E premte, 09.05.2025, 11:18 AM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Humbja e humbësve

E shtune, 24.07.2010, 09:11 PM


HUMBJA E HUMBËSVE

 

Nga Arbën Xhaferi

 

Pyetjes se kush është fajtori, i merituari, që një vend prej 11 mijë km katrorë, sa i ka Kosova, do të shndërrohej në Armakedonin biblik, në fushë-betejë ku përfundimisht do të përballet e liga me të mirën, duhet t'i jepet një shpjegim - që në vete do të përfshijë një spektër të gjerë faktorësh historikw, etnikw, fetarw, ekonomikw, gjeostrategjikw, psikologjikw, filozofikw, në trajtën e eskatologjive historike nacionaliste, - pastaj trillimet fantazmagorike, ku miti puqet me trillimin racional të paramenduar.

Çdo popull përpiqet ta krijojë argumentin për ekspansion, mbi baza të interesit të përgjithshëm, duke fshehur interesat e ngushta të një klase, apo grupi të veçantë: grekët aspiratat e tyre dominuese i fshehin prapa idesë së helenizmit, turqit me idenë e osmanizmit, serbët me idenë e jugosllavizmit,ose me shenjtërim të Kosovës në çdo aspekt, rusët me sovjetizmin, madje edhe xhuxhët politikë maqedonas me përvetësimin e zulmit të maqedonasve antikë etj. Në këtë mes vetëm shqiptarët nuk kanë një teori ekspansioniste, që në vete do të përmbante aspiratat për përvetësim të tokave, të vlerave, dhe të pasurive natyrore.

Pas 1804, kur serbet, të yshtur nga rusët moren guximin qe ta kontestojnë sundimin osman, ashtu si arabët vahabistë të Arabisë Saudite të nxitur nga Lorenci i Arabisë, pra anglezët, u shfaq nevoja për një program politik që do t'i arsyetonte ambiciet kolonialiste ruse, ose nacionaliste serbe. Që nga kjo kohë filluan të hartohen elaborate që do të arsyetonin të drejtën për territore, ose për sundim të serbëve pa traditë politike, kulturore, qeverisëse, por me ambicie të rrezikshme. Janë shkruar me dhjetëra elaboratesh me premisa të pushtimit të tokave të huaja përmes shfarosjes së popullatës vendore, autoktone. Njëra nga këto është ajo Ilija Garashaninit që në diskutimet tona jokompetente krahasohet me figurën e kryeministrit grek Venizelos, por vetëm në segmentin ideor dhe jo kohor.

Për shkak të nivelit të ulët arsimor, intelektual të serbëve të shekullit XIX autorë të vërtetë të këtyre projekteve ishin austro-sllavët, polakët, çekët, sllovakët. Bie fjala autori i vërtetë i NAÇËRTANIES ishte polaku Franjo ZACH, një agjent diplomatik polak, i cili sipas kërkesës së Garashaninit (1812-1824) e hartoi "Planin për politikën sllave të Serbisë"që u bë bazë për "Programin e politikës nacionale të Serbisë në fund të vitit 1844"në autorësinë e rrejshëm të këtij kryeministri serb.

Epilogu i këtyre ambicieve serbe, përkatësisht pansllave dje mori një përgjigje të prerë në GJND që vlerësoi se Deklarata për pavarësi të Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Faktorët politikw serbë nuk pajtohen me këtë vlerësim, duke dhënë argumente, si zakonisht të natyrës së teorisë konspirative. Ata ende s'janë të gatshëm të ballafaqohen me gënjeshtrat e tyre historike, por vazhdojnë ta keqtrajtojnë veten dhe të tjerët.

Sipas ligjit ndërkombëtar kemi të bëjmë me antagonizmin e dy parimeve, njërit që buron prej parimit të Vestfalisë, pastaj edhe të Helsinkit për mosndryshim të kufijve dhe i dyti nga parimi i së drejtës së patjetërsueshme të popujve për liri. Politika serbe insistonte në parimin teknik që përkufizon se si nuk mund të ndryshohen kufijtë, me forcë, ndërkaq shqiptarët përdornin argumentin që buron prej parimit të së drejtës imanente, të patjetërsueshme të popujve për liri. Ky parim ishte baza për dekolonizim që dëshmon se ka përparësi imanente në krahasim me parimin teknik për mosndryshim të kufijve. Rritja e katërfisht i vendeve anëtare të OKB-se flet për përparësinë e parimit së të drejtës për liri kundruall atij teknik për mosndryshim të kufijve.

Deri më tani sikur nuk është vërejtur shpallja e parimit të tretë nga ana e sekretarit të përgjithshëm të OKBS-së Kofi ANANIT, i cili në vitin 1999, pikërisht gjatë bombardimeve të NATOS e kumtoi përcaktimin se OKB nuk do të njohë sovranitetin e kufijve të jashtëm nëse brenda tyre shkelen të drejtat e njeriut. Ky parim i tretë përpiqet dhe sipas të gjitha gjasave do të arrijë të zgjidhë antagonizmin ndërmjet dy principeve përjashtuese të së drejtës ndërkombëtare.

E drejta për vetëvendosje ishte pikënisja e humanizimit të shteteve, ndërtimit të shteteve mbi parimin e lirisë, baza mbi të cilën u krijua OKB-ja. Ky koncept do të vazhdojë t'i mbrojë të drejtat e njeriut, duke kufizuar të drejtën e shteteve, që brenda kufijve të shteteve sovrane të shkelen të drejtat e njeriut.

Është e pabesueshme që juristët dhe diplomatët serbë të mos kenë informata për tendenca të këtilla në OKB. Gjithësesi shpjegimi për një "injorancë" të këtillë të klasës politike serbe, duhet kërkuar te kultura, tradita politike që të përfitojnë sa më shumë nga antagonizmat në planet e ndryshme. Kjo është metodë e punës së njerëzve që shfrytëzojnë situatat konfuze në politikën globale, sidomos kur tragjeditë e popujve të ndryshëm (Ruanda, ose 11 shtatori bie fjala) tejkalojnë çdo imagjinatë, çdo parashikim normal. Sikur çështja e Kosovës do të hapej pas 11 shtatorit do të kishim procese krejtësisht të tjera. Çështja shqiptare do të mbetej në nivel të akronimit UÇK, ashtu si ajo baske (ETA), irlandeze ( IRA), palestineze(OÇP,ose HAMAS) etj. Por, çështja e Kosovës pat një zhvillim shumë të kontrolluar, në asnjë moment nuk u degjenerua në terrorizëm dhe pati një përfundim shumë të matur dhe të drejtë.

Lufta e drejtë kosovare, refuzimi i çfarëdo kompromisi me regjimin e Millosheviqit e solli NATO-n në Kosovë. Serbët nuk janë aq të prekur nga humbja e Kosovës, atë e patën humbur më herët, por janë të trishtuar nga prezenca e përhershme e NATO-s në këto hapësira. Së këndejmi çdo përpjekje e tyre për kontestim të pavarësisë së Kosovës do të jetë në thelb krijim të telasheve të reja NATO-s.

Strategët serbë do të vazhdojnë përmes destabilizimit të Kosovës ta problematizojnë prezencën e faktorit perëndimor në këto hapësira. Afrimi befasues i Tadiqit me presidentin e Turqisë, nënshkrimi i deklaratës së Stambollit është paralajmërim për komplikim të paqes dhe sigurise në plane të tjera. Serbët janë të njohur se për një plesht djegin jorganin...

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx