E marte, 03.06.2025, 06:19 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Shqiptarët e Maqedonisë në epokën para dhe pas lindjes së Salajdinit

E marte, 20.07.2010, 09:58 PM


Shqiptarët e Maqedonisë në epokën para dhe pas lindjes së Salajdinit

  

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Mentaliteti i shqiptarëve të Maqedonisë mund të shpjegohet fare mirë në personin e Salajdin Salihut, poet, kolumnist dhe mësimdhënës në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ku ligjëron lëndët “Media Production”, “Media Writing and Reporting” dhe “On line Journalism”. Salajdin Salihu është një individ paradigmik për shqiptarët e Maqedonisë, aq sa mund të thuhet se koha e shqiptarëve të Maqedonisë mund të ndahet në epokën para lindjes së Salajdinit (Salihut) dhe pas lindjes së Salajdinit. Salajdin Salihu u lind në 26 maj 1970, në Tetovë. Ai lindi pikërisht në kohën kur në Jugosllavinë e Titos për shqiptarët do të vinte një ndërrim epoke. Shqiptarët e Jugosllavisë qenë duke kaluar nga një epokë kur ata nuk kishin të drejta, qenë të izoluar nga bota, shumë të varfër, në një epokë kur kishin shumë më tepër të drejta, dhe filluan të qarkullojnë lirisht në botë, për të punuar dhe jetuar, me ç’ rast u pasuruan shumë, në krahasim me çka kishin qenë më parë.

Në epokën para lindjes së Salajdinit, shqiptarët e Maqedonisë, ashtu si krejt shqiptarët e Jugosllavisë, qenë të prirur që ta identifikonin Perëndimin me Serbinë dhe Jugosllavinë, dhe ta shikonin si armikun e tyre. Feja islame, e cila ishte toleruar dhe stimuluar djallëzisht nga shteti jugosllav i para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, shihej prej shqiptarëve të Jugosllavisë si një nyje socializuese më e sigurt se institucionet e Jugosllavisë komuniste. Kjo bëri që shqiptarët e Jugosllavisë të kishin prirjen për ta parë Perëndimin edhe si armikun fetar, duke qenë se ai qe i krishterë, ashtu si dhe sllavët. Në përfundim të epokës para lindjes së Salajdinit (Salihut), shqiptarët e Maqedonisë, ashtu si krejt ata të Jugosllavisë, filluan që të shkojnë masivisht në Perëndim, për të punuar. Atje ata e panë se Perëndimi nuk ishte ajo mbretëri e së keqes që ata patën imagjinuar. Tash për herë të parë ata po ia shikonin të mirat Perëndimit. Por në vend që kjo të bënte që shqiptarët e Maqedonisë të ndryshonin dhe të bëheshin më pak të lidhur me fenë islame, ata përkundrazi vazhduan që të mbeten të lidhur me fenë islame. Kjo ndodhi se megjithëse ata e njohën Perëndimin dhe përfituan prej tij, ata thellë në shpirt nuk ndjeheshin të sigurt në Perëndim dhe me Perëndimin.

Por kur shqiptarët e Maqedonisë panë se Perëndimi, megjithëse ata e urrenin, u tregua bujar me ta, duke i pranuar që të punonin atje dhe të fitonin mirë, ata e perceptuan këtë si naivitet te Perëndimit, dhe u bënë arrogant ndaj Perëndimit. Salajdin Salihu është një fakt i gjallë për këtë, se atë e kanë quajtur me këtë emër në vitin 1970, duke qenë frut i këtij animoziteti të shqiptarëve të Maqedonisë ndaj Perëndimit në atë kohë. Emri i tij “Salajdin” është simptomë e urrejtjes ndaj Perëndimit, të mjedisit ku ai lindi.

Salah-ad-din ishte sulltani i famshëm i cili sundoi në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme në shekullin XII dhe luftoi e triumfoi kundër kryqtarëve perëndimorë të cilët kishin shkuar të çlironin qytetin e shenjtë të Jerusalemit. Salah-ad-din ishte ai që ua mori kryqtarëve Jerusalemin, çka mbahet ende si triumfi më i madh ushtarak i Islamit në luftën me Krishterimin. Megjithatë, emri Salajdin (Salah ad-din) nuk është i përhapur në botën islame, si emër njeriu, për shkak se ai nuk është emër njeriu, por një emër njeriu të cilit i është bashkuar një titull, sipas praktikës së familjeve aristokrate islamike të kohës. Kuptimi i emrit Salajdin (Salah ad-din) në arabisht është “përmbushja e drejtësisë prej besimtarit”. Për shkak të emrit të tij, ai u quajt si i predestinuar për atë që bëri, luftën kundër kryqtarëve dhe marrjen e Jerusalemit. Kryqatat sot, ashtu si dhe atëherë, në botën islamike quhen si agresion i Perëndimit të krishterë ndaj Islamit, por e vërteta e thjeshtë kronologjike është se territoret që Salajdini (sulltani jo Salihu) u mori kryqtarëve qenë të krishtere para se ato të pushtoheshin nga arabët. Derisa prindërit e Salajdin Salihut e kanë quajtur atë me këtë emër, kjo tregon se ata duhet të kenë qenë jo thjesht besimtarë muslimanë, por fanatikë antiperëndimorë. Ata prindër që e kanë quajtur djalin e tyre Salajdin kanë dashur të shprehin urrejtjen e tyre ndaj Perëndimit dhe Krishterimit në përgjithësi.

Në epokën pas lindjes së Salajdinit, fëmijët dhe nipat e shqiptarëve të Maqedonisë u rritën në kushte të reja shumë më të mira, falë punës së prindërve të tyre në Perëndim. Nga ata që lindën në epokën e Salajdinit, një pjesë u shkolluan dhe një pjesë e të shkolluarve, si Salajdin Salihu, u bënë intelektualë. Në fakt këta si Salajdini nuk u bënë vërtet intelektualë, por meqenëse pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia doli si shtet i pavarur, perëndimorët kishin nevojë për interlokutorë ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët do të potenconin shabllonet e reja ideologjike që vinin nga Perëndimi për integrimin, modelin shumëetnik, globalizimin. Salajdin Salihu është epitomë e këtyre lloj intelektualëve të fabrikuar. Edhe pse është i shkolluar për gjuhë dhe letërsi shqipe, ai kryen një master për gazetari dhe thjesht me të bëhet mësimdhënës në universitet (Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë), në degën e komunikimit, për jo pak por për tre lëndë: “Media Production”, “Media Writing and Reporting” dhe “On line Journalism”. Gjithashtu ai u bë edhe kolumnist në media ku të bëjnë përshtypje shkrime liturgjike të tij, si “Historia e Idesë së Integrimit Europian”. Në këtë ese Salajdini ka bërë një plagjiaturë të tmerrshme nga dy ese të hershme të Aurel Plasarit, më së shumti asaj “Rrëmbimi i Europës”, por edhe esesë tjetër “Europa nga rrënjët”.

Kur Salajdini u bë një nga njerëzit e elitës shqiptare në Maqedoni, të cilët janë favoritë të perëndimorëve, tashmë duhej pritur që Salajdini ta ndryshonte emrin e vet. Ai duhet ta ndryshonte emrin se supozohej që të mos kishte të njëjtin mentalitet me atë të prindërve të vet, të cilët e quajtën me emrin Salajdin. Nëse Salajdini do të ishte vërtet një intelektual me bindje iluministe, laike, sikur paraqitet, ai do ta kishte ndryshuar emrin e vet. Ai do të duhej që ta kishte bërë këtë gjë, jo thjesht për vete, por edhe për faktin se kur perëndimorët takojnë një intelektual shqiptar nga Maqedonia, me emrin Salajdin, i cili paraqitet si i emancipuar, i iluminuar, poet, opinionbërës, njeri i rretheve akademike, ata nuk mund të mos mendojnë shumë keq për shqiptarët e Maqedonisë, si fundamentalistë islamikë. Të jesh një intelektual i ri shqiptar në Maqedoni, me profil publik, opinionbërës dhe mësimdhënës, pra formësues i gjeneratave të reja, dhe të mbash emrin Salajdin, kjo është njëlloj si të mbash një çallmë në kokë dhe një jatagan në brez.

Salajdini i di të gjitha këto, ai e di se kush ishte Salajdini (sulltani), e di përshtypjen që u bën perëndimorëve emri i tij, e megjithatë nuk e ndërron emrin. Salajdini ia lejon vetes këtë se ai, ashtu si ata paraardhësit e tij që shkuan më së pari në Perëndim, mendon se perëndimorët janë naivë. Është një veti e përhershme e orientalit që t’ i perceptoje perëndimorët si naivë të cilët mund të mashtrohen. Emri që mban Salajdini, tregon se nëse e gërvisht pak intelektualin liberal tek ai, atëherë del islamiku arrogant.

Epoka e Salajdinit për shqiptarët e Maqedonisë ka shumë gjasa që të mbyllet në një mënyrë shumë tragjike. Kur në një situatë të re ndërkombëtare, sllavo-maqedonët të gjejnë rastin që me ndihmën e bullgarëve të ndërmarrin spastrimin etnik të shqiptarëve atje, duke e kamufluar si luftë kundër terrorizmit islamik, për Perëndimin do të jetë e besueshme që një popullsi tek e cila edhe intelektualët që shfaqen si të oksidentalizuar quhen “Salajdin” të jetë bërë bartëse e terrorizmit islamik.

Madje, Salajdini me emrin që mban dëmton jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe nacionin (kombin) shqiptar në përgjithësi, se Salajdini është shqiptar, dhe të huajt që e ndeshin atë mendojnë keq jo veç për shqiptarët e Maqedonisë, por për krejt shqiptarët. Por Salajdinit aq i bën për nacionin shqiptar, se ai e ka shprehur hapur shpërfilljen e tij për nacionin dhe kulturën nacionale, kur shkruan në esenë e vet për historinë e integrimit europian: “Kur flasim për integrimin evropian duhet të përmendim edhe Gëten (1749 - 1832). Ai edhe pse qëndroi indiferent ndaj një bashkimi si mjet politik, megjithatë kundërshtoi fenomenet e nacionalizmit kulturor. Për të shprehja “letërsi kombëtare” nuk do të thoshte kushedi se çfarë, prandaj bënte thirrje për një “letërsi të përbotshme”, për çka secili duhej të mundohej për të shpejtuar ardhjen e saj”. (cituar sipas: http://salajdin.ëebs.comiese.htm)

Salajdini nuk përmend, nëse e di, kontekstin në të cilin shkruante Goethe (Gëte). Goethe (Gëte) ishte kundër nacionalizmit dhe letërsisë nacionale, që në atë kohë qenë shumë në modë, se ai ishte zyrtar i lartë i Dukatit të Saxe-Weimar-Eisenach, një prej 388 shteteve në të cilat qe e ndarë Gjermania. Pra, Goethe kishte konflikt interesi, se ai kishte të ardhura të mëdha nga posti i vet i lartë shtetëror në oborrin e princit të Ëeimar dhe nëse Gjermania bashkohej, Goethe dhe padroni i vet do t' i humbinin këto, sikur ndodhi më pas kur u bashkua Gjermania me princat gjermanë dhe oborrtarët e tyre.

Por kur Salajdini shkruan kundër nacionalizmit dhe kulturës nacionale, ai nuk e bën këtë se ka bindje postnacionaliste, globaliste, multietnike, por thjesht se ai nuk e ndjen veten shqiptar. Emri që mban ai është simptomë e mentalitetit të tij. Derisa Salajdini shprehet kundër nacionalizmit dhe letërsisë nacionale, atëherë ai bëhet i preferuari i qendrave globaliste kozmopolite të inxhinieringut nacional dhe social, të cilat i botojnë edhe librat e tij me poezi jashtë vendit, jo se kanë vlera, por se duan ta promovojnë si intelektual antinacionalist.



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx