Mendime
Spiro Qirko: Ju tregoj historikun e shërbimit të kardiologjisë
E hene, 19.07.2010, 06:19 PM
Pano Hallko
Të ecësh me ritmin e zemrës...
Intervista
Flet mjeku që mori titullin “Mjeshtri i Madh”, Spiro Qirko: Ju tregoj historikun e shërbimit të kardiologjisë
Disa ditë pas dekorimit me urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, profesor Spiro Qirko “e ka të vështirë” të qarkullojë në korridoret dhe shkallët e qendrës universitare “Nënë Tereza”. Profesori, shumicën dërrmuese të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria nuk i njeh për emër, shumë pak prej tyre mund t’i kujtojë si fytyra, por ata të gjithë e njohin, sepse... problemet e shëndetit, në këto vite të gjata i kanë ‘prezantuar’ me profesor Spiron. Ai falënderon me mirësi të dukshme, shtrëngon duart dhe rend në klinikë, në dhomat e të sëmurëve, në konsulta, por edhe në takimet e planifikuara. Teksa shikon njerëz të shumtë që dëshirojnë t’i shtrëngojnë dorën, të vjen ndërmend një frazë nga fjala e Presidentit në ceremoninë e dekorimit: “Ju profesor Qirko e meritoni plotësisht këtë nderim. Këtë e dëshmojnë pacientët, këtë e dëshmojnë qytetarët. Unë jam jashtëzakonisht i gëzuar se kur vlerësimi vjen nga të gjitha anët, atëherë vërtetohet se vendimi ka qenë objektiv dhe i drejtë”.
Si mundeni ta përballoni një ritëm të tillë pune, lëvizjeje dhe komunikimi njëherazi?
“Ky stan këtë bulmet ka”, thotë populli (buzëqesh). Nëse deri në ditën e dekorimit kisha të tillë lëvizje, kjo do të thotë se sot e në vazhdim do të duhet ta rris ritmin. Ne kardiologët në jetë kemi ecur dhe ecim me ritmin e zemrës. Pastaj tani e tutje kam edhe një motiv më shumë. Nuk e kam fjalën tek Urdhri i Lartë që m’u akordua. E kam fjalën tek ato përshëndetje dhe urime të ngrohta të njerëzve që më njohin, pa i njohur unë. Por fundja, përse duhet t’ua di emrat? Më mjafton që ata janë bashkënjerëzit e mi dhe që më urojnë me gjithë zemër.
Si nisi karriera juaj në mjekësi? Si ndodhi që ajo u bë bashkudhëtare e kardiologjisë sonë?
Karriera ime nisi si për çdo bir dhe bijë shqiptare që mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1967. Në fillimin e viteve ‘60 zuri rrugë edhe kardiologjia si specialitet, por kjo s’kishte lidhje me mua. Ishte prof. Nikolla Shurbani ai që e veçoi atë si degë më vete. Unë do të merresha mirëfilli me zemrën katër vite më pas, në vitin 1971. Mësuesi im i parë ishte profesor Pandeli Çina, të cilit i detyrohem fillimet e mia dhe sot e gjithë jetën e nderoj si mësuesin tim të shenjtë. Edhe sot ai më është i vlefshëm, edhe sot ai është de facto pjesë e stafit të kardiologëve tanë më të mirë. Kjo godinë, që sot quhet kardiologjia shqiptare, ka në themelet, por edhe në muret e saj kontributin e shumë mjekëve të shquar. Unë jam njëri nga ata, e për këtë arsye e konsideroj veten time të privilegjuar.
Cilat do të thoshit se ishin bazat e kardiologjisë moderne shqiptare?
Bazat e konsoliduara të kardiologjisë moderne shqiptare i kanë fillesat e tyre dhe spikatin aty nga fundi i viteve ‘70 dhe fillimvitet ‘80 të shekullit të kaluar. Arkitekti i atyre bazave ishte prof. Ylli Popa, i cili me erudicionin dhe pasionin e tij të madh kontribuoi ndjeshëm në ngritjen e “godinës moderne” të kardiologjisë shqiptare. Me përkushtimin dhe pasionin shembullor të prof. Anesti Kondilit u krijua njësia e reanimacionit kardiak, mjaft e suksesshme në shpëtimin e jetës së mijëra njerëzve. Më pas ishin dy linja që u futën për herë të parë: laboratori i hemodinamikës dhe ai i ekokardiografisë. Laboratori i hemodinamikës ishte produkt i punës plot pasion dhe vetëmohim të kardiologut të mirënjohur shqiptar, prof. dr. Sali Berisha. Prof. Fedhon Meksi kreu me sukses të plotë koronarografitë e para. Në këtë laborator spikati puna cilësore dhe me shumë përkushtim e dy mjekëve të rinj të talentuar të asaj kohe, prof. Artan Goda dhe prof. Adnand Kastrati, të cilët më vonë përvijuan një karrierë profesionale të admirueshme në këtë fushë. Kurse me laboratorin e ekokardiografisë u angazhova unë, pas një specializimi në Paris në vitet 1980-‘81 për t’i dhënë “jetë” një ekzaminimi që e konturon zemrën nëpërmjet “magjisë” së ultratingujve. Janë të pashlyeshme gjurmët që kanë lënë në kardiologjinë shqiptare profesorët e nderuar dhe të respektuar Ahmet Kamberi për sëmundjen iskemike të zemrës dhe Sabit Brokaj në ekokardiografi.
Vërtet, si ishim ne asokohe në krahasim me vendet e tjera?
Kuptohet që nuk mund të krahasoheshim me vendet perëndimore. Por specializimet e kryera atje dhe marrja e teknologjisë së kohës, mundësuan që edhe ne të ecnim me hapin e kohës.
Cili është mendimi juaj, me çfarë problemesh përballet kardiologjia sot, në shekullin XXI?
Shumë gjëra kanë ndryshuar me ndërrimin e sistemit. Ka ndryshime të mëdha, si në mendësi, por kryesisht në mundësitë për specializimin e mjekëve, ashtu edhe në pajisje me teknologji bashkëkohore. Por unë do të thosha se pikërisht këto janë dhe do të vazhdojnë të mbeten probleme dhe prioritete në kardiologji e më gjerë, në mjekësi. Kuptohet që elementi i parë ngelet njeriu, mjeku, formimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm i tij. Jemi dëshmitarë se bota sot ecën me shpejtësinë e dritës, sidomos në fushën e të rejave në shkencë. Patjetër që formimi (jo më kot e quaj kështu dhe jo thjesht përgatitja) e mjekëve të rinj shqiptarë zë fill në auditorët e Universitetit në Fakultetin e Mjekësisë. Nëse nuk kanë interesimin e duhur për të mësuar, pse jo edhe pasionin, ata kanë përshtypjen e rreme se dalin mjekë. Edhe ata që me meritë dalin mjekë, nëse i mbyllin librat kur marrin diplomën, prapë kurrë s’kanë për t’u bërë mjekë. Është një rrugë e gjatë mjekësia, një rrugë e gjatë studimi, që zgjat sa vetë jeta e njeriut. Unë dua të besoj se kështu është për çdo lloj specialiteti, por për mjekësinë e them me shumë bindje.
Sa ishit në kontakt me të rejat e shkencës para vitit 1990? Atëherë as bota nuk e
kishte internetin...
Biblioteka jonë Kombëtare dhe jo vetëm ajo, asokohe kishte revistat më cilësore të mjekësisë me studime kardiologjike, europiane dhe amerikane. Atëherë çfarë lipsej nga ne mjekët? Vetëm studim dhe punë. Dhe ne këtë bëmë. Kurse sot mjekët e rinj kanë dy avantazhe të mëdha, që ne nuk mund t’i kishim atëherë, edhe për arsye të kufizimeve të sistemit që lamë pas. Sot të rinjtë kanë internetin, që është një oqean i pafund me dije, mjaft që njeriu të kërkojë dhe të dijë. Së dyti, janë kontaktet e gjalla, fizike me mjeshtrit e mëdhenj të kardiologjisë botërore, çka realizohet nëpërmjet takimeve dhe konferencave të ndryshme europiane dhe botërore. Ne këto nuk i kishim. Shteti dhe shoqëria shqiptare sot bëjnë aq sa munden për përgatitjen dhe specializimet e të rinjve përmes “Fondit të ekselencës”, i cili nuk është i paktë e që duhet me rritjen ekonomike të shtohet. Prandaj kujdesi në radhë të parë duhet të konsistojë në përzgjedhjen e më të mirëve. Kjo duhet të jetë edhe qëllim i jetës sonë, të kardiologëve. Nuk mund ta imagjinoj një kardiolog që të mos luftojë për të lënë pas breza mjekësh të aftë. Prandaj edhe i mëshova këtij problemi në fjalën falënderuese që mbajta në Presidencë. Të jenë të aftë, por të mos ta konsiderojnë punën e tyre thjesht si profesion. Në mënyrë të veçantë mjekësia nuk mund të jetë e tillë. Ajo më së pari ka qenë, është dhe do të jetë mision. Por edhe shumë individë sot kanë privatisht mundësinë që të shkollohen dhe të specializohen jashtë shtetit, në Perëndim. Këto janë raste, të cilat të rinjtë tanë do të duhet t’i shfrytëzojnë në kuptimin e mirë të fjalës, jo vetëm për të marrë maksimumin e njohurive, por edhe për të vendosur kontakte të qëndrueshme dhe miqësi të sinqerta me të huajt. Të specializuarit jashtë duhet të jenë online me qendrat e huaja. Sepse të huajt, kur shikojnë seriozitet në përgatitje dhe çiltërsi në marrëdhënie, bëhen edhe kontributorë, madje sponsorizojnë edhe specializime 6-mujore apo njëvjeçare. Por ata i bëjnë këto mirësi, kur aplikanti ka projekte bindëse në kërkim të të rejave të shkencës. Me këtë rast do të përmendja një mjek të talentuar tonin, Adnand Kastratin, kardiologun invaziv me reputacion botëror, profesor në Fakultetin e Mjekësisë së Munihut. Ai është shembull për mjekët e rinj se ç’është në gjendje të arrijë njeriu kur ka pasion dhe vullnet. Por nëse mjeku rri me orë të tëra në kafe, kuptohet nuk mund të arrijë shumë gjëra. Aparatin e ri të ekokardiografisë e kemi thuajse dhuratë nga kardiologët italianë të Firences, kur erdhën këtu për një konferencë shkencore të përbashkët. Niveli shkencor profesional i stafit tonë ndikoi në këtë vendim të ekipit italian.
Prandaj theksoj se dy kanë qenë, janë dhe do të jenë shtyllat në kardiologji dhe jo vetëm. Mjeku, domethënë formimi i tij, dhe mjetet, teknologjia. Nëse nuk kemi mjekë të aftë, le t’i sjellim edhe mjetet më të fundit, le të sjellim dhe montojmë rezonanca magnetike të vitit të fundit. Kush do t’i lexojë dhe interpretojë imazhet? Linja e vetme e hemodinamikës që aktualisht kemi, me vështirësi u përgjigjet nevojave, e kjo do të thotë se duhet më së paku të kemi edhe një tjetër.
Ky quhet investim në teknologjinë e kohës dhe shteti ynë ka treguar se nuk i mungon ndjeshmëria në këtë drejtim. Prandaj investimi i kujtdo shoqërie e doemos edhe i shoqërisë sonë, duhet të “godasë” në këto dy pika. Vetëm kështu, duke punuar me zemër, për zemrën, duke iu përkushtuar me gjithë zemër jetës së bashkënjeriut tonë, ne do të mundim të ecim, pse jo paralel me Europën, edhe në mjekësi...