E shtune, 31.05.2025, 06:08 AM (GMT+1)

Mendime

Nexhmedin Saqipi: Ndarje, këmbim apo bashkimi?!

E merkure, 14.07.2010, 09:58 PM


NDARJE, KËMBIM APO BASHKIMI?!

 

Shkruan: Nexhmedin Saqipi, Bujanoc , 13.07.2010

 

Kohëve të fundit, në rajonin e Kosovës Lindore, po qarkullojnë disa opsione, të cilat vijnë si rezultat i lëkundjeve politike mes Prishtinës dhe Beogradit.

 

Në fjalorin politik të këtyre dy qendrave të vendosjes, gjithnjë po ngriten zëra kundërshtues, duke nxjerr në sipërfaqe opsione që dikur ishin në modë, kurse tashti ato lëre që kanë demoduar, por edhe mund të nxjerrin problem të reja të ndjeshme dhe të paparashikueshme.

 

Të kthehemi jo më larg se para 18 vjetësh. Dr. Ibrahim Rugova, në konferencat e tij të zakonshme pat deklaruar se nuk ka ndarje të Kosovës, por mund të ketë shkëmbim territoresh, aludonte në veriun e Kosovës me Jugun e Serbisë.

 

Atëherë çka u deshtë lufta, gjenocidi, spastrimet etnike për tu kthyer prapa e për të biseduar rreth këtyre opsioneve kur është dashur në fillim të zgjidhen këto çështje. Po ne veprojmë siç veprojmë pas tërmetit, për t’ia matur shkallën e rihterit dhe pasojat.

 

Po shqiptarët e Kosovës Lindore a duhet të rrinë duarkryq, nga këto që po ndodhin rreth saj? Sigurisht se jo. Është e udhës dhe e drejtë të dinë se si do të jetë fati i tyre politik në të ardhmen, në çfarë bashkësie do të jetojnë dhe cili do të jetë statusi I tyre politik.

 

Sindromi i ndarjes

 

Ndarja si opsion është kundërproduktiv, po ashtu është i dëmshme edhe shkëmbimi i territoreve. Kështu thonë gjithë ata që i japin të drejtë vetes për të diskutuar rreth këtyre çështjeve. Po gjërat nuk po shkojnë në një vijë.

 

Njerëzit e zakonshëm e preferojnë bashkimin. Pse mos t’i bashkohet Kosova Lindore krahut lindor të saj. U bë Referendumi, lufta si dhe u nxorën shumë Marrëveshje dhe u firmosën shumë platforma. Në përkrahje gjenden edhe dëshmitë historike të cilat nuk guxon të injorohen. Nuk guxon të injorohet vullneti i popullit i shprehur me referendum. Nuk duhet të injorohet vullneti i trimave të lirisë, të cilët e bënë një luftë dhe e arritën një marrëveshje paqësore, nuk guxon të injorohet vullneti i krerëve institucional të shqiptarëve të Kosovës Lindore, të cilët nxorën disa platforma dhe morën vendime në të mirë të zgjidhjes së problemeve.

 

Po si të ndahen përsëri tokat shqiptare. Merreni me mend askund në botë nuk ka kufij mes një populli sa ka kufij mes shqiptarëve në Ballkan. Të ndahen tokat shqiptare edhe njëherë me kufij, absurd i absurdit. Po edhe shkëmbimi i territoreve. Jep një territor në veri në kompenzim të një territori në jug, që të dy me shqiptarë historikisht.

 

Jo ndarje, jo shkëmbim, por bashkim. Të bashkohen shqiptarët njëherë, në një Evropë të bashkuar. Vetëm në këtë mënyrë do të zgjidhen drejt e qëndrueshëm problemet e shqiptarëve në Ballkan.

 

Kërcënimet

 

Loja mes opsionesh ka vë në lëvizje dhe reagimet e qarqeve të ndryshme në këto hapësira. Zyrtarët shqiptarë nga Prishtina kërkojnë realizmin e Kushtetutës dhe shtrirjen e pushtetit në gjithë vendin, që nga veriu deri në jug.

 

Por ata kanë disa pengesa. Veriu i Kosovës nuk e njeh shtetin ku shtrihet, nuk i përfillë vendimet e tij, injoron edhe ligjet ndërkombëtare. Beogradi mbështet veriun e Kosovës dhe kërcënon nëse institucionet shqiptare shtrihen në çdo cep të saj. Merre me mend Tadiqi ndaj deklaratave të Bajram Rexhepit, ministër i punëve të brendshme, se nuk do të rrinë duarkryq nëse ndodh një iniciativë e tillë. Mu tamam si në fabul kur ujku e kërcënonte qengjin se nga poshtë ia turbullonte ujin!

 

Presidenti i Serbisë deklaratën e Bajramit e konsideron kërcënim, kurse vet Kosovën Lindore e ka shndërruar në një karantinë ushtarake. Brezi kufitar me Kosovën është i stërngarkuar me policë, xhandarë dhe ushtarë. Këto forca jo vetëm që paraqesin pengesë për qarkullim të lirë të njerëzve, por edhe  një kërcënim permanent për paqen në rajon.

 

Kërcënimet nuk qojnë askund veç në destabilitet. Gjuha e dialogut duhet ngadhënjej në vend të kërcënimeve, të cilat nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetin ndërrajonal Evropa nuk na do me probleme.

 

Ngërçi politik

 

Derisa opsionet po lëvizin çlirshëm në këtë rajon, ngërçi politik ka paralizuar disa aktivitete, të cilat do ta aktualizonin problemin e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

 

Subjektet politike shqiptarëve grinden rreth pushteteve lokale dhe u ikin ato kapitale për zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Nuk duhet harxhuar energji se kush po vjen në pushtet, por për të punuar rreth zgjidhjes së qëndrueshme të problemeve të kahershme të shqiptarëve të Kosovës Lindore.

 

Në vend të një uniteti politik të faktorit shqiptar, ngërçi politik ka bllokuar shumë iniciativa të cilat do të qonin në realizimin e një Autonomie politiko-territoriale për shqiptarët, i dalë nga referendum i 1 dhe 2 Marsit 1992.

 

Si do që të jetë shqiptarët duhet të jenë si një grusht i vetëm për t’i përballuar stuhive që vijnë nga Beogradi për t’i përçarë ata.

 

( Autori është kryetar i Partisë Demokratike Kombëtare nga Kosova lindore)

 

 Kontakti: nexhas@hotmail.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx