Mendime
Isa Mulaj: (Mos)Marrëveshja me Bankën Botërore dhe propaganda qeveritare si fore
E merkure, 14.07.2010, 09:59 PM
(Mos)Marrëveshja me Bankën Botërore dhe propaganda qeveritare si fore
Nga Isa Mulaj
Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)
Reagim ndaj artikullit me titull: “Marrëveshja me Bankën Botërore” të autorit Menderes Ibra, botuar në gazetën Kosova Sot, me datë 10 korrik, faqe 11.
“Jepja qeverisë [së Kosovës] armët ta luftoj armikun tënd, dhe ajo do t’i përdor ato kundër juve” – Harry Browne.
Autori Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë së Financave (MEF), në fund të artikullit thotë se qëndrimet e tij janë personale, ndonëse ato kanë qenë, janë dhe mbesin saktësisht dhe qind për qind qëndrimet e MEF-it. Po të thoshte se kjo (mos)marrëveshje e dyshimtë me Bankën Botërore (BB) me prapavijë të qartë për shpëlarje të parave duhet të refuzohet dhe të iniciohet një hetim ndaj interesit të gjithsej shtatë personave të cilët qëndrojnë prapa saj, atëherë qëndrimet e tij kanë mundur të jenë personale. Është pikërisht qëndrimi i tij qeveritar me maskën “personale” që i jep një botëkuptim tjetër ose të shtrembëruar realitetit, nën supozimin e bindjes që e paskan të tjerët si “perceptimi i limituar [kufizuar] i realitetit”.
Artikulli fillonte kështu: “Përgjegjësia qoftë individuale apo e institucionit rritet proporcionalisht me hierarkinë e pozitës. Pra, sa më lart që është pozita, aq më e lartë është edhe përgjegjësia”. Kjo ndoshta mund të jetë e vërtetë në çdo cep të botës, por kurrsesi në Kosovë. Sikur të thuhej e kundërta, do ishte perceptim dhe kuptim i drejtë i realitetit. Në Kosovë, përgjegjësia e individit në kohën e tashme, sidomos kur futet në institucione, është në proporcion të zhdrejtë ose në korrelacion negativ me hierarkinë e pozitës. Sa më e lartë pozita hierarkike, aq më e vogël përgjegjësia, ose më madhe papërgjegjësia që shkon deri në çartje me krim të organizuar.
Autori ka bërë mirë kur na e ka rikujtuar shumën prej 20,25 milionë dollarëve të kësaj (mos)marrëveshje, e ndarë në 9,11 milionë grant dhe 11,15 milionë kredi. Fakti se prej fillimit të votimit të kësaj pakoje e deri te refuzimi i tretë radhazi më 10 qershor 2010 në Kuvendin e Kosovës, kanë qarkulluar nëpër media dhe publik disa variante të kësaj shume si 12,25 me 8, 12 me 8,25 milionë dollarë, etj., tregon për jo transparencën e një marrëveshje të dyshimtë. Tek e fundit, çka ka rëndësi ndryshimi në disa qindra mijëra ose edhe në miliona dollarë kur e tërë marrëveshja është e dëmshme për Kosovën? Çudi si paskan votuar 68 deputetë në favor të ratifikimit pa e ditur përmbajtjen, planin e aksionit, dhe rezultatet e pritura ose të matshme të kësaj marrëveshje.
Qëllimi i paqartë i marrëveshjes, konflikti i MEF-ave dhe papërgjegjësia e tyre
Qëllimi i pa sqaruar dhe mungesa e hollësive tjera të kësaj pakoje “përkrahëse” të BB ende mbetet “për zhvillimin e kadastrës dhe regjistrimit të pronave të paluajtshme, si dhe zhvillimin e administratës publike”. Administrata publike i është shtuar tani një projekti të BB për regjistrimin e pronave i cili kishte filluar në vitin 2006 pa kurrfarë rezultati hiq, edhe pse janë shpenzuar mjete dhe ato figurojnë si mbështetje për Kosovën. Duket se në këtë sektor ku tash po kërkohet hyrja me zor e Kosovës në borxhe, disa ndërkombëtarëve dhe vendorëve (gjithsej 7) u ka mbetur butë si mundësi e biznesit për llogari individuale, ndërsa përgjegjësinë t’ia mveshin kolektivit. Një deputete veterane në Kuvendin e Kosovës (veterane, besoj e njihni të gjithë) ia ka pas “ftohur morrat n’kry” një përfaqësueseje të BB në Kosovë kur në një debat publik iu kishte drejtuar me akuzën: “Çka po ndodhë më këtë projekt tuajin për regjistrimin e pronave që 3-4 vite? Asgjë e hairit nuk doli; krejt vetëm spekulime dhe llafe pa kurrfarë rezultati të prekshëm, pavarësisht propagandës që po zhvillohet për këtë e projekt”. Ku po do argumente më bindëse? Po t’i dinë deputetët rastet tjera të jo transparencës dhe korrupsionit të BB në Kosovë, nuk do t’u kishin lejuar ta vëni as në rend dite këtë çështje pa ua prezantuar dhe bërë publike rezultatin e hetimeve aq të domosdoshme, me kusht që edhe këta të mos kenë mundësi të bëhen pjesë e atij korrupsioni (sepse mezi nuk presin sa herë u jepet mundësia).
Se a keni ju si MEF i tanishëm konflikt me MEF-in paraprak, dhe siç deklaroni ju në artikullin tuaj, a u “bëni mirë” njëri tjetrit me revanshe, kjo nuk duhet t’iu brengosë as juve e as partnerët tuaj revanshues. Nga të dyja palët, pra MEF-i i atëhershëm dhe i tanishëm, pësojmë më së shumti ne si qytetarë dhe tatimpagues të përditshëm nga konkurrenca e ju të dyve për llogaritë e juaja. Boll ka qenë MEF-i i kaluar me të meta, veç jo jo, MEF-i i tanishëm doli të jetë më adalet kundër, siç e përmendni ju, “interesit të përgjithshëm të qytetarët të Kosovës”.
Si mund të shpjegohet fakti se MEF-i i tanishëm posa erdhi në pushtet i futi në përdorim ndryshimet shkatërruese në skemën tatimore dhe gënjente me cinizëm për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 15 në 16 për qind, të cilën e paraqiste nëpërmjet propagandës qeveritare dhe mediale (ka më shumë qasje në media) si rritje prej vetëm 1 për qind? Si e mban atë gënjeshtër MEF-i kur rritja reale nga 15 në 16 për qind ishte 6,67 për qind, ose kur shprehet në tregues monetar, nëse u ka thënë juve si biznes ose konsumator se me këtë rritje ju do të paguani 100 euro me tepër në muaj si TVSH, e në realitet ju i paguani afër 670 euro? A e dini se çfarë dallimi drastik është ndërmjet 100 dhe 670? MEF-i i tanishëm e dinte fare mirë dhe për hir të “interesit të përgjithshëm të bizneseve dhe qytetarëve”, e lozte qëllimisht këtë lojë ta pandershme, demek po ja u lëshojmë rrastë e nuk janë duke e vërejtur, dhe mirë po ua bëjmë. Marrja e Zotit dhe tragjedia e ekonomisë së Kosovës!
Gënjeshtrat e tilla dhe skandali edhe me matematikë të shkollës fillore për gjëra zyrtare dhe të ndjeshme me ndikim për popullsinë e Kosovës, në rrethana normale të sundimit të ligjit do të duhej t’i nënshtroheshin procedurave të rregullta gjyqësore. Kjo do të ishte përgjegjësia individuale dhe e institucioneve. Këtu njëherësh bie poshtë deklarimi i z. Ibra rreth gjërave të cilat i cilëson të çuditshme si “mos nevojës për trajnime” në kohën “kur niveli i dijes në botë dyfishohet në më pak se 5 vjet, është vërtetë për brengosje”. Nëse ky dyfishim në botë është i vërtetë, atëherë është po ashtu e vërtetë se injoranca në MEF dyfishohet në më pak se 1 vit. Përpos dezinformimit të qëllimshëm, edhe vetë reforma në skemën tatimore ishte projektuar dhe zbatuar qëllimisht kundër interesit të përgjithshëm. Prandaj, trajnimet e MEF-it në kuadër të (mos)marrëveshjes me BB nuk janë në funksion të avancimit të dijes, por të shpëlarjes së trurit ose tranime.
Alternativa e vetme gjendet tek ai të cilin e këshillon z. Ibra
Z. Ibra akuzon deputetët: “Nëse ishin kundër një marrëveshje të tillë [me BB] atëherë çfarë alternativash tjera ofruan”. Për çka alternativë kur aty ishte çështja e vetëm miratimit ose refuzimit të marrëveshjes? Refuzimi i krimit të organizuar nuk ka alternativë. Sidoqoftë, meqë insiston, atëherë po e përmendim një alternativë, të cilën z. Ibra e din më mirë se të gjithë ne. Pse të miratoj Kosova marrëveshje për kredi 20,25 milionë dollarë kur ia ka dhënë botës mbi 460 milionë euro ose fondin e privatizimit? A e dini se çka po ndodhë me këtë fond? Edhe me kredinë e BB do të veprohet kështu. Dallimi është se kjo e BB do të na përmendet si investim i huaj (granti), e pjesa më madhe (kredia) do të na ngarkohet si borxh. Dikush nuk ngopet me plaçkitjen e fondeve të gatshme dhe dëshiron të na shkatërroj edhe më tepër duke na ngarkuar me borxhe për paratë që i merr tjetërkush jashtë Kosovës.
E përmendem fondin e privatizimit ose shumën e cila është mbi 25 herë më e madhe se pakoja fillestare e BB jo se është fond i joni, por se alternativë më domethënëse për marrëveshjen të cilën z. Ibra e ka kërkuar nga deputetët, sidomos nga ish-ministri i MEF-it, nuk ka. Dihet fort mirë se cili ministër i tanishëm sa ishte në AKM e ka tretur këtë fond diku jashtë Kosovës. Është po ai të cilin z. Ibra po e këshilluaka aq mirë. Në fakt, ky po duket si këshilltarë i qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm (sic), e jo i Ministrit. Sikur të ishte këshilltar i MEF-it, do t’i pëshpëriste në vesh Ministrit, qoftë edhe me qëndrime personale: “Ju jeni personi më kompetent në Kosovë të na sqaroni se çka u bë me atë fond sepse vazhdimisht keni qenë në rrjedha dhe i dini të gjitha detajet. Asnjë cent, qoftë grant, kredi, trajnime falas, nuk duhet të nënshkruhet me BB pa i kthyer qindra miliona euro të cilat ua kemi vjedhur qytetarëve të Kosovës. Këto në çdo kohë dhe rrethanë janë tonat, pastaj hyjmë në marrëveshje çfarë të doni me BB, qoftë edhe për krim të organizuar në formë më të hapur, qoftë edhe për financim të çfarëdo krimi tjetër”.
Sikur BB që e kushtëzon marrjen e garantit me kredi, ashtu mundet edhe MEF-i të bëjë kushtëzime – asnjë marrëveshje për kredi 20 milionëshe pa kthimin e qindra milionave tona. Unë dhe ju nuk jemi në pozitë ta këshillojmë Ministrin në këtë mënyrë. Z. Ibra është por duket se në vend të Ministrit, po na këshillon neve si qytetarë të thjeshtë për marrëveshjen e tij të dyshimtë me BB, për me na “ngul” ne qytetarëve që duhet t’i bartim pasojat.
A e dini ju kur është tepër me krim të organizuar, a jo? Po themi “tepër”, sepse “boll” është bërë moti dhe për këtë është i njoftuar edhe ai gorilla në Kongo nga “perceptimi i kufizuar i realitetit” në Kosovë.
13 korrik, 2010.