E premte, 09.05.2025, 02:36 AM (GMT+1)

Mendime

Faik Krasniqi: Pas vendimit të GJND-së në favor të Kosovës, akoma nuk ka përfunduar gjithçka

E shtune, 31.07.2010, 05:58 PM


Pas vendimit të GJND-së në favor të Kosovës, akoma nuk ka përfunduar gjithçka

 

Nga Faik Krasniqi

 

Gjatë kampionatit botëror në futboll Afrika e Jugut 2010, oktapodi Paul në Gjermani u bë i famshëm për faktin se para ndeshjeve ja qëllonte se cila kombëtare do të dilte fitues, dhe ishte 100 për qind i saktë në të gjitha ndeshjet. Serbia,  po ta dinte që në Gjermani ekziston oktapodi Paul, nuk do ta merrte mundimin që ta padiste Kosovën në GJND për shpalljen e ''paligjshme'' të pavarësisë së saj, por para se ta bënte një gjë të tillë do ta angazhonte oktapodin Paul për të parashikuar më herët se kush do ta fitonte betejën në GJND. Prej fillimit çështja e Kosovës është cilësuar si ''SUI GENERIS'' dhe më 22 korrik 2010, edhe pse nga shumë opinionistë dhe ekspertë të së drejtës ligjore pritej një rezultat i ngushtë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me të drejtë votoi 10 me 4 në favor të Kosovës. Opinioni pozitiv i GJND-së i ka hequr të gjitha dilemat për mosnjohje të Kosovës. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte përgjigja më e mirë për gjithë botën, për çështjen e Kosovës. Opinioni i kësaj gjykate do t'i ndihmojë shtetet e tjera që deri më tash kanë hezituar ta bëjnë një gjë të tillë, që sa më shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës, dhe kështu do të hapeshin rrugët  që të bëhemi pjesë e OKB-së, NATO-së dhe BE-së. Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008,  Kosovën e kanë njohur si shtet 69 shtete anëtare të OKB-së, mirëpo tani, pasi që GJND-ja e dha mendimin këshillëdhënës për realitetin e krijuar në Kosovë dhe vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, tani diplomacia e Kosovës duhet të fillojë një intensivë diplomatike me shtetet të cilat akoma po hezitojnë ta njohin realitetin e ri në Kosovë. Tek shtetet të cilat deri më tash kanë hezituar ta njohin shtetin e Kosovës, dhe të cilat nuk janë nën ndikimin rus apo serb, pikërisht tek ato shtete duhet të lobohet më shumë për ta njohur realitetin e ri të krijuar në Kosovë, sidomos pasi GJND-ja i dha të drejtë Kosovës rreth shpalljes së pavarësisë së saj.

 

Çfarë porosish dalin për institucionet e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë?

 

Institucionet e Kosovës duhet që të dinë të kapitalizojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duhet të lobojë për njohje të reja dhe për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtare, qofshin ato ekonomik ose politik. Duhet të ndërtojnë dhe të zbatojnë strategji të mirëfilltë për shtrirjen e autorizimeve të institucioneve të Kosovës në gjithë vendin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të saj. Duhet që përfundimisht t’i kthehen zhvillimeve të brendshme, duke u angazhuar në ripërtëritjen e ekonomisë dhe zhvillimin e saj. Duhet që të veprojnë me ngulm në krijimin e shtetit të së drejtës, duke u angazhuar në luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Lobim në Bruksel për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së

 

Çështja e statusit të Kosovës ka qenë që në fillim delikate për Bashkimin Evropian pasi pesë prej 27 vendeve të tij, Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja e Jugut, vazhdojnë të mos e miratojnë pavarësinë e Kosovës. Por, një nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka paralajmëruar se së shpejti do të qartësojë pozicionin lidhur me statusin e shtetit të ri. Pavarësisht kësaj diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më aktive, prezent në Bruksel dhe të bashkëkoordinojë veprimet me strukturat e BE-së, në mënyrë që përmes tyre të shfrytëzojë këtë moment  të arritjes së njohjeve së paku një nga pesë shtetet e BE-së ta thyente akullin.

 

Sfidat e Kosovës për anëtarësim në OKB

 

Diplomacia e Kosovës duhet të bëjë tash shumë më shumë që të bëhet anëtare e OKB-së me të drejtë vote, kur dihet se për të aplikuar në OKB me të drejtë vote, një shtet duhet të jetë i njohur nga 128 shtete që janë anëtare të OKB-së, e Kosovës për të arritur deri këtu i duhen edhe 59 njohje të reja. Por, nuk përfundon me kaq, pasi që Kosova në OKB duhet t'i kalojë edhe 15 shtete që janë anëtare të përhershme të OKB-së, e në fund duhet të kaloi edhe fazën finale tek 5 shtetet që janë me të drejt VETO, si psh; SHBA, BRITANIA E MADHE, FRANCA, RUSIA DHE KINA.

Tre shtete (SHBA,BRITANIA E MADHE DHE FRANCA)  dihet që do të votojnë pro anëtarësimit të  Kosovës në OKB, por Rusia dhe Kina do të jenë problem dhe ekziston rreziku që njëra prej tyre të vë VETO, dhe kjo duhet të vlejë si një shtysë e madhe për Diplomacinë e Kosovës që të bashkëpunojë me aleatët  e saj, SHBA-ën dhe BE-ën, të paktën Rusia dhe Kina (edhe pse nuk votojnë pro anëtarësimit  Kosovës në OKB)  të abstenojnë, në mënyrë që këto dy të fundit të mos vënë VETO kundër Kosovës, sepse po që se njëra prej tyre vë VETO, atëherë shtetit të Kosovës do t'i hapen probleme të reja.

Andaj, pas vendimit të GJND-së në favor të Kosovës nuk duhet ta marrim me eufori se çdo gjë mbaroi, por duhet që këto dy muajt e fundit  të punojmë shumë, sepse ka punë, shumë punë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx