E shtune, 27.04.2024, 03:18 PM (GMT+1)

Mendime

Shefqet Dibrani: Reformat në LDK (6)

E diele, 27.06.2010, 09:26 PM


REFORMAT NË LDK (6)

 

PSE RA NË PROVIM KP I LDK-SË?...

 

Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

Ditë më parë Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës në të cilën merret vesh se u diskutua për nevojën dhe domosdoshmërinë e reformave të brendshme në këtë parti e cila asnjëherë deri më tash nuk ka funksionuar  si një parti e mirëfilltë demokratike që do të krahasohej me nivelin e ndonjë partie perëndimore.

 

Gjithkund në Evropën demokratike, në sistemin partiak dikush duhet të jap përgjegjësi për dështimet politike, për organizimin e dobët partiak, për mos funksionimin si duhet të partisë, po sidomos përgjegjësi jepet nëse partia humb në zgjedhje.

 

Në rastin e LDK-së kjo gjë nuk ka ndodhur, të paktën deri më tashti pasi LDK-ja në disa palë zgjedhje që janë mbajtur viteve të fundit, qoftë në nivelin shtetëror apo të nivelit lokal ka pësuar rënie ku kjo parti e ka humbur ndikimin e saj, dhe deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. E kjo ka ndodhur vetëm për shkakun e mangësisë organizative, për shkak të mungesës së një varg hallkash që partinë e bëjë të funksionoj si duhet.

 

Por kësaj radhe në KP të LDK-së është diskutuar më hapur për gjendjen në parti, janë pranuar një mori dobësish dhe madje është bërë me gisht nga fajtorët kryesor edhe pse merret vesh udhëheqësit e mbledhjes nuk kishin interesim të diskutonin për fajtorët dhe as për reformat e mirëfillta. Fatbardhësisht më mirë se çdo herë tjetër u diskutua për gjendjen në parti e cila duhet të ndryshohet. Mësohet se diskutuesit i dhanë kahe, ashtu siç duhej të kishte kjo partia që nga fillimet e saj, qysh prej viteve të nëntëdhjeta, po sidomos me të përfunduar lufta, nëse jo KP i LDK-së, atëherë dikush është dashur të diskutoj për dobësitë, dikush është dashur të jap përgjegjësi për dështimet e një pas njëshme dhe për pasojat e mëdha që ia bëri Kosovës ky kaos partiak që u reflektua edhe te kaosi shtetëror.

 

Por një gjë që bie në sy është e vërteta se mediet e shkruara dhe ato elektronike, veçmas televizioni publik nuk folën aq për këtë mbledhje sa i patën fryrë zjarrit me pompozitet para se të mbahej KP i LDK-së.  Ky veprim lë për të dyshuar nëse me të vërtetë në Kosovë ka një klimë për reforma të përgjithshme, qofshin ato brenda partiake apo për aso reformash që duhet t’i bëjnë Organizatat joqeveritare, Klubet Politike, madje edhe redaksitë e shumta qofshin ato në gazeta, në radio apo televizione të shumta. Si do qoftë kahet e bisedës kanë ngjallur shpresën se në Kosovë, diku në një skaj të saj ka gatishmëri për t’u reformuar, ose së paku një pjesë e njerëzve janë më të vetëdijshëm dhe më përgjegjës për gjendjen reale në parti, pasojat e së cilës po reflektohen edhe në gjendjen e përgjithshme kaq kaotike që është krijuar në gjithë Kosovën.

 

Si do qoftë njerëzit e organizuar duhet të jenë të vetëdijshëm se në reformat e brendshme do të insistojnë të prijnë pikërisht individët përgjegjës, të cilët janë fajtor për gjendjen në parti dhe duke e parë rrezikun permanent të ligështimit të pozitave të tyre, madje ata të trishtuar do të përpiqen që të jenë në ballë të reformave për t’u transformuar a për t’u shitur si reformator në mënyrë që të mbulojnë fajin e tyre që kanë pasur gjatë gjithë këtij dhjetëvjeçari.

 

Merret vesh se ndër zërat prijatarë  do të shquhen Isa Mustafa dhe Fatmir Rexhepi të cilët në vend se të heshtin, përpiqen të mbulojnë veprimet e tyre ndjellakeqe. Iniciativës së Isa Mustafës për të diskutuar për nevojën e koalicionit qeverisës me PDK-në, (thuaja vetëm PDK-ja është fajtore për gjendjen e përgjithshme në Kosovë), sikur nuk iu bashkëngjit askush duke e lënë Isain të vetmuar i cili nuk është ndjerë mirë, dhe kjo shihej edhe nga deklarata e tij për televizionin e Kosovës.

 

Aq sa kanë bërë mirë që nuk iu kanë bashkangjitur këtij zëri të mekur, i cili duhet të meket edhe më shumë, nevoja për ta shqyrtuar pozicionin e tyre partiak është e domosdoshme dhe bile krruciale qoftë për reformat partiake apo përgjithësisht për Kosovën. Por, si do të bëhen reformat në LDK nëse krijohet një kaos qeverisës në nivel shtetëror, këtë e dinë më së miri ata që notojnë në ujëra të pista dhe nuk i dëshirojnë reformat as në LDK, e as në nivelin shtetëror, sepse kaosi shtetëror do t’u nevojitej për t’i sforcuar pozitat në parti.

 

Fundja e fundit KP të LDK-së nuk duhet t’i intereson aq shumë gjendja në qeveri, pasi qeverisja partiake është edhe më keq se sa qeverisja shtetërore. LDK ka nevojë për një qeverisje të shëndosh partiake në rend të parë, e pastaj qeverisja shtetërore. LDK-ja duhet të reformohet duke i krijuar mekanizmat partiak me të gjitha komisionet e mbikëqyrjes dhe të përgjegjësisë, për ndryshe nëse vazhdohet avazi i vjetër është më mirë të mos mbahen as zgjedhjet partiake. Në LDK, duhet të funksionoj zyra për ankesa dhe ide që ndihmojnë programin partiak i cili mund të reflektoj pozitivisht edhe për programe të mirëfillta shtetërore.

 

LDK para se t’i bashkëngjitet thirrjes së Isa Mustafës për të shikuar nevojën e koalicionit me PDK-në, është mirë të konsolidohet brenda saj si një parti perëndimore e cila nëse arrin ndonjëherë t’i fitoj zgjedhjet në Kosovë, duhet të jep shembullin e britanikëve ku kabineti qeverisës duhet të shpallet në mëngjesin e hershëm të ditës që do të zbardh pas shpalljeve të atyre zgjedhjeve që duhet të ndodhin në Kosovë.

 

Jo vetëm LDK-ja, por të gjitha partitë kosovare duhet ta kenë këtë synim politik dhe duhet t’i kenë resorët e caktuar partiak të cilët duhet të jenë në gjendje që ta formojnë kabinetin qeveritar brenda 24 orëve pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, e jo të ndodh si në rastin e Kosovës, veçmas brenda LDK-së kur për poste të caktuara duhet të pritet jo me ditë, por me muaj të tërë. As LDK-së dhe as partive që synojnë të marrin pushtetin nuk duhet t’u ndodhin marifete të tilla politike, ashtu siç i ka ndodhur Kosovës që prej se ka përfunduar lufta, ku partitë politike janë larg organizimit dhe nivelit të dëshiruar.

 

Por, pasi ne jemi tek LDK-ja dhe mbledhja e KP që u mbajt ditë më parë duhet të përmendim paradoksin e asaj mbledhje ku KP i LDK-së përsëri ka rënë në provim pasi ia ka besuar kryesisë qendrore e cila është fajtore për gjendjen në parti, që t’i formoj (ose t’i propozoj), grupet për reforma brenda LDK-së në njërën anë, kurse në anën tjetër kryetari i partisë si me inat po vazhdon kursin e degradimit të vlerave demokratike që ekzistojnë në partitë demokratike kudo në Evropën Perëndimore. Ai, vetëm dy ditë pasi emëroi Teuta Sahatqin, ish kryetare e Organizatës Joqeveritare “ORA” që përfaqësonte mbetjen e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, organizatë kjo e cila përbëhej nga mbetja mortare e LKJ ku kishte mbledhur kryesisht bijtë dhe pasardhësit e atyre Komunistëve me bindje projugosllave, dhe kjo ka ndodhur pa asnjë kusht duke iu kacavjerrë LDK-së për të marr “Kalanë nga Brenda”, sindromë nga i cili vuan LDK-ja që moti.

 

Emërimi nga Kryetari i Partisë që e ka postin e ngrimë,  një Këshilltare në Kabinetin e tij Qeverisës është si një përgjigje e drejtpërdrejt zërave që janë për reforma dhe një fyerje për Organizatën e Gruas së LDK-së e cila që prej njëzet vjetësh ka sfiduar të gjitha format e dhunës dhe poshtërimit edhe brenda vet partisë së tyre. Por rasti në fjalë shpjegon më së mirë nevojën për të qëndruar besnik në LDK, kurse postet dhe avancimet iu ndahen lajkatarëve dhe njerëzve pa asnjë meritë partiake. KP i LDK-së e ka pasur për detyrë ta ndërpresë këtë praktikë e cila që prej kohësh zbatohet brenda LDK-së, sa do që edhe në atë ditë është diskutuar pikërisht për këtë gjë.

 

Dy shembujt e fundit i zbehin shpresat për të besuar se do të ndodhin reformat e pritura brenda LDK-së.

 

 

E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch

 

Zvicër,  21 qershor 2010.

 

*Botuar në gazetën „Epoka e Re“, më 21.06.2010, Prishtinë.

 

-Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Po ashtu autori i shkrimit ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i dhjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja, duke u bërë zëri më autentik i saj.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora