Mendime
Nikollë Lesi: Burri i Shtetit dhe Kryetari i Shtetit
E merkure, 04.08.2010, 09:17 PM
Burri i Shtetit dhe Kryetari i Shtetit
Nga Nikollë Lesi
Debatet e këtyre javëve të fundit mes një pjese të PD-së dhe Kryetarit...
të Shtetit, zotit Topi, më janë dukur si një mënyrë për të kaluar pushimet e verës, pasi Parlamenti hapet në shtator, opozita ka shkuar të nxijë lëkurën për ta bërë gati për vjeshtën pa shumë gjethe të këtij viti, media nuk ka se çfarë të hajë ushqim të përditshëm gjatë muajit gusht. Pra, diçka duhej sajuar. Plus kësaj, meqenëse Presidenti nuk hodhi në tryezën e Parlamentit asnjë emër për kryetar të Gjykatës Kushtetuese, atëherë grupi anti-Topi në PD mendoi se mund të miklonte sedrën e Kryeministrit dhe liderit të maxhorancës, duke synuar me një gur të vriste dy zogj; edhe të fitonte pikë te Berisha, por njëkohësisht duke dëmtuar rikthimin e mundshëm në vitin 2012 të Bamir Topit në PD dhe kështu nuk u zinte njeri vendin në hierarkinë drejtuese të selisë blu. Fillimisht u krijua ideja se Berisha donte të vërtiste vetë predhat e topit mbi Topin, por nga pak e përditë u darovit hamendësimi. Kjo lojë kundër Kryetarit të Shtetit nuk mendoj se ka prapavijën e burrit të shtetit, zotit Berisha. Kam fakte dhe natyrisht eksperienca e këtyre 20 viteve më bën ta pohoj publikisht këtë gjë. Nëse ndonjëri mendon apo nënqesh nëpër dhëmbë se "Lesi flet kështu se është zv/ministër dhe e shkarkon Berisha" atëherë po bëjmë një pakt fjale që në fillim; nuk kam frikë nga asnjëri përderisa jam korrekt me ligjin dhe që nesër e dorëzoj me qejf karrigen e zv/ministrit, nëse shumica mendon se kokën e kam të varur në karrigen e Qeverisë! Por le ta lëmë këtë hamendje të disave, pasi ata DISA përherë kanë sajuar dreqnira dhe mikluar çdo lloj pushteti për të bërë pazare për vete. Unë jam lloj tjetër dhe ndaj do të vazhdoj të shkruaj, ashtu siç edhe e mendoj, por edhe si duhet për të ndaluar atë turrë drush zjarri që duan të vënë mes Kryetarit të Shtetit, zotit Topi dhe burrit të shtetit, zotit Berisha.
Zoti Berisha, duam apo nuk duam ka mbetur i vetmi Burrë Shteti në këto 20 vjet në të gjithë spektrin politik shqiptar. E kishte shansin edhe Fatos Nano të kthehej në Burrë Shteti, por e humbi për fajin e vet. Burrë Shteti nuk bëhet dokushdo. Ka plot politikanë, ish-kryeministra, ish-presidentë apo edhe Presidenti aktual. Asnjëri prej tyre nuk mund të quhet Burrë Shteti. Si rregull historik burrat e shtetit lindin njëherë në 50 apo 100 vjet. E bëra këtë sqarim të nevojshëm për të bërë dallimin tek lexuesi i thjeshtë mes fjalës Burrë Shteti dhe emërtimit zyrtar Kryetar Shteti. Të parën ta jep populli, pra historia, në sajë të punës e kontributit për kombin dhe të dytën ta japin, natyrisht në sajë të vlerave pozitive e të veçanta që ke si politikan apo si njeri. Në Europë, burra shteti kanë qenë Çërçilli në Britani apo De Goli në Francë.
Tani të rikthehemi tek tema e shkrimit që nisa dhe dalëngadalë po e sqaroj se shumë pak veta që kam takuar këto ditë nëpër Shqipëri besojnë se zoti Berisha kërkon kokën e Topit, apo se Kryeministri fiton ndonjë gjë nga këto skenarë verorë. Shumica mendojnë, djathtas apo majtas apo edhe te paparti se këto sulme kanë një prapavijë në të vërtetë, por janë pjesë të grupeve në PD, të cilët shikojnë nga vrima e gardhit se si mund të marrin kreun e selisë blu, nëse Berisha ikën, dikur, apo nëse Zoti nxiton në punët e tij. Dhe po skutave të PD-së, dikush nxiton të fusë mashën e zjarrit mes të dyve, në mënyrë që ata të dy të mbushin topat kundër njëri-tjetrit dhe minjtë e oborrit të skutave të PD-së nesër të bëhen mace në vathën e selisë blu. Nuk ka përse Berisha të kërkojë konflikt me Presidentin, ndërkohë që vetë personalisht e vuri President Topin dhe së dyti, duhet pranuar që Berisha nuk është ai i pari që kemi njohur dikur. Kush e njeh nga afër dhe nuk e shikon vetëm në televizor mund të pohojë se është kthyer në një Burrë Shteti. A kanë gabime edhe burrat e Shtetit mund të pyesni? Patjetër që po dhe nuk mund të jetë ndryshe, pasi atëherë flasim për mbinjeri dhe jemi jashtë realitetit ose flasim për fantashkencë. Ndaj puna e shkeljes së Kushtetues nga Presidenti këto ditë për gjoja mungesën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese më duket si një lojë e sajuar keq, pikërisht se nuk është Berisha në prapaskenë. Se po të ishte Kryeministri, siç thonë disa, tani vera ishte bërë dimër në politikë! Janë ata, minjtë në PD, që gërmojnë për të dalë skutave me shpresën e ndonjë qosheje në pranverën pas Saliut! Problemi në PD nuk është për sot, por për mot, pra për trashëgimtarin e PD-së. Dhe ata që e synojnë kreun me marifet kanë thurur këtë lojë e lojëra të tjera priten, në mënyrë nesër të jenë në lojë sa më pak kandidatë potencialë. Dhe njeri prej tyre, nga më të rëndësishmit, mbetet Bamir Topi. Ndaj duhet anatemuar, goditur dhe ta mbajnë sa më larg shtëpisë së tij politike që quhet PD, pavarësisht se sot është në detyrën e nderuar të Kryetarit të Shtetit. Nëse do të ishte për mua, edhe pse nuk jam në PD, e kam pohuar publikisht dhe e ripërsëris se i vetmi person që mund ta mbajë të bashkuar PD edhe pasi Zoti të këtë mbërritur papritur në selinë blu është Argita Berisha (Malltezi). Nuk kam përse t'i them edhe njëherë argumentet, pasi i kam treguar hapur e jo skutave, bile pse e pohova këtë fakt më sulmuan skalionet e PD-së në Veri, duke më bërë që të skualifikohem këtë herë për në Parlament, por do të rikthehem prapë atje në Tempull!
Nuk është Berisha pas kësaj loje edhe për një fakt tjetër; mendoj se në aritmetikën e Doktorit, zoti Topi mbetet një As nën dorë për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013. Në çdo rrethanë, pas tetë viteve në maxhorancë, pushteti humbet kuota edhe kur ke punuar me shpirt e drejtësi, pasi janë shumë faktorë që ndikojnë në vitet e administrimit të ekzekutivit. Kështu që thirren në skenë apo afër të zotit të selisë blu edhe emra që kanë popullaritet e karizëm, në mënyrë të rifitohet mandati i tretë. Dhe për këtë fakt Berisha nuk mendoj se ka interes të godasë Kryetarin e Shtetit, pasi një Burrë Shteti është më lart se edhe Kryetari i Shtetit. Ndaj ata që e sajuan këtë "SHERR" janë ata që nuk e ndjejnë veten të fortë ndër radhët e maxhorancës, apo që duke futur në luftë Kryeministrin me Presidentin të ngrohin duart në ëndrrat e tyre për të marrë ndonjë copë tortë më tepër nga ç'janë mësuar të përlajnë tash gjashtë vite.
Unë personalisht mendoj se zoti Kryeministër ka më tepër nevojë të shikojë mundësinë e ndryshimit të imazhit të Qeverisë tashmë që po futemi në fushën e lojës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit tjetër. E them pa merak e ndrojtje se disa ministra nuk janë askurrkund me hapin e Kryeministrit, i cili edhe për nga natyra nuk pranon që segmente të qeverisjes të fusin ndryshk në mekanizimin e tij të progresit.
Meqenëse nuk mund të rrija pa folur për këtë sajesë verore ndaj Kryetarit të Shtetit po e them edhe një fjalë tjetër në raport me qeverisjen; ashtu sikurse një makinë që punon pa ndalesë ka nevojë të ndërrojë filtrat, ferrotat, vajin, etj., edhe Qeveria ka nevojë për pak ndërrim "filtrash"!