E premte, 06.06.2025, 08:16 AM (GMT+1)

Mendime

Përparim Kabo: Antropo-anatomia e Nderit!

E hene, 05.07.2010, 07:08 PM


Antropo-anatomia e NDERIT!

 

Nga Dr. Përparim KABO

 

Historikisht pas frëngjisë se e shihnim gjithë botën, historikisht pas frëngjisë se gjithë bota nuk na shihte! Ky ka qenë  rrugëtimi, biseda dhe vetvështrimi ynë me përgjegjësinë për ta njohur veten në raport me të tjerët! Kemi qenë pra jo vetëm të izoluar por edhe të vetëpenguar për t’u shfaqur! Sistemi komunist e përçudnoi shoqërinë dhe antropo-individin edhe më keq. Delegimi absolut i sovraniteteve krijoi një shoqëri të të menduarit totalitar! Ne hipotekuam tek organet politike dhe ato subversive, jo vetëm fjalët dhe mendimet, por edhe ëndrrat dhe kuptimin mbi botën! Nën peshën e frikës ishte edhe nderi dhe lavdia, edhe sfida dhe depersonalizimi! Antropologji kolektiviste, NDER kolektiv! Mungesa e individit nuk la shkas dhe nuk ofroi mundësi për nder individual!Bota e nuliteteve e deformon kuptimin dhe atributet e nderit njerëzor si një vlerë dhe marrëdhënie! Partia-shtet duhet të dinte të gjitha për të gjithë dhe për gjithçka, ndaj asnjë peng nuk mund të mbetej pa treguar! U ngritën sisteme të specializuara të përgjimit dhe të rrëfimit, sepse principet përjashtuese si goditje e armikut u klasifikuan deri në formulime të tilla se “lufta e klasave fillon nga bashkëshortja nga fqinji etj”. Të gjithë kundër të gjithëve, kjo parullë e sistemeve totalitare e solli njeriun me “nder të dorëzuar” tek ideologjia, me gojë që llapte tek zyra e partisë, me llagëm ku duhej të kalonte karriera, dhe ky ishte përgjimi i tjetrit për të “vrarë që në mbarsje” çdo mendim ndryshe! Kështu fitohej pakëz nga nderi ideologjik i partisë, kështu ngrihej profili i besnikut dhe vetëm në këtë llogore shërbimi mund të merrje “gradat e shpërblimit”! Një sjellje e tillë për fatin tonë jo të mirë nuk mund të ishte “këmisha e palarë” që mund ta hiqnim në hyrje të viteve 90-të dhe ta digjnim në një krematorium shpagimi! Studimet e sotme serioze, përballë pyetjes, përse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme me institucionalizmin demokratik-liberal, apo në përgjithësi përse vendet e ish-lindjes komuniste sillen me korrupsion ndaj institucionalitetit ligjor; sjellin si përgjigje, se atje fal edhe faktorëve ndërkombëtar; vërtetë institucionalizmi ka mbërritur dhe është instaluar, por ai nuk ka ecur paralel me ndryshimet e nevojshme në mentalitet! Demokracia është eksportuar në ato vende dhe ato shoqëri me kujdesin e një kirurgjie juridiko-institucionale, por ama i është dorëzuar antropologjive që vijnë nga e kaluara dhe që mbahen peng prej mentaliteteve të penguara historike. Kurimi i tyre, për të fituar demokracinë edhe si një filozofi njerëzore, bazuar tek edukimi civil ligjor, tek edukata administrative dokumentare, tek kultura e bashkëjetesës në diveristet, dhe tek ndërtimi i individit si institucion social ligjor e kreativ në mendim, me të drejtën për të menduar me kokën e tij, për t’u shprehur lirisht dhe pa censurë si dhe për të pasur të drejtën për t’u vetëmbrojtur; të gjitha këto mund të thuhen edhe në një fjali të vetme. Por a duan ato kohë për t’u sendërtuar si një botëkuptim njerëzor i kultivuar!?? Në planin etik një ribërje e tillë e antropo-individit lyp një tjetër kuptim dhe sjellje ndaj nderit dhe derivateve të tij, ku personalja dhe publikja, imtimi dhe ajo që shfaqet si shprehje e të jetuarit jashtë jetërsimit, do duhet të dialogojnë, jo për të penguar njëra-tjetrën. Për më tepër në një shoqëri liberal-demokrate, barazia e njerëzve si njerëz, lidhet edhe me kuptimin se nderi është njerëzor, dhe jo “nder i madh” apo “nder i vogël”, ai është etik dhe jo politik! Të qenit i nderuar lidhet me integritetin moral dhe jo me hipokrizinë morale, që shet moralizim për të tjerët dhe vetë noton në pellgun e vesit! Si këndonte me vargje Gëtja: “Guri në ujën e kënetës nuk bën rrathë”! Zhvillimi demokratik nuk mund të përparojë nëse ekonomikisht vendi mbetet mbrapa ose zhvillimi është jashtë pikërëndesave për të krijuar kushtet e të qenit qytetar! Globalisti Farred Zakaria shkruan se: “Padyshim, ka dhe disa vende të varfër që janë bërë demokraci. Por, kur një vend bëhet demokraci me një nivel të ulët zhvillimi, demokracia e tyre zakonisht vdes. Midis vendeve të Europës Lindore pas 1989-ës, ata vende që kishin një nivel të ardhurash që shkonin në krye të kësaj amplitude, si Polonia, Republika Ceke, Hungaria-e konsoliduan demokracinë me shpejtësi. Atyre në fund të kësaj amplitude, apo dhe poshtë saj, si Rumania e Shqipëria iu duhet shumë më tepër kohë.” (Farred Zakaria, “E ardhmja e Lirisë” botimi shqip, faqe 66,67) Përfundimi është i qartë. Aq sa kemi varfëri po aq nuk kemi demokraci, aq sa kemi njerëz të varfër po aq kemi njerëz të pa konsideruar, dhe aq sa kemi njerëz të pasuruar me para jo të ligjshme, po aq kemi NDER të RREMË!

Mungesa historike e rendit borgjez na bën të paguajmë kosto të lartë ndaj qytetarisë dhe edukatës civile. Post-komunizmi nuk mund të ishte pa tjetër shoqëri borgjeze e nderit të një qytetari të tipit perëndimor! I çlirët nga diktati, mund të jesh edhe aventurier për të riluajtur me një të shkuar historike që ishte parakomuniste por edhe para borgjeze, përderisa ky sistem tek ne ka munguar. Ja përse u rishfaq Kanuni dhe autoriteti i tij vendimmarrës, madje shpesh i deformuar dhe i keqpërdorur! U rishfaq bejlerizmi dhe bajraktarizmi, që nuk u penguan të visheshin me kostumin e një realiteti modern të (pseudo)demokracisë si anti-rregull, dhe të autoritarizmit si “forcë e ligjit dhe e postit”! Nderi edhe sot ka mbetur më shumë peng i këtyre mentaliteteve dhe më pak është ushqyer nga edukata civile dhe barazia njerëzore në atë që njihet si “demokracia e gjithëpërfshirjes në mundësinë e vetëndryshimit”. Për më keq akoma NDERI është komercializuar, dhe shumë nga individët transaksional, që përgjithësisht luajnë pa skrupuj dhe që nuk i tremb padija e tyre, pasi ata nuk janë të aftë ta gjykojnë veten, mburren me NDERIN o “oxhakut familjar” që zënkërka rrënjë qysh nga koha e DOVLETIT! Pasurimin e tyre marramendës, dhe jo të përligjur, ata përpiqen që me mjetet që zotërojnë, jo rrallë edhe mediatike, ta shesin si një rikthim historik tek NDERI TRADICIONAL! Duket sikur thonë: “Me ne Shqipëria po rilind”!!!

* * *

Aktualisht pas 20 vitesh demokraci është më se e nevojshme të analizojmë në një anatomi njerëzore, se si është marrëdhënia mes lirisë dhe dinjitetit njerëzor, si e kuptojmë nderin e individit dhe si sillemi ndaj tij? A jemi të lirë nga e kaluara? Apo ajo në kushtet e të qenit i papenguar ideologjikisht, e lejon njeriun e sotëm të baresë thellë honeve pagane dhe të perçapë tek rrëpirat mesjetare të shpagimit në emër të asaj që në atë periudhë, “rikthimin e nderit me duel” e quante si e “drejta e zotit”! Ngado që ta sjellim problematikën, si do që të përpiqemi ta posedojmë atë me zhgulmin se “unë kam paratë dhe pushtetin, si mos kem edhe NDERIN”, nuk duhet harruar fakti se morali ndërtohet mbi marrëdhënie njerëzore, dhe kjo na shpie në përfundimin aksiomatik se: “NDERI nuk mund të blihet në treg, por se nderi mund të shitet në Pazar! Qëkurse qytetërimi perëndimor hodhi themelet në antikitet dhe Aristoteli shkroi veprën “Etika Nikomakea”, aspekti social ofroi si boshte ku mund të lëvizte morali dhe nderi i individit, tri dimensione!

“Ajo çka jemi, pra personaliteti në kuptimin e gjerë dhe si rrjedhim, shëndeti, forca, bukuria, temperamenti, karakteri, morali, inteligjenca dhe edukata. Ajo çka kemi, pra prona dhe pasuria në kuptimin më të gjerë. Ajo çfarë paraqesim, zakonisht me këtë shprehje kuptohet mënyra e të qenit në opinionin e të tjerëve, mënyra se si na shohin të tjerët, pra bëhet fjalë për vlerësimin e të tjerëve, ku dallojmë nderin, pozitën shoqërore dhe lavdinë.”

Në thelb të këtij gjykimi universal është i dallueshëm një princip, “të qenit i shfaqur për vetën dhe për të tjerët”! Secili nga ne është vetja, por se si gjykohet nga të tjerët kjo nuk mund të jetë plotësisht në dorë dhe e instrumentalizuar nga askush prej nesh. Janë rrethanat, janë sistemet, janë principet etike, është shkalla e lirisë përballë të cilëve kushte, ne do të duhet të dorëzohemi duke kuptuar se privatja e mbyllur hermetikisht mund të jetë vetëm mosqenia, mosveprimi, vet-izolimi, ikja nga shoqërorja!

Ajo që mbetet si peng vlerësimi në trinomin Aristotelian është se nuk flitet për pushtetin. Duhet kuptuar pra se pushteti është një shërbim civil për Aristotelin dhe i tillë vjen deri në ditët tona. Këtë lloj detyrimi do duhet ta kuptojmë të lidhur me të qenit dhe sidomos me moralin, me inteligjencën dhe me edukatën. Nëse këta tri atribute, varfërohen, humbasin ose “mutatohen me paranë”, me posedimin e pushtetit dhe me abuzimin ndaj të tjerëve, qoftë ky edhe një individ i zakonshëm; duhet të pranosh si ndryshime aristoteliane, atë se ç’farë ne paraqesim! Si na shohin të tjerët, kjo nuk varet më nga TY! E nëse dikush në një libër tregon se si “Punova me tre Ministra” apo dikush tjetër nëpërmjet investigimit mediatik zbulon se kush dhe si shihesh ti nga të tjerët, mos u rek të vërsulesh ndaj saj apo ndaj tij! Nëse ende lexon libra, lexoje sërish Aristotelin, dhe po nuk je dakord “digje publikisht” librin e tij për të treguar herezinë tënde anti tejdukshmëri. Frika për të pranuar opinionin për ty, që vjen jashtë teje është frika nga “pelegrinazhi yt i brendshëm”, është llahtari që të mban peng nga raportit delikat; “të dukem jo ai që jam, të më besojnë edhe pse po gënjej, të më shpallin hero edhe pse nuk kam beteja”! Apo të shfaqem si jam me të mirat por edhe me gabimet njerëzore!

Ky lloj nderi është sa mesjetar aq edhe komercial, është tek e fundit një nder i shndërruar! Ne tash dy dekada krenohemi si njerëz të lirë, por sa të tillë jemi? Fatkeqësisht liria pa kufij në shoqërinë tonë ka afishuar një pazëll të çrregullt në formë, në ngjyrim, në kuptimshmëri dhe interpretim, sepse secili rast reagues ka afirmuar të qenit i pengmarrë nga “psikologjia e racës” e nga gjithë-pushtetëshmëria e autoriteteve të së kaluarës! Ende fëmijë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes! Një baba në një fshat të Lezhës vret të birin sepse sipas tij “e tallte” në faqe të fshatit! Një biznesmen rreh një deputet në zemër të Europës dhe ky shkon në takimin zyrtarë i mavijosur! Një tjetër syresh rreh edhe me ndihmën e sejmenëve të tij një gazetarë! E më tej ngre padi në gjykatë për prishje imazhi nga dy pena serioze të publicistikës që shkruajnë për ngjarjen. Ne ende e kemi si “energji shpagimi” dëshirën për të rrahur! Kjo lloj kafshërie sot tek ne shëmton, por kur ajo pasohet edhe me ndeshje me armë zjarri merr edhe jetë njerëzish si pa të keq!

Anatomia antropologjike vjen si e tillë në një deformim të frikshëm dhe me pasoja. Kemi kapitalista, por nuk kemi borgjez. Ata sillen si feudal dhe jo si zotërinj! Madje edhe me paranë keqsillen, sepse e shpërdorojnë. Sokratin e antikitetit e keqtrajtuan dhe ai duroi. Një herë tjetër, pasi kishte ngrënë një shqelm, vazhdoi i qetë dhe atyre që u çuditën u tha: “Po të më kishte goditur një gomar, mos ndoshta do ta hidhja në gjyq”?

Një ministër që do duhej të kujdesej për rendin publik hedh nga shkallët një mediatar! Një deputet fyhet nga një tjetër në foltore dhe për të shpaguar e qëllon me armë brenda në sallën e kuvendit! Të tjerë sulmojnë Kryetaren e Kuvendit për ta goditur dhe në rrugë e sipër sillen si barbarë me vazon e luleve. Këmisha e dalë nga brezi i pantallonave e shton groteskun! Kreu i ekzekutivit sulmohet si pa të keq me epitetet që edhe një njeri i rrugëve do t’i kishte të tepërta! Mandej kur ai largohet nga posti, të gjitha ato akuza bien dhe përcillen në haresë. Sulmohet si të jetë kriminel ordinerë Prokurori i Përgjithshëm dhe pasi shkarkohet nga detyra ai vijon jetën i qetë pa asnjë përgjegjësi juridike. Sulmohen ministra si “njerëz të krimit” të korrupsionit që i pret gjykata dhe ndëshkimi penal, dhe pasi ikin nga pushteti ministror bëhen anëtarë të “Akademisë së Shkencave! Le të vijomë me këtë parodi. Dikush nisur ndoshta edhe nga “kretiniteti i tij sindromik” (ëndrra për ta parë veten një ditë si “udhëheqësi i madh nga fshati i vogël”), sulmon kryeministrin dhe familjen e tij me insinuata. Ndërsa ky i fundit e sjell situatën që të humbi toruan dhe të shkas në fjalë banale dhe hakërrime për t’i vulosur fytyrën me modelin e këpucës, si edhe ndodhte në mesjetë kur hekuri i nxehtë përcëllonte fytyrën e brigantit apo kriminelit! Së fundi, në sallën e parlamentit njërit i kujtohet receta e medikamenteve për një patologji mentale, tjetrit jeta plurale dashurore e gruas, atij tjetrit kopjimi i librit të jetës!!! Një “trimosh verior” del tek foltorja për të rrahur një “deputet taze” që karrierën e sheh si shërbim prej “parrot”! E gjithë kjo klimë në shtëpinë e ligjëbërësve bie erë arrogancë, mosedukatë, dhe etikë njerëzore e munguar! Dhe po këta “heronjë” të denigrimit të personalitetit, për të gjetur nderin e humbur, për ta vënë atë në vend duke e kuruar nga plagët, përfundojnë si një shpurë akuzatorësh në Prokurori kundër njëri-tjetrit! Kjo mund të quhet brenda një adekuance shkencore dhe jetësore si Antropo-Parodia e NDERIT! Gjithçka do të mbetej në kufijtë etik dhe (pseudo)vlerë e autorëve, këtyre “luftëtarëve të nderit pa nder”, nëse ata do të mos shkonin deri atje, që për të rritur dramacitetin dhe për të tërhequr krabën e fituesit nga vetja, të mos përfshinin në këtë baltim oral edhe nderin kombëtar, që e sjellin si argument të përkushtimit për atdheun, apo si përgjërimin për mëmëdheun, brenda kësaj luftë pa heronj e pa mision! Kjo masë antropo-pushtetore besoj se e di që “lavdia reale mbetet” ndërsa “lavdia e rreme” humbet efektivisht edhe sikur autori i saj të rojë më tepër si dëshmitar fatkeq.

Një lloj vetlavdërimi i tillë është i përkohshëm.(Lexo-unë po vdes në punë, unë po shkrihem për atdheun, si mund të më hidhet poshtë i gjithë ky mund.) Bukur i sulmon Hegeli këta lloj “dëshmorësh të lavdisë së pa qenë”. Ajo lloj lavdie shkruan ai vjen e “shpallur me bujë nga një turmë miqësore kandidatësh dhe e shpërhapur nga jehona e kokave boshe”! Kokëboshësia kjo patologji kur merr dhe vendime sillet si antilavdia kombëtare. Të kujdesemi që ajo të mos rroki gjithë pushtetet! Ndryshe jemi të humbur! Vendimet e tyre në politikë, në gjyqësor apo gjetiu e sëmurin demokracinë! Duket sikur e gjithë shoqëria e lodhur nga memecllëku i djeshëm komunist, tani gëzon lirinë e të ardhurit të gojës, dhe gjithë atë mungesë fjalëderdhjeje e shijon sot në një delir që prodhon shndërrimin tonë të përbashkët! Një antropologji ku njerëzit shahen, çfarë emri do duhet t’i vëmë kësaj gjendje!? Është me vlerë që të shkruajmë kudo si parullë që prevenon, sentencën e Ciceronit se:”Fyerja lë hapur një plagë që edhe njerëzit e ditur dhe virtuozë mezi e durojnë.”

* * *

Është shkelur privatësia-kjo është sot parulla e gjetur si “varka e Noes” për të shpëtuar nderin e nëpërkëmbur, personalitetin e deformuar, imazhin e shprishur! Dhe verdiktin e jep gjykata, gjykatësi, “gjyqtarët kolektiv” që përball vlerësimeve publike të qytetarëve dhe institucioneve të specializuara që i sigmatizojnë si pushteti më korruptuar, heshtin. Ndaj një rasti të veçantë kur një televizion kombëtar evidenton një gjest të papranueshëm në raport me etikën zyrtare dhe në ndeshje të plotë me etikën njerëzore, kërkon ta përcjell tek alibia e argumentit të stisur juridik, duke hapur gojën si një “gllabërues fatesh” dhe duke e peshuar “nderin e humbur” (sepse media dhe mediatarja e shembën frëngjin historike), me një gjobë si të ishte ndonjë gjykatë arbitrazhi ndërkombëtar!

Po ç’është privatësia? Shtëpia ku t’i më fton vetë? Pizhamat që t’i mbanë veshur se të pëlqen ty vetë, është dhoma e shtëpisë ku t’i më fton ku të qëndrojë?! Apo privatësia ose bota si përfaqësim, si thotë Shopenhauri, është fillimisht vet “trupi i njeriut”! Më lejo të të shoh trupin (hape gojën të të shoh dhëmbët, ju thuhej skllevërve) që të të punësoj! Kjo ç’është, dëshiroj të pyes “kolektivin e gjyqtarëve” që ndjehen të penguar në punë nga media, e cila është po aq pushtet dhe po aq i pavarur si dhe kusht për demokracinë; sa edhe pushteti i drejtësisë! Kur këta dy pushtete “shkojnë ndesh”, në këtë rast nuk ka as fitues as NDER! Të gjithë jemi të humbur! Qytetari po e po! Demokracia po ashtu, ndërsa liria si mënyrë jetese duket si një e ardhme e largët! Një shtrembërim qoftë dhe subjektiv i ligjit, dhe i pamotivuar nga ligësia, mund t’i bëjë “atentat demokracisë”! Vigjilimi ynë do duhet të kapërcej figurën e vizatuar Gjykatë–Top Channel, për të parë më thellë! A është në diskutim nderi i një njeriu, apo është në diskutim nderi i të qenit njerëz të lirë në një shoqëri liberal-demokratike!? Gjykata është vendi ku jepet drejtësi në emër të ligjit dhe me “barazi përpara ligjit” për të gjithë, apo atje fiton të “drejtën” e pa drejtë ai që paguan më shumë?! Ministrat dhe gjyqtarët jetojnë me rrogën e shteti, apo janë të pasuruar me ryshfetin e njeriut në hall dhe në nevojë që nuk ka shteg tjetër?! Ky është problemi, edhe nëse Top-Channel do të ndëshkohej qoftë edhe me 4 Euro!

Kushtetutshmëri-Institucionalizëm-Liberaldemokraci, këto janë shtyllat që ndihmojnë në krijimin e nderit njerëzor individual në një shoqëri moderne, dhe jo paraja në sasi!

Madje si pa të keq në kundërshtim me Ligjin për Bankën e Shqipërisë, fatur-gjobën gjyqtari e pret në Euro, jo në monedhën kombëtare. Është e kuptueshme njerëzit që e njohin mirë “rrymën e monedhës” kryejnë transaksione në monedhën më të fortë. Ata i druhen fluktacionit të parasë dhe humbjeve që mund të vijnë në transaksionin para-para! Nderi dhe karakteri i një njeriu përcaktohet nga “gjestet e vogla”- shkruante Oscar Wild!

Ndërsa Erich Fromm kur flet për dashurinë makute të njeriut të tregut shpjegon, se ai e do “mollën e madhe”, “tavolinën të madhe”, “makinën të madhe” dhe “gjirin e femrës të madh”! Ja pra ku lundron dinjiteti i nderit të antropologjisë sonë brenda një trekëndëshi ligji-pushteti-tregu në shërbim të shpagimit ndaj atyre që guxojnë të mbajnë marrëdhënien me të vërtetën në çdo rrethanë! Rrjedhimisht është krijuar edhe një bashkësi aleatësh që kontrollojnë këto argumente si pushtete që mund të prodhojnë frikën dhe mund të bëjnë gjëmën! Ato mund të të risjellin në “kohën e heshtjes diktatoriale” apo të “koraleve ideologjike”! Ngjashmëria e këtyre antropo-individëve, pavarësisht nga ofiqet që kanë në politikë, në media apo nga autoriteti i parasë në treg, lidhet me

mospranimin e së ndryshmes, me refuzimin e gjykimit që opinioni publik jep si shprehje të lirisë bazuar në principin thelbësor,”jam i taksuar, ndaj duhet të jem i informuar”! Masa njerëzore që jeton ndershmërisht bën kontrastin. Ajo u dashkërka të heshti, të uli kokën dhe të na përshëndesi!”

Çdo njeri mund të gjykojë e të kuptojë vetëm atë që është i ngjashëm me të. Pra, i poshtri kupton poshtërsitë, rrëmujaxhiu rrëmujën, i pamendi moskuptimin dhe për të njëjtën arsye, veprat personale duken më të mira se të gjitha të tjerat”!(Artur Shopenhauer, “Këshilla për Jetën” botimi shqip, faqe 84) Ndërsa, opinionin publik ka si të ngjashëm interesin publik që është thelbi i demokracisë në të gjitha kohërat! Një njeri me nder do të pranonte edhe një vendim gjykate me një penalitet një euro, sepse ai e kupton që NDERI=PARA=SHNDERIM! E drejta me më të fortin vjen nga medievaliteti kalorsiak dhe nuk ka të bëjë me shoqërinë institucionale. Duelet “moderne”, dhe të kamufluara sot me alibinë nga drejtësia, janë po aq duele, si edhe në kohën e tyre.

Është me interes t’u shpjegojmë këtyre ushqyesve të duelizmit të sotëm, se ky term “duel”, nuk ka prejardhje nga latinishtja “duellum”, por nga spanjishtja,”duelo” që do të thotë dëm, akuzë, ngacmim! Këto lloj sulmesh dëmtuese me qëllim për të frikësuar, duken si duelet e kompromentuara, ku njëri e ka “koburen bosh” tjetri e ka zëvendësuar me gryk topi! Do të preferoja që qoftë ideatorëve, qoftë ekzekutuesve të këtij lloj shpagimi, t’u sillja në mëndje (nëse vërtetë duan ta përdorin atë në kësi rastesh) se “nga veprimet mbetet vetëm një kujtim. Veprat mbeten, sidomos kur shkruhen”! Jini vigjilent dhe mbaheni vath në vesh një sentence filozofike që nuk vjetrohet: “Pedantizmi kur puqet me marrëzinë është pa dyshim arsye për të qeshur”! Ngjarjet dhe personat mund të shfaqen në histori një herë si tragjedi, herën tjetër si komedi! Kujdesuni për veten! Koha e tragjizmit ka mbaruar! Ndërsa e qeshura është qëndrimi më serioz në situatën komike!

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx