E enjte, 24.07.2025, 10:43 PM (GMT+1)

Mendime

Lebit Murtishi: Opozitë me popullin do të thotë opozitë me veten…

E shtune, 10.07.2010, 07:59 PM


Opozitë me popullin do të thotë opozitë me veten…

 

Nga Lebit Murtishi

 

Në këto kohë të pakohëta, kur fatkeqësisht, sërish bien këmbana krizash e luftërash, kur vrasjet serike mbi shqipetarë s`kanë të ndalur, kur përshëndeten e përgëzohen kryerësit e krimit, kur shahen e baltosen dëshmorët e kombit, me shqetësimin më të thellë konstatoj, se jo vetëm që s`kemi përfaqësues të denjë politik qe do t`u përgjigjeshin në mënyrë meritore situatave që po krijojnë ultrashovenistët sllavë, por nuk kemi as opozitë politike, që së paku të thotë një mendim të ndryshëm në mos të kundërt, me mendimet dhe qëndrimet e politikës zyrtare të të gjitha anëve të ndara të Shqipërisë…

         Qëndrimet e një politike servile dhe nënshtruese ndaj faktorëve të jashtëm, sidomos kur imagjinohen konflikte rreth problemeve të hapura në ballkan, janë më shumë se dëshperues, janë më shumë se poshtërues.

         Si do të emërohej ndryshe përkrahja publike që iu dha Shkupit zyrtar nga i gjithë blloku politik shqiptar, me rastin e fundit tragjik (qoftë i fundit) kur u ekzekutuan pa gjyq katër të rinjë shqipëtar, me pretekste tashmë të njohura për opinionin…

         Si do të emërohej qëndrimi zyrtar i Shqipërisë, i Kosovës, i shërbetorëve shqipfolës të qeverisë-Gruevski?-më shumë se poshtërues nuk më lejon etika ta them…

         Është fatkeqësi të thuhet, se klasa politike shqiptare, opozitë të vetme dhe të vërtetë ka popullin që i takon…

         Dhe unë besoj se kjo opozitë, më shumë se e natyrshme, do t`i mjaftojë, që një ditë të afërt të ketë me kend të ballafaqohet…

         Ironi ose jo, kur janë në pyetje çështjet kruciale të kombit, nuk kemi zëra kundërshtues nëpër kuvendet e principatave që kemi, nuk kemi kacafytje mendimesh, nuk kemi gjuajtje karrikesh, sic ndodh për shembull me rastin e ndarjes së tendereve, ose me rastet e shitblerjeve të pasurive kombetare…Perkundrazi, kemi njëzëshmëri të plotë, kemi zbatim të parezervë të urdhërave që dërgohen përmes fakseve nga jashte…

         Bindjen time, për të keq, e vërtetojnë zhvillimet e fundit në shtetin amë, ku klasa politike, pozitë-opozitë, për interesa tepër banale, po e shtyjnë vendin drejt një krize tepër të rrezikshme, për të mos thënë drejt kobeve të nëntëdhjetëeshtatës…

         Në I.R.J të „Maqedonisë“ pritet këshilli i pajtimit Godo-Demaçi për të pajtuar Aliun me Thaçin, pa llogaritur atë thënie të moçme, se „pajtimi i zullumqarëve shton zullumin edhe më shumë“…

         Në Kosovë zinxhiri i skandaleve s`ka të ndalur: rasti Bllaca, Albin Kurti, rasti Limaj, etj, etj. Prandaj, as pozita as opozita nuk gjejnë kohë për Mitrovicën, nuk gjejnë kohë për Kosovën Lindore, nuk gjejnë kohë për Malësinë e Madhe, nuk gjejnë kohë madje as ndonjë fjalë, as për Çamërinë as për Iliridën…

         Për më tepër, dijnë edhe të lëndojnë, dijnë edhe të fyejnë kur ua do interesi, kur ua kërkojnë padronët. Do rikujtoj vetëm paraqitjen e parapakkohëshme të Bajram Rexhepit, i cili, në vend që të mirret me detyrat e shtëpisë, vajti gjer në Shkup për t`u përkulur para padrones së tij të frustruar, dhe për të sharë e për të mallkuar dëshmorët e kombit. Nuk hezitoi Bajrami t`i quaj kriminelë bijtë e nënave shqiptare që i ekzekutoi soldateska kriminale e Shkupit.

         Unë mund të përgëzoj Bajramin që pati aq guxim të deklarohet në emër të Kosovës, se në vendin e tij nuk paska vend për kriminelë. Pra, të nderuar motra dhe vëllezër, Bajrami i Mitrovicës së coptuar, ata që vrasin e mbysin në lumë fëmijë shqiptarësh, ata që djegin kufijtë e Kosovës saherë u teket, ose i harroi se kush janë, ose i pandeh për engjuj…

         Dhe ku ishin opozitarët e Kosoves kur shante e pështynte Bajrami dëshmorët e kombit. Nuk u dëgjua zëri i tyre, as u dëgjua mendimi i tyre. Madje s`është e tepërt të thuhet se ata s`mendojnë fare, mendojnë të tjerët në vend të tyre…

         Nuk më lejon hapësira e këtij shkrimi të numëroj më tepër absurde nga përditshmëria jonë, por mund të them se dëshmitë që ceka më lartë janë një pjesë tepër e vogël, që shkëputa nga vargu i pafundtë i fakteve, që flasin për një mungesë të theksuar, jo vetëm të sensit politik, por për mungesë të një klase politike të formësuar politikisht, dhe për mungesë të një elite të pjekur kombëtarisht…

         Poqese vazhdojnë këto zhvillime negative dhe më tej, atëherë, opozita e vetme e këtyre kohëve të mjegulltë, pra, opozita popull, duhet të reagojë, madje që sot, që të mos paguajë faturën nesër, siç ka paguar shpesh gjatë historive të shkuara…

         Preteksti banal, se gjoja angazhimi i madh rreth çështjes së Kosovës paska qenë shkaku i shtyrjes, ose i anashkalimit të përkohshëm të çështjeve tjera të hapura, që për nga pesha nuk dallojnë shumë nga problemi-Kosovë, tashmë dhjetë vjet të shkuara nuk ekziston…

         Së paku për klasën politike ky problem është i mbyllur. Dhe meqenëse me këtë dioptri është parë lëmshi i pazgjidhur i çështjes kombëtare, meqenëse kaptina kryesore e dramës shqiptare qenka mbyllur, atëherë me të drejtë shtrohet pyetje shqetësuese, mos vallë pazaret kanë shkuar aq larg sa të flijohen të gjitha teritoret tjera të pushtuara?

         Teritoret jashtë Kosovës, jo vetëm që kanë peshën e njejtë me problemin-Kosovë, por edhe pa këtë peshë, është pesha e lirisë ajo që na barazon të gjithëve, është vlera e lirisë ajo që na duhet të gjithëve. Është më shumë se e dhimbshme t`i thotë vëllai-vëllait, flijohu ti për lirinë time. Populli jonë kurrë nuk i ka ndarë, as hallet e shekujve, dhe as frytet e fitoreve, që për fat të keq kanë qenë shumë të rralla…

         Edhe në këto momente historike, jemi të detyruar të ecim një udhe të përbashkët, një udhe që do të na shpjerë në zgjidhjen përfundimtare të problemeve tona, një udhe të paalternativë, drejt formimit të shtetit të përbashkët kombëtar…

         Të gjitha idetë e zgjidhjeve parciale të çështjes kombëtare dështuan e do të dështojnë saherë do të ndiqet kjo udhë e pakrye e importuar nga qendrat e vendosjes, të cilat për asnjë çmim nuk shkelin mbi interesat e tyre…

         Vonesat historike mund të kenë kosto të papërballueshme…

         Mendoj se është koha të tejkalojmë emocionin-pavaresi në këtë formë që na u imponua në Kosovë, dhe së dyti, të mësohemi që të mos ngatërrojmë emocionet e bukura me parimet thelbësore të problemit…

         Kosova, dhe të gjitha viset shqiptare në Ballkan, vetëm në gjirin e Shqipërisë mund të jenë të lira, vetëm në gjrin e Shqipërisë do të quhen shtet…Jemi popull i vogel për t`u ndarë në principata mesjetare…

         Vetëm brenda Shqipërisë do të ndërpritet copëtimi i ngadalshëm i Kosovës, vetëm brenda saj do të ndërpritet copëtimi i vazhdueshëm i trojeve shqiptare…

         E vërteta e hidhur, se Kosova me statusin politik që ka, nuk ishte, as nuk lindi si dëshirë e mirë e shqiptarëve, duhet të shihet drejtë e në sy. Një Kosovë e këtillë paralitike, kurrë nuk ka mundur të jetë, as ëndërr dhe as interes i shqiptarëve. Kosova u grabit nga duart e shqiptarëve dhe u shndërrua në zonë interesash gjeostrategjike të fuqive të vendosjes. Dhe, kur dihet mirefilli se asnjëra nga këto fuqi nuk është organizatë humanitare, vetëkuptohet që edhe në rastin e ndërhyrjes në Kosovë nuk është bërë ndonjë përjashtim.

         Askush nga ne shqiptarët nuk jemi kundër miqësive me vendet e ashtuquajtura të demokracive të medha, por miqësite e vërteta, janë ato miqësi që respektojnë shtëpinë e mikpritësit…

         Në rastin tonë është dëshmuar e kundërta, diktati, jo vetëm politik, por në të gjitha fushat e jetës, sa vjen e bëhet më arrogant, bëhet i paprinciptë, bëhet i pa-durueshëm…

         Mund të konstatoj, se termi i përfolur „sui generis“ që lindi me pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, nuk paska qenë as i rastit, dhe as i përkohshëm; Kosova, jo fasadën e jashtme, por rregullimin e brendshëm me të vërtetë e ka çuditërisht të veçantë, çuditërisht unikat. Nuk ka vend të dytë në rruzullin tokësor, ku barazohet një pakicë 5-6% me shumicën absolute të popullatës që kalon shifren e nëntëdhjetë-përqindëshit. Nuk gjendet vend i dytë në rruzullin tokësor ku një pakice përherë zjarrvënëse, i jepet e drejta të bllokojë përmes vetos së garantuar të gjitha ligjet që nuk i pëlqejnë ose që nuk i shkojnë për shtati. Dhe, kur dihet qëndrimi agresiv serb ndaj Kosovës, bëhet shumë e qartë se ç`e pret Kosovën në të ardhmen, edhe sikur të imagjinohet se Serbia çetnike mund ta njohë pavarësimin e saj…

         Siç shihet, atë që nuk mund ta bëjë nga jashtë, Serbija do ta bëjë nga brenda, pra do të pengojë funksionalizimin e shtetësisë së Kosovës përmes vetos së garantuar nga pakoja e famshme e Ahtisarit…

         Mendoj se jam brenda temës, kur them që nuk kemi opozitë dhe nuk kemi as klasë politike kombëtare. Sigurisht që, kur mungon njëra, është e kuptueshme që mungojnë të dyja.

         Jo pa qëllim u mora shumë pak me emrin e ëndërruar, opozitë, me emrin që na ka munguar në të gjitha kohët, jo vetëm si forcë motorike që shtyn përpara zhvillimet e shoqërisë, por edhe si vlerë demokratike civilizuese, edhe si vlerë humane univerzale.

         Vlerat që mungojnë nuk di t`i vlerësoj…

         Lëvizja jonë kombëtare, me gjithato kontradikta ekzistuese, si nga fuqitë e vendosjes ashtu edhe nga faktorë të brendshëm, nuk është e pashpresë, nuk është inferiore përballë kujtdoqoftë faktori, në qoftë se do të dijë të zgjojë forcat brenda vetes, në qoftë se do të dijë të bashkojë energjitë brenda vetes, dhe në qoftë se do të dijë të tejkalojë huqet brenda vetes…

         Atëherë pra, kur energjive tona t`u japim drejtimin e duhur, do të jemi fuqi respektuese në rajon. Atëherë, dhe vetëm atëherë, pengesa e trashëguar e njëmendësisë do t`i hapë rrugën mendimit të lirë, do t`i hapë rrugën zhvillimit normal të kombit, do kemi opozitë të mirfilltë, do kemi edhe një elitë meritore që do të udhëheqë fatet e kombit…

         Edhe miqtë ndërkombëtarë, do të binden se shqipëtarët nuk do të mbeten përjetësisht roje të paqeve të imrovizuara; do të binden se shqipëtarët nuk do ta lënë lirinë e tyre peng për hir të interesave të kujtdoqofshin; do të binden se kush i krijon shkaqet, detyrimisht do t`i ndjejë edhe pasojat e krizave…

         Lus Zotin që të mos vonohemi…

Lebit Murtishi

29.05.2010

Bern

Prizreni është gjallë!

 

         Kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve dhe kryezemra e bashkimit dhe e qëndresës kombëtare, sërish pas rreth njëqind e tridhjetë vjetësh vendosi në piedestal Flamurin e Arbërit, në vendin që e fitoi me lumenjë gjaku, si në shekujt e shkuar, ashtu edhe në historitë e reja…

         Uruan të gjitha pjesët e ndara të Shqipërisë, uruan të gjitha zemrat e shekujve, dhe u dëshpëruan si përherë, mbetjet e fundit të pushtuesve të fundit dhe bashibuzukët perëndimorë që ende nuk duan të besojnë se mesjeta e errët ka vdekur qëherthi.

         Ju lumtë vëllezër, ju lumtë mijëra herë! Keni nderuar faqen e kombit; faqen që na e nxinë dhe na e përlyenë njerëz të shitur e të pacipë, njerëz që vetëm barkun e trashë njofin për zot, njerëz që s`meritojnë të quhen njerëz, por ja që gjinia njerëzore ka edhe përjashtime të tilla.

         Shqipërisë kurrë nuk i ka munguar guximi, as besa as bujaria, as nderi, as plumbi, as baruti; Shqipërisë i ka munguar bashkimi. Dhe jo me fajin e saj, fajtorë janë robëruesit shekullorë të tokave të saj, të cilët, ngado që vinin e iknin, të njejtën shkreti linin prapa.

         Kurrë e asnjëherë nuk mundëm të kemi shkolla të lira, kurrë e asnjëherë nuk mundëm të kemi arsim kombëtar, kurrë e asnjëherë nuk mundëm të kemi një shtet kombëtar, dhe për pasojë në  çdo periudhë historike janë gjendur e do gjenden „bakterie që kanë bërë punët e djajve“.

         Siç mund të shihet, edhe nga jashtë edhe nga brenda armiqtë e Shqipërisë mbetën të njejtë. Veç Shqipëria nuk është e njejtë, ajo ka ndyshuar, e madje shumë. Dhe falë Zotit, pas luftërave të fundit të përgjakshme, mund t`u themi miqëve dhe armiqëve se jemi të gatshëm të mbrojmë vetveten, se jemi në gjendje të mbrojmë dhe paqen, poqese paqja s`kërkon nga ne të lëmë peng lirinë dhe nderin.

         Jo rastësisht sulmohet Prizreni, sulmohet beslidhja, sulmohet Abdyli, Ymeri, Ali Pashë Gucia, ngase pikërisht aty tek ajo shtëpizë e vogël e shpirtit të madh shqipëtar flejnë vilajetet e bashkuar, flejnë amanetet e Kushtrimit…

         Ju lumtë vëllezër, është koha, është momenti, është çasti kur duhet të lidhim besë për një Flamur, për një atdhe…

Rroftë beslidhja e madhe, rroftë rinia heroike, rroftë Shqipëria e bashkuar…

10.06.2010

Lebit Murtishi  

Bern

 

 

Komunikimi ndërshqiptar

 

            Duke e marrë parasysh historinë e zhvillimit mbarëkombëtar shqiptar, me të gjitha padrejtësitë që janë bërë (ndarjet në disa shtete) dhe akoma vazhdojnë ti bëhen, edhe ghuha e komunikimit, detyrimisht është ndikuar nga ky lëmsh i historive tona të hidhura.

            Nuk e di a është fajtore faza e stërzgjatur e tranzicionit nga një shoqëri e mbyllur totalitare në një shoqëri të hapur demokratike, a është në pyetje subjektivizmi bajraktarist i mbjellur nga të tjerët dhe i kultivuar pastaj edhe nga vet ne shqiptarët, apo është ndonjë faktor i tretë në pyetje, nuk jam kompetent të jap ndonjë shpjegim racional, por që është brengosës komunikimi ndërshqiptar, kjo është e vërtetë...

            Shembull më të keq e kemi gjuhën arrogante të shtetit amë, ku për çudi, secila parti që mbetet në opozitë përdor zhargonin e njejtë të fjalëve që e ka përdorur oponentja e sajë derisa ishte në opozitë. Dhe ky rreth vicioz vazhdon që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta kur u shembën blloqet komuniste në të gjithë evropën e ashtuquajtur lindore.

            Reflektimi i marrdhënieve pozitë-opozitë nga shteti amë në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë është tepër i dukshëm dhe tepër i ndikueshëm, fatkeqësisht për të keq.

            Dy partitë shqiptare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ndjekin pa asnjë “gabim” zhvillimet politike në Shqipëri, dhe “kultivojnë” të njejtën gjuhë komunikimi edhe në vendin e tyre. Pra, gjuha e dhunës, gjuha e përjashtimeve dhe e linçeve fizike ka marrë përmasa shqetësuese edhe në këtë shtet me paterica.

            Në Kosovë, meqenëse kemi një administratë të huaj ndërkombëtare “teatri politik” duket pak sa më ndryshe.

            Vet koalicioni qesharak PDK-LDK, flet qartë se aty zhvillohet një politikë e diktuar fuqimisht nga qarqet ndërkombëtare, prandaj edhe ndryshon mënyra e komunikimit pozitë-opozitë.

            Lus Zotin që një ditë të mësohemi të mirremi vesh ndërmjet nesh që të na kuptojnë të tjerët më mirë pastaj.

 

            27.05.2010

Kadri Sherifi-mësues

 

Gjuha si mjet komunikimi

 

            Gjuha, si organ i artikulimit të shprehjeve të mbledhura nga përvojat e jetës së përditshme, qoftë përmes fjalës së shkruar, qoftë përmes shkëmbimesh përvojash e mendimesh, është dhe mbetet mjeti më i pazëvendësueshëm i komunikimit mes qënieve njerzore.

            Ndër shqiptarë, pavarësisht në cilën anë të kufirit jetojmë, gjuha e ëmbël shqipe, kohët e fundit, nga njerëz të pandërgjegjshëm, por edhe nga ndonjë intelektual i rrallë, në vend të bëhet siç ka qenë përherë, arterie e unitetit të kombit, është bërë e vazhdon të bëhet temë e nxehtë diskutimi, për të mos thënë që po jep edhe shenja përçarjeje.

            Nuk e di ku duhet kërkuar rrënjët e kësaj të keqeje, kur dihet mirëfilli, se edhe dialekti tosk, edhe dialekti geg, janë arteriet e një zemre të vetme. Secili zbukuron njëri-tjetrin, si iso e një kënge, që nuk ka shoqe në asnjë gjuhë të botës.

            Vetëm në gjuhën tonë fjalët burojnë nga shpirti, ndërsa në të gjitha gjuhët e botës fjalët dalin si prodhim mekanik i trurit, pa atë natyrshmëri shpirtërore që prodhon gjuha jonë.

            Shoqëria intelektuale shqiptare duhet ta mbrojë gjuhën e bashkuar, ose standardin e saj, pa ndërhyrje krahinarizmash…

            Në trekëndëshin universitar, Tiranë-Prishtinë-Tetovë, unifikimi i vlerave të shumëpritura kombëtare, duhet, dhe nuk ka si bëhet ndryshe të ketë për bazë gjuhën standarde shqipe, e cila, për fat të keq, përveç gjakut na ka mbetur e vetmja nyje lidhëse kombëtare (nuk dua të ndalem tek simbolet shtetërore të Kosovës).

            Të mësojmë gjuhë të huaj është vërtet kulturë, por nuk do të thotë të mësojmë anglishten për tu bërë anglez, këtë askush nuk e kërkon prej nesh përpos servilizmit, përpos inferioritetit të paprinciptë që shpreh dikush nga ne përballë kulturave tjera…

            Gjuha jonë në pemën e gjuhëve indoevropiane figuron si degë më vete, domethënë është ndër të rrallat gjuhë të botës që i ka mbijetuar kohës, prandaj, askujt nuk i lejohet nëpërkëmbja e saj. Ndryshime pozitive padyshim që duhen, por ato duhet të vijnë nga qarqe meritore akademike, e jo nga „revolucionarë të vonuar“…

 

29.05.2010

Kadri Sherifi-mësues



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx