Mendime
Ali Caka: Ishte dikur, dhe vazhdon edhe më tej pa u ndalur
E diele, 04.07.2010, 09:19 PM
Ishte dikur, dhe vazhdon edhe më tej pa u ndalur
Miqve të mi të Alb-shkencës së degës së Kosovës u pata thënë se, duhet të kemi kujdes për veprimet dhe udhëheqësit e imponuar të aktiviteteve të Alb-shkencës. U pata thënë se, Alb-shkenca është e dëshiruar si armë e fuqishme komunikimi dhe se, ka edhe të atillë që do të paguanin për ta shtirë në dorë këtë hapësirë virtuale komunikimi.
Nga Ali Caka
Viti 2007, dita e pesëmbëdhjetë dhe e gjashtëmbëdhjetë e muajit gusht, Takimi i dytë i Institutit Alb-shkenca zhvillon punimet e tij në konferencat e seksioneve shkencore. Punimet zhvillohen në sallat e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës. Aty janë shkencëtarët shqiptarë nga e gjithë bota.
E po të njëjtin vit, 2007, e po të njëjtin muaj, gusht, nga dita e trembëdhjetë e deri në ditën e njëzetekatërtë, Albanologët nga e gjithë bota mblidhen në Prishtinë, dhe në sallat e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës paraqesin punimet e tyre shkencore në Seminarin e njëzetegjashtë ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Të gjitha këto organizohen nga shqiptarët, disa e dinë pse e disa kanë për ta mësuar më vonë, pse.
E tash njësoj dhe njëlloj, por e tëra e zbuluar, viti 2010, muaji maj dhe qershor, e të gjithë tashmë e kanë informacionin, se po përgatiten dy takime të pesta. Dy takime nga i njëjti Institut, Instituti Alb-Shkenca. Njëri takim i rremë e tjetri takim si duhet. Njëri pritet të mbahet në Prishtinë, nga ata që donë të krijojnë huti, nga ata që duan të përvetësojnë diçka çka nuk u takon fare. Tjetri, i vërteti, përgatitet të mbahet në Tiranë, në organizim të atyre që takimet e Alb-shkencës i bënë tashmë traditë mbarëkombëtare, duke u dhënë të gjithë shqiptarëve mundësi aderimi në këtë Institut shkencor mbarëkombëtar, duke u dhëna mundësi edhe atyre që nuk janë të aderuar dhe nuk mendojnë të aderojnë, që punimet e tyre shkencore t’i paraqesin para atyre që vërtetë dinë të bëjnë shkencë, para atyre që tashmë janë fuqi shkencore në tokat shqiptare, por edhe në tokat anë e mbanë botës.
E mua më vjen në mend një e dëgjuar kah moti, kur vendësit provokonin ardhacakët, vendësi shqiptar e edhe ardhacaku shqiptar. Provokimi fillonte me përmbytjen e qeres me ferra (driza); atëherë ferrat përdoreshin për thurjen e gardheve. Provokimi pastaj vazhdonte me vrarjen e qenit. Provokimi më tutje vazhdonte me shkathtësinë e marrjes në shenjë, ku mashkulli shenjëtar i familjes së fisit vendës i qëllonte me pushkë tavës së baltë në kokën e gruas së familjes së fisit ardhacak që u dërgonte ushqimin punëtorëve në fushë. Dhe e tëra kjo bëhej vetëm e vetëm për të parë se sa të forta i kishte pushkët fisi ardhacak. Dhe kur nuk kishte përgjigje nga pjesëtarët e familjes së fisit ardhacak, fillonte të ngrefosurit e meshkujve të pa fis të fisit vendës, që në të shumtën e herëve bëhej fjalë për fisin e njëjtë, por dëshira e pakontrolluar e injorancës dhe e verbërisë nuk i jepte hapësirë gjykimit të drejtë.
E diku shkruan, e kam të lexuar, autori nuk më kujtohet, por e thëna po: “varfëria është nëna e krimit, e pasuria është nëna e amoralitetit”
E i madhi Kadare, në Prillin e thyer, tregon për hakmarrjen dhe burrërinë e hakmarrësit, i cili merr hak duke iu përmbajtur rregullave të caktuara. Kjo që shkruan i madhi Kadare ka të bëjë me burrat dhe burrërinë.
E unë gëzohem që secila familje shqiptare ka nga një trim, së paku kështu thuhet në tregimet e traditshme të familjeve tona, por ja që ne për dymijë vjet në robëri e mjerim. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Është shumë e vështirë të ndërtohet diçka e përbashkët në këto troje. I vështirë ishte ndërtimi i Kalasë së Shkodrës, i vështirë ishte edhe ndërtimi i Urës së Shenjtë. Për të dyja këto ngrehina bashkimi e përbashkimi u thurën legjenda, dhe ne të kohëve të sotme mësuam se ato u ngrehën dhe u banë ballë kohëve vetëm e vetëm kur dëlirësia u bë therore. Në ndërtimin e tyre tradhtia dhe besnikëria, trimëria e ligësia i dhanë njëra tjetrës dorën, kur në fytyrat e tyre qëndronin maskat që tashmë u hoqën dhe janë duke u hequr.
E sot paradite mësova se në Prishtinë, një serb paska bërë kontratë me një shqiptar për dhënie-marrje me qira të një shtëpie në Qytezën Pejton. Shtëpia ishte pronë e një serbi i cili kishte një kioskë për shitjen e gjësendeve. Serbi fliste mirë shqipen, dhe fare nuk kuptohej se ishte jo shqiptar. Kioska kishte emrin “Sámi”. Unë e kam lexuar disa herë dhe kam menduar se i zoti i kioskës mund ta ketë emrin Samí, o ndonjë djalë i të zotit të kioskës mund ta ketë emrin Samí. Por, kur nuk më ka shkuar mendja se i zoti i kioskës, për të cilin mësova se kishte dy djem, ia paska vënë emrin kioskës “Sámi” me kuptim serbisht (sámi – që d.m.th. vetëm).
Ja që njeriu mund të mashtrohet. Mashtrimi nuk qëndron në padijen e të mashtruarit, por qëndron në zotësinë e paturpshme dhe ligësinë e guximshme të atij që mashtron. Njeriu që mashtrohet disa herë të tjerët i thonë i marrë, dhe kjo i ndodh nga ata që nuk i ka gjak e fis. Por, kur njeriu mashtrohet nga “gjaku” dhe “fisi” i tij, të tjerët nuk i thonë i marrë por i thonë i tradhtuar.
E ca të tjerë më patën treguar se një shqiptari në Gjermani pas një kontrolli mjekësor të punëtorëve, për shkak të analizave të gjakut, i kishin dhënë privilegje të shumta vetëm e vetëm pse grupi i gjakut të tij kishte karakteristika të grupit të gjakut karakteristik për gjermanët. Një ushtar gjerman kishte pas qëndruar dikur në fshatin e shqiptarit, dhe ja kjo solli deri tek privilegjet.
Pastaj viti 2008, Tirana, pastaj viti 2009, Tetova. Dhe të gjitha përsëriten. Na jemi burra, thonë disa, dhe nuk kemi nevojë për babën dhe përkujdesjen e tij, por duam atë që ai ka krijuar, duam që me atë që ai ka krijuar të bëhemi baba për dike tjetër.
E unë, unë sa kam dëshirë të lirohem dhe të shpreh të gjitha ato që duhen shprehur, por kam frikë se do të zë vendin e personazhit të tregimit për kuçedrën.