Mendime
Fadil Lushi: Pse shqiptarët nuk u ftuan në ''Këna Gjexhe''
E diele, 08.08.2010, 07:58 PM
PËRSE SHQIPTARËT NUK U FTUAN NË “KËNA GJEXHE”
Nga Fadil LUSHI
Kohë më parë shumë historianë, intelektualë, opinionbërës dhe analistë kujdestarë të përditshmërisë sonë të bezdisshme dhe të njëtrajtshme, tok me shkruesin e këtij artikulli gazetaresk, ashtu qorrazi dhe vërdallë iu vardisën pas një haberi. Ishte një haber që llafoste festën e bashkëvendësve tanë. Bëhej fjalë për Ditën e Kryengritjes së Ilindenit dhe të formimit të Republikës së Krushevës. Të thuash se ishte një haber që “meriton” të vihet në kandar të historisë, është njësoj sikur ta martosh edhe një herë haxhibabën e mëhallës sonë, i cili para disa dekadash ishte ndarë me “haxhicën” që e kishte “niqah”. Derisa maqedonasit thonë se Kryengritja e Ilindenit për ta paraqet një datë historike, “gojëkëqijtë” shqiptarë këtë festë kombëtare të maqedonasve e konceptojnë ose e vënë në një rrafsh me të ashtuquajturën “këna gjexhe”. Ky “shtrembërim” bëhet për faktin se pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë manifestim me karakter shtetëror, kinse ishte anashkaluar me qëllim të caktuar, ndonëse për këtë “zëdhënësi i qeverisë, Martin Martinovski, kohë më parë kishte deklaruar se ishin ftuar edhe përfaqësues të bashkësive etnike”!?
Shqiptarët e “inatosur” duhet njëherë e përgjithmonë të “ndërgjegjësohen” për të vërtetën se dasmori gjithmonë zotëron të drejtën e tij ekskluzive dhe imediate - të “grishë” kë do në dasmë, qoftë ajo dasmë synetie (rrethprerje) a si në këtë rast “këna gjexhe”? Për këtë dhe arsye të tjera, shqiptarët nuk kanë të drejtë të katandisen, aq më shumë kur dihet se në “këna gjexhe” nuk ftohen meshkujt, por ftohen femrat. U katandisën edhe historianët shqiptarë, të cilët ditë më parë ndërtuan një sërë opinionesh kundër “dasmorit” nga kryeqendra e shtetit. Në kallëzimet e tyre historike vërehej një laramani “faktesh” për Republikën e Krushevës si dhe për (mos) pjesëmarrjen e shqiptarëve në të. Disa do të thonë madje se ajo kryengritje kinse nuk ka kurrgjë të përbashkët me shqiptarët e Maqedonisë, ca të tjerë do të thonë se në atë rebelim maqedonas kanë pasur hise edhe shqiptarët, sidomos në kuadër të “organeve të përkohshme të Republikës së Krushevës si dhe në Këshillin e përgjithshëm të saj”, disa do të thonë se Kryengritja e Krushevës, na qenka një sajim i radhës nga ana njerëzve me mendje me havale dhe megalomane. Kurse neve, që jemi qytetarë të rëndomtë dhe jo historianë, duke u ballafaquar me këtë pështjellim respektivisht me mungesën e lidhjeve a bashkërenditjeve midis pikëpamjeve dhe qëndrimeve ose edhe kontradiktave të historianëve shqiptarë, nuk na mbetet kurrgjë tjetër përpos të rrimë në një udhëkryq, për faktin se nuk dimë tani kujt t’i besojmë dhe cilat “prova” duhet t’i mbështesim!
Se a u ftuan shqiptarët të marrin pjesë në atë manifestim unë nuk e di. Se a kishin shkuar në Krushevë, unë nuk kam prova. Tani parashtrohet pyetja se edhe sikur të ishin ftuar shqiptarët, sa do të ishte e ndershme që ata të shkonin në Republikën e Krushevës, kur degdisjet tona ka kohë që na mungojnë. Pse të shkonim atje kur ne nuk shkuam dhe nuk shkojmë atje ku na takon e ku na ka hije. A mos vallë ne shqiptarët shkuam gjëkundi tok në manifestimet tona në nivel kombëtar po le të jenë edhe me karakter vendor, për të mos thënë edhe provincial. A mos vallë toptan shkuam atje në Manastir të Kongresit? Dhe nëse nuk shkuam tok në Manastir, atëherë pse duhet të inatosemi për mungesën e një ftese. A mos shkuam bashkë në përurimin e bustit të Skënderbeut në Shkup, që sa herë do të na mungojnë dëshmitë për një unitet nacional do të thirremi në emër dhe mbiemër të tij, a mos shkuam atje ku u bë përurimi i Institutit për trashëgimi kulturore, ose “ a keni parë a keni dëgjuar që një pedagog universitar të udhëtojë bashkë me studentët e tij në Manastir, atje ku lindi alfabeti shqip, ose për të parë zbulimet arkeologjike ilire në qytetin e Ohrit”, e të tjera e tjera vizita të parealizuara. Kjo mosftesë krijon përshtypjen se maqedonasit (nuk) na e “heqin të drejtën e të qenit i barabartë” si në aspektin politik, social, ekonomik, historik, ashtu edhe në atë kulturor!?
Unë nuk di se pse nga kjo “këna gjexhe” duhet të krijojmë një histori të paqenë, pse na duhet që prej saj të krijojmë ortakëri, pse na duhet të ndërtojmë dhe të faktorizojmë një të paqenë historike, pse mëtojmë të ndërtojmë avantazhe krahasuese, pse me çdo kusht duhet të ndërtojmë marrëdhënie dhe komunikime të reja (historike) me të kaluarën maqedonase!?
Mbase një komunikim të ri duhet ta ndërtojmë në avllinë tonë, respektivisht ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë politike me ata londineze, nga fakti se komunikimi ekzistues ka kohë që është i denigruar, i shëmtuar dhe në instancë të fundit tejet i anashkaluar, qoftë në aspekt politik, ekonomik, kulturor, fetar etj. Ky komunikim yni ndërshqiptar lëre që në vijimësi abuzohet, por edhe njëkohësisht dominohet dhe kontrollohet nga politikanë “ruralë dhe urbanë” të Tiranës. Kjo mbikëqyrje dhe ky kontroll i komunikimit, te shqiptarët këtej gardhit dita-ditës krijon shqetësime ndaj pranisë së kompleksit të inferioritetit politik, kulturor, gjuhësor, fetar e tjerë.
Komunikimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë, Kosovës, Luginës së Preshevës dhe atyre të Malit të Zi, qoftë i brendshëm apo edhe i jashtëm, në vijimësi do kontrollohet nga politika dominuese e Tiranës. Sa herë që shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë kufijve të Shqipërisë politike do të bëjnë përpjekje për të ndërtuar një politikë kryemëvete, aq herë do të qortohen nga Tirana. Sa herë që shqiptarët e Shkupit dhe të Prishtinës do të kërkojnë diçka që nuk është në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, aq herë do t’u mbyllet goja. Thjesht, do t’u ndalohet çdo reagim, zhurmë dhe diskutim i pakontrolluar politik. Nëse politikanët dhe partitë politike që veprojnë jashtë Shqipërisë politike, nuk do t’i binden timonit të diplomacisë së Tiranës, aq herë do të qortohen dhe ndëshkohen! Fundja, ky komunikim i njëanshëm, i kontrolluar dhe i mbikëqyrur, lë të konkludosh se duhet të jetë një mit, një gojëdhënë dhe trillim!
Edhe në kuadër të komunikimit kulturor do të vihen re gjymtime serioze. Edhe ky komunikim do të jetë i kontrolluar nga “kulturologët” e Tiranës. E gjithë kjo bëhet nga “fakti” se ata me a pa qëllim, gjatë kohë kishin krijuar përfytyrime jo konkrete dhe të turbullta ndaj hises së shqiptarëve “maqedoncë dhe kosovarë”brenda këtij komunikimi. Me një fjalë, kishin harruar se hiseja e shqiptarëve të Shkupit dhe Prishtinës, banon brenda këtij komunikimi kulturor. Ky komunikim i njëanshëm lëre që nuk e nderon “imazhin moral” të shqiptarëve këtej kufirit, por edhe pjell histori të ngatërruar, madje pjell edhe asi opinione që krijojnë antipati dhe të përziera në higjienën e mendjes së shqiptarëve, të cilët pa vullnetin e tyre duhet t’i nënshtrohen filozofisë bolshevike të “komunikimbërjes klandestine” në relacionin shqiptar-shqiptar?
Komunikimin gjuhësor le ta ndërtojnë gjuhëtarët, qofshin ata toskë a gegë, qofshin gjuhëtarë të Shkupit a të Prishtinës, të Preshevës, Tuzit a Ulqinit, po le ta ndërtojnë edhe gjuhëtarët e mirëfilltë të Tiranës, por ama le të jetë një komunikim pa hile. Tirana e ka për hak, të na dërgojë ftesë, por ama jo ftesë “këna gjexhe”? Tekefundit, Shkupi, Prishtina, Presheva dhe Ulqini, me sa kam parë e dëgjuar, ka do politikanë, do gjuhëtarë e do njerëz që e kanë teserën të diskutojnë çështje të politikës, gjuhës dhe kulturës.