Mendime
Kastriot Myftaraj: Prokuroria e Tiranës merr atribute teologjike islamike
E hene, 02.08.2010, 09:59 PM
Prokuroria e Tiranës merr atribute teologjike islamike
Nga Kastriot MYFTARAJ
Nëse nuk do të ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë nuk do ta kisha besuar kurrë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, institucioni i një shteti laik, me vendim të drejtuesit të saj dhe të një prokurori tjetër, merr atribute teologjike islamike. Në 29 korrik 2010 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë vendimin për mosfillimin e procedimit penal për kallzimin e bërë prej meje ndaj kryetarit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe kryetarit të Forumit Musliman të Shqipërisë.
Unë kallzimin e kisha bërë për veprat penale: “Provokimi i luftës”, “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, “Thirrja për urrejtje nacionale”. Kallzimi im konsistonte në faktin se Komuniteti Musliman i drejtuar nga të kallzuarit, në praktikë e ushtron fenë islame sipas modelit fundamentalist islamik, wehabit. Nga të gjitha minaret e xhamive të Shqipërisë, të cilat janë pronë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe që administrohen prej tij, periodikisht gjatë ditës, megafonë të fuqishëm, disa në çdo minare, shpërndajnë fjalë në gjuhën arabe. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e një vendi laik si Shqipëria dhe i krijon vendit një imazh të keq në botë.
Prokuroria e Tiranës arsyeton kështu: “Në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë çdo individ ka të drejtë që të jetë i lirë në besimin e tij. Çdo besim ka ritet e tij. Në rastin konkret besimi mysliman ka ‘Xhaminë’, vendin ku besimtarët kryejnë faljen së bashku. ‘Ezani’ është thirrja për këtë falje”.
Siç shihet Prokuroria i shmanget përgjigjes për atë që kam thënë unë se ezani në arabisht shpërndahet me megafonë të fuqishëm të vendosur në minaret e xhamive. Kjo gjë është një ekskluzivitet i fesë islame në Shqipëri dhe nuk bëhet nga asnjë prej feve të tjera në vend. Prokuroria i shmanget kësaj përgjigjeje se është e vetëdijshme që këtu kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të Kushtetutës së një vendi laik si Shqipëria. Në asnjë vend laik nuk ndodh që ezani të thirret me megafonë të vendosur në minaret e xhamive, si në Shqipëri. Edhe në vendet europiane dhe në SHBA lejohet ushtrimi i fesë islame, por nuk lejohet thirrja e ezanit me megafonë nga minaret, madje as minaret. Prokuroria edhe tallet kur thotë se ezani është thirrja që muslimanët të shkojnë të falen në xhami. Derisa është kështu, atëherë kjo do të ishte një arsye më tepër që thirrja të bëhet në shqip, se shqiptarët nuk kuptojnë arabisht. Atëherë del se ata që kanë nevojë të thirren në gjuhën arabe për t’ u falur, nuk janë shqiptarë por arabë.
Prokuroria shpik dhe termin “besimi mysliman” i cili është nonsense. Kjo se fjala “musliman” në arabisht do të thotë “besimtar”. Nuk ka “besim mysliman” dhe as “myslimanizëm”, siç thotë Prokuroria por ka besim islam dhe Islamizëm. Feja quhet “Islam” ndërsa ushtruesi i saj quhet “islamik” ose “musliman”.
Prokuroria e Tiranës merr atribute teologjike islamike kur thotë: “Në të gjithë botën ku ka bashkësi me besim mysliman, kjo thirrje (Ezani), bëhet në gjuhën arabe, gjuha e origjinës së librit të shenjtë të myslimanizmit ‘Kuran’. Përkthimi në shqip i tij flet për ekzistencën e një zoti dhe të një të dërguari prej tij Muhametit”.
Por nuk ka asnjë detyrim kuranor që thirrja e besimtarëve muslimanë të bëhet në gjuhën arabe. Nëse ka një të tillë, atë duhet ta gjejë Prokuroria e Tiranës, meqenëse ka marrë atribute teologjike islamike. Sigurisht që në vendet arabe ezani do të thirret në arabisht. Në këto vende arabishtja është gjuhë zyrtare. Por në Republikën e Shqipërisë gjuha zyrtare është shqipja dhe derisa Komuniteti Musliman është angazhuar që të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, atëherë ka detyrimin që edhe ritet t’ i kryejë në gjuhën shqipe. Derisa Komuniteti Musliman refuzon që ta bëjë këtë gjë, atëherë arsyeja e vetme është se ai ka bindje fundamentaliste islamike.
Prokuroria, pa ia kërkuar kush merr përsipër të na bëjë të ditur edhe se Kurani na flet për ekzistencën e një Zoti të vetëm dhe të një të dërguari prej tij, Muhametit. Nuk e kuptoj se çka duhej kjo, kur unë nuk kam bërë kallzim për përmbajtjen e Kuranit. Kjo tregon vetëm se ata që kanë firmuar vendimin kanë bindje islamike fundamentaliste. E vërteta është se Kurani flet edhe për gjëra të tjera veç atyre që thotë Prokuroria. Kurani thotë edhe se burri ka të drejtë ta rrahë gruan, se feja nuk mund të ndahet nga shteti, se besimi i krishterë është i rremë, se ata që besojnë tek Krishterimi janë idhujtarë, se idhujtarët duhen vrarë etj. Të gjitha këto dhe gjëra të tjera janë të shkruara e zeza mbi të bardhë në Kuran.
Në përfundim të vendimit, Prokuroria thotë: “Nga analiza e kallzimit penal nuk rezulton se ka ndonjë të dhënë konkrete që nga thirrjet e bëra në xhami në gjuhën arabe si ‘Ezani’ etj., është synuar provokimi i luftës apo është vënë Republika e Shqipërisë para ndërhyrjes së nga fuqi të huaja, është synuar kryerja e veprimeve të dhunshme kundër rendit kushtetues, të ketë nxitur urrejtjen dhe grindjen raciale, nacionale ose fetare, apo të kenë vënë në rrezik paqen publike”.
E dhëna konkrete që unë jap në kallzim është se pesë herë ditën në të gjithë Shqipërinë, nga megafonët e vendosur në minaret e xhamive shpërndahen thirrje në arabisht, çka i jep Shqipërisë imazhin e një vendi arab në Europë. Në rast se kjo gjë nuk do të ishte e rrezikshme, atëherë përse do të ndalohej në vendet europiane dhe në SHBA, ku lejohet kryerja e riteve islame, por jo thirrja e ezanit arabisht me megafonë në xhamitë, çka konsiderohet rit fundamentalist? Vetë përdorimi i një riti fundamentalist, siç është thirrja e ezanit me megafonë është veprim i dhunshëm kundër rendit kushtetues pasi nxit ushtruesit e fesë islame që të ndërmarrin veprime të dhunshme, terrorizon pjestarët e feve të tjera.
Vendimi i Prokurorisë është dëshmi se në Shqipëri nuk ekziston shteti laik dhe se fryma fundamentaliste islamike praktikisht ekziston edhe tek institucione të tilla kaq të rëndësishme për mbrojtjen e rendit kushtetues.