Mendime
Agim Vuniqi: Nuk ka ndarje të Kosovës
E enjte, 05.08.2010, 09:04 PM
Nuk ka ndarje të Kosovës
Nga Agim Vuniqi
Serbia pas debaklit në GJND ka dërguar një projekt-rezolutë për të 192-vendet në Asamblenë e Përgjithshme që kundërshton pavarësinë e Kosovës; po përpiqet të mbajë sfidën e saj mbi Kosovën, duke bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizmat ndërkombëtarë dhe, duke ndaluar mallrat dhe njerëzit me dokumente të Kosovës të hyjnë në territorin e saj, edhepse në një pjesë të territorit jeton një shumicë dominante shqiptare, e shkëputur institucionalisht nga Kosova. Kështu nëse Serbia vazhdon në këtë mënyrë mund të rrezikojë progresin drejt objektivit të bashkimit me Bashkimin Evropian.
Nuk duhet harruar asnjëherë se Serbia me politikën e saj hegjemoniste shkatrrojë ish federatën Jugosllave dhe mban përgjegjësin e drejtpërdrejt për të gjitha luftërat e përgjakshme në Ballkan, e cila humbi kontrollin ushtarak mbi Kosovën në vitin 1999 kur atë e bombardoi NATO për të ndalur vrasjen e shqiptarëve në një luftë dy-vjeçare.
Kosova u vendos nën administrimin e OKB-së dhe NATO-s, pas një lufte ajrore të udhëhequr nga NATO, ndali goditjet e ish-udhëheqësit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili kishte shtrirë aktivitetin ushtarak jo vetëm kundër UCK-së, qëllim politik i së cilës ishte shkëputja nga Serbia, por edhe kishte planifikuar shkatrrimin fizik itë popullatës shqiptare, në vitin 1999 qe aprovuar edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe administrata e përkohshme e OKB-së deri te zgjidhja e statusit të saj përfundimtar.
Pas nëntë vjet të protektoratit ndërkombëtar, Kosova shqiptare, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, shpalli pavarësinë në shkurt 2008.
Kosova e cila ka mbështetjen e shteteve më të fuqishme në botë ka arritur në numrin 69 të njohjeve, tash për tash numër i pamjaftueshëm për t'u anëtarësuar në OKB, po sfidohet nga diplomacia Serbe me një draft të ri për të penguar njohjet e reja. Si duket përpjekjet e saj kanë shqetësuar diplomatët perëndimor. Sipas "Reuters", 3 gusht; Britania ka paralajmëruar Serbinë se çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e Kosovës do të nxisë një ballafaqim me ato vende që kanë njohur Prishtinën, vërejtje që shkaktoi një qortim të fortë nga Rusia. SHBA shprehu mbështetjen e plotë për Kosovën, gjithashtu. Zëvendës Ambasadori i SHBA Rosmari DiKarlo tha se: "pavarësia e saj është e pakthyeshme, kufijtë e saj janë të pacenueshëm."
Kjo ishte një goditje e madhe në përpjekjet e Serbisë për t'a mbajur peng territorin e Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e tha të veten muajin e kaluar në një vendim të detyrueshëm se shpallja 2008 e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk e shkel ligjin ndërkombëtar.
Në artikullin "Kosova do mbështetje për pavarësinë nga Këshilli i Sigurimit " të autorit Louis Charbonneau të botuar në "Reuters", më 3 gusht citohet përfaqësuesi britanik në OKB, Ambasadori Filip Parham të ketë thënë se "Procesi ligjor përpara GJND-së (ICJ) ka përfunduar dhe kjo duhet të thotë fund për të debatuar rreth statusit të Kosovës," në një debat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Ai kërkoi dialog politik midis Serbisë dhe Kosovës, dhe pastaj lëshoi një paralajmërim të ashpër Beogradit.
"Nuk mund të ketë kthim në negociatat mbi statusin e Kosovës ose kufijtë e saj ekzistues," tha Parham. "Çdo përpjekje për të shkuar poshtë kësaj rruge do të bllokoj Serbinë në ballafaqim me ata që e kanë njohur Kosovën."
"Çdo përpjekje për të inkurajuar ndarjen e Kosovës, apo bisedimet për statusin, do të ishte kundër interesave afatgjata të qytetarëve të të dy vendeve Kosovës dhe Serbisë," tha ai. "Mbretëria e Bashkuar do të rezistojë me forcë çdo përpjekje të tillë."