E merkure, 04.06.2025, 09:05 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Alpion: Emigrimi i poshtërimit

E hene, 19.07.2010, 08:32 PM


Emigrimi i poshtërimit

 

Nga DR. GËZIM ALPION

Universiteti i Birmingamit, Angli

 

Si çdo njeri, edhe kombet përjetojnë atë që mistikët i referohen si "nata e errët e shpirtit". Jo se netët e errëta të shpirtit janë të dëmshme, por në rastin tonë ata janë pjesë e një procesi që përjetohet pothuajse nga çdo gjeneratë, pa nxjerrë ndonjë mësim të vlefshëm. Të shkruash për "natën e errët të shpirtit" në aspektin fetar është një dhunti e veçantë e një numri të përzgjedhur shenjtorësh si Xhoni i Kryqit, Tereza e Aviles dhe më së fundi Nënë Tereza. Këta shenjtorë kanë arritur të kapin thelbin e këtij transformimi misterioz të shpirtit, mbi të gjitha sepse ata vetë kanë përjetuar proceset për të cilat shkruajnë me kaq delikatesë dhe nderim.

 

Të komentosh për "vërtetësinë" e rrëfimeve të tyre është vështirë dhe deri diku arrogancë, pasi përderisadikush vetë nuk ka përjetuar të tilla sprova të shpirtit, sprova si rezultat i të cilave shpirti pastrohet aq sa është i denjë të "ulet" pranë Zotit, është vështirë dhe deri diku e pamundur të kuptohet dhe interpretohet me objektivitet një proces i tillë transformues sa misterioz po aq edhe mistik.Ashtu si shenjtorët e lartpërmendur (të tillë shenjtorë gjenden jo vetëm në Katolicizëm po edhe në degë të tjera të Kristianizmit si dhe në besime të tjera si në Islamizëm, veçanërisht të traditës Sufiste), edhe shkrimtarët janë në thelb studiues të shpirtit dhe të metamorfozave të tij.

 

Të rrëfesh transformimet e shpirtit të një njeriu apo të një morie personazhesh në letërsi është një sfidë më vete.Në romanin e tij të parë, "Ëndrrat treten në mëngjes" që u botua fillimisht më 1997, Thanas Jorgji rrëfen një ngjarje të cilën ai e ka përjetuar vetë: eksodin e stërmundimshëm të dhjetë mijë vetëve në anijen "Vlora" në Gusht të vitit 1991. Në prag të 20-vjetorit të kësaj ngjarjeje romani është ribotuar. Nuk është një roman autobiografik. Dëshmia personale e një ngjarjeje të tillë sa tronditëse aq edhe simbolike është përdorur nga autori për të dokumentuar me një stil origjinal një ngjarje sa personale po aq sa edhe kolektive, një aventurë sa premtuese po aq edhe dështake, një eksod me nota biblike drejt një ëndrre për të cilën guximtarët e dëshpëruar duhet të pagëzohen me ujin e detit duke u zhytur me rrezik jete në fillim dhe në mbarim të kalvarit të tyre.

 

Udhëtimi fizik është temë qendrore në ketë roman por më të rëndësishme janë odiseja dhe transformimi i shpirtit individual dhe kolektiv që përjetojnë emigrantët. Këtu qëndron forca e Jorgjit. Autori e fashit prezencën e tij fizike. Ai është në çdo kamion, taksi dhe tren që ka për destinacion Portin e Durrësit. Ai kacaviret në litarin e anijes si mijëra të rinj e të moshuar, gratë shtatzëna dhe viktimat anonime që i përpin deti. Ai shoqëron mijëra bashkëpasagjerë në stadiumin-kafaz të Barit por në të njëjtën kohë nuk e "braktis" gjysmën tjetër të shtrënguar të ngujohet në portin e qytetit që ngjan me tepër me një kopsht zoologjik. Jorgji metamorfozohet si Visari, Rubini, Tino, Helena,

Nidha, Niska, Gaci, Lazri dhe Sugari.

 

Ai "prezantohet" shpesh si "ne" dhe në të njëjtën kohë mundëson pa u ndjerë krijimin e empatisë dhe simpatisë tek lexuesit për sprovat e shumta që ata shqiptarë kalojnë veç e veç dhe së bashku. Ai është i prirur ta shikojë njeriun thellësisht si një qënie pozitive por nuk nguron të nxjerrë në pah pa mëshirë edhe anët më shtazarake të njerëzorëve. Personazhe si Lad Vampiri, Pantera, Hiena, Bishtcigarja, Kuqoja Al Kaponia, Kokë Preshi apo Qimja e Derrit identifikohen vetëm me nofka; autori ua heq të drejtën këtyre "pjellave të krimit", siç i quan ata Visari, për të pasur emra normalë. Ai beson se e mira dhe e keqja ekzistojnë krahas njëra-tjetrës; ka momente kur e keqja duket sikur mbisundon dhe në këto raste të trishtueshme koncepti "civilizim" bëhet një fjalë pa kuptim.

 

Aktet kriminale dhe veprimet makabre që këta njerëz kryejnë si hedhja në det e një të riu nga Hiena dhe Lad Vampiri vetëm se thotë se nuk ka vend ku të shtyhet, si dhe përdhunimi i një gruaje dhe më vonë i Helenës në mes të mijëra dëshmitarëve në stadium të revoltojnë dhe vazhdojnë të të trondisin edhe kur ke përfunduar romanin. Për Jorgjin, një eksperiencë e tillë si eksodi i Gushtit 1991 simbolizon nadirin dhe zenithin e shpirtit njerëzor. Në të njëjtën kohë, romani regjistron edhe akte të shumta bamirësie, ndoshta të parëndësishme dhe në pamjen e parë edhe të rëndomta, por megjithatë shumë domethënëse; njerëzit janë të gatshëm të kontribuojnë me të holla për të blerë ujë dhe ushqim për të tjerët apo ndajnë ushqimin për të cilin rrezikojnë kokën kur u hidhet pa dinjitet në port dhe stadium.

 

Jorgji është i ndërgjegjshëm se romani i tij nuk është "argëtues". Të shkruash për eksodin e Gushtit 1991 në një kohë kur plagët, brengat dhe kujtimet janë akoma të freskëta dhe veçanërisht në një kohë kur demokracia në Shqipëri shpesh duket si një lindje e stërgjatur dhe e mundimshme, dhe t'i kujtosh popullit tonë të lodhur vuajtjet që hoqi gjatë dhe pas regjimit komunist, është dëshmi e kurajës intelektuale. Humori i Jorgjit, i pranishëm pothuajse në çdo moment të eksodit, është dhe terapik. Personazhi i Nidhës, për shembull, megjithëse jo figurë qëndrore (ky roman ka për personazh kryesor dhjetë mije refugjatë) është ndoshta një ndër protagonistët më komikë të dekadave të fundit. Është vështirë të mos e vësh buzën në gaz kur dëgjon Nidhën bujar të shprehet për pasagjerët që merr në Tiranë: "Le të vijnë! Le ta kenë kujtim pe mua Italinë.

 

Le të thonë: deri në Durrës na shpuri një shofer pe Korçe. Pa leka!"; apo kur mëson se megjithëse e quan "qelbanik" një çunak që shkul një tapet nga tribuna e stadiumit, për vete bën të njëjtin "mëkat" para se të kthehet me avion në Tiranë: merr nga stadiumi kupën e futbollit të ekipit të Barit. "E mo ja: thashë ta shpija në Korçë. Meqë "Skënderbeu" s'ka ndonjë kupë", justifikohet Nidha i sikletosur. Jorgji e përdor humorin me mjeshtëri edhe kur përshkruan degradimin që u bëhet emigrantëve në Portin dhe në Stadiumin e Barit nga autoritetet italiane. Ai indinjohet kur shikon se si përbaltet dinjiteti njerëzor në Italinë e civilizuar dhe anëtare e Komunitetit Evropian. Ai di të vlerësojë dhe të shprehë mirënjohje për italianët e thjeshtë si Karla dhe Domeniko të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë emigrantët fatkeq.

 

Por satira e tij nuk nuk kursen autoritetet italiane, policinë, mediat, për trajtimin që u bëjnë emigrantëve të Marsit dhe të Gushtit. U kujton italianëve, se në vitin 1943 ishin etërit e këtyre emigrantëve të mjerë që strehuan dhe mbrojtën nga ushtria naziste mijëra dezertorë të ushtrisë së Musolinit. Në Evropën e lirë, refugjatët kriminalizohen vetëm se ëndërrojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Megjithëse dy dekada pas eksodit të Gushtit 1991, shqiptarët akoma nuk gëzojnë të drejtën të emigrojnë në mënyrë të civilizuar. Dështimin moral të Perëndimit Jorgji e simbolizon me rikthimin në Tiranë nga autoritetet italiane të Dante Kalogierit i cili kur kapitulloi Italia fashiste u mirëprit në Shqipëri ku edhe krijoi familje. Dante, apo Dane, siç e pagëzuan shqiptarët, vuan nga humbja e kujtesës si pasojë e një plage në luftë. I gjori nuk e ka idenë se italianët "e tij" po e përzënë nga vendlindja ku ka ëndërruar të kthehet për afro gjysmë shekulli.

 

Puthja e pllakave të sheshit qendror në Tiranë nga Dantja, i cili kujton se më në fund, mbërriti në qytetin e lindjes Peruxha, është një nga skenat me të arrira të ironisë dramatike që kam lexuar ndonjëherë. Ky moment simbolizon braktisjen e dytë të Dantes nga Italia dhe ribirësimin e tij në patrian e adoptuar.Amnezia e Dantes është një bekim i trishtueshëm, ndërsa amnezia e shtetit italian moralisht e dënueshme. Kjo ide është simbolizuar në bisedën e trazuar që Luixhi, një ish dezertor i mbrojtur nga shqiptarët në 1943, i cili ndryshe nga Dantja, arriti të kthehet në Itali pas luftës së Dytë Botërore, zhvillon me shefin e policisë. Luixhi ka 50 vjet që kërkon ta "lajë borxhin" dhe për këtë merr rrugën nga fshati i tij për në Bari kur dëgjon në televizor se ç'po ndodhte në stadiumin-geto.

 

Kur shikon se argumenti i tij nuk ka efekt tek shefi i policisë i cili, si një robot besnik i aparatit burokratik italian, i kujton Luixhit se "rregullat" nuk e lejojnë që ai të strehojë në shtëpinë e tij asnjë refugjat, veterani nuk heziton t'i kujtojë atij se po të ishin zbatuar ligjet e luftës, pesëdhjetë vjet më parë, atij do t'i kishte ikur koka si "ushtari ushtrisë sonë të kapitulluar". Nëpërmjet një stili që ndonjëherë të kujton "kick-writing" e Kerouac-ut, në romanin e tij të parë, Jorgji regjistron në prozë dhimbjen njerëzore me intensitetin që vihet re në "Guernica"' të Pikasos. "Ëndrrat treten në mëngjes" është padyshim një roman i arrirë për eksodin e shqiptarëve në fund të shekullit të njëzetë. Dhe jo vetëm të shqiptareve. Mërgimi shpresëdhënës për miliona njerëz është kthyer në një llahtar të pafund. Ndoshta në një të ardhme të afërt kjo vepër do të tërheqë vëmendjen e ndonjë regjisori vizionar për të realizuar një film për një ndër tragjeditë me të dhimbshme të kohës sonë.

 

"Ëndrrat treten në mëngjes" është një anti-Kështjellë adareane. "Kështjelltarët" e Jorgjit u zbuan nga Evropa të cilën nuk shkuan ta zaptonin. Zbimi i tyre ua treti ëndrrat. Por shpirti i tyre i lënduar u bë më i mençur, erdhi në moshë. Ata mësuan, si të gjithë ne që jemi në mërgim, se "El Dorado" jonë është trualli amtar të cilin më tepër e kemi nëpërkëmbur ne se të huajt. Ndoshta klasa politike shqiptare do ta kuptojë këtë fakt të hidhur një ditë. Me tepër se lexuesi i thjeshtë, romanin e Jorgjit duhet ta lexojnë me vëmendje politikanët shqiptarë që janë në pushtet apo që aspirojnë për të në mënyrë që eksode si i Gushtit 1991 t'i përkasin historisë. Shpresojmë në shpresë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx