Mendime
Elida Buçpapaj: Pa qenë e bashkuar, opozita në Kosovë nuk mund ta luaj rolin e saj
E shtune, 10.07.2010, 07:39 PM
Referat
PA QENË E BASHKUAR, OPOZITA NË KOSOVË NUK MUND TA LUAJ ROLIN
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Nga zgjedhjet e përgjithshme të fundvitit 2007, Kuvendi i Kosovës do të paraqitej kryesisht me këtë hierarki të partive parlamentare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca për Kosovën e Re.
Kjo do të ishte një hierarki e re si nga renditja, ashtu edhe nga përbërja. Për herë të parë parti fituese dilte PDK-ja, ndërsa LDK-ja zbriste nga vendi i parë në të dytin. Ishte, megjithatë, diçka e pritur. Pas vdekjes së kryetarit Rugova, pas ndarjes së kësaj partie, prej së cilës doli LDD-ja, pas një paraqitjeje jobindëse në qeverisjen e vendit dhe pas një fushate të dobët zgjedhore, LDK-ja do t'ia jepte linte në duar fitoren PDK-së.
Për herë të parë do të hynin në Kuvendin e Kosovës dy parti të reja: Njëra ishte LDD-ja me kryetar Nexhat Dacin, ish kryetar i Kuvendit të Kosovës gjatë kohës kur kryetar i Shtetit dhe i LDK-së kishte qenë Ibrahim Rugova. Kjo parti formohej disa muaj pas largimit të Nexhat Dacit nga kreu i Kuvendit të Kosovës. Tjetra ishte Aleanca për Kosovën e Re e formuar dhe e kryesuar nga biznesmeni Behxhet Pacolli pak muaj para fillimit të fushatës zgjedhore.
Ngaqë asnjëra prej partive nuk mund të qeveriste e vetme, partia fituese e zgjedhjeve të fundvitit 2007 ftoi në koalicion partinë pasuese. Këto dy parti, ndonëse kishin qeverisur bashkë në kuadrin e koalicionit gjithpërfshirës, deri pak kohë para zgjedhjeve shikoheshin si rivale të papajtueshme. Megjithatë, duhet thënë se në dy vitet paraprirëse në mes krerëve të dy partive kishte ndodhur një afrim dhe, pavarësisht programeve të ndryshme të paraqitura, pavarësisht përkatësisë së ndryshme në kuadrin e spektrit partiak, ato formuan koalicionin qeverisës, çka, në të vërtetë, sado e panatyrshme mund të duket edhe sot e kësaj dite, nuk kishte në thelb asgjë të papritur.
Kritikët e koalicionit të ri qeverisës e shikonin të dëmshëm këtë koalicion për shkak se opozita e përbërë nga tri partitë më të vogla do të ishte një opozitë e dobët. Dhe një koalicion qeveritar i ndërtuar nga partitë e mëdha, duke qenë shpërfillës ndaj kritikës dhe ndaj kontrollit, do ta kishte më të lehtë të bënte korrupsion, pa qenë i detyruar të jepte seriozisht llogari.
Zgjedhjet vendore (të pushtetit lokal) të vitit 2009 dhe 2010 konfirmuan gjasat që Kosova edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 të hyjë me të njëjtin konfiguracion politik, pra me PDK-në, LDK-në, AAK-në, LDD-në dhe AKR-në. Këto zgjedhje nxorën fituese absolute Partinë Demokratike të Kosovës. Përsëritjet e votimeve në disa qytete dhe rajone vetëm sa e forcuan këtë përshtypje. Kjo fitore e Partisë Demokratike të Kosovës e thelloi hendekun jo vetëm me partitë opozitare, por edhe brenda koalicionit qeveritar.
Partia Demokratike e Kosovës bëri një fushatë ofensive edhe ndaj partneres së koalicionit, ndërsa nga Lidhja Demokratike kjo frymë u duk vetëm në kryeqytetin e Kosovës, ku Isa Mustafa nuk i la asgjë mangut kundërshtarit të tij nga radhët e partneres qeveritare. Ndër të tjera, edhe ky fakt e shpërbleu Isa Mustafën, duke ia dhënë përsëri fitoren. Në raundet e dyta, të treta e me radhë të votimeve LDK-ja u përpoq t'ia kthente PDK-së me të njëjtën monedhë në fushatën e saj, por kjo do të ishte e pafrytshme.
Në zgjedhjet vendore (për pushtetin lokal) do të dilnin në pah disa dukuri. Humbëse kryesore do të ishin Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca për Kosovën e Re. Kjo aleancë zgjedhore që në fillim pati krijuar disa pikëpyetje. Pse krijohej kjo aleancë? Mbi çfarë bazash programore? Mbi çfarë interesash të përbashkëta paszgjedhore? Ishte aleancë kryetarësh apo ishte aleancë e lindur nga realiteti në bazë?
Duket se as mes partive dhe as mes kryetarëve nuk u krijua dot përfytyrimi i një aleance dypalëshe, as mirëfunksionimi i një dueti politikanësh. Prandaj, nëse dikush orvatet ta projektojë përsëri këtë aleancë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, nuk gjen dot baza të qëndrueshme për ta mbështetur këtë projeksion.
Nga sa u pa prej këtyre zgjedhjeve, ndërkaq, mund të thuhet se Aleanca për Kosovën e Re priret të afrohet me cilëndo nga këto parti të spektrit politik të Kosovës jo vetëm në kuadrin e mirëfilltë zgjedhor, por edhe gjatë qeverisjes. Prandaj shumëkujt i tingëlluan bindëse edhe përfoljet se Partia Demokratike e Kosovës braktiste koalicionin zgjedhor me Lidhjen Demokratike dhe ftonte në koalicion AKR-në.
Ky lajm në atë kohë u përshëndet fillimisht edhe nga faktori i jashtëm mik dhe aleat. Por pastaj ndodhi një zbrapsje, e cila duket të jetë nxitur kryesisht nga vetë strukturat e brendshme të PDK-së. Natyrisht, ka pasur ndikimin e tij edhe faktori i caktuar diplomatik.
Pa dyshim, koalicioni qeveritar doli i tronditur nga zgjedhjet vendore. Brenda dy partnerëve qeveritarë ka segmente dhe prirje që e gjejnë veten tek njëri tjetri, madje, sipas disa analistëve janë shkrirë në një, janë bërë të pandashëm. Ashtu sikurse ka segmente dhe prirje të tjera, të cilat kanë papajtueshmëri të thella mes tyre dhe bëjnë trysni mbi LDK-në dhe PDK-në për prishjen e koalicionit. Gjithsesi këto prirje pasqyrojnë interesa të pjesëshme grupore të partnerëve qeveritarë, të shprehura në realitetin e biznesit të Kosovë, në realitetin e lëvizjeve të ndryshme qytetare e tjerë.
Kjo gjendje në kuadrin e spektrit politik të Kosovës bën të mendosh se në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm nuk do të ketë aleanca parazgjedhore. Nga ana tjetër, mund të ketë aleanca paszgjedhore nga më të larmishmet, pa befasuar e pa habitur askënd. Partitë do të hyjnë në zgjedhje për t'i matur forcat me të tjerët dhe për të kristalizuar qëndrimet me të cilat do të dalin pas votimeve.
Nuk pritet, pra, aspak që tri partitë opozitare të këtyre katër viteve, AAK-ja, AKR-ja dhe LDD-ja të jenë në aleancë parazgjedhore. Ato gjatë kësaj kohe nuk kanë krijuar konfiguracion opozitar. Asnjë parti, asnjë kryetar partie nuk ka pasur mandat për të folur në emër të opozitës, asnjë mocion parlamentar nuk është paraqitur në emër të opozitës. Secila parti opozitare flet në emër të vet dhe vetëm në emër të vet, secili kryetar partie flet thjesht si opozitar, thjesht në emër të partisë së tij, askush nuk mund ta paraqesë veten si kreun e opozitës. Ngaqë partitë kanë një përfaqësim të përafërt në parlament, ato nuk mund ta shpallin veten as si forca kryesore e opozitës, mund të fitojnë cilësorin e forcës politike apo opozitarit më të zëshëm kritik kundër pozitës, por kurrsesi të identifikohen me opozitën.
Komoditetin e qeverisjes me opozitë të dobët nuk e ka pasur dhe as nuk mund ta përfytyronte koalicioni qeveritar i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vitet 2004-2007. Partia Demokratike e Kosovës, gjatë atyre viteve, duke qenë partia e dytë parlamentare në një spektër politik ku nuk ekzistonin ende LDD-ja dhe AKR-ja, ka bërë një opozitë të ashpër gjatë gjithë kohës, duke mos kursyer aktivizimin e faktorëve mbështetës të saj.
Praktikisht, në Kosovë gjatë këtyre viteve nuk është bërë një opozitë e mirëfilltë dhe nuk pritet të bëhet gjer në fund të këtij mandati qeveritar. Ndikimin kryesor në këtë dukuri e ka pasur dhe do ta ketë mungesa e një opozite të bashkuar.
Në këtë drejtim, sigurisht, kanë ndikuar edhe rrethana të tjera. Kjo qeverisje ka përkuar me shpalljen zyrtare të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, me përpjekjet për shtrirjen e funksionimit të shtetit të Kosovës sa më gjerë në territorin e tij, me përpjekjet për shtimin e njohjeve të Kosovës, me sfidën e Gjykatës Ndërkombëtare, me rolin e reformuar të ndërkombëtarëve të Kosovës, me ardhjen e EULEX-it e plot rrethana të tjera. Ndoshta zërat e fuqishëm opozitarë nuk kanë qenë të mirëpritur as në vetë opinionin e brendshëm të Kosovës, as në faktorin mik dhe aleat, të cilët shikojnë si parësore dhe si të domosdoshme një Kosovë me stabilitet qeverisës, si kusht kryesor për përparimin e proceseve që çojnë në konsolidimin sa më të shpejtë dhe sa më të sigurtë të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Imperativ i mëtejshëm i kohës është që Kosova të ketë një qeverisje ku, nga njëra anë, pozita të ketë hapësirë të bollshme për të realizuar programin, pa u bllokuar nga opozita dhe, nga ana tjetër, të ketë një hapësirë të bollshme për opozitën që ta luajë rolin e saj në mënyrë të zëshme, duke u bërë garante e sigurt e demokracisë. Këtë e ka në duar gjithsesi elektorati i Kosovës. Ai me votën e tij do të dijë t'i bëjë korigjimet e nevojshme për një qeverisje të ardhshme të qëndrueshme me një opozitë të fortë.
Të dhëna plotësuese:
Referati është paraqitur dhe lexuar nga Elida Buçpapaj, në Tryezën e rrumbullakët organizuar nga BISHZ-së më 12 qershor në Solothurn-Zvicër