Mendime
Arben Llalla: Emri Maqedonia e Vardarit i papranueshëm për Greqinë
E merkure, 07.07.2010, 09:59 PM
EMRI MAQEDONIA E VARDARIT I PA PRANUESHËM PËR GREQINË
(Gjashtëmujori i dytë nuk do të sjelli asgjë të re në zhvillimet politike të jashtme të Maqedoni siç është zgjidhja e çështjes së emrit.)
Nga Arben LLALLA
Kohëve të fundit po flitet me të madhe se propozimi i ri që pritet të sjellë Metju Nimici për zgjidhjen e problemin të emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë do jetë Republika e Maqedonisë së Vardarit. Ky emër sipas shumë opinionistëve është i pranueshëm për Greqinë. Por ne nuk ngutemi po të themi se edhe ky propozim do të refuzohet me forcë nga Greqia për shumë arsye.
1.) Në radhë të parë emri Republika e Maqedonisë së Vardarit është shpikur nga Tito me pëlqimin e Stalinit në vitin 1944, pra është një emër i kundërshtuar nga grekët që në ato vite. Pranimi nga pala greke e këtij emri do të legjitimonte propagandën e Titos për themelimin e Republikës së Maqedonisë të Jugosllavisë e cila kishte pretendime për minoritetet e saj në Bullgari dhe Greqi. Propagandë ideologjike që ende vazhdon të mësohet në shkolla edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
2.) Emri me përmbajtje Vardar ngre pretendime për aneksimin e tokave greke nga kalon ky lum i cili më tej derdhet në Selanik. Emri gjeografik Republika e Maqedonisë së Vardarit logjikisht duhet të përfshijë edhe tokat nga kalon lumi Vardar, emrin e të cilit do të jetë propozimin i ardhshëm i Nimicit.
3.) Asnjë emër me përmbajtjen e fjalës Maqedoni nuk do të pranohen nga qeveritë greke që to mundësojë anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO. Ka shembuj të shumtë kur një shtet ka dëshiruar të anëtarësohet në ndonjë organizatë dhe si pasojë e kundërshtimit të njërit nga anëtarët e organizatave ka ndryshuar emrin e Republikës për tu anëtarësuar
Në vitin 1967 Britania e Madhe dëshiron të anëtarësohej në organizatën ECM, por për këtë anëtarësim reagoj Franca sepse një krahinë e saj kishte emrin Brittany. Kështu pranimi në ECM u bë me emrin Mbretëria e Bashkuar. Lind pyetje se me çfarë logjike Greqia do të pranojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me emrin Republika e Maqedonisë së Vardarit apo diçka që në përmbajtje do ketë emrin Maqedoni?! Kur dihet që Greqia e Veriut njihet me emrin krahina e Maqedonisë dhe e Thraqit.
4.) Opinioni në Greqia ende nuk është i përgatitur shpirtërisht dhe psikologjikisht që të pranojë çfarëdo emri që do ketë në përbërje fjalën Maqedoni.
Në periudhën e sotme që po diskutohet me të madhe se brenda kryesimit të presidencës Belge do të zgjidhet çështja e emrit qeveria e sotme e Greqisë nuk është në pozicione të forta që të rrezikonte vetveten për të pranuar një humbje historike dhe morale në lidhje me emrin Maqedoni. Zgjedhjet vendore greke që do mbahen në nëntor priten që fushatën ta përqendrojnë në parrullat e zjarrta patriotike që lidhen me problemet që ka Greqia me fqinjët e saja si Shqipërinë, Turqinë dhe Maqedoninë. Keqpërdorimi i fushatës me problemet e jashtme që ka Greqia do të bëj që qytetari grek të mos mendojë shumë për problemet e thella ekonomike. Kjo për momentin do ti interesojë qeverisë së Papandreut për të fituar sado pak kohë për gjetjen e rrugëve që do ta nxirrnin Greqinë nga kaosi ekonomik.
Problemi i emrit që ekziston midis Greqisë dhe Maqedonisë nuk është aq i thjeshtë sa duket. Pas këtij preteksti fshihen problemet e shumta që kanë dy vendet si pretendimet e Maqedonisë për të drejtat e minoritetit maqedonas që jetojnë në Edesa e deri në Follorinë. Në këtë drejtim pas nuk janë edhe pretendimet e Greqisë e cila pretendon se në Maqedoni ekziston minoriteti i fshehtë grek, numri i të cilit rrotullohet sipas mediave greke tek 100 mijë njerëz. Sot në Manastir e Shkup ekzistojnë kurse ku mësohet gjuha dhe kultura greke nga qytetarët fyromas. Pas çështjes së emrit fshihen politikat e boshtit të USA dhe Rusisë të cilët kanë ndikim të fortë si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi me klane të forta politike-ekonomike.
Prandaj do të ishte më e ndershme që politikanët e Maqedonisë të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve të shumta që ekzistojnë në lidhje me të drejtat e njeriut, të minoriteteve, realizimin e Marrëveshjes së Ohrit se sa me gjetjen e rrugicave qorre për anëtarësimin në NATO dhe BE. Sepse duket qartë që para vitit 2014 Maqedonia nuk do të pranohet në NATO dhe para vitit 2025 në BE. Deri atëherë partitë politike duhet të punohen për realizimin e punëve të brendshme të shtëpisë.