E shtune, 27.04.2024, 03:35 PM (GMT+1)

Mendime

Përparim Kabo: Një letër për Petro Markon!

E marte, 29.06.2010, 08:26 PM


Një letër për Petro Markon!

 

Nga Dr. Përparim KABO

 

Tek e pashë shoqen time të rinisë së hershme, Arianita Petro Markon, të bënte një thirrje njerëzore: “Shpëtoni familjen e Petro Markos”, u ndjeva i turpëruar! Më pushtoi një pafuqi fajësie sepse në një shoqëri demokratike, kur jeta njerëzore rrezikohet për cilindo, atëherë shenjat janë që punët nuk venë mbarë. Nuk e di se si është Jamarbëri (Madu - ky është emri i tij i rinisë, kështu e njohëm ne në fakultet. Herën e fundit e kam takuar kur ndodhej në spital para disa viteve. Mendja e tij është një çudi më vete, kreative e mbjellur me ide proteste dhe e ngjizur me kurajo për t’i çjerrë maskën hipokrizisë dhe gënjeshtrës! Madu është një ish-i burgosur politik i sistemit komunist, disi i veçantë, që nuk kërkoi as poste ministrore, as ofiqe mediatike as shpërblime! Madu është i biri Petros, ndaj kishte kërkuar vetëm LIRINË! Ndoshta vuan aktualisht pafuqinë për ta bërë atë realitet, sepse ndodh që kjo gjendje është rrjedhojë e kohës kur jetojmë dhe rrethanave që jo gjithnjë varen nga ne!

Kur Petro Plaku e mbyllte intervistën me Petron e Ri, ai dukej si Plaku (i romanit “Plaku dhe deti”) që kishte nxjerrë nga deti peshkun e madh, por të kafshuar nga peshkaqenët. Por, se ëndrra nuk kishte humbur, nuk ishte fikur dhe nuk kishte bërë hesape me pseudovlerat e “klientelizmit të penës”, më i keqi dhe më hipokriti në pazarin e kohërave! Të jesh vetja, dhe si krijues, dhe si njeri, kjo është e rrallë, si nga vlerë-virtyti që përcjell, ashtu dhe nga mundësia për ta takuar. Shumë shkrimtarë apo artistë kanë një çarje mes tyre dhe veprës. Personazhet e tyre janë një “magji” që të inspirojnë, ndërsa ata vetë janë një shembull që nuk duhet marrë! Tek Petro Marko, jeta dhe vepra janë një. Ai shkruan për ato që ka përjetuar, prekur, vuajtur dhe eksploruar. Rrëfenja e tij nuk është arti që virtualisht krijon personazhe dhe ngjarje të imagjinuara, formë kjo komunikimi që të provokon dhe të josh! Tek ai ndodh, që pjesa artistike e jetësores, sillet e freskët dhe xhenuine, shpesh pa u qesëndisur se mund të mungojnë ojnat estetike! Pa dyshim, kushti më i mirë për lumturinë tonë është t’i mjaftosh vetvetes, të jesh në çdo gjë vetvetja, të mundësh të thuash: “Omnia mea mecum porto”(Gjith ç’kam e bart me vete./Artur Shopenhauer, vepra “Këshilla për jetën”, botimi shqip, faqe 110.

Ndaj “Intervistën me veten - RETË DHE GURRËT) ky titull, sa paganë, aq edhe hiperdimensional, Petro PLAKiRIU e mbyllte me një arsyetim, sa lakonik, aq edhe nën peshën e pikëpyetjeve:

“Nëse me të vërtetë më në fund do të triumfojë demokracia e ëndërruar, gjeneratat që vijnë, do të kenë mundësi të analizojnë këtë kalvarin tonë të çuditshëm 45-vjeçar, që edhe duke u shtypur, edhe duke vuajtur, duke na u mohuar frymëmarrja, të ndarë nga bota, ne prapë kemi punuar, ndërtuesit ndërtonin, bujqit punonin, këngëtarët këndonin, piktorët pikturonin, jeta vazhdonte, por nën diktaturë. Ata që do të jetojnë, që janë në moshë të re, do të kenë fatin të punojnë e të jetojnë lirisht, si njerëz të LIRË.”(P.Marko, “Intervistë me vetveten”, faqe 551) Ja pra, fjalët e fundit nga ai gjoks i lodhur ishin: “Njerëz të LIRË”.

Tash, pas 20 viteve, është e drejtë të pyesim a jemi rikrijuar si njerëz të lirisë, a e kemi kuptuar se ç’është liria, a dimë ne të sillemi me të, dhe tek e fundit, a i njohim ne dishepujt e saj?! Një i tillë është Petro Marko, sepse kurrë nuk e tradhtoi muzën e tij të të qenit i lirë, të të qenit vetja, të të qenit i frymëzuar prej saj!

Vendosa edhe unë të kontribuoj për familjen e tij, në një mënyrë të veçantë, duke i shkruar një letër Petros, dhe duke provuar të bisedoj me të. Ndoshta kështu do të mund të zgjohen në shoqërinë tonë kujtesat e fjetura, ato të nemitura që lëngojnë fajësitë e patreguara, apo më në skaj akoma, ato memuare të shtrembëruara, që nuk i zë gjumi se janë të shqetësuara! Monologu i atyre njerëzve që posedojnë një arkivim të tillë, është se çfarë do të ndodhi nesër më veprën e tyre, kur ata të mos jenë! Kjo dilemë nuk ka qenë pjesë e shqetësimit të Petro Markos! Ai e donte njeriun dhe botën, në emër të ndryshimit, dhe jo nisur nga shpirtngushtësia egoiste, sipas binomit “unë dhe bota” ose “bota dhe unë!

Ja, i shtrenjtë Petro dhërmioti, unë, një djalë nga Borshi i Lano Borshit, mikut tënd të stuhisë, me këtë letër në eter po hap këtë kuvendim me ty! Do duhet të drejtoj disa pyetje sepse shumë çështje që kemi përballë sot, nuk u gjejmë përgjigjen, ose për to ka përgjigje pa hesap sipas stinës politike, por zgjidhje ama nuk ka! Po e filloj me një epitaf burrërie. Ty Petro të pëlqente ai arsyetimi i Mama Milles: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë, e po të shkosh andej natën, i dëgjon tek dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet, janë bërë re. Vijnë, qajnë dhe ikin”. Ja pra Petro, duhet që jetën ta jetojmë në shërbim të atdheut dhe kështu vëmë gurë në themelet e tij. Tani, pas 20 viteve që diktatura nuk është më, i dashur Petro, shumë pak burra të tillë po shohim. Atdheu për një “takëm” është kthyer treg dhe para, pasuri dhe zhvatje, mejhane dhe kodoshllëk! Ata madje, nuk shkojnë të bisedojnë me gurët e vjetër të historisë, nuk kanë kohë sepse më shumë janë shndërruar në re. Paratë i kanë shpënë jashtë vendit, atje kanë shtëpitë, orgjitë, frymëzimet, alibitë, dhe ortakëritë që herë pas here u japin nga një dekoratë që ta vënë në gjoksin e tyre, të praruar nga shkëlqimi.

Miku Petro, pylli me trima zemërbardhë po rrallohet, ndërsa shpura e drizave të frikacakëve zemërligj është shtuar si një vegjetacion i egër dhe me një aromë mbytëse! Do të dëshiroja që me lejen tuaj, vargjet që ti shkrove vite më parë, t’i lexoj duke shtuar edhe diçka nga kjo koha jonë e demokracisë. Nuk është art, por përgjegjësi!

Ti shkrove për kalvarin

tënd kështu:

Ditën që Linda unë,

Planeti ish në furtunë!

 

Ditën që rrojta unë,

Planeti ish në furtunë!

 

Ditën që vdiqa unë,

Planetin e lashë në furtunë!

Tani unë po shtoj!

Ditën që të kujtoj TY,

Planeti mbetet në furtunë!

 

I dashur Petro njerëzit e tu të dashur këtu në Tiranë, ende po paguajnë për kaluarin, dhe iu është turrur ajo patologjia e keqe, që ti provove shpesh në jetën tënde, “varfëria”!

Vetëm se, ka një ndryshim prej asaj kohe. Atëherë, edhe vendi ishte i varfër! Tani, pas 20 vitesh që ti ike nga kjo botë, vendi nuk është i varfër, por më keq akoma, është i keqpërdorur. Ji i “lumtur” që nuk sheh ca që janë majmur e dhjamur në trup dhe në mendje.

Pa le t’i dëgjosh kur flasin e shesin dëngla, rrëfejnë histori të paqena dhe mburren si pa të keq se historia dhe ata janë një, janë binjak, madje se pa ta koha nuk “ka kuptim”, hapësira “ngushtohet”, ndërsa lëvizja “humbet drejtimin”! Ndaj, bija jote Arianita, lëshoi një thirrje humane: “Shpëtojeni familjen e Petro Markos”!!!

Rendën pas kësaj thirrjeje njerëz të parasë dhe fjalës, gazetarë dhe filantrop jo fort të besueshëm! Gazetat, disa ditë u kujtuan për familjen e gazetarit rebel, njeriun që gjithë jetën e ngjeu penën tek protesta, tek dashuria dhe tek humanizmi! Që të bënin lajm, të krijonin skup, dhe pse jo të molepsnin retorik shtypi, ai hodhi ca penelata kujtese! Me lejen tënde, o modesti Petro, po them edhe unë ca gjëra, e po sjell në dritë të vëmendjes ca ngjarje për Ty!

Ej njerëz, që ecni në udhën tuaj!! Ju qytetarët dhe fshatarët shqiptar, që fati nuk ju ka buzëqeshur dhe vështirësitë e përditshme po ju shndërrohen në një makth, ju lutem miqësisht të vini vesh e të dëgjoni se kush ishte ky Petro Marko!

Në mes të viteve 30-të të shekullit të kaluar, kur kryeministri i asaj kohe, Mehdi Frashëri krijoi kushte më të mira për “lirinë e shtypit”.”Pena e Tajar Zavalanit dhe e Branko Merxhanit, ajo e Vangjel Koçës dhe e Ismet Totos, ajo e Nebil Çikës dhe e Gjergj Bubanit nisën të shkruanin artikuj që zbulonin gjendjen e keqe të vendit dhe polemizonin me kontradiktat e thella historike. Në atë kohë, aty nga tetori i vitit 1935, - shkruan Petro në librin e tij, në faqen 141 - më shkruan një letër Vangjel Koça dhe Branko Merxhani, që të kthehesha menjëherë në atdhe, se do të botonim një gazetë të re. U ktheva në nëntor të atij viti”.

Ky është ndryshimi Petro, sepse bashkë me atë djalëri që hodhi themelet e mendimit shqiptar europian, ju sakrifikonit për atdheun sepse besonit në të ardhmen e tij. Ju kishit një atribut që ne sot nuk e kemi. Njerëz si Merxhani, Toto, Koça, Marko e dhjetëra të tjerë njihnin detyrimin historik të brezit të tyre! Të kthehesh në atdhe, jo thjesht për një gazetë, por për mendimin e lirë që do të sillte ndryshimin europianizues të vendit. Petro dua të të informoj se ka sot në Shqipëri, vetëm një shtëpi botuese, “Plejad” quhet, që i ka botuar të gjitha veprat e mendimtarëve shqiptarë të asaj kohe, por se brezat e rinj pak i marrin në duar, ndërsa ata që drejtojnë punët e arsimit dhe të edukimit shkollor, nga që nuk i njohin ato pena dhe ata “korifej” të lirisë, sillen sikur shqetësohen për ta, kjo për t’u justifikuar!!

Në fakt i kanë lënë në haresë si jetim të historisë!

Do doja t’u thoja këtyre profanëve me pushtet dhe me diploma, se aso kohe, pikërisht në motin 1935 pas “Kryengritjes së Fierit” në Shqipëri, u bë kërdia me dënime, me vdekje dhe burgosje. Por se “emra të shquar të asaj kohe, si Ainshtajni, Barbysi, Romen Rolani e të tjerë protestonin dhe kërkonin shpëtimin nga ekzekutimi i dhjetëra shqiptarëve të dënuar me vdekje” (po aty, faqe 140).

Ju ishit iluminist, gazetar, poet, prozator, publicist sepse ishit mendimtarë atdhetarë! Sot, i dashur Petro, ka vajza dhe djem që e kanë lidhur jetën me penën e gazetarit dhe që për t’i shërbyer publikut dhe të vërtetës, sakrifikojnë, ndeshen dhe përballojnë sfidat, pasi edhe në ditët tona ka gjyqtarë që gjobisin gazetarët kur ata sjellin fakte që ju prishin “imazhin” politikanëve.

Ka ende pushtetarë që ngërdheshen dhe hakërrohen, kur ndonjë gazetarë i “pickon” tek pasuria marramendëse. Por, ka edhe nga ata parelinjtë e rinj më “DIPLOMË” injoranti, që blejnë dhe shesin mediat dhe mediatarët me tullon! Tani, më thuaj ti Petro, ku Ismet Toto e Branko Merxhani, e ku këta “zerdeqap”. Mirë që pati nga ata shqiptar me gjak dhe shpirt shqiptari, që e pranuan Arianitën në atë “thirrje” me vlerë, jo thjesht me kuptimin utilitar, por me një kuptim human! Ne jemi zhytur në një “zallamahi” dhe nuk na duhet se çfarë ndodh me familjen e Petro Markos, rebelit ndaj të gjithë sistemeve antiliri, i dekoruar “Nderi i Kombit” por që kurrë nuk shkroi, nuk foli dhe nuk luftoi për ndere. Këta vitet e fundit Petro vëllai, kanë ndërruar jetë shumë mëndje të ndritura, së fundi dhe Pashk Gjeci, që na solli në shqip “Komedinë Hyjnore” të Dantes, Gjergj Zheji, që përktheu “Republikën” e Platonit e Ndoc Gjetja, që vargëzonte si i fundit i epikëve alpinë, por vetëm kur ata u nisën për rrugëfund, ngarkuar në arkmortë, njerëzia u kujtua që paskërkan qenë ende gjallë! Turpi ynë është se ata kanë banuar në ca brima, që vetëm apartamente nuk mund të quhen. Varfëria e tyre ekonomike nuk i pengoi të mbeteshin pengje të dijes!

Kam një duf o Petro, e dua ta ndaj me ty! Po ku janë “penat e arta zyrtare”, pse ata nuk flasin për këtë gjëmë sociale dhe përse nuk protestojnë që shtetit “t’i dalë pija e të bëhet esëll” për të parë se ku jetojnë vlerat dhe se si do duhet të sillet ai me to?!

Të gjitha “bujaritë hipokrite”, pasi gjërat kanë shkuar si mos më keq, më duken aq të vockla përpara gjestit të atij marinarit francez, kur ti Petro u nise vullnetar për në “Luftën e Spanjës” me anijen franceze “Teofil Gotie”. Edhe për të tjerët, po i sjell ato fjalë në ligjëratë të drejtë:

“Mon petit, vien avec moi! Më morri nga dora dhe më shpuri poshtë, në kabinën e tij. Më shikonte me sy dhe më fliste me sy. Hapi sirtarët e nxori proshutë, kaçkavall, banane dhe një shishe verë.

-Mange, mon petit! Mange et repose toi ici!

-Merci, - i thashë. Para se të dilte nga kabina e tij, u kthye, mbylli derën dhe më tha me zë të ulët:

-Mon petit, je sais ou tu va! Il faut batter Franco, il faut sauver la Republique Espanjol!(Vogëlushi im, unë e di ku po shkon ti! Duhet mundur Frankoja. Duhet shpëtuar Republika Spanjolle.) Hëngra piva dhe më zuri gjumi. Ndjeva dorën e marinarit francez në ballë. Hapa sytë dhe e pashë që më buzëqeshte me zemër deti.

O Petro Marko himarjoti, a mund të më ndihmosh ta zbërthejmë kuptimin e këtyre fjalëve, sa të thjeshta e kaq të thella.

“Të buzëqeshësh me zemër deti”! Po si është zemra e detit?! E thellë në shpirtërim, e gjerë në ndjenjë, e pasur në mirësi, e trazuar në dallgëzimin e valëve që jeta t’i sjell si detyrim! Apo duhet ta kuptojmë se zemrën duhet ta kemi det, në dashurinë për njeriun edhe kur atë nuk e njohim dhe kur e njohim, sepse rrugëtimi njerëzor është detyrimi ynë universal, si misioni për të cilin vijmë në jetë! Nëse, qoftë edhe njëri nga ne, ai njeriu më anonim, nuk e ndjen këtë kujdes të njeriut për njeriun, bota është e sëmurë nga dehumanizmi!

Sot në Shqipërinë tonë ka zhvillim e përparim, kush thotë që nuk ka, ose është i verbër, ose është i marrë!

Por se ka edhe të varfër, e shumë të varfër që vuajnë për bukën e gojës! Dua të të pyes Petro! Si mund të ndihen ata që nuk ngihen me para, përballë bashkëpatriotëve të tyre që nga ana e tyre nuk arrijnë të ngopen dot me bukë?!

Ndoshta ju andej mund ta shihni më mirë, se këndej nga ne është humbur ndjeshmëria, dhe hedonizmi ka pushtuar edhe njerëzit e letrave e të ndjenjave! Ata janë përçudnuar, sa që bezdisen nga halli dhe vuajtja njerëzore. Duket sikur mbyllin sytë dhe veshët dhe pena e tyre reket të heshtë ose të ngjyhet atje larg tek brigjet sterile! Japin e marrin për të djeshmen, ndërsa e sotmja ka mbetur pa zot. Kaq e vështirë është që të gjejmë migjenizëm sot?! Të drejtohem ty Petro, sepse më ka mbetur në mëndje një episod i jetës tënde. Para se të niseshe në Luftën e Spanjës, me vizën për në Francë, që ta lëshoi në Athinë konsulli ynë Rauf Fico (me rekomandimin e mikut tuaj të përbashkët Branko Merxhani), i cili e kuptoi qëllimin e udhëtimit në Francë, pa çka se ti ja “justifikove” se po shkoje atje për të vizituar “Ekspozitën Ndërkombëtare”, ti Petro shkruan në “Re dhe Gurrë” se shkove takove Migjenin në Shkodër! Për mua Petro, Migjeni ka një stil që nuk shuhet dhe humbet sepse në qendër ai vinte njeriun dhe për fatin e tij, ai akuzonte sistemin politik!

Para dy vjetësh Migjeni mbushi 70 vite që nuk jeton. I shkrova një letër të gjatë sepse institucionet përgjegjëse të artit dhe kulturës ishin me vakanca dhe nuk patën mëndje dhe kohë që ta kujtonin! E bija e Skënder Luarasit, mikut tënd të llogoreve në Luftën e Spanjës, është edhe mbesa e Migjenit, ajo ka bërë një punë fisnike duke ja botuar veprën e plotë atij kollosi të mendimit poetik, këtij moderni disident! Ju shoh me sytë e mendjes, si në atë moment prag-ndarjeje, dhe dua të sjell, ashtu të plotë, dialogun tuaj të fundit: “’Lum ti që ke shëndet të mirë! Po, Petro lum t’i që ke shëndet të mirë’. Më vështroi një copë herë, sikur deshi të më jepte porosi, por shqiptoi këto fjalë të fundit që dëgjova prej tij: ‘Ti ke shkruar vargje të mira dhe të dobëta, ke shkruar shumë, po nisja jote për në Spanjë është poema më e bukur që po shkruen’”(libri i cituar, faqe 183, fjalët e Migjenit thënë Petro Markos).

Dhe ju shkruajtët, atje në betejën historike, antifashizmin dhe pro-republikanizmin, duke botuar revistën “Vullnetari i Lirisë” në gjuhën shqipe, pa çka se hasët në rezistencë.

Luixhi Longo, drejtuesi i lartë politik, ju sillte si argumente se revistë në gjuhën kombëtare nuk kishin grekët, bullgarët, turqit, rumunët, si mund të botohej një e tillë në shqip, gjuhë kjo e një populli të vogël. Por, si shkruan ti Petro, Emrush Myftari e bindi me argumente, dhe në drejtimin e saj u vunë personalitete si, Skënder Luarasi, që ti me patos e quan: “patriot, demokrat, antifashist, njeriu më i kulturuar nga gjithë vullnetarët shqiptarë” (po aty faqe 216). Por dashuria dhe solidariteti juaj, mua më frymëzon edhe sot e kësaj dite, sepse ne brezat e sotëm nuk e kemi. Në konferencën e shkrimtarëve që u zhvillua atje pranë frontit dhe ku merrnin pjesë Heminguej, Aleksej Tolstoi, Ehremburgu, Ana Segers, Ludvig Reni, Pablo Neruda, Nikola Guilen, Cezare Valejo, Neksoe, Andre Malro dhe shumë shkrimtarë nga Anglia dhe amerika Latine, ti Petro rekomandove të shkonte Skënder Luarasi, si më me “kulturë që kishte shkruajtur një dramë dhe kishte përkthyer vepra me rëndësi”. Ndërsa Skënderi dhe Emrushi ngulën këmbë të shkoje ti me argumentin se “ti përfaqëson të rinjtë që shkruajnë sot në Shqipëri! Ti duhet të shkosh”!

Me lejen tënde Petro po përmend të gjithë emrat e luftëtarëve të Spanjës: Teni Konomi, Asim Vokshi,Ramiz Varvarica,Urfi Agolli, Dhimitër Kosta,Ymer Puka, Justina Shkupi, Skënder Luarasi, Emrush Myftari, Shaban Basha, Xhemal Kada, Ulusi Spahiu, Mane Nishova, Veli Deda, Stefan Duni, Bim Kurani,Kostë Kolombo, Daut Muço, Zef Prela, Xhafer Miraku, Iljaz Pashai, Faik Dardha, dhe ata “që erdhën vonë”-si edhe thua ti në librin tënd të jetës;Mehmet Shehu,Thimo Gogozoto,Musa Fratari, Zihni Muço. I përmenda të gjithë Petro luftëtari, sepse ka pasur shumë përvjetore të antifashizmit, por autoritetet nuk janë kujtuar për to. As të majtët në Shqipëri, dhe konkretisht Partia Socialiste që flet për raportin antifashizëm-demokraci funksionale e që prej disa viteve drejton Bashkinë e Tiranës, pikërisht ajo, nuk ka gjetur as arsye as motiv që një shesh të Kryeqytetit ta emërtoj “Luftëtarët e Spanjës” dhe të vendos atje një bazorelief memorial me emrat tuaj! Mbase ju bie në mëndje atyre të qeverisjes qendrore, që janë të djathtë, por se kanë se ç’mësojnë nga gjesti i para pak ditëve, kur presidenti i sotëm i Francës, Nikola Sarkozi, shkoi në Angli me rastin e 70-vjetorit të përshëndetjes përmes radio BBC të popullit francez nga ish-gjenerali de Gol, me fjalët për të rezistuar kundër pushtimit nazist! Shteti ynë do të pasurohej me vlera në të gjitha aspektet, nëse të gjithë heronjve të Spanjës, atyre dëshmorëve të rrugës sonë europiane, t’u lidhte pension të veçantë, dhe jo të seleksionojë dy-tre persona të letrave shqipe që kanë sot më shumë pasuri se sa libra! Personalisht, do të ndalem vetëm tek njëri prej jush Petro, tek zonja Justina Shkupi, infermierja që u nis për në Spanjë si vullnetare, vetëm me një fjalë të Skënder Luarasit “se për ju ka nevojë shumë atje”. Ajo grua fisnike, shoqe e Gonxhe Bojaxhiut, nënë Terezës ka atje në luftën e Spanjës një detaj kuptimplotë. Rasti kur treni u bombardua dhe të gjithë mjekë e infermierë dolën nga vagonët, vetëm ajo jo. Vijonte t’i jepte gjak një të plagosuri, që nga bombardimi kishte marrë edhe një plumb në shpatull. Në Shqipëri këta 20 vite Petro, edhe është ndërtuar ndonjë spital, fjala që vjen në Durrës ka një të tillë modern si ata të Europës. Edhe ministra të Shëndetësisë kemi, burra dhe ndonjë grua, ata ikin e vijnë, flasin e premtojnë, krenohen e shpaguajnë, veçse askush nuk është kujtuar që emrin e Justina Shkupit t’ia dhurojë ndonjërit nga institucioneve të Shëndetësisë, apo ndonjë fakulteti të Infermierisë!

Kjo lloj heshtje është më shumë se harresë, është një moskokëçarje me historinë! E shoh Petro Marko, të vura në mendime, por është më mirë t’i themi të vërtetat, ti për këtë luftove dhe u përndoqe! Më duket sikur më the me rënkim, se “fashizmi të internoi dhe të luftoi, komunizmi të burgosi dhe të përndoqi, demokracia të dekoroi dhe po të mbulon me heshtje dhe kjo lloj sjellje është dërmonjëse”. Edhe unë, si ty arsyetoj.

Heshtja është më e keqe se vdekja, sepse duket sikur gjithë puna të ketë vajtur dëm! Kjo ndodh kur heroizmi del në pazar, kur ai shitet e blihet nga çfarëdolloj matrapazësh, që nuk ju skuqet faqja. Të harrosh kontributin e brezave që shkuan, do të thotë të mendosh gabimisht, se histori është vetëm koha kur je dhe mbretëron ti!

Besoj se jemi në një mendje Petro Marko, se kjo është sëmundja më e keqe që mund të vërë njeriun për fund! Një shumë harresash, edhe po të mblidhen dhe po të ndahen, nuk krijojnë dot kujtesë! Një vend e një popull pa kujtesë, është jetim në fat dhe kontribut!

Kaq mund të bëja unë për të ndihmuar familjen tuaj fisnike, o pelegrin i fjalës së lirë, Petro Marko.

 

Merr: Petro Marko (Dhërmi-Himarë-Shqipëri)

Dërgon: Përparim Kabo (Kalaja e Sopotit, Borsh-Sarandë-Shqipëri)

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora