E shtune, 27.04.2024, 05:58 PM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Revizioni (ri)zbulon krimin e organizuar në televizionet nacionale (kombëtare) të Kosovës

E marte, 29.06.2010, 09:59 PM


Revizioni (ri)zbulon krimin e organizuar në televizionet nacionale (kombëtare) të Kosovës

 

“Nëse dikush mendon se korrupsioni në Kosovë ka arritur përmasa të tmerrshme, ai [ajo] duhet ta ketë parasysh se qenia njerëzore është kafshë që i përshtatet ambientit të tij [saj]” – Maciej Zaremba.

 

Nga Isa MULAJ

 

Asgjë nuk e ka degjeneruar më shumë pjesën më të madhe të shoqërisë kosovare, sidomos atë të kombit shqiptar, se disa veprimtari të papërmbajtura të televizioneve nacionale. Përpos vërejtjeve të shumta nga kritikët e medieve për censurë në njërën anë, dhe shkelje të etikës në programet dhe emisionet e transmetuara në anën tjetër, shumë pak është biseduar e thuajse kurrë nuk është shkruar me argumente për një veprimtari të pa hetuar dhe dënueshme të tyre – krimin e organizuar.

 

Tri televizionet e vetme që cilësohen si nacionale ose kombëtare për shkak të mbulimit më të madh të teleshikuesve nëpër Kosovë, janë: Radio Televizioni i Kosovës (RTK), Kohavizioni (KTV), dhe Radio Televizioni 21 (RTV21). I pari është në pronësi publike, kurse dy të fundit televizione private. RTK financohet kryesisht nga taksat e qytetarëve të imponuara në faturat e rrymës elektrike. KTV dhe RTV21 fillimisht ishin mbështetur shumë nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përpos financimit falas dhe burimeve tjera, dy televizionet private së bashku me atë publik kanë realizuar një veprimtari të bujshme dhe rehatshme krimi të organizuar me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

 

AKP është pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), si agjencia më skandaloze në Evropën juglindore. Për të bëmat e saj në përgjithësi nuk do të diskutojmë shumë, por me tepër do të përqendrohem në raportin e Zyrës së Revizorit të Përgjithshëm – ZRP (në gjuhën shqipe të transicionit tani po i thonë Zyra e Auditorit Gjeneral) i botuar në qershor të këtij viti, rreth veprimtarisë së jashtëligjshme me tri televizionet nacionale.

 

Çka gjeti të jashtëligjshme ZRP në biznesin e AKP-së me tri televizionet nacionale?

 

Për AKP-së si institucionin më skandaloz në Evropën juglindore, është normale kur revizori gjënë një mal skandalesh. Edhe më herët nuk ka qenë diçka e pazakonshme kur janë gjetur shkelje të mëdha në të njëjtin institucion. Ato shkelje mbase kanë mbetur të njëjta dhe duket se AKP-ja është i cilëson për veprimtarinë e vet si punë normale. Kështu në raportin më të ri të ZRP-së Nr. Dok: 23.4.1-2009-08 për këtë institucion, në faqe 8 thuhet:

 

Rekomandimet të cilat nuk kanë arritur të adresohen [nga revizioni i mëparshëm më 2008] janë: i) AKP të marrë masa për ndërprerjen e nënshkrimit të kontratave në mungesë të tre ofertuesve të përgjegjshëm; ii) të mos nënshkruaj asnjë kontratë me operatoret ekonomik pa u bërë sigurimi i ekzekutimit të kontratës; iii) të gjitha kontratat të përgatiten nga AKP; dhe iv) të gjitha mallrat dhe shërbimet për kontratat me vlera të mesme dhe të mëdha të pranohen me komisione përkatëse”.

 

Ku janë gjetur të përsëritura këto shkelje të AKP-së në raportin e ZRP-së për vitin 2009? Thuajse gjithkah, me përqendrimin më të madh në tri televizionet nacionale. Si? Kur shikojmë Raportin në faqe 14, lexojmë si në vijim:

 

“Kontrata me shtëpitë televizive ka pasur parregullsi prej procedurave të negocimit e deri pranimi i shërbimeve. Këto janë shpalosur në vijim: i) Nuk janë prezantuar dëshmi të mjaftueshme rreth negocimit të çmimit, me shtëpitë televizive; ii) Dosja e tenderit si dhe kontratat me shtëpitë televizive nuk janë përgatitur nga Autoriteti kontraktues. Këto kontrata janë përgatitur nga Operatorët Ekonomik fitues. Kjo vërejtje ishte përfshirë edhe në raportin e vitit të kaluar, mirëpo rekomandimi ynë nuk është zbatuar; dhe iii) Autoriteti Kontraktues nuk na ka prezantuar dëshmi bindëse rreth pranimit të shërbimeve nga Shtëpitë Televizive: RTK, KTV dhe Radio TV 21, përveç faturave të lëshuara nga Operatorët Ekonomik. AKP ka neglizhuar në procedurat e negocimit të kontratës, si dhe në përgatitjen e një dosje të tenderit e cila do të përcaktonte kushtet e tenderit, përfshire edhe draft kontratën. Kushtet e përcaktuara të kontratës nga operatorët ekonomik, mund të jenë të pafavorshme për autoritetin kontraktues”.

 

Në këto gjetje të shkeljeve vërtetohen disa gjëra interesante dhe skandaloze, jo për herë parë. Kuptimi më i drejtpërdrejtë i tyre është si vijon: i) se AKP nuk i negocion çmimet e shërbimeve me televizionet nacionale. Pse? Sepse, ii) ato i caktojnë vetë televizionet, të cilat po ashtu i përgatisin dosjet e tenderit, kushtet dhe kontratat. AKP-ja vetëm duet t’ua bëjë “aminin” të gjithave. Kështu që, nëse jeni televizion nacional kudo nëpër botë sikur RTK, KTV dhe RTV21, mos prisni ose kërkoni nga subjektet tjera dhe partnerët t’iu bëjnë oferta e ju t’ua kërkoni ose ofroni çmimin për to. Ju jeni në pozitë t’ia impononi partnerit të gjitha duke filluar nga lloji i shërbimit që u pëlqen juve si televizion, përgatitja e dosjes së tenderit, kontratës, dhe çdo gjë tjetër përcjellëse; iii) Ju si televizion nacional edhe kur vendosni vetë për paratë që do t’ia merreni AKP-së (ose AKP-ja t’ua jep juve) në emër të shërbimeve, nuk keni nevojë t’i kryeni ato shërbime. Kryesorja i merrni paratë nga AKP-ja dhe në fund ia lëshoni faturat me data të sakta në të cilat i specifikoni edhe llojet e shërbimeve me çmime për secilin. Hulumtimi tek televizionet nacionale dhe burimet tjera si për shembull dëshmitarët nga publiku, se kur janë realizuar ato shërbime, rezulton si shërbim që nuk ka ndodhur fare në realitet. Dhe kjo dukuri kur televizionet nacionale në vend të misionit të tyre nacional merren intensivisht me punët e të tjerëve si përgatitja e dosjeve të tenderit, kontratave, përcaktimi i çmimeve të subjektit kontraktues, ka vazhduar dhe vazhdon pa kurrfarë turpi sikur të ishin organizata me mision për krim të organizuar.

 

Revizion ose plotësim i raportit të ZRP-së për manipulimet në relacionin AKP – media

 

Zbërthimi i mëtejmë i raportit të ZRP-së për AKP-në kërkon ditë e natë kohë për t’i shoshitur shkeljet e AKP-së, e vite të tëra për organet e hetuesisë dhe gjyqësisë në trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve. Do të shkëpusim edhe diçka nga raporti i ZRP-së, dhe atë vetëm sa për t’ia bërë të ditur reviziorit se si funksionon krimi i organizuar në mes të AKP-së dhe disa medieve. Ju fillimisht do të keni bindjen se citati i mposhtëm i raportit të ZRP-së ka të bëjë punësimin e pa bazë në AKP dhe rolin e disa medieve në shantazhe, por ne u sjellim dy raste kyçe që vërtetojnë se lidhja është e dyanshme dhe shumë e fortë në këtë drejtim.

 

Testimet në detaje të këtyre dosjeve [pranimi i personelit të ri në punë] kanë shpalosur të gjeturat në vijim: i) Punësim i stafit të cilët nuk kishin përgatitje profesionale në përputhje me kërkesat e AKP-së për pozitën e caktuar; ii) Mungesë e transparencës në krijimin e listës së ngushtë të kandidateve, e cila kryesisht është e formuar nga një anëtar i vlerësimit; si dhe iii) Nuk ka forma (vendime) të shkruara mbi caktimin e komisioneve të vlerësimit për pranimin (rekrutimin) e stafit të ri në punë” (faqe 12).

 

Zëdhënësi aktual i AKP-së është Ylli Kaloshi, një gazetar nga Shqipëria. Nga ka ardhur ai aty? Nga gazeta e përditshme e Kosovës Express (ka punuar edhe në gazetën Zëri për një kohë). Nga mediet, a po? Çka ka rëndësi kjo kur çdo gazetar ka mundur të bëhet zëdhënës i AKP-së, edhe pse revizori konstaton se u ka mundur përgatitja profesionale, nuk ka pasur transparencë (janë punësuar me plan sekret!), pa vendim, pa vlerësim, etj? Gazetarët shpesh kanë shkruar për punën e AKP-së. Madje disa ndërmarrje tjera publike si Aeroportin, KEK-un dhe PTK-në aq shumë i kanë kritikuar dhe ua kanë bërë publike korrupsionin, sa që këto ndërmarrje u detyruan t’i marrin në punë po të njëjtit gazetarë dhe t’u caktoj atyre pozita të larta, me kusht që ata dhe mediet ku punonin ta mbyllin gojën për krimin e organizuar në ndërmarrjet e publikut. Kështu jo vetëm që ndodhi, por të njëjtit gazetarë që kaluan në ndërmarrje publike tani kërcënojnë kolegët e tyre gazetarë në po të njëjtat medie ku punonin edhe vetë më herët. Ylli Kaloshi si zëdhënës i AKP-së, sa ishte gazetar në Express, shkruante për veprimtarinë e AKM-së (pararendëse e AKP-së), jo duke ia qitur në shesh mangësitë, por në favor të dezinformimit dhe pretendimeve të jashtëligjshme të AKM-së.  

 

Kështu me datën 28 mars 2005, në gazetën Express, faqe 5, Ylli Kaloshi në lajmin e tij “Gjakova në lista”, theksonte në mbititull: “Me ndryshimet në rregullore të AKM-së, do të privatizohen së paku edhe 48 ndërmarrje nga Komuna e Gjakovës, pronësia e të cilave u pat transformuar në periudhën e paraluftës me ligjet serbe të Ante Markoviçit”. Ndaj këtij lajmi dërgova një reagim me titullin “Ante Markoviçi dhe ligjet e tij nuk ishin serbe”, ndaj të cilit Express u tregua i hapur dhe e botoj më 31 mars 2005, në faqe 7. Në fakt, nuk ishte një lëshim i vogël kur njoftohej opinioni se ligjet e Ante Markoviçit me të cilat u transformuan ndërmarrjet në Gjakovë, ishin serbe. Kjo do të ishte aq e pakapshme për realitetin sikur të themi “Ligjet shqiptare të Sllobodan Millosheviqit”! Ç’është e vërteta, Ante Markoviçi për nga nacionaliteti ishte dhe është kroat nga Bosnja. Sikur ta kishte emrin Millan ose Ivan, mund të se është serb, kroat, slloven, malazez, sllavo-maqedon pasi këta emra janë të përbashkët për këta sllavë të jugut, por Ante është emër tipik kroat që nuk përzihet dot me serbë. Kanë qenë serbët dhe vetëm serbët, sidomos pas ardhjes së Millosheviçit në pushtet, të cilët në start i shënjuan reformat dhe ligjet e Ante Markoviçit që ishin të nivelit federativ (ku përfshihej edhe Kosova) për t’i sabotuar. Qëllimi serb ishte i qartë. Pas shkeljes së autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës, shndërrimin e Malit të Zi në kukull të tyre, neutralizimin e IRJ të Maqedonisë, tendencat për futjen e Bosnjës nën tundër ku serbët përbënin afër 1/3 e popullsisë, nxitjen e rebelizmit te serbët e Kroacisë të cilët përbënin 12 për qind të popullsisë, Serbia faktikisht e kishte futur politikën e Jugosllavisë nën ombrellën e saj të ndikimit dhe vendosjes. Ushtrinë jugosllave e dominonte prej kohësh meqenëse deri në 70 për qind e oficerëve ishin serb, edhe pse serbët në Jugosllavi përbënin 36,6 për qind të popullsisë së përgjithshme.  Kishte mbetur ekonomia e cila kishte filluar një reforme në nivel federal, ku pjesë e asaj reforme ishte privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Modeli i privatizimit ishte shitja e fletë-aksioneve të punësuarve në ndërmarrje me kushte të volitshme, kudo qofshin ata duke punuar në Jugosllavi, në Gjakovë, Beograd, Sarajevë, Zagreb, Lubjanë. Modeli i tillë i privatizimit të decentralizuar nuk i pëlqente aspak Serbisë, sepse ajo tani kishte futur nën kontroll politikën dhe ushtrinë, dhe më shumë do t’i pëlqente një transformim pronësor i centralizuar nga Beogradi për të gjitha republikat dhe krahinat, e pse jo edhe shtetëzimi i pronës shoqërore, gjë që u vërtetua kur filloj shpërbërja e Jugosllavisë, dhe Serbia i shpalli ose transformoj ndërmarrjet shoqërore në shtetërore, duke përfshirë edhe ato në Kosovën e okupuar. Prandaj, është gabim dhe mëkat të cilësohen ligjet federative të Ante Markoviçit si ligje serbe, kur në realitet ato kishin për synim strategjik pikërisht të kundërtën – shmangien e pronës shoqërore në republikat dhe krahinat tjera nëpërmjet privatizimit intern nga rreziku në rritje i ndikimit të politikës.  Këtë ende nuk po do ta kuptoj edhe sot AKP-ja dhe zëdhënësi i saj Ylli Kaloshi të cilët i kanë dërguar ultimatum ndërmarrjeve nga Gjakova se ato qenkan 100 për qind shoqërore, dhe se privatizimi i tyre me ligjet “serbe” të Ante Markoviçit nuk po vlejtka.

 

Zëdhënësi tjetër i AKM-së (paraardhëses së AKP-së), ka qenë Ekrem Tahiri. Kur thamë më herët se shkeljet ligjore ndërmjet AKP-së dhe medieve janë të dyanshme sikur me rastin e ish-gazetarit tani zëdhënës, atëherë lind pyetja se në cilin medium shkoj dhe si veproj z. Tahiri? Ai në emër të firmës së tij ‘PR (Final) Solution’ bëri shpëlarje të parave me firmën nga Izraeli ‘Saatchi&Saatchi’ për reklama të thata dhe palidhje ‘Kosovo: The Yung Europeans’ nëpër shumë mediume, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare, por që kushtuan hiq më pak se 5,7 milionë euro. Publiku dhe shumë gazetarë më të drejtë bënin pyetje të pareshtura rreth fondit dhe qeverisjes së tij për këto reklama. Z. Tahiri ndonëse tani jo në cilësinë e gazetarit, por të një zëdhënësi ose menaxheri të një firme nga Azia që po shpëlante paratë e tatimpaguesve shumë të varfër kosovarë, shantazhin një gazetar i cili kishte marrë guximin vetëm të shkruaj diçka rreth (jo)transparencës së këtij fondi të Kosovës, duke i thënë që të mos merret ose shkruaj për këtë temë, se “Saatchi&Saatchi do të vjen të martën në hotelin Grand dhe mund të bisedosh me ta”. Ishte kjo një tendencë e ish-zëdhënësit të AKM-së për t’iu mbyllur gojën gazetarëve, ndërkohë që premtimet e tij se të martën (atëherë i binte pas një jave) në hotelin Grand do të vijnë përfaqësuesit e firmës reklamuese ‘Saatchi&Saatchi’, ishin gënjeshtra të trilluara nga vetë ai.   

 

Nuk po vazhdojmë më raste tjera për krimin e organizuar ndërmjet AKP-së dhe disa medieve nacionale. Mjafton të citojmë edhe këtë nga raporti i ZRP-së.

 

“Menaxhmenti i AKP-së i ka pranuar të gjeturat dhe konkludimet tona në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2009, dhe është zotuar se do të bëjë të gjitha përpjekjet për ti adresuar të gjitha rekomandimet e dhëna.”

 

Kështu thuhet në faqe 5 të raportit të ZRP-së. AKP-ja i ka pranuar edhe të gjeturat e revizionit paraprak. Edhe atëherë është zotuar se do të bëjë përpjekje për t’i adresuar rekomandimet e dhëna nga ZRP, dhe rezultat i atyre përpjekjeve doli një mal më i madh skandalesh pas një viti. Këtu nuk duhet të bëhet fjalë fare për ‘përpjekjet për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e dhëna’, por hetime detaje dhe ndëshkime. Është e vërtetë se AKP-ja gjithmonë do t’i pranoj të gjeturat. Derisa nuk ka absolutisht kurrfarë ndërmarrje të masave kundër të gjitha këtyre skandaleve nga organet kompetente, premtimet për ‘përpjekje për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e dhëna’ janë tregues i qartë se “the show must go on” (shfaqja duhet të vazhdojë) kur ajo po u arsyetuaka vetëm me premtimet për adresimin e rekomandimeve (sic)!   

 

Mos ekzistenca e gjyqësisë dhe policisë së Kosovës me siguri se do ta bënte jetën më të lehtë dhe më të ndershme për botën bimore e shtazore, e mos të flasim për qytetarët. Pse themi kështu? Policia dhe gjyqësia e Kosovës nuk janë institucione për luftimin e korrupsionit, krimin e organizuar dhe shumë dukuri tjera negative (negative në tërë botën do të thotë diçka pozitive vetëm në Kosovë) për të cilat kinse janë krijuar dhe funksionojnë, por konsumatorë të dëmshëm dhe mallra konsumuese të cilët përpos që ia kanë lakmi krimit të organizuar dhe iu duket normal, mund të blihen me lidhje (njerëzore) dhe palidhje (në kuptimin absurd). Asnjëra prej këtyre dy institucioneve nuk e di se çka është shteti ligjor. Shoqëria kosovare nuk e kupton pse ekzistojnë këta dy sektorë të shtetit kaq të dëmshëm për të.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora