E enjte, 08.05.2025, 10:11 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Shovinizmi politik i administratorëve provincialë

E hene, 02.08.2010, 09:59 PM


SHOVINIZMI POLITIK I ADMINISTRATORËVE PROVINCIALË

 

Nga Fadil LUSHI

 

Ata që e përcollën botërorin Afrika e Jugut 2010, do thonë se ai përfundoi me ndeshjen, Spanja-Holanda, me rezultatin një me hiç! Për mua ky botëror, mori fund në momentin kur kombëtarja e Brazilit u ndëshkua pa meritë nga luleshitësit, respektivisht “tulipanxhinjtë holandezë”.

    Të nderuar lexonjës të vemendshëm dhe të paanshëm. Botërori që posa përfundoi, u karakterizua me një piramidë prej kartonash të arbitërve tarafxhinjë, arbitërve që, me apo pa qëllim, e shëmtuan dhe e shtrembëruan bukurinë, psikologjinë, etikën dhe fillozofinë e të luajturit me këmbë. Shumë kombëtareve, lëre që nuk u eci zari, por edhe nuk u doli hesapi i shtëpisë, as në Keptaun, as në Johanesburg dhe qytete tjera të Afrikës së Jugut. Në këtë eveniment që organizohet në çdo katër vjet, më i përgojuar dhe më i ofenduar do të jetë arbitri anglez Huard Ueb, i cili fudbollistët spanjolë dhe ata holandezë i ndëshkoi me gjithsej 15 kartona të verdhë e të kuq. Nëse UEFA dhe FIFA do të konstatojnë se ky arbitër ka bërë shkelje të rregullave të referimit, ai, hë për hë, do i thotë lamtumirë së paku kampionateve botërore, ashtu si disa shqiptarë që kohë më parë i thanë lamtumirë politikbërjes shqiptare këtu në Maqedoni.

 

     Është fjala për njerëz të cilët gjatë gjithë jetës së tyre mëtuan të merren me politikë, por ja që nuk shkuan përtej një politikbërje provinciale, lokaliste dhe të shëmtuar dhe sot, kur nuk do duken më as në kryeminderin e ndonjë nëndegeje partiake, do fillojnë të fodullisen dhe ashtu thjesht do bëjnë gjurullti, se kinse pala maqedonase, në vijimësi ua paskësh vënë kleçkën karshi realizimit të objektivave të tyre politike? Dhe sot më nuk është rastësi e thjeshtë, kur këta shovinistë politikë dhe administratorë provincialë, do të tentojnë t’i rikthehen politikës. Ky rikthim i tyre do të jetë sa teatral, trazues, rebelues, agresiv, brutal, turfullues, vetëvrasës..., po aq dhe emocional. Sipas tyre, ky rikthim duhet të jetë triumfal dhe racional?

 

     Ata fillimisht do na qortojnë, kritikojnë dhe do na sugjerojnë që të pajtohemi me të vërtetën se në Maqedoni, domosdoshmërisht duhet formuar një parti të re politike shqiptare.., në krye të së cilës do jenë vetëm ata, mandej do thonë se ka kaluar vakti kur punonim për “honorare badihava”, qoftë për parti politike, qoftë për komb e vatan, për fshat, komunë a për mëhallë? Ata do thonë se shqiptarëve të Maqedonisë, tani e tutje, u duhet një parti e re politike gjithsesi serioze, një parti e cila do të karakterizohet me një mbiemër perspektiv dhe cilësor, mbiemër ky që do ta humanizojë dhe emancipojë spektrin politik në Maqedoni. Sikur në këtë shkrim gazetaresk të kishte hise Mitro Çela nga Shqipëria do thoshte: “Çmë janë shtuar ‘taze politikanët’ në çarshi, dhe pse, më janë dalldisur..., me punën e asaj virgjireshës që kishte qenë një çikë me barrë”. Dhe për mos me e “vjamosur” këtë mesele, mua do më duhet t’i referohem një sërë provave që do i parashtrojnë këta “taze pishman politikanët” ndaj formimit të partisë në fjalë, prova këta që do zvetënojnë kontributet dhe vlerat e partive politike shqiptare këtu në Maqedoni.

 

     E para: partitë politike (shqiptare) ekzistuese kështu siç veprojnë të lënë përshtypjen se kontrollohen, mbikqyren dhe përkujdesen nga pushteti dhe nga mikiavelistët bashkëkohorë dhe provincialë?

 

     E dyta: partive politike shqiptare në Maqedoni, sikur u mungon Historia e së vërtetës, që sipas tyre nuk meriton të lexohet, mandej u mungon vizioni dhe perspektiva. Kinse këto na qenkan të ndërtuara me shumë të panjohura dhe thjeshtë, për përfitime personale dhe klanore?

 

     E treat: ata nuk do pandehin të thonë se: partitë politike shqiptare që veprojnë në Maqedoni janë thjeshtë parti puthadorësh, pavarësisht se a janë në pozitë, opozitë apo edhe jashtë institucionit të Parlamentit.., kinse partitë në fjalë vuajnë tronditjet cerebrale?

 

     E katërta: ata do mëtojnë të thonë se partive politike shqiptare u munguakan shehërlinjtë po edhe elita qoftë intelektuale, qoftë edhe ajo politike, një elitë që sipas tyre, do të duhet të krijojë një filozofi të re karshi një politikbërje krejt tjetërfare?

 

     E pesta: sipas tyre, partitë politike ekzistuese në Maqedoni nuk e kanë forcën që njëherë e përgjithmonë ta rrënojnë perandorinë e inateve histerike dhe paradën e akuzave ndërshqiptare?

 

     E gjashta: ata do thonë se partitë politike ekzistuese na qenkan “allafrënga”, por me platformë politike “allaturka” me politikanë të cilët do karakterizohen me grafikon skajshëm të çrregullt, politikanë provincialë, gjegjësisht njerëz të ardhur nga fshati, politikanë që do karakterizohen me një “peizazh të zbehtë dhe të trishtë”?

 

     Të gjithë këta që do mëtojnë të formojnë parti të re politike këtu në Maqedoni, ndoshta do ta kenë (ose e kanë!?) mbështetjen e prapavijës së fuqishme, të qëllimshme e djallëzore të politikës dhe juridiksionit shtetëror të Shkupit, karshi ndërtimit të një aleance politike, gjegjësisht një bashkimi mekanik me forcat politike maqedonase, ose kjo parti e re politike shqiptare në të ardhmen të jetë vetëm një lojtar rezervë në ekipin “kombëtar” të përzgjedhësit politik të mandatarit dhe të tillët si ai!

 

     Këta ish ikanakët të partive politike shqiptare apo ish “politikanët asketikë” të papërfillshëm nuk do mend se me krijimin e partisë së re politike do bëjnë ç’mos t’i ngjiten pushtetit qendror. Kjo ngjitje do bëhet duke krijuar atmosferë të shëndoshë dhe miqësore brenda në parti, aty ku nuk do të nëpërkëmbet liria e të shprehurit, liria e zgjidhjes së fjalëkryqit politik, aty ku nuk do zaptohet mendimi, aty ku nuk do të monopolizohet demokracia, qoftë edhe nga ana e lidershipit dhe tajfës rreth e rrotull tij, aty ku nuk do shtrembërohen kontributet e çdonjërit, aty ku nuk do vidhen paratë e biznesmenëve dhe kontributet materiale të mërgimtarëve, aty ku për babëzitët nuk do të ketë vend.

 

   Mbase, ideatorët e partisë së re politike shqiptare kurrën e kurrës nuk do arrijnë të japin së paku një përgjigje cilësore, karshi objektivave apo qëllimeve të  ekzistencës së saj. Ata nuk do ta kenë idenë se si do të duhet të emërohet partia e re, si parti e majtë, e djathtë, apo si diçka tjetër. Gjithsesi se shovinistët politikë, gjegjësisht administratorët provincialistë, do bëjnë çmos që të identifikohen me përfaqësuesit e çështjes kapitale, me atë të kauzës kombëtare, do mëtojnë që të shndërrohen në fenomen politik, duke shkuar deri atje sa që do thonë se figurat e tyre politike, duhet të (ri)përtërihen dhe të (ri)konfigurohen.

 

     Shovinistët politikë, respektivisht administratorët e vockël provincialistë, krejtë këtë do ta bëjnë në emër të  retrospektivës së dyshimtë të tyre politike, në emër dhe në kurriz të njerëzve të cilët dikur u shkonin pas si delet bariut. Analistët politikë thonë: njerëzit, që njëherë kanë qenë pjesë e tranzicionit politik dhe që njëherë janë ndëshkuar me karton të kuq të elektoratit, nuk kanë të drejtë t’i kthehen kampit politik këtu në Maqedoni, po qoftë ai dhe kthim teatral.

 

    Ata që shikimin politik e kanë mënjanë, respektivisht sehirxhinjtë dhe sherrxhinjtë do thonë se kjo vjeshtë politike shqiptare, do karakterizohet me një nismë bythëprapë. Dhe që kjo nismë mos të jetë e tillë, partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk do të duhet që çështjet jetike të elektoratit t’i diskutojnë dhe t’i ndërtojnë në emër të një ortakërie politike me ato maqedonase, por atë thjesht duhet ta bëjnë në emër të një trupi unik, një trupi që do ngritet në nivelin e ndërgjegjes së elektoratit.

 

    Vallë tymi i bardhë a do të dalë nga oxhaku i politikanëve të dështuar (tymi që do ta ndotë ambientin politik shqiptar këtu në Maqedoni) s’është ende e qartë. Do duhet të presim të dëgjojmë e të shohim!?

 

   Fundja, shqiptarëve nuk u duhen parti të reja politike, përkundrazi ata kanë nevojë të ndërtojnë një filozofi të re veprimi dhe mendimi. Ma thotë mendja se krijimi i një partie të re politike në Maqedoni, lëre që definitivisht do të jetë shembulli më i keq se si nuk duhet të duket një parti e tillë, por edhe do ta ngushtojë hapësirën edhe ashtu të ngushtuar të politikbërjes serioze dhe cilësore.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx