Mendime
Shefqet Dibrani: Reformat në LDK (9)
E premte, 09.07.2010, 09:57 PM
REFORMAT NË LDK (9)
SUKSEI I PARTISË VARËT NGA BORIZANI I SAJ
(Ose: A duhet të reformohet edhe departamenti i komunikimit me publikun)
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Karshi reformave e punëve të shumta që duhet t’i bënë LDK-ja, në këtë proces riformatizimi ajo duhet të merret seriozisht me departamentin e informimit dhe të propagandës, sektor ky ndoshta më i brishti që ka pasur dhe ka LDK-ja. Kurse borizani i një partie është personi ndërlidhës në mes qëndrimeve partiake dhe opinionit publik, përkatësisht përmes tij transmetohet deri te qytetari i gjithë angazhimi i brendshëm i partisë. Partitë dhe subjektet politike në Kosovë, veçmas LDK-ja duhet të merr shembullin e partive perëndimore të cilat i kushtojnë rëndësi specifike këtij posti i cili nuk i jepet askujt vetëm sa për dekor. Zëdhënësi i LDK-së Vehbi Miftari në këtë post sikur ka ardhur vetëm sa për ta siguruar titullin “dr” dhe për të marrë një pagë mujore, por jo për t’i dhënë vizion e emër LDK-së. Përkundrazi qëndrimi i tij dualist e ka shëmtuar dhe i ka degraduar edhe ato pak vlera që i ka pasur LDK-ja. Për ironi të të gjithave më duket se i vetmi vizion i qartë i Vehbi Miftarit është lojaliteti i tij ndaj eprorit që është shembulli më tragjik i bërrylave brenda kësaj partie.
Po çfarë mund të flitet për rolin e tij në fushën e komunikimit kur në fund të komenteve të tija që s’kanë gjë të përbashkët me LDK-në sqaron se: “Autori është shef i Departamentit të Komunikimit në LDK. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë krejtësisht personale”. Të jesh shef i departamentit të partisë dhe të prezantosh pikëpamje krejt personale është më shumë se idiotësi, sepse në secilën kohë dhe në çdo moment ai është dashur dhe duhet t’i prezanton pikëpamjet e partisë, nëse më të vërtetë është anëtarë i LDK-së, përndryshe është një dublxitet moral dhe politik që reflekton te qytetari pikërisht dyfytyrësinë e mendimit dhe të qëndrimit politik në LDK.
Vehbi Miftari vjen në këtë post më shumë si kuadër i dëgjueshëm të cilit si duket “Partia” e ka shpërblyer edhe me gradën “dr”, se mbase edhe kjo “Parti” nuk ka mbetur prapa të tjerave me grada shkencore që merren vetëm nëse siguron një post të lartë partiak a shtetëror. Por viteve të fundit është krijuar një kontradiktë e thellë në këtë plan pasi në të kaluarën gati të gjithë ata që kanë zgjedhur punën kanë mbetur pa vazhduar studimet pos diplomime, ndërsa sot ndodhë e kundërta pasi kryesisht studimet dhe titujt akademik po merren nëse ke poste të privilegjuara.
Po ky sukses vazhdon edhe në fushën e publikimeve, ku zyrtarët e lartë për çdo javë promovojnë librat e tyre, promovojnë librat ku ata janë redaktor, bëhen kritikë të librave të caktuar dhe me të vërtetë është për t’u lakmuar se si i arrijnë të gjitha këto rezultate, ndonëse rezultatet e zhvillimit të Kosovës janë duke i shqetësuar të gjitha strukturat vendimmarrjes në Evropë dhe Amerikë.
Madje shumë sish karrierën e autorëve e kanë nisur vetëm kur janë emëruar në postet më të larat politike e shtetërore. Se si arrihet kjo, nuk do shumë mend, por tragjikja e gjithë kësaj është gjendja e prapambetur në Kosovë në të gjitha sferat e jetës së saj. Në këtë plan nuk është prapa as borizani i LDK-së i cili asnjë shërbim organizimi dhe asnjë veprim për t’u lakmuar në fushën e komunikimit dhe të propagandës prej si është në postin e “shefit të komunikimit në LDK” nuk e ka bërë.
Vehbi Miftari nuk ka shtrirë askund rrjetin e tij nëpër degë, e nëndegë, ai vazhdimisht sillet me një prepotencë e megalomani të pa shembullit. Do të ishte mirë gazetaria analitike të bënte anketime për të parë se si u drejtohen zëdhënësit e partive dhe të institucioneve shtetërore, gazetarëve nëpër konferencat për shtyp dhe në paraqitjet e tyre publike. Të shihet nëse ndonjëri prej tyre iu drejtohet gazetarëve me shprehjen: “Të nderuara zonja dhe të nderuar zotërinj mirë se keni ardhur në këtë...”, këtë përbuzje dhe këtë shpërfillje poshtëruese që e bëjnë para gazetarëve në dhjetëra sekuenca televizive i kam veçuar pikërisht njerëzit e LDK-së që kanë komunikuar me gazetarët, ku nuk përjashtohet as z. Miftari. Gjendje më e mirë nuk është as në partitë tjera por mua më dhemb më shumë situata në shtëpinë time se sa në shtëpinë e “kojshisë”.
Nuk e di si nuk e shohin njerëzit rolin e tyre negativ ndaj partisë. Karshi LDK-së Vehbi Miftari nuk ka pse të krenohet, përkundrazi ai i ka bërë një shërbim të keq LDK-së e cila e ka privilegjuar dhe akomoduar si është më së miri. Se LDK-së i ka bërë një shërbim të keq është fakti se ai u shërben klaneve të interesit përndryshe nuk do të deklarohej për Isa Mustafën se është "njeri me kapacitete të jashtëzakonshme intelektuale dhe menaxhuese, i cili ka dhënë shumë shenja se Prishtinën po e transformon në një kryeqytet modern".
Deklaratat e tilla nga shefi i Departamentit me Komunikimin Publik të cilat janë në disproporcion të kundërt me realitetin në Prishtinë, jo që janë të dëmshme, por në një parti moderne demokratike ku ka rregulla e përgjegjësi, Vehbi Miftarit ia kishin bërë me “tybe” hyrjen në objektin e LDK-së dhe së paku
Shtrohet pyetja se çfarë mund t’i raportoj Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe Kuvendit të Partisë për punën e tij disa vjeçare në cilësinë e “shefit të Departamentit të Komunikimit në LDK”, përveç të dhënës se gjatë kësaj kohe “Pikëpamjet e shprehura nëpër artikuj kanë qenë krejtësisht personale”?!
E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch
Zvicër, 21 qershor 2010.
*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Po ashtu autori i shkrimit ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i dhjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja, duke u bërë zëri më autentik i saj.