E shtune, 10.05.2025, 09:10 AM (GMT+1)

Mendime

Shefqet Dibrani: Reformat në LDK (15)

E diele, 18.07.2010, 07:57 PM


REFORMAT NË LDK (15)

 

MIQTË TË KRITIKOJNË KURSE FILANTROPËT TË LEDHATOJNË

 

Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

Kjo vazhdimësi e qasjeve për reforma në LDK nuk ka të bëjë me idealizëm, sa do që pesimistët mund t’i kenë kategorizuar komentet e mia në njëfarë lloj idealizmi. Për një idealizëm racional mund të flitet, sepse çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë racional me zhvillimet e tanishme politike dhe ekonomike në vend, sepse logjika e ngjarjeve dhe rrethanat jetësore flasin me argumente që i ndeshim kudo, prandaj mendoj se këto shkrime i kam peshuar mirë dhe jam përpjekur t’i argumentoj me fakte konkrete. Kurse ilustrimet janë bërë për ta sforcuar mendimin e shprehur por jo me qëllim a prapavijë negative. Fundja e fundit për të gjithë që më njohin e dinë kursin tim kritikues, të folmen e drejtpërdrejt e pa ekuivokë dhe personin e pa kompromis. Janë pseudoidealistët që kanë penguar në emër të kësaj apo asaj vlere të pa qenë. Janë redaktorët kujdestar që kujdestarojnë që të mos thuhet e vërteta konstante brenda LDK-së.

Po për çfarë demokracie mund të bëhet fjalë nëse nuk lejohet e aq më pak nëse nuk durohet kritika e brendshme dhe kritika publike. Shpifjet dhe trillimet janë të dëmshme, e vërteta është e dhembshme dhe fjala e drejtpërdrejt sikur nuk durohet edhe në demokracinë e re dhe mjaftë të brishtë kosovare. Për vete pretendoj të jam një idealist racional në politikë, një “protonist në letërsi” dhe një humanist në përditshmëri.  Janë këto elemente që i kanë shoqëruar këto shkrime, sa do që dikujt nuk mund t’i pëlqejnë. Por siç thash e vërteta është e dhembshme, prandaj kritika pozitive i takon këtij fahu racional. Por e vërteta çfarë na qenka?!... Andaj emrat e apostrofuar që nuk janë të vetmit dhe as të fundit janë përdorur për të ilustruar konceptin e shkrimit, për të qartësuar më mirë kuptimin e fjalës së shkruar. Aq sa pretendoj se kanë qenë kritika me vend, po aq jam i bindur se personat përgjegjës për gjendjen e krijuar në LDK janë pikërisht emrat e cituar nëpër këto shkrime.

E di se klani përgjegjës nuk do të pendohet, pasi nuk janë penduar as për shërbimin që ia kanë bërë Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Madje ka emra bartës të funksioneve të tashme partiake që kanë qenë të implikuar edhe në ingranazhin e sigurimit të shtetit, përkatësisht të UDB-ës. Po aq sa janë të implikuar në sistemin partiak, po aq janë zëra që gërhasin edhe në aparatin legjislativ dhe shtetëror. Ky zinxhir nuk është i papashëm, madje një kategori sish janë persona me ndikim edhe në mediet dhe shtypin e shkruar që tashmë në cilësinë e filantropëve po kujdestarojnë mendimin kritik në emër të asaj se nuk lejojnë ta lëndohet shpirti i LDK-së. Filantropët me eksperiencë të njohur në shërbimet e sistemeve të kaluara nuk duhet ta ndihmojnë kështu demokracinë e brishtë kosovare, filantropët duhet t’u hapin udhë reformave sepse vetëm duke u kritikuar, vetëm duke e përcaktuar fajtorin me emër dhe mbiemër mund të shkohet përpara. Jo më me lëmosh dhe me mbulime e maskime të krimit ekonomik, të krimit politik dhe krimit kulturor se kështu ngulfasim zhvillimin e mirë në Kosovë. Fundja e fund që të gjithë ata redaktor e gazetar, të gjithë ata shërbyes të fushës së informimit dhe të medieve në Kosovë nuk mund të jenë më dashamirës për LDK-në se sa individët që kanë shkrirë një jetë për këtë koncept politik, në kohën kur filantropët i shërbenin sistemit tashmë që i takon një kohe të shkuar. Ndihma që redaksitë e shumta po i japin LDK-së duke e shtrembëruar të vërtetën e hidhur që është në këtë parti, është sikur filantropët borgjez kur i japin një kothere buke fëmijës si lëmosh, por nuk ia krijojnë mundësin për shkollim dhe emancipim. Filantropët që janë shumë dhe të pozicionuar kudo kanë nevojë që të reformohen vet, dhe pasi ta bëjnë këtë reformë për vete, mund t’i  japin hapësirë edhe mendimit demokratik, të vërtetës sa do që ajo mund të jetë edhe e dhembshme.

Për njohësit e rrethanave të tashme në LDK, sektori i propagandës ka qenë dhe është hallka më e dobët e kësaj partie. Pasi LDK kurrë nuk arriti ta ketë një gazetë të vetën ose një gazetë që ka ndikimin mbi te, ashtu siç ndodhë me shtypin më modern kudo në Evropën Perëndimore sepse ndikimi i partisë, ndikimi politik në shtypin e lirë është pjesë e demokracisë. Por sa më i zhvilluar të jetë procesi demokratik, liria e shtypit është më e madhe kurse ndikimi politik i përmasave ballkanike sikur është i papërfillshëm, prandaj në vendet e zhvilluara evroperëndimore themi se shtypi është i lirë dhe larg ndikimeve politike.

Jo vetëm unë si autor i shkrimeve por edhe gazeta “Epoka e re” duhet të cilësohet si opinioni më progresiv për t’i ndihmuar reformat në LDK. Reformat bëhen vetëm kur flasim, kur kritikojmë, po më shumë kur i pranojmë gabimet dhe lëshimet e kaluara dhe jemi të gatshëm për të dhënë përgjegjësi..

Urtia popullore na mëson se “miqtë të kritikojnë, kurse filantropët të ledhatojnë”. LDK-ja vet duhet të analizon cilët janë miqtë dhe cilët janë armiqtë e shkatërrimit të LDK-së. LDK-ja nuk duhet ta mat konceptin dhe moralin e gazetës e cila deri në grykë është e mbushur me krime prej më monstruoze. Të shpresoj se disa nga gjërat e shënuara do t’i shërbejnë KP të LDK-së për të nisur fillin dhe për të zgjedhur lëmshin e ngatërruar.

Le të shpresojmë se në vjeshtën e sivjetme do të mbahet Kuvendi i Partisë dhe nga ai kuvend LDK-ja duhet të del me një eksperiencë që mund të vihen në shërbime pozitive.

Në fund të këtij fejtoni më duhet ta falënderoj gazetën “Epoka e re” e cila i bëri publike dhe ia afroi qytetarit kosovar edhe një mendim tjetër për zhvillimet politike në LDK. I falënderohem edhe atyre lexuesve që i kanë përcjell dhe atyre që më kanë shkruar.

Gjithsesi edhe një mirënjohje për disa portale interneti që i kanë publikuar këto shkrime.

Faleminderit të gjithëve!....

 

E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch 

 

*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin St. Gallen, ku ai jeton. Po ashtu autori i shkrimit ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i dhjetë librave të publikuar dhe analist politik në kohët më të vështira që kalonte LDK-ja, duke u bërë zëri më autentik i saj.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx