E enjte, 24.07.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Mendime

Mustafa Nano: Shkëkmbim territoresh? Praktikisht e pamundur

E premte, 09.07.2010, 08:34 PM


SHKËMBIM TERRITORESH? PRAKTIKISHT E PAMUNDUR.

 

Zululand

 

Nga Mustafa Nano

 

Ka ca kohë që po flitet më shumë sesa zakonisht për shkëmbim territoresh midis Kosovës e Serbisë. Të parët janë serbët, që u bien këtyre borive, por nuk mungojnë dhe zëra të tjerë, të cilët herë e hedhin këtë tezë për hesap të serbëve, herë e hedhin për hesap të tyre, e herë e hedhin ndershmërisht si të vetmen zgjidhje që rregullon njëherë e mirë marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Në fakt, gjithmonë është folur për këtë gjë, para e pas luftës në Kosovë.

Por a është i mundur në praktikë shkëmbimi i territoreve midis Serbisë e Kosovës? Dua të them, mund të bjerë dakord diplomacia ndërkombëtare, që të ndodhë kjo gjë? Duket shumë e rrezikshme. Prandaj shumë e vështirë. Për të mos thënë e pamundur. Do të krijohej një alamet precedenti, që do të rizgjonte shumë ëndrra, do të rihapte shumë projekte, e do të ngjallte shumë orekse këtyre anëve. Ballkani është plot enklava, që në këto rrethana do duheshin shkëmbyer me enklava të tjera. Ua kanë ngenë fuqitë e mëdha këtyre punëve? Si zor.

Po le të bëjmë supozimin, se fuqitë e mëdha, jo vetëm kanë nge për të realizuar një shkëmbim territoresh midis Kosovës e Serbisë, jo vetëm e quajnë të parrezikshme një gjë të tillë, jo vetëm e shohin si të mundur, por edhe e shohin si të vetmen mënyrë për të qetësuar ujërat shqiptaro-serbe, e prandaj do ta kërkojnë me këmbëngulje. Supozim surreal? E di, por le ta marrim në shqyrtim si një prej zgjidhjeve teorike të rebusit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Ç’qëndrim do mbanim ne shqiptarët? Do t’i jepnim ok-in kësaj zgjidhjeje?

As që bëhet fjalë. Përgjigjja është e prerë, e qartë, elokuente: kurrë. Nuk e marrim mundimin (po flas për mean-stream-in) t’i bëjmë pyetjen vetes: është më mirë të bëjmë një shkëmbim territoresh tani, me qëllim që të biem në një qetësi e në një paqe të përjetshme, apo t’i ruajmë me fanatizëm këto enklava, dhe pakicat etnike në to, si mollë të një sherri gjithashtu të përjetshëm? Kemi frikë ta ngremë këtë pyetje. Dhe frikën nuk e kemi nga pyetja; e kemi nga përgjigjja, që do të gjenim në ato zgëqet e trurit tonë, ku ka më pak emocion e më shumë urtësi: po, një shkëmbim i tillë territoresh (kuptohet, jo  domosdoshmërisht me logjikën banale “të jap Mitrovivën, më jep Preshevë/Medvegj/Bujanovcin”) mund të ishte një zgjidhje, që do të garantonte paqe, stabilitet e siguri afatgjatë midis shqiptarëve e serbëve. Ka dhe një përthyerje tjetër kjo zgjidhje; do të linte pa punë nacionalistët profesionistë të Tiranës, të Prishtinës e të Beogradit, e kështu edhe veshët do të na binin rehat, edhe shoqëria, kultura, politika, etj., do të bëheshin më punëmëdha. S’e keni vënë re, që shoqëritë më pak fanatike janë më shumë efektive?

Por nacionalistët nuk ka pse të shqetësohen. Askujt (me mendje të ftohtë) nuk do t’i shkojë mendja për ta sugjeruar një zgjidhje të tillë. Jo ngaqë është e padëshiruar, por ngaqë është e pamundur.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx