësaj, harroni se diçka ka ndryshuar në terren. Edhe ashtu RFJ nuk ka qenë e pranuar ndërkombëtarisht si trashëgimtare e ish-Jugosllavisë, dhe më tepër është njohur si Serbia dhe Mali i Zi, me shkurtesën zyrtare SCG. Më 2006 Mali i Zi është shkëputur nga RFJ. Këtu është krijuar realitet i ri kundrejt atyre dokumenteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me referencë Kosovën, prandaj nuk është e logjikshme të kërkohet respektimi i asnjë dispozite ndaj një krijese që është zhdukur dhe nuk ekziston më. Nëse Kosova në Rezolutën 1244 është përfshirë në RFJ (si subjekt i veçantë) sikur Serbia dhe Mali i Zi, atëherë kjo nuk do të thotë automatikisht Serbi, pavarësisht madhësinë e Malit të Zi. Jo rastësisht Mali i Zi u pavarësua nga RFJ para Kosovës, dhe me këtë Kosovës iu sigurua një argument edhe më i fuqishëm për të shpallur pavarësinë afër dy vite më vonë. Rezoluta 1244 e njeh Kosovën si pjesë të RFJ-së, e jo të RFJ-së/Serbisë siç keni thënë ju. Na trego se në cilën dispozitë Kosova figuron si pjesë e RFJ/Serbisë, Serbisë/RFJ, apo edhe vetëm e Serbisë? Nëse aty ku keni lexuar ju, shkruan vetëm RFJ, kjo është diçka tjetër pavarësisht se ju e ngatërroni me Serbinë.
“..por pa specifikuar në bazë të cilit popull”, keni shkruar ju. Kur thuhet nëpër dokumente që i përmendi ju “people of Kosovo (populli i Kosovës), dihet se me çka ka të bëjë – të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ideja e juaj për ta specifikuar popullin, është saktësisht sikur interpretimi i ministrit serb të punëve të jashtme, Vuk Jeremiq, i cili e ka përmendur “vetëvendosjen në baza etnike” si kundër argument ndaj pavarësisë së Kosovës. Në Suedi diku 85% e popullsisë janë suedezë, ndërsa në Kosovë 90% shqiptarë. Nëse elektorati në Suedi ka vendosur t’i bashkëngjitet Bashkësisë Evropiane, a është specifikuar se cili popull në Suedi vendosi kështu?
Si duhet vepruar nga ana juridike në rastet kur rrethanat në terren ndryshojnë, si p.sh. shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe RFJ-së, por disa ligje të tyre mbesin në fuçi? A duhet t’i përdor ato ligje Kosova, ta zëmë Ligjin për semaforat në komunikacion, vetëm për vete apo si bashkësi me Malin e Zi (i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës) në RFJ të cilën Mali i Zi nuk e njeh sepse nuk ekziston më?
Për këto ligjet që i miraton Kuvendi i Kosovës edhe pa i lexuar fare, kam pasur dhe kam vërejtjeje vazhdimisht. Mirëpo, me rastin e mendimit tuaj, janë disa interpretime që nuk përkojnë shumë me kuptimin e duhur si janë formuluar dhe si ndryshon kuptimi i tyre me rrjedhën e ngjarjeve, sidomos Rezolutës së OKB-së 1244, dhe kjo për arsyet si vijon:
- Rezoluta nuk përmend ASKUND Serbinë me përjashtim të një rasti, por vetëm Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ). Ta sqarova dallimin ndërmjet RFJ-së (ku përfshiheshim Unë, Ti, ai serbi në Kragujvec, shqiptari në Preshevë, hungarezi në Suboticë, malazezi në Nikshiq, shqiptari në Ulqin, dhe boshnjaku në Rozhajë) dhe Serbisë. I vetmi rast kur Rezoluta 1244 e përmend Serbinë është në Nenin 10, te ai paragrafi “Withdrawal” (Tërheqja), dhe a e din në çfarë kuptimi se? Krijimi i një zone të demilitarizuar ose tampon (buffer zone) 25km brenda Serbisë nga kufiri me Kosovën. Unë dhe Shkëlzeni e mbajmë mend se kjo zonë ka ekzistuar. Por pyetja për Shkëlzenin është: Pse Rezoluta në këtë pikë nuk tha RFJ por Serbia? Po përgjigjem unë, edhe pse vetë e bëra pyetjen: Sepse në RFJ përfshihej edhe Mali i Zi, dhe Unë e Shkëlzeni e dimë mirë se atje nuk ka pasur “buffer zone” pasi nuk e obligonte as Rezoluta 1244.
- Derisa emri “Serbi” përmendet vetëm një herë dhe atë në kuptimin ushtarak meqenëse kishte të bënte ekskluzivisht me të, Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ) përmendet jo më pak se 14 herë në dokumentin prej vetëm 7 faqesh, Shkëlzen!
- Rezoluta përmend emrat “jugosllav dhe serb” në kuptimin ushtarak dhe policor, por fatmirësisht jo me rastin e vetëvendosjes së popullit për vendin dhe shtetin në baza kombëtare dhe etnike që po e kërkon Shkëlzeni dhe po aludon Vuk Jeremiqi. Me pavarësimin e Malit të Zi, emri “jugosllav” bie poshtë në Rezolutë, por si term gjuhësor që do të thotë “sllav i jugut”, përfshinë përpos serbëve dhe malazezëve në RFJ, edhe kroatët, boshnjakët, sllavo-maqedonët, madje edhe sllovenët, që jetojnë në RFJ dhe kudo qofshin. Askush nuk ka të drejtë t’ua mohoj atyre se nuk janë sllavë të jugut që në gjuhët e tyre do të thotë “jugosllavë”. Ata mbesin jugosllavë si grup kombesh pavarësisht se nuk e kanë më nënshtetësinë jugosllave.
- Në Nenin 4, 5, 6, 10 dhe fusnotën e tij, Rezoluta i referohet kthimit te një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllavë/serbë në Kosovë, por gjithnjë duke e shoqëruar me RFJ, e jo me Serbi. Po aty në Nenin 10, kur bëhet fjalë për Tërheqjen 25km larg kufirit të Kosovës, përmendet vetëm Serbia e jo RFJ-ja. Pse Serbia ende është realisht brenda Kosovës, kjo është diçka tjetër dhe është bërë më vonë me ndihmën e mendjelehtësisë juridike të “qyrykave” tonë në Kuvendin dhe institucionet e Kosovës si servilë të drejtpërdrejtë, të pakompromis dhe të verbër të disa agjentëve të huaj më mision në Kosovë për llogari të Serbisë, me parullën “po na thonë miqtë ndërkombëtarë”, shumë nga të cilët ishin miq të Serbisë (ende ka shumë të tillë) dhe fajet për këtë i kanë shumica e përfaqësuesve “tanë” që janë për tmerr.
- Siç e ceka më herët, me zhdukjen e RFJ-së bie emri jugosllav në kuptimin e nënshtetasve në Rezolutën 1244, por mund të mbahet për studimet e racave dhe kombeve. Krahas emrit “jugosllav” në Rezolutë është shënuar edhe “serb” ose “jugosllav/serb”. Nga duhet të kthehet një numër i personelit ushtarak dhe policor serb në Kosovë (prej disa qindra sish) që e parasheh Rezoluta? Nga Serbia? Rezoluta nuk e thotë se ky personel duhet të kthehet nga Serbia. Atëherë, kush janë këta serbë? Përgjigja: janë serbët e Kosovës që kanë shërbyer si policë dhe ushtarë, me përjashtim të atyre që kanë bërë krime. Ku kthehen këta? Kthehen në policinë e Kosovës dhe në FSK. Edhe ashtu deri në 10% të pjesëtarëve në këto dy institucione të sigurisë janë të pakicave, ku serbët janë kryesorët e kësaj përqindje. Rezoluta 1244 nuk përmend kund kthimin e personelit ushtarak dhe policor serb nga Serbia. Nëse ka polic serbë në kuadër të policisë së Kosovës (p.sh. në Graçanicë, Shterpcë) ose ushtarë të APJ-së/Serbisë (serbë të Kosovës) që kanë shërbyer gjatë viteve 1990-ta por nuk kanë bërë vepra penale, atëherë Rezoluta e llogaritë këtë si kthim të personelit policor dhe ushtarak serb në Kosovë. Se a e ndiejnë veten këta serbë nga Kosova në kuadër të policisë së Kosovës dhe FSK-së si pjesëtarë të Serbisë, kjo është diçka tjetër dhe jashtë asaj që e parasheh Rezoluta. Nëse Shkelzeni e kupton ndryshe Rezolutën 1244, le të më tregoj se ku gjendet baza e kthimit të personelit serb nga Serbia. Për shtetas nga territori i Serbisë është fjala, ose territorin të cilin nuk e përmend Rezoluta 1244. RFJ ka shkuar para më se 4 viteve dhe nuk ekziston më.
Çështja e vetëvendosjes së Kosovës juridikisht ka qenë e rregulluar deri-diku edhe me Kushtetutën e vitit 1974 të RSFJ-së dhe KSAK-së në kuadër të së “drejtës nominale për shkëputje me kusht që të mos dëmtohen njësitë tjera federative”. Me këtë formulim Kosova juridikisht e ka pasur të vështirë të shkëputet, jo pse ishte nominalisht me status federal pak më të vogël se Sllovenia, por se shikohej si shkëputje për bashkëngjitje me një shtet tjetër në kufi me Jugosllavinë – Shqipërinë, çka ka mundur të shihet si precedent i ngjashëm për njësitë tjera (p.sh. shkëputja e Maqedonisë për bashkim me Bullgarinë). Kosova dhe Maqedonia nuk kanë mundur ta përdorin të drejtën nominale të pavarësisë nga Jugosllavia të parat. Mirëpo, kur Sllovenia e bëri këtë e para, atëherë ajo e drejta nominale për shkëputje u përkiste të gjitha njësive të mbetura federative, duke përfshirë edhe Kosovën. Për rastin e Kosovës, këtu gjendet ky termi “ambiguous” i Shkëlzenit, d.m.th, Kosova edhe kishte, edhe s’kishte të drejtë pavarësie, por më shumë kishte. Sidoqoftë, duket se faktori ndërkombëtar ka dashur ta heq edhe “ambiguitetin” e mundshëm të fundit dhe ta bëjë atë “all-to-clear” – pavarësimi i Malit të Zi dhe t’i jepet fund referencave ndaj Jugosllavisë, qoftë ajo e krasitur, cunguar (në anglisht përdorej termi Rump Yugoslavia), sharritur, çkepur, arnuar, RFJ, ETJ. Ditën që Mali i Zi është pavarësuar, të nesërmen ka mundur ta shpallë pavarësinë edhe Kosova (e jo ta qoj aq larg më 17 shkurt 2008) dhe mendimi i GjND-së do të ishte po ky, atëherë, sot, nesër, apo dikur më vonë.
E kuptove tani pse GjND-ja nuk ka mundur të jep mendim tjetër pos këtij që e dha? Është bashkëveprimi i bazës ligjore dhe rrjedhës së ngjarjeve. Nëse ti ke pasur bindjen se drejtësia ndërkombëtare do të jep një mendim me shumë “ambiguitete” shkaku i mosfunksionimit dhe kriminalizimit të drejtësisë brenda në Kosovë nga grupet kriminale të cilën e kanë bërë si arenë shferci që mund të blihet e shitet si mall në sektorin informal, në shumicën e vendeve të botës ende ka ngapak moral, pra ka drejtësi deri në nivel të pranueshëm. Së paku nuk lejojnë shpërfytyrime banale të drejtësisë sikur në gjykatat e Kosovës me lidhje familjare, klienteliste, krim të organizuar, etj. Shumicës së popullsisë në Kosovë i është pjekur deri në palcë ajo se për të zgjidhur ndonjë kontest duhet pasur lidhje me këtë apo atë bandit politik, deputet, SHIK-un, në vend se të nisen prej parimit: I kam faktet; t’kalli kushdo që je. Ky është thelbi i drejtësisë.
Kam edhe disa interpretime tjera të Rezolutës 1244, por nuk guxoj t’i bëjë publike tani, ashtu siç nuk kam guxuar t’i paraqesë deri sot këto 4 pikat në fillim të kësaj përgjigje “pa u ardhur koha”. Edhe unë kam botuar në anglisht me përmbajtjen (me paramendim!) “Kosovo, which the UN Resolution 1244 recognizes as technically province of Serbia…” pas pavarësimit të Malit të Zi. Nuk jam i sigurt nëse ju interpretimin tuaj e keni bërë me ndonjë paramendim, apo prej zemre?
Të fala
Miku i juaj, Isa, me parullën “adequatio rei et intellectus” ndaj asaj “Tjetrazi” tuaj.