Mendime
Garret Tankosic-Kelly: Ina Rama, gruaja që pengohet të luftojë korrupsionin
E merkure, 14.07.2010, 09:57 PM
Ina Rama, gruaja që pengohet të luftojë korrupsionin
Nga Garret Tankosic-Kelly
Ajo është femra e parë që drejton prokurorinë shqiptare. Gjithashtu, e para e emëruar në këtë post, siç tha kryeministri Sali Berisha "me besimin e të gjithë spektrit parlamentar", por më pas i sulmuar nga vetë ai si "një mjet i opozitës". Simpatikja Ina Rama, dikur një gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që tashmë ka në dorë drejtimin e institucionit të akuzës, nuk e ka aspak të lehtë punën e përditshme. Në vendin më të korruptuar të Ballkanit, e ndodhur përballë presioneve nga të gjitha anët, kryeprokurorja Rama ka për detyrë të nxjerrë para drejtësisë personat e dyshuar për ryshfete, korrupsion, përfshirje në afera të dyshimta. Në vitet e fundit rastisi që mes tyre të kishte politikanë të njohur dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Në një profil të shkruar me kujdes të veçantë, gazeta irlandeze "Irish Times" sjell një tablo të jetës së kryeprokurores shqiptare, dilemave të saj dhe vështirësisë së punës në institucionin që ajo drejton.
Prokurorja
Prokurorja e parë femër e Shqipërisë ka arritje të tilla, që do ta turpëronin sistemin juridik irlandez. Në filmin politik satirik "Qeni shakaxhi", këshilltari politik Robert de Niro sugjeron një plan të fillimit të luftës me Shqipërinë, për ta shmangur kujdesin ndaj një sekreti të sapozbuluar të presidentit amerikan, mbi bazën e faktit se askush nuk di asgjë për Shqipërinë. Si një vend i vogël i Ballkanit, me një histori krenare, por të ndërlikuar, ka shumë mundësi që e vetmja gjë që u shkakton neveri shqiptarëve më tepër se anonimiteti, është klisheja e referimit ndaj tyre si kriminelë gjenetikë. Sipas organizatës "Transparency International", Shqipëria është njëri nga vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa pret takimin me prokuroren e përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama, e para femër në këtë post, ke një përshtypje të veçantë nga niveli i jashtëzakonshëm i interesimit të mediave për të - ju duket se ju do të takoni një person, që mund ta shkatërrojë atë stereotipin negativ për shqiptarët. Arritjet e saj flasin vetë: dy paraardhës të saj janë akuzuar dhe larguar nga zyra për marrje të ryshfetit dhe kërkesa për heqjen e imunitetit të dy ministrave aktualë, me qëllim që të akuzohen. Rasti i parë i imunitetit ka të bëjë me keqmenaxhimin e 120 milionë eurove të fondeve shtetërore në tenderimin e rrugës për në Kosovë. Rasti tjetër i profilit të lartë ka lidhje me shpërthimin masiv në depon e municionit afër kryeqytetit Tirana, ku u vranë shumë persona, përfshi këtu edhe fëmijë që ishin të punësuar në mënyrë të paligjshme aty. Ju mund të imagjinoni se drejtësia mund të mbizotërojë në Shqipëri, por nuk ndodhi kështu, për faktin se të dyja rastet e profilit të lartë ministror janë refuzuar nga Gjykata Supreme për "shkaqe procedurale". Rasti i fundit në kuptimin e tolerancës qeveritare ndaj prokurorit të saj të përgjithshëm, ndodhi kur Ina Rama ishte përpjekur ta ftonte biznesmenin nga Bosnja, Damir Fazliç, për ta marrë në pyetje. Pavarësisht nga reputacioni i lidhjeve me "mafian e energjisë" në rajon, prokurorët nuk ishin në gjendje ta zënë atë para se ai të largohej nga Shqipëria. Vetëm pas paraqitjes së pamjeve në televizion, në të cilat shefi i policisë ishte filmuar duke e përcjellë Fazliçin në avion, Ministria e Brendshme e pranoi se e kishte dërguar policinë, me qëllim që t'i parandalojë prokurorët për ta marrë në pyetje Fazliçin. Po çfarë arsyetimi ishte dhënë nga ministri për pengimin e kërkesës së kryeprokurores për marrjen në pyetje? Është thënë se kërkesa ishte jokushtetuese, sepse ishte bërë me telefon. Në një tjetër çështje, opozita ka akuzuar anëtarët e afërt të familjes së kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për lehtësimin e shitjes së një kompanie me seli në Qipro. Kjo kompani, pronë e Damir Fazliçit, nuk kishte pasuri, por ishte shitur për 1.75 milionë euro dhe kjo ka ngritur shqetësime për pastrim parash. Të gjithë që janë të përfshirë fuqishëm, i kanë hedhur poshtë akuzat. Kryeministri, publikisht e ka përshkruar Fazliçin si "mik të dashur". Kryeprokurorja Ina Rama u shndërrua nga personi për të cilin kryeministri kishte thënë se "e gëzon besimin e gjithë spektrit parlamentar", në njeriun që akuzohej se "ishte mjet i opozitës". E pyetur se si ky presion ndikon në familjen e saj, ajo tha se nëna e saj i mbledh të gjitha shkrimet në gazeta për të, por kur babai e pyet se si po ecën puna, ajo gjithmonë i thotë "unë jam mirë".