E enjte, 24.07.2025, 11:48 PM (GMT+1)

Mendime

Pëllumb Xhufi: Tito, fajtor për Tivarin, masakra zbardhet në arkivat serbe

E hene, 19.07.2010, 07:34 PM


Nga Fatmira Nikolli

fatmira.nikolli@gazetashqiptare.com 

 

Masakrën e Tivarit e zbardhin arkivat serbe, sepse fajtor ishte Tito. Komisioni hetimor parlamentar shqiptar, nuk mendoj se ka akses atje...”. Kështu është shprehur në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, historiani Pëllumb Xhufi. Me nota të theksuara ironie e ka komentuar historiani mënyrën se si pritet të hetohet e të zbulohet e vërteta mbi këtë masakër, ndodhur plot 65 vite më parë. Po me ironi ai ka folur edhe për një bashkëpunim “të mundshëm” me Serbinë, “partnerin strategjik” të qeverisë shqiptare për hetimin e masakrës. Xhufi, pasi propozon në këtë intervistë një marrëveshje shqiptaro-serbe për arkivat dhe hetimin e masakrës, shton se Meta, në vizitën e fundit atje nuk e përmendi fare ngjarjen... I pyetur mbi një çështje mjaft të debatuar kohët e fundit, siç është ajo e masakrës së Tivarit ndodhur në vitin 1945, nga pozicioni i historianit, Xhufi ka thënë se, as Enver Hoxha e as Ramiz Alia, nuk kanë pasur dijeni që të ndodhte masakra. Sipas tij, ata kanë qenë në dijeni të faktit që marshimi i kosovarëve drejt Tivarit do të kalonte nga Shqipëria, por nuk dihej qëllimi final i tij. Teksa e konsideron si një ngjarje të rëndë, që duhet studiuar e zbuluar nga historianët, ai thotë se Berisha mund të ishte kujtuar më përpara, e pse jo që në vitet 1970. Duke e cilësuar debatin mbi këtë masakër si diskreditim të saj, Xhufi thotë se kjo është një nga ato ngjarje për të cilat politika nuk mund të bëjë asgjë. Sipas tij, dokumentet arkivore për këtë ngjarje janë në Serbi, dhe “nuk e di nëse qeveria serbe do të jetë e gatshme që të hapë arkivat e saj për deputetët tanë”. 
Z.Xhufi, kohët e fundit masakra e Tivarit është lakuar nga politika, e shoqëruar me akuza ndaj emrave të përveçëm. Ju si historian, ç’mund të na thoni për këtë masakër? 
Masakra e Tivarit është një nga njollat e errëta që shoqëruan fundin e Luftës së Dytë Botërore. Qe edhe një paralajmërim, që iu dha shqiptarëve se cila do të ishte e ardhmja e tyre tashmë, jo në Jugosllavinë mbretërore, por në atë socialiste të Titos. Dihet që në fund të luftës, e konkretisht në muajin prill, forcat jugosllave, me pretekstin e mobilizimit të rinisë shqiptare për t’i angazhuar në vatrat e fundit të frontit, mblodhën një numër të madh deri në 4000 të rinj kosovarë, për t’i çuar në Tivar ku do të visheshin e do të shkonin në front. I kaluan këta në këmbë gjatë një marshimi në luginën e Drinit, nga Shkodra e më tej në Tivar. Natyrisht, askush nuk e dinte se bëhej fjalë për një plan të paramenduar. Në atë kohë Shqipëria kishte dy a tre muaj që kishte dalë nga lufta, dhe akoma nuk funksiononte shteti dhe kontrolli, e sidomos në zonën e veriut nuk ka qenë ende i afirmuar. Ajo zonë mbeti deri në prag të viteve 1950, nën veprimin e kundërshtarëve të regjimit e bandave që vinin nga jashtë. Udhëtimi i kosovarëve kaloi përmes incidentesh të ndryshme, derisa në Tivar ndodhi një kasaphanë e vërtetë, ku u vranë një numër i madh prej tyre. 
Cili ishte fajtori dhe autori i kësaj masakre? 
Fajtori është pala jugosllave, është vetë Tito, janë organizmat ushtarake jugosllave që e kryen këtë masakër, dhe kjo mbase edhe për t’u hakmarrë ndaj qëndrimit të kosovarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi është se askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte, sepse nëse do të dihej se cili ishte qëllimi final i këtij marshimi, sigurisht të parët do të ishin të rinjtë kosovarë që nuk do të iknin. Unë besoj se, as qeveria e re shqiptare nuk do ta pranonte, dhe s’mund të pranonte që të konsumohej një krim i tillë mbi shqiptarë. 
Ju po thoni se, as Ramiz Alia e as Enver Hoxha nuk kanë qenë në dijeni? 
Për kalimin e këtij karvani të gjatë njerëzish nëpër territorin shqiptar për të shkruar drejt Tivarit, ishin në dijeni. Kalimi nuk u bë në mënyrë ilegale, kishte dijeni për këtë, por jo për qëllimin që kishin jugosllavët ndaj shqiptarëve. Fundi i trishtuar i kësaj ngjarjeje nuk dihej nga shqiptarët. Unë gjykoj që kjo masakër ishte edhe një nga arsyet, apo rezervat, mbase edhe shkaku që përforcoi kontradiktat mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë së kohës. 
Në vitin 1955, Enver Hoxha përmend 1,000 të vdekur “në territorin shqiptar”... 
Unë nuk e di se kujt i është referuar. Di me siguri që ka pasur incidente. Gjatë udhëtimit, rojet e armatosura që i shoqëronin, me brutalitetin e tyre u bënë shkak që disa shqiptarë tentuan të iknin, dhe në dijeninë time ka pasur edhe ekzekutime sporadike, por vrasja masive ka ndodhur në fushën e Tivarit, në një magazinë e fabrikë të vjetër, ku u futën të gjithë shqiptarët, dhe më pas u bë masakra. 
Është ngritur tashmë një komision hetimor parlamentar, që ka si objekt shqyrtimi masakrën e Tivarit të ndodhur në vitin 1945. Ngritja e këtij komisioni pas më shumë se 60 vitesh, ç’mund të nxjerrë në dritë? 
Nuk mund të nxjerrë asgjë në dritë. Është mënyra më e mirë për të diskredituar, ç’vlerësuar këtë ngjarje të trishtueshme. Ky është një nga ato faktet e rënda, të cilat nuk mund t’i zgjidhë politika. 
Deputetët do të hetojnë për një vit dokumentet arkivore, ku synohet zbardhja e plotë e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive, që çuan në këtë masakër. Ku janë këto dokumente? 
Dokumentet arkivore për këtë ngjarje janë në Serbi. Nuk e di, nëse qeveria serbe do të jetë e gatshme që të hapë arkivat e saj për deputetët tanë. Unë e di shumë mirë që qeveria, që ne kemi, është në një farë mënyre edhe qeveria e nipërve, dhëndurëve, klientëve të Serbisë, dhe mund të ndodhë që Beogradi t’ia hapë arkivat, sigurisht me një marrëveshje paraprake. Edhe nëse ndodh kjo, jam i bindur që do t’i hapë, arkiva të manipuluar, sepse ato të vërtetat nuk janë të hapshme. Kjo, sepse janë të dëmshme për Serbinë dhe do të ishte një shokim i opinionit publik, e jo vetëm atij shqiptar e kosovar, por mbarë opinionit botëror. Unë jam i bindur që nga ana tjetër, nuk është e interesuar vetë kjo klasë politike që e projekton këtë çështje për arsye politike, për të goditur ato zëra që po denoncojnë bëmat e kësaj qeverie. Këtë, Zoti Berisha mund ta bënte edhe gjatë kohës që ishte në Partinë e Punës në vitet 1970, 1980; mund ta kishte ngritur edhe në vitet e para pas demokracisë, ashtu sikurse edhe në një tjetër moment. Ai e bën këtë për arsye praktike të ditës, dhe është mënyra më e keqe për të trajtuar një ngjarje, e cila vërtetë e meriton të studiohet e të zbulohet. Për këtë ngjarje, jam i bindur që nuk mund të gjendet asgjë këtu, madje as në Kosovë. Kjo, sepse vrasësit nuk lënë gjurmë. Nga ana tjetër, unë mendoj se nuk duhet të jenë shumë të interesuar, sepse dikujt mund t’i dalë ndonjë gjysh, ndonjë stërgjysh, që është i implikuar me këtë ngjarje. 
Do të kisha një propozim. Le ta fusin këtë çështje në propozimet dypalëshe me Serbinë, që këto kohë kanë filluar ta quajnë edhe partner strategjik, në një nga pikat e rendit të ditës, bashkëpunimin me Serbinë për zbardhjen e masakrës së Tivarit. Ne nuk i kemi dëgjuar përfaqësuesit tanë, as zotin ministër që ishte së fundmi, ta ngrejë në Serbi këtë çështje që është vërtet e dhimbshme, e as zoti Berisha, kur takonte dinjitarët e Millosheviçit. 
Kur flasim për hetim dokumentesh, a mund të ketë në to emra të përmendur? Cili ka qenë roli i Ramiz Alisë ? 
Unë nuk mund të mbroj e as të akuzoj asnjërin. Por, përmendjen e emrave të veçantë mund ta fus në rrethin e atyre që thuhen e bëhen për të shokuar opinionin publik shqiptar, dhe për të krijuar edhe ndarje mes shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx