E premte, 25.07.2025, 03:27 PM (GMT+1)

Mendime

Majko: Tivari, komunistët shqiptarë janë përgjegjës

E premte, 16.07.2010, 09:32 PM


Nga Darina Tanushi

 

Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko ka komentuar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” atë çfarë përmban dokumenti i bisedës sekrete të ish-diktatorit Enver Hoxha me të dërguarin shqiptar në Jugosllavi, Lik Seitaj botuar pak ditë më parë në “Gazetën Shqiptare”. Majko shprehet se ky dokument përbën një pikë shumë të rëndësishme në atë që mund të quhet “diplomacia e fshehtë e regjimit komunist”. Duke e lidhur me masakrën e Tivarit, një çështje e rihapur së fundmi nga maxhoranca në Shqipëri, Majko shprehet se kjo nuk duhet të gjykohet aspak nga politika.

 

Zoti Majko, ju jeni njohur me një dokument të botuar në “GSH”, një bisedë sekrete të Enver Hoxhës me të ngarkuarin me punë të Shqipërisë në Jugosllavi. Pas kaq vitesh, si e gjykoni një bisedë të tillë?

 

Ky është një dokument shumë interesant. Në fillim duket si diçka e rëndomtë, por shpejt kupton të kundërtën. Mendoj që ai përbën një nga momentet e rëndësishme të asaj që mund të quhet diplomacia e fshehtë e regjimit komunist, të pas viteve ’44. Jemi mësuar që historinë e periudhës komuniste ta shikojmë ende nën perceptimin dhe optikën e asaj që ai vetë dëshiron, të cilën në një mënyrë apo në një tjetër, jemi mësuar ta lexojmë edhe në librat e historisë. Por, tanimë mendoj se në mënyrë shumë bindëse mund të thuhet se historia e Shqipërisë e periudhës komuniste nuk mund të kuptohet pa diplomacinë e fshehtë të Enver Hoxhës. Nuk është fjala për ta përdorur thjeshtë si term, por mendoj se kemi të bëjmë me një cilësi reale dhe shumë të qartë që ka të bëjë me atë që thashë, me diplomacinë e fshehtë që ka ndjekur Enver Hoxha. Pa kuptuar këtë lloj diplomacie, mendoj se do ta kemi shumë të vështirë për të transkriptuar atë që ka ndodhur me Shqipërinë, me pozitën e saj dhe me të gjithë ne, në atë që konsiderohet periudha e komunizmit nga vitet ’44 deri në vitet ’90. Pa kuptuar mënyrën se si Hoxha dhe kolegët e tij kanë artikuluar këtë diplomaci të fshehtë, pa i kuptuar kontratat e fshehta të liderit komunist në Lindje dhe në Perëndim, mendoj se do ta kemi shumë të vështirë në vazhdim të jemi pjesë e diskutimit të qartë të asaj që ka ndodhur me Shqipërinë dhe shqiptarët. Mendoj se dokumenti që po zbardhet edhe për publikun, në dijeninë time, është diskutuar edhe më parë, por se ia vlen të diskutohet në vazhdim në publik, si një moment, i cili mund të konsiderohet ndër më delikatët në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe më specifikisht, midis Hoxhës dhe Titos.

Duket qartë që diplomacia e fshehtë ka funksionuar goxha midis këtyre individëve, megjithëse në librat e historisë dhe në librat e kujtimeve ata janë përpjekur të na thonë se kanë qenë kundërshtarë dhe armiq. Në fakt, diplomacia e fshehtë dhe pikërisht ky dokument tregon qartë se marrëdhëniet e tyre kanë qenë rindërtuar mbi një bazë shumë të qartë kontraktuale të diplomacisë së fshehtë. Duket se në momentin më delikat për Titon, Tirana zyrtare ka ditur të gjejë një mënyrë komunikimi, mbase edhe e kërkuar nga Tito dhe për këtë mendoj se dokumenti përbën një provë, pavarësisht se në këtë rol është vënë drejtuesi i komunistëve të Kosovës, Fadil Hoxha. Për herë të parë në mënyrën më elokuente del dhe pozicioni i Shqipërisë karshi ekzistencës ose jo të Republikës së Kosovës. Është e vërtetë se pas demonstratave të ’81-shit, Shqipëria dhe Tirana zyrtare morën një pozicion shumë të fortë për “Kosovën Republike”, por ky dokument na tregon se në vitin 1970, Tirana zyrtare, duke e parë edhe në kontekstin e ngjarjeve që janë zhvilluar, nuk ka qenë për krijimin e një “Republike” të Kosovës, brenda logjikës së Jugosllavisë. Mendoj se dokumenti flet qartë në këtë drejtim dhe nuk ke se çfarë të diskutosh.

 

Bëhet fjalë për qëndrime dhe fakte të vitit 1970, por aktualisht në Shqipëri në marrëdhëniet me Kosovën po rihapet çështja e masakrës së Tivarit, a mund të na bëni një koment në lidhje me këtë? Si e gjykoni komisionin hetimor që po kërkon të ngrejë maxhoranca për këtë ngjarje?

 

Sa i përket komisionit hetimor për masakrën e Tivarit, mendoj është një çështje që nuk duhet të jetë “ekskluzivitet” në dorën e politikës. Duket që është një nismë, e cila nuk ka të bëjë shumë me idenë e zbardhjes së kësaj ngjarjeje. Për momentin, polarizimi politik që ekziston në Shqipëri, nuk do t’i bënte mirë një situate të caktuar. Ajo që dua të theksoj është fakti se në këtë dokument, e keni shumë të qartë se, nëse në masakrën e Tivarit liderët komunistë shqiptarë duhet të ndihen deri-diku bashkëfajtorë për atë që ka ndodhur, në vitin 1970 nuk besoj se qëndrimet apo vendimmarrjet e tyre kanë qenë influencë e dikujt si faktor i jashtëm. Masakra e Tivarit mbetet një nga masakrat më të tmerrshme të zhvilluara në gadishullin e Ballkanit, për mënyrën gjakftohtë se si qindra shqiptarë u morën dhe u masakruan. Imagjinoni që, sipas disa informacioneve, një pjesë e tyre u mbyllën për t’u asfiksuar edhe në tunel...Shkurt, një kafshëri njerëzore. Mendoj se në vitin ’70, Enver Hoxha nuk ishte më drejtuesi pa përvojë i viteve ’44-’45, nuk ishte njeriu në udhëkryq në vitin ’49; nuk ishte njeriu që po mbijetonte në vitin ’60. Në vitin ’70, Enver Hoxha ishte në momentin e tij më të mirë si lider i Shqipërisë, kurse Titoja pas pushtimit të Çekosllovakisë dhe goditjes së grupit të Rakoviçit në Beograd, ishte në momentin e tij më delikat që pas Luftës së Dytë Botërore, përballë një rreziku real rus invazioni. Në këtë kontekst, mendoj se marrëdhënia që paraqet dokumenti i bisedës në vitin ’70 është e ndryshme sa i përket asaj që ka ndodhur me masakrën e Tivarit. Dhe nëse do të më pyesni mua, përgjegjësia është moralisht më e madhe në kontekstin e ngjarjeve që kanë ndodhur në vitin ’70, se sa ajo që ka ndodhur në kontekstin e ngjarjeve të Tivarit. Sigurisht, në masakrën e Tivarit kanë humbur jetën njerëz, janë vrarë mizorisht shqiptarë të Kosovës dhe ngjarja ka peshë tepër të rëndë edhe për Shqipërinë e sapodalë nga Lufta e Dyte Botërore. Por, mendoj se në anën tjetër Shqipëria, insistoj të përsëris, në kontekstin e ngjarjeve të vitit ’70, padyshim ka humbur me vetëdije një shans të vlefshëm për t’i marrë në tavolinën e bisedimeve, qoftë edhe në distancë Josif Broz Titos të drejtën për të pasur një Republikë të Kosovës. Për fat të keq, duket qartë se shqetësimi i Enver Hoxhës dhe drejtuesve shqiptarë, gjithmonë e përsëris, në kontekstin e ngjarjeve të Luftës së Ftohtë dhe të balancave rajonale, ka qenë shqetësimi se një Kosovë me status ‘republikë’ brenda kontekstit të Jugosllavisë do të ishte një alterego, e cila do të konkurronte në lidership edhe në lëvizje gjeopolitike, lëvizjet e Tiranës zyrtare. Për fat të keq, dokumenti që u botua ditët e fundit tregon se ne kemi humbur një shans, që më pas i kushtoi pas 1979-ës për të shpërthyer në 1981-in në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për të shpallur dikë me fjalët më të ashpra që jemi mësuar rëndom. Mendoj që njerëzit duhet ta lexojnë, duhet ta kuptojnë historinë si është zhvilluar.

 

Për mendimin tuaj, a është me vend kjo kërkesë e kryeministrit për të gjykuar një masakër të tillë dhe për të vënë më pas para drejtësisë ish-udhëheqësit komunistë..?

 

Masakra e Tivarit kërkon dhe padyshim ka brenda vetes kërkesën për një ndjesë shumë të thellë në çdo sens historik, emocional dhe psikologjik për atë që ka ndodhur, brenda një fataliteti dhe konteksti kohor nga ekskluziviteti i politikës së vjetër dhe të re të Beogradit. Por, e përsëris, nëse masakra e Tivarit bart një peshë bashkëpërgjegjësie, pasi komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë ishin aleatë të Luftës së Dytë Botërore, dokumenti i zbardhur i diplomacisë së Enver Hoxhës, mendoj që në kontekstin e diplomacisë së fshehtë fsheh brenda një reflektim, i cili duhet të trokasë sipas mënyrës së vet tek gjithsecili. Si njohës i disa “kodeve”, ju siguroj se tani që flasim, nuk kanë ndryshuar dhe aq shumë...

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx