E enjte, 24.07.2025, 10:26 PM (GMT+1)

Mendime

Mehmet Bislimi: Ca prapësi po bëhen edhe në emër të demokracisë!

E hene, 12.07.2010, 09:25 PM


Ca prapësi po bëhen edhe në emër të demokracisë!

 

Nga Mehmet BISLIMI

 

Kanë kaluar epoka të tëra, që kur u krijuan shtresat e shoqërisë si pasojë e qasjeve të njëanshme mbi prodhimin, shpërndarjen, konsumin dhe tepricat. Për pasojë, kundërthëniet që u krijuan në vazhdim bartën mbi supe edhe përplasje jo të këndshme të cilat i paguan zakonisht të pambrojturit, të shtypurit dhe të pamundurit. Ky diskriminim e shtyri shoqërinë të gjurmojë gjetjen e rrugëve të reja për shpëtim. Natyrisht, me gjithë mangësitë edhe komuniteti primitiv u mbështet te një pikë kulmore që e quajtën kod. Pra, kodi moral, kodi zakonor, kodi i mirësjelljes etj.

Që në shekullin VXII para erës sonë në Babiloninë e lashtë krijuan kodin i cili njihet si ndër monumentet e para të institucioneve juridike me emrin Kodi i Hammurabit. Ky kod caktoi mirësjelljen ose rregullat juridike të asaj kohe. Tani më që nga ajo kohë, kur skllavopronari kishte të drejtën e jetës dhe të vdekjes mbi skllavin (Isu vitae Ac necis), gjërat kanë evoluar në fushën e shkencave juridike, dhe ky evoluim vazhdon edhe sot në shoqërinë tonë më të re demokratike, mirëpo habit fakti kur sot, pas shumë shekujsh, pretendohet pikërisht që të shkelet kodi i mirësjelljes, pra kërkohet që në emër të demokracisë të përligjet “diskriminimi i ashtuquajtur modern” i kohëve të sotme!...

Nëse ato janë vlerat që ndërlidhën ngushtë, para së gjithash me mirëqenien e njerëzimit, sigurisht se nuk mund të themi se janë po ato vlera që degjenerojnë si burim i mirëqenies së “tepruar!”... Mirëqenia e “tepruar”, nganjëherë edhe keqkuptohet, keqpërdoret dhe keqinterpretohet - siç është rasti me subjektin politik (SVP), të Partisë Popullore të Zvicrës, e cila me “eksperimentet” që po pretendon t’i jetësojë në shtetin e Zvicrës me “iniciativën për dëbim” “Auschaffungsinitiativ”si dhe iniciativa të tjera të mëhershme, sigurisht se demokracinë e drejtpërsëdrejti zvicerane do ta vërë në pozitë të palakmueshme.

SVP po kërkon hapur që brenda shoqërisë helvetike të ketë ndarje të disfavorshme të drejtësisë, të prodhimit, të të mirave materiale, të sigurimeve shëndetësore, të sigurimeve të makinave, të punësimit, të shkollimit të fëmijëve (Lehrstelle), të sigurimeve pensionale, të mbikëqyrjeve sociale, të kodit të sjelljeve të shërbimeve administrative, të tatimeve, të sjelljes së organeve të dhunës ( policia), të ligjit dhe të shtetit etj., duke synuar që ky rreth shtrëngimi të këpusë në mes, në veçanti të huajt (Ausländer-ët), që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet. Kjo tendencë e përligjjes negative, Zvicrën ngadalë, por sigurt, po e shpie në kahun e kundërt të demokracisë, që tanimë ka filluar t’i vjen edhe ca erë racizmi, rrymë kjo e padëshiruar, e urryer dhe e dënuar nga mbarë bota, që nga kohët e mëhershme!...

Nëse për punë të njëjta, për vepra dhe qëllime të njëjta, kërkohen masa të ndryshme, në veçanti për etni të huaja që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, të cilët janë po aq të pambrojtur para ligjit - dhe nëse kjo jetësohet, ky kod i sjelljes s’është gjë tjetër veç se diskriminim i hapur në emër të një shoqërie po aq “demokratike!”- siç e mburr veten ky shtet.

SVP po pretendon një diskriminimi të “ligjshëm”, një normë ligjore e cila do të bartë në vete pasoja negative për jetën e etnive këtu në Zvicër, pa dyshim edhe për vetë imazhin e këtij shteti. Të huajt në Zvicër janë kryesisht, punëtorë, strehues politikë, ekonomik, humanitarë etj. Janë familjarë të mirë të integruar dhe bëjnë një jetë solide, sinqerisht ata bëjnë punët nga më të rëndat në këtë shtet, pa dyshim me barrën e injorimit, të përbuzjes dhe të diskriminimit mbi supe! Për ta kërkohet që për punë të njëjtë të mos marrin paga të njëjta, siç marrin vendoret, ku për një vend pune, vend shkolle Lehrstelle, për një leje ndërtimi, për një sigurim makine etj. 

Ausländer- ët diskriminohen pa ngurrim dhe ata janë të detyruar që të bëjnë një pranim të “butë” të këtij diskriminimi, përderisa nuk ka zgjidhje tjetër, për më keq interesat e shqiptarëve në Zvicër nuk ka kush t’i mbrojë. Shqiptarët nuk e kanë mbrojtjen e duhur të shtetit të vet - Kosovës, në fakt komuniteti shqiptar në këtë shtet ka një përfaqësues anonim e anemik - diplomatik të cilit nuk iu dukën gjurmët deri më sot për të bërë të paktën një prezantim të denjë prej diplomati... Madje as para komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në këtë shtet. Ky “hor” diplomatike ishte dhe mbeti nën hijen e politikës së dikurshme të gërdallave të dështuar të cilët dikur kishin qenë flamurtarë të ndarjeve dhe përçarjeve mes shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër e më gjerë në perëndim!...

Më tutje, është i pashpjegueshëm fakti kur pretendohet që edhe deliktet, qofshin ato kundërvajtës, apo penal, të kualifikohen si më të rënda kur kanë të bëjnë me Ausländer-ët! Në fakt, për vepra të njëjta delikuente do të duhej të jepeshin masa të njëjta ndëshkimi, kështu thotë ligji! Jo, as kjo nuk ndodh. Ta zëmë, nëse një i huaj në Zvicër bën vepër penale, bie fjala qoftë edhe fatkeqësi në komunikacion etj., kjo parti kërkon që përveç autorit të veprës së pamirë të inkriminuarit t’i dëbohet nga Zvicra edhe familja (!) pavarësisht se kjo familje mund të jetë plotësisht e integruar në shtetin helen, mund t’i ketë fëmijët në shkollë, në studime, në punë! Pavarësisht se kjo familje mund të ketë sjellje shumë të mira, mund të mos ketë pasur as edhe një herë kundërthënie me ligjin dhe shtetin Zviceran.

Këto masa na kujtojnë veprimet e shekujve të kaluar, të komuniteteve primitive, ku shoqëritë e atëhershme vepronin mbi baza zakonore, kanunore etj, që janë masa dhe sjellje primitive, ku ndaj delinkuentëve merreshin masa drakonike si djegie të pasurisë, lëçitje, madje edhe dëbim nga komuniteti ku ai jetonte! Me kalimin e kohës, këto masa “avancuan” tek Perandoritë despotike si masat e syrgjynit që i zbatonte Perandoria Otomane etj, së voni edhe me masa të internimit të njerëzve në Siberi gjatë kohës së komunizmit Stalinist, që iu bëhej familjeve të tëra gjatë kohës së sistemeve moniste- komuniste në ish Jugosllavi, në Shqipëri e në shtetet e tjera të Lindjes. Nëse kjo iniciativë do të jetësohet, atëherë kjo nuk do të jetë as më shumë e as më pak se një diskriminim tipik i llojit “SVP”, mbi baza etnike - rrjedhimisht edhe mbi bazë të origjinës!

Çdo qenie njerëzore lind e lirë dhe e barabartë!

Nëse këto përkufizime janë të përafërta me realitetin, dhe nëse për ekonominë e tregut vlen ligji i vlerës në kushtet e konkurrencës lojale, ku oferta dhe kërkesa përcaktojnë ekuilibrin e tregut, atëherë edhe në normat ligjore do të duhej të ishin në konkurrencë me vlerat morale demokratike, ku njeriu lind i lirë, ku mbrohen të drejtat e tij, ku ndihet i barabartë para ligjit, ku morali është mbi të gjitha - këto atribute i dedikohen shoqërisë së sotme demokratike dhe vetëm kjo rrugë shpie drejt një demokracie të mirëfilltë e cila garanton të drejtat më universale të mbarë njerëzisë. Dorën në zemër, nga etnitë e huaja që jetojnë në këtë shtet ka edhe të tillë që bien ndesh me ligjin. Në mesin e tyre pa dyshim se ka edhe shqiptarë të cilët bëjnë të pabëra! Shikuar realisht, raporti mes veprave, delikteve, të të huajve dhe vendorëve, në Zvicër është shumë herë më i disfavorshëm për vendorët...

Njohuritë juridike- shtetërore kanë dy kohë të kundërta.

Së pari; janë përpjekjet për zhvillimin e një procesi adekuat shkencor, dhe së dyti; janë rrethanat për integrimin e këtyre njohurive.

Nëse nocioni paraqet çështje statike dhe ligjshmëritë paraqesin dukuri në lëvizje, atëherë kjo shoqëri do të duhej që të kërkonte lehtësime, të cilat do të shpinin në evitimin e diskriminimit mbi baza të etnive, ngase kjo komprometon vetë shtetin zviceran që hiqet se ka një ndër shkallët më të larta të demokracisë, pra me një demokraci të drejtpërdrejtë.

Kjo qasje që shpie nga metoda deduktive në atë induktive që do të thotë prej të veçantës tek e përgjithshmja, sikur do të keqinterpretohet. Këto metoda të veçanta janë juridike ( dogmatike), normative formale - logjike dhe sociologjike etj, të cilat nuk guxojnë të përgjithësohen, nga së pësojnë me shumicë të pafajshmit. Nëse metodat juridike - dogmatike përcaktohen në mënyrë të qartë, atëherë nën petkun e saktësisë së normës juridike nuk mund të manipulojë asnjë subjekt, qoftë ai edhe SVP-ja.

Për zbatimin dhe interpretimin e normave, qoftë edhe nëpërmjet metodës së analogjisë, H. Kelzen, thotë: “Shteti është personifikim i rendit juridik”, atëherë shtrohet pyetja: nëse këto janë normat juridike të veçanta, kur drejtësia ndahet mbi baza të etnive ose thënë më qartë - mbi baza të origjinës, po aq sa edhe mbi baza të zhvillimit dhe mirëqenies ekonomike, që të ”mëdhenjtë” e vunë si kush, apo lum të pakalueshëm për të qenë sa më afër BE-së!?

Më së e qartë; pushteti përbëhet nga urdhërdhënësit dhe nga dëgjuesit e urdhrave. Pala e parë e ka forcën për zbatimin e këtyre urdhrave, por a nënkupton kjo gjithherë se ai që ka forcën, ka edhe të drejtën e zbatimit të saj!?

Dhe së fundi; lidhja juridike e qytetarëve me shtetin, që janë ose quhen shtetas.

Komuniteti shqiptarë në Zvicër është i vetëdijshëm për këtë, por në forma të tjera ata janë përditë e më shumë në lidhshmëri me këtë shtet, duke qenë bartës të prodhimit, të ngritjes dhe ndërtimit të këtij shteti, të shkollimit dhe të integrimit të tyre dhe të familjeve të tyre me prani dhe punë të përditshme, me respektim të ligjit dhe mirësjellje, me kontributin e vet në këtë shoqëri me anë të tatimeve dhe kontributeve të tjera formale e joformale. Në fakt çka japin të tjerët më shumë për këtë shoqëri, pra edhe vetë zviceranët?

Shqiptarët janë lojalë në Zvicër, ani pse ata nuk e gëzojnë lidhjen e drejtpërdrejtë juridike me këtë shtet, mirëpo ata janë lojalë në kuptimin e normës së caktuar juridike, që do të thotë (apatride), persona fizikë të cilët nuk e kanë të zgjedhur çështjen e shtetësisë në këtë vend. Mirëpo komuniteti shqiptar, si etni, brenda shoqërisë zvicerane është i integruar edhe ligjërisht si (ius domicili), pra me prezencën e vet në jetën e përditshme brenda këtij shteti.

Janë normat shoqërore ato që rregullojnë jetën shoqërore, po aq sa janë edhe normat imperative ato që do të duhej të ndodhnin, janë edhe ato indikative, pra diçka që po ndodh përditë në këtë shtet. Pa dyshim se komuniteti shqiptar këtu për ditë e më shumë po përfaqëson interesat e shoqërisë Hevetike në mënyrën më të denjë, duke krijuar njëkohësisht edhe një imazh të mirë për Kosovën- origjinën e vet.

Nocioni demokracia e drejtpërdrejtë, që do të thotë pjesëmarrja e popullit në vendimmarrje, kur për shumë çështje populli vendos me referendum, nuk do të thotë së gjithherë është e qëlluar, e drejtë dhe e bazuar në norma juridike.

Prandaj duhet për të saktësuar qartë qëllimin e iniciativave të caktuara, të cilat, për pasojë, mund të jenë edhe degraduese dhe diskriminuese në raport me shkeljet e të drejtave të njeriut siç janë deklaratat e përgjithshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si:

1. Deklarata amerikane, miratuar me 1948

2. Konventa amerikane, miratuar me 1969

3. Deklarata e Kajros, miratuar me 1990 për të drejtat e njeriut dhe të përcaktimit të tij fetar.

Mbi të gjitha duhet studiuar mirë “karremi”, se çfarë iniciativash ofrojnë subjektet e caktuara, qoftë edhe SVP, forumet ose iniciativat e tjera qytetare. Duke analizuar që më parë së çfarë përmbajnë ato në formë dhe në esencë, në çfarë kohe dhe hapësire lansohen ato, mbi cilat pika nevralgjike plasohen ato. Cili është qëllimi dhe caku i tyre etj.

Krejt në fund shtrohet pyetja: a ka shoqëri më të zhvilluar se shoqëria demokratike? Pa dyshim se nuk ka, përderisa nuk ka lindur ajo!, ose deri atëherë kur në rrethana të caktuara, si pasojë e gjithë këtij diskriminimi etnik, nacional, rajonal, racor, konfesional, ekonomik etj., do të lindë një sistem i ri shoqëror! Kjo e vërtetë absolute do të ndodhë një ditë, ashtu siç kanë ndodhur në të kaluarën kur janë shembur për dhe rende të njëpasnjëshme shoqërore si pasojë e degjenerimit të brendshëm të tyre, ashtu siç ka filluar të degjenerohet sot edhe sistemi demokratik në emër të të cilit po bëhen prapësi të shumta!...

 

Zvicër, korrik, 2010



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx