E enjte, 24.07.2025, 09:39 PM (GMT+1)

Mendime

Beqë Cufaj: Letër nga Haga!

E diele, 25.07.2010, 09:09 PM


Letër nga Haga!

 

Nga Beqë Cufaj

 

Holandezët duket ta kenë tejkaluar dhembjen e madhe, shokun e humbjes së Kampionatit Botëror të Futbollit kundër Iniestas dhe spanjollëve të tjerë. Shenjat e festave, shesheve të stërmbushura me simpatizantë futbolli dhe reklama me yjet me në krye Wesly Sneiderin tashmë nuk shihen askund. As në faqe gazetash e as në billbordat e rrugëve. "Dutch"-ët, qytetarët evropianë të cilët shihen mbrëmjeve në dhomat e tyre të ndejës a fjetjes, sepse në shtëpitë e tyre nuk kanë perde, këta pushues të papërmirësueshëm në tërë rruzullin tokësor njihen edhe për atë sesi me makinat e tyre mobile nguten drejt jugut të Evropës apo edhe viseve tjera të botës, kurse ata që ende janë në vend, shihen sesi me biçikleta - mjetin e tyre nacional të vozitjes, mësyjnë në punë, kafene, shëtitje buzë deti...

Haga, qyteti i qetë në të cilin jetojnë e punojnë qoftë burokratët e qeverisë holandeze, po kështu ka jo pak ndërkombëtarë të angazhuar në institucione të rëndësishme siç është ai i Tribunalit për Krime Lufte në ish-Jugosllavi a Ruandë, por edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë... në Hagë pra shkohet vetëm nëse njeriu do të pushojë nga intensiteti i një Amsterdami, këto ditë vere është bërë (edhe një herë) një pikë reference apo nëse doni edhe neuralgjike për shqiptarët dhe serbët. Për Kosovën dhe Serbinë!

Tribunali i Hagës për Krime Lufte ishte të mërkurën një zonë e qetë, nga e cila nuk pritej kurrfarë befasie dhe me këtë edhe stuhie (politike!). Por ja që vendimi i Dhomës së Apelit për “çështjen Haradinaj” jo vetëm që tronditi liderin e opozitës, por edhe opinionin e gjerë në Kosovë dhe jashtë saj. Nëse në këtë çështje ka gisht edhe politika, mbetet të shihet - por ajo që për këtë Tribunal tashmë dihet

është se politika gjithnjë ka luajtur një rol jo edhe të parëndësishëm në vendime dhe raste me peshë.

Dhe, derisa ne shqiptarët duhet qysh tash të përballemi me këtë, nuk ka si ta quajmë pos humbje, serbët - duke filluar nga gazetarët e tyre e deri tek miqtë (rusë a rumunë!) që ua mbajnë anën, përmes ngutisë së telefonatave, sms-ave, raporteve mes gëzimit e ngazëllimit... kanë filluar të besojnë që ky "amin" me Haradinajn do ta ketë edhe "pjesën" e dytë - sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku pritet mendimi këshillëdhënës i këtij organizmi të rëndësishëm për të drejtën ndërkombëtare.

Mes sheshit të "Churchillplein Nr. 1", ku është ndërtesa e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, dhe "Peace Palace" në "Carnegieplein Nr. 2", ku është ndërtesa e bukur e GJND-së, sot do të fillojë një dyndje e madhe gazetarësh shqiptarë dhe serbë, por edhe e diplomatëve, ekspertëve dhe kureshtarëve, të cilët për disa çaste do të harrojnë që janë në kryeqytetin holandez për të shikuar se cili do të jetë verdikti për një shtet të ri dhe një popull i cili nuk mundi më të jetonte në e me një shtet, i cili për dekada me radhë nuk ka bërë gjë tjetër pos që ka provuar të sundojë, torturojë dhe vrasë një popull të tërë! Që kjo gjë u harrua në “rastin Haradinaj” dhe sërish u bë politikë për hesap të dikujt - u pa. Nëse kjo do të vazhdojë edhe sot me vendimin e GJND-së, mbetet të shihet.

Por, një dihet: shqiptarëve - të drejtën e tyre për vetëmbrojtje dhe shkëputje nga Beogradi - nuk mund dhe nuk guxon t'ua marrë askush!

Sepse, çështja e Kosovës nuk është as punë sporti e aq më pak futbolli - ku provohet të balancohet "politikisht". Kosova është më shumë se politika. Shtetësia e saj është çështje jetike për të gjithë. Në Kosovë dhe jashtë saj.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx