E enjte, 24.07.2025, 10:28 PM (GMT+1)

Mendime

Nexhmedin Spahiu: Veriu i Kosoves, Ahtisaari, ambasadori Fitou dhe kryeministri Thaçi?

E diele, 18.07.2010, 12:10 PM


Veriu i Kosoves, Ahtisaari, ambasadori Fitou dhe kryeministri Thaçi?

 

- Forcat politike kosovare, nuk po reagojnë ndaj kryeministrit Thaçi që ka pranuar të bisedojë për bosnjizimin (konfederalizimin) e Kosovës, por ndaj Ambasadorit Fitou që e bëri këtë publike dhe që meriton falenderim.

 -Kosova ka mundësi reale të qëndrojë akoma te plani i Ahtisaarit dhe kushtetuta e saj, por për këtë duhet ndërrojë kryeministrin.  Me ndërrimin e kryeministrit biejnë poshtë marrëveshjet e tij sekrete dhe mbesin në fuqi vetëm ato publike.

Kjo është e vetmja mënyrë që Kosova ta ngrisë pazarin e saj të rënë përtokë para bisedimeve të pashmangeshme me Beogradin.

 

Nga Nexhmedin Spahiu

nspahiu@yahoo.com

 

 Kishte kohë që disa ambasadorë të me kishin thënë në mirëbesim se kryeministri Thaçi ka pranuar që të bisedojë me Beogradin për statusin e Veriut të Kosovës.

Fillimisht këtë e kam kuptuar si intrigë të tyre për personalitetin e  Kryeministrit apo edhe ndoshta provokim ndaj meje se apo marr turr që këtë ta bëja publike. Nuk e bëra publike, thjesht për shkak te karakterit tim që kur tjetri ta thotë një gjë konfidence (mirebesim) nuk bën të dalësh i pabesë.

Dyshimet e mia për këtë u hoqen sapo vetë kryeministri në një fjalim drejtuar

kombit tha se “duhet të kihen parasysh specifikat e Veriut te Kosoves dhe se kërkohen ide të reja”.

Ishte ky shqelm i rëndë Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës nga ana

e kryeministrit Thaci, pasi as Plani i Ahtisaarit as Kushtetuta e Kosoves nuk njohin rajon specifik të Kosovës por gjithë Kosova përcaktohet si një territorr unik.

Beogradi nuk mbeti prapa në pjesën e vet të kësaj loje. Vrasja e mjekut me perkatësi etnike boshnjake, plagosja e 11 serbëve si dhe atentati mbi jetën e deputetit Petar Milletiq, i treguan botës se Prishtina nuk e kontrollon Veriun e saj më shumë se sa të bëjë ndonjë sherr atje, dhe në fund, për t’i dhënë vulën gjithë kësaj, erdhi deklarata e pakahje politike e ministrit Bajram Rexhepi se do të dërgojë njësitë speciale në Veri te Kosoves. Ne vend se ato t’i staciononte kahere atje dhe te mos bezante, ai duke thene se do t’i dergoje atje ia beri të ditur opnionit se nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë gjë.

Në një situatë të tillë, gjatë një debati të nxehtë  në RTK,  u soll muhabeti që unë u detyrova ta përmend atë që më kishin thënë disa ambasadorë: se kryeministri Thaci kishte pranuar që të bisedojë me Beogradin për statusin e Veriut të Kosoves.

Prita që kryeministri të perpiqet ta përgënjeshtrojë këtë deklaratë timen që në fakt

ishte akuzë për tradheti ndaj vendit. Por kryeministri nuk e mori këtë mundim.

Përkundrazi, ambasadori francez Zhan Fransua Fitou e tha publikisht në një intervistë në “Zeri”atë që mua disa ambasdorë tjerë ma kishin thënë më parë në konfidencë.

Të nesërmën reaguan forcat politike kosovare, por për habi, jo ndaj kryeministrit

që ka pranuar të bisedojë për këtë punë, por ndaj Ambasadorit Fitou që e bëri këtë publike edhe pse asnjëri nuk e përmendi emrin e ambasadorit francez.

Edhe vetë zëvendëskryeministri Kuci, u deklarua se qeveria nuk e ka diskutuar këtë punë (çka këtu mund të jetë e vërtetë), por ai nuk mohoi se kryeministri ka pështjellë këtu punë.

Çështja është se çfarë faji ka këtu Ambasadori Fitou që sulmohet nga politikanët

kosovarë? Përtkundrazi, ai u tregua miku më i mirë i Kosovës, që i tha publikut

atë që tjerët po ia ziejnë çorbën e bosnjizimit (konfederalizimit) të saj dhe se

i tregoi publikut kosovar se në këtë çorbë është vetë kryeministri i tyre Hashim Thaçi.

Ambasadori Fitou meriton një falenderim të madh nga populli i Kosoves.

 

Por pse gjërat po rrokullisen kaq shpejt?

 

Më 22 korrik shpallet vendimi i GJND-së, i cili ka gjasë të duket pak a shumë kështu: Shpallja e Pavaresisë së Kosovës nuk ishte e ligjshme, por shteti i Kosovës tashmë është një realitet. Në këtë eshte i bindur edhe Beogradi.

Rrjedhojë e kësaj është ajo hajt të shohim se çfare është ky realitet. Realiteti është se shteti i Kosovës funksionon në Prishtinë (me korrupsion, me një milion të meta tjera, por funksionon) por nuk funsionon në Veri te Kosoves (nuk funksionon pothuaj fare, ngjarjet e fundit po i rikujtojnë botës këtë fakt).

Rjedhim i kësaj është se çeshtja e Kosovës ende nuk është e zgjidhur si problem.

Kjo do të thotë që plani i Ahtisaarit nuk po funksionon dhe që duhet kërkuar tjetër plan. Dhe Plani i Ahtisaarit mund të konsiderohet i dështuar pasi qeveria Thaçi dhe ajo e Tadiqit kanë punuar kundër këtij plani.

Esenca e Planit të Ahtisaarit ishte që shteti i Kosovës të krijojë ca komuna të reja serbe në jug të Kosovës, në këmbim të marrjes së kontrollit të saj në Veri të Kosovës. Qeveria Thaçi ngaqë interesat e Kosovës ia shiti Beogradit, krijoi komunat e reja pa e marrë kontrollin mbi Veriun e Kosovës. Ky proces duhej të zhvillohej paralelisht, por u zhvillua vetëm në një kahje, atë kundër interesit të Kosovës. Nuk mund të thuhet se Qeveria Thaçi këtë e bëri nga naiviteti, pasi këtë gjë e kam përimtuar qartë në një debat në Top Channel para dy viteve dhe në shkrimet e mia vazhdimisht.

Tashmë Beogradi e ka ngritur pazarin tepër lart: bosnjizimi (konfederalizimi) i Kosovës në këmbim të njohjes. Dhe këtë tashmë kryeministri Thaçi e ka pranuar pa dijeninë e popullit të Kosovës.

Ky pazar nuk është aspak interes i Kosovës. Kosova ka mundësi reale akoma të qëndrojë te plani i Ahtisaarit dhe kushtetuta e saj, por për këtë duhet ndërrojë kryeministrin.  Me ndërrimin e kryeministrit biejnë poshtë edhe marreveshjet e tij sekrete, dhe mbesin në fuqi vetëm ato marreveshje që janë publike. Kjo është e vetmja mënyrë që Kosova ta ngrisë pazarin e saj para bisedimeve të pashmangeshme me Beogradin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx