Mendime
Kastriot Myftaraj: Një “Kardinal Richelieu” me çallmë për shqiptarët: përgjigje frankofonit islamik nga Tetovë/Kumanova, Ardian Ramadani (1)
E merkure, 11.08.2010, 09:59 PM
Një “Kardinal Richelieu” me çallmë për shqiptarët: përgjigje frankofonit islamik nga Tetovë/Kumanova, Ardian Ramadani (1)
Nga Kastriot MYFTARAJ
Polemika që bën me mua sa i përket tezave të mia për fenë islame ndër shqiptarët, Ardian Ramadani, profesor i frëngjishtes në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, dhe njeri i elitës frankofone ndër shqiptarët e Maqedonisë, është interesante se ilustron ato qendra të huaja që përzihen në punët e shqiptarëve, në dy anët e kufirit. Në 25 qershor 2010, Ardian Ramadani ka botuar në gazetën “Lajm” që del në Maqedoni shkrimin “Shqiptarët nuk e kanë ende të zgjidhur problemin kombëtar-por ti mos vetëkrijo problem fetar”, në të cilin më drejtohet mua kështu:
“Kohëve të fundit kemi shumë paraqitje të analistëve dhe pseudoanalistëve, të publicistëve dhe të pseudopublicistëve të ndryshëm, që mëtojnë mes rreshtash të thuan se shqiptarët si komb, nuk kanë problem, po atyre u pengon ajo që i takojnë shumica e atij kombi, përkatësisë fetare Islame. Kësisoj na paraqiten individë sikurse Kastriot Myftaraj, të cilin me të drejtë Abdi Baleta e quan, Kastriot M..., i cili me thirrjet dhe kushtrimin që bën, kërkon që shqiptarët me çdo kusht t`i shpallin luftë Islamit si fe, apo religjion dhe të djegin minaret. E si mos të reagosh ndaj këtyre thirrjeve, për një Shën Bartolome mes shqiptarëve. Si mos ti quash këta njerëz të pavyeshëm për kombin shqiptar. Ata në vend se të ofrojnë alternativa se si të zgjidhet çështja kombëtare shqiptare në Ballkan, duke mos cenuar aspak diversitetin fetar mes shqiptarëve, ftojnë në konflikte të panevojshme ndërvëllazërore, duke pasur për bazë çdoherë pretekstin fetar, si dhe atë, që nëse shqiptarët e flakin tutje Islamin, atëherë atyre do t`u zgjidhet atyre problemi kombëtar sa çil e mshil sytë”.
Përgjigjen Ardian Ramadanit do t’ ia jap duke iu referuar koncepteve të temës së tij të masterit, të cilën më pas e ka botuar si libër. Këtë po ia bëj të ditur lexuesit sipas jetëshkrimit të Ardian Ramadanit në facebook: «Në mars të 2007 kam regjistruar studimet postdiplomike në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, drejtimi i studimeve të diplomacisë, ku më 2 korrik 2009 kam magjistruar me temën ‘Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`Etat’, me ç`rast kam marrur titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike… Kam botuar deri më tani një libër që titullohet: ‘Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`Etat dhe shteti-komb’–Tetovë, 2009».
Henry Kissinger, në librin e vet shumë të njohur “Diplomacy” shkruan: “Richelieu (Rishelje) erdhi në pushtet në 1624, kur imperatori i Imperisë së Shenjtë Romane (Austrisë-K.M.), Ferdinand II po orvatej të rigjallëronte universalizmin katolik duke shtypur Protestantizmin dhe vendoste nën kontrollin imperial princat e Europës Qendrore. Ky proces, Kundër-Reforma, çoi në atë që u quajt më pas Lufta Tridhjetëvjeçare, e cila shpërtheu në Europën Qendrore në 1618 e rezultoi të jetë një nga luftrat më brutale dhe shkatërrimtare në historinë e njerëzimit. Në vitin 1618 territori gjermanishtfolës i Europës Qendrore, pjesa më e madhe e të cilit qe pjesë e Imperisë së Shenjtë Romane, u nda në dy kampe të armatosura, Protestantët dhe Katolikët…Në momentin më delikat të këtij konflikti, Kardinali Richelieu, instaloi parimin e raison d’ etat në politikën e jashtme franceze, një parim ky që shtetet e tjera europiane do ta përvetësonin në shekullin pasardhës. Si princ i Kishës, Richelieu duhet ta kishte mirëpritur përpjekjen e Ferdinandit për ta restauruar Katolicizmin. Por Richeliu vinte interesin nacional francez mbi çdo synim religjioz. Vokacioni i tij si kardinal nuk e ndaloi atë që ta shihte përpjekjen e Habsburgut për të restauruar fenë katolike si një kërcënim gjeopolitik për sigurinë e Francës… duke ndjekur atë çka sot quhet interesi nacional dhe që atëherë u quajt për herë të parë raison d’ etat, Richelieu ishte i përgatitur të bënte aleancë me princat protestantë dhe të përdorte çarjen brenda Kishës Universale”. (Henry Kissinger: “Diplomacy”, Neë York 1994, “Simon and Schuster”, f. 59-60)
Nga pikëpamja e doktrinës së Kardinalit Richelieu, të raison d’ etat, do të thotë të kqyrjes së fesë si variabël e interesit nacional, a nuk kam të drejtë që t’ i them më tepër se kujtdo autorit të shkrimit “Shqiptarët nuk e kanë ende të zgjidhur problemin kombëtar-por ti mos vetëkrijo problem fetar”, i cili njëkohësisht është dhe autor i librit “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`Etat dhe shteti-komb”, se ne shqiptarët duhet të bëjmë të njëjtën gjë, në emër të asaj që mund të quhet raison d’ nation. Këtë gjë unë e kam thënë së pari në një shkrim të botuar në gazetën “Bota Sot” në vitin 2000, e cila në atë kohë ishte gazeta më e madhe në Kosovë. Nëse edhe për Ardian Ramadanin, imperativ është zgjidhja e problemit kombëtar, siç thotë ai që në titullin e shkrimit, atëherë feja duhet t’ i nënshtrohet këtij imperative. Pra, duhet të jenë vetë krerët e bashkësive islame në Shqipëri, Kosovë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë, të cilët duhet të mendojnë dhe veprojnë si kardinali Richelieu.
Unë nuk kam bërë thirrje për një “Natë të Shën Bartolemeu”-t midis shqiptarëve, sikur ma atribuon Ardian Ramadani. Ajo çka kam thënë unë, e shkruar e zeza mbi të bardhë është se muslimanët praktikantë, dhe këta janë një minorancë në krejt kombin shqiptar, i kanë dhënë vetes profil arab dhe ata jo vetëm që janë vetëpërjashtuar nga nacioni (kombi) shqiptar, por e ekspozojnë atë para një rreziku ekzistencial, derisa ata duke keqpërdorur statusin e tyre legal, i kanë dhënë profil arab krejt trojeve shqiptare në dy anët e kufirit, me xhamitë e shumta të ndërtuara në shpërpjestim me numrin e besimtarëve dhe me ezanin që thirret në arabisht nga megafonët e vendosur në minaret. Unë e kam bërë të qartë se zgjidhjen e problemit religjioz, që paraqet Islami për shqiptarët e shikoj si parakushtin e zgjidhjes së problemit nacional, zgjidhja e të cilit për mua është krijimi i shtetit të bashkuar nacional shqiptar, i cili të përfshijë të gjitha trojet shqiptare. Disa kohë pas Natës së Shën Bartolemeut, mbreti i Francës, tha fjalët e famshme: “Parisi ia vlen një meshë!” Unë që në vitin 2000 kam shkruar: “Nëse Parisi ia vlente një meshë, shteti i bashkuar nacional shqiptar, ia vlen jo më pak”.
Ardian Ramadani, kur flet për problemin nacional që ka mbetur i pazgjidhur, bën një listë të gjatë të problemeve që kanë shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, problemin e Çamërisë dhe të çamëve të dëbuar, dhe më sugjeron të merrem me to dhe jo me Islamin. Por unë jam marrë me këto probleme për një kohë të gjatë dhe intensivisht dhe kam arritur në përfundimin se Islami është në origjinë të të gjitha të këqijave që përmend Ardian Ramadani. Se maqedonët nuk do të guxonin të silleshin ashtu sot me shqiptarët e Maqedonisë, sikur këta të mos qenë muslimanë. Se ndërkombëtarët nuk do t’ i kishin ndryrë shqiptarët e Kosovës në atë labirint ku i kanë ndryrë sot sikur këta të mos qenë muslimanë. Është e vërtetë, sikur thotë Ardian Ramadani, se: “I (ç)nderuar, po të ishte pengesë Islami për shqiptarët, Shqipëria (me rreth 75 % mysliman) nuk do të pavarësohej më 1912 (nuk do të pranohej nga Amerika), si dhe Kosova nuk do të ndihmohej nga Amerika dhe NATO-ja (Mos harro, bile NATO-ja, intervenoi për të parën herë duke e shkelur parimin e mosintervenimit jashtë vendeve anëtare, në një vend ku shkelej çdo e drejtë dhe ku kishte gjenocid dhe etnocid, duke i ndihmuar popullatës e cila përbën rreth 95% myslimanë). I nderuar, në vend se të merreni me ‘fatkeqësitë e Islamit’ për kombin shqiptar, merruni me martesat e motrave tona shqiptare nga Shqipëria ‘jote’ dhe e imja, me serbët, me sllavomaqedonasit dhe me shkijet e Shumadisë”.
Unë po i them Të Nderuarit (më tutje do të vërtetoj me fjalët e tija se ai është I Çnderuar) se Shqipëria u coptua në 1912 pikërisht se kombi shqiptarë shihej si me shumësi muslimane. Është e vërtetë ajo që thotë Ramadani për intervenimin e NATO kundër Serbisë në 1999, por tash pas 11 vitesh nuk mund të mos pyesim se a do të kishin kapitalizuar shqiptarët e Kosovës dhe nacioni shqiptar në përgjithësi, më shumë më tepër prej aksionit të NATO, nëse shqiptarët e Kosovës nuk do të shiheshin sikur më së shumti i përkisnin religjionit islam, edhe pse kjo nuk është e vërtetë se ushtruesit e këtij religjioni nuk përbëjnë veçse një minorancë edhe në Kosovë? Sa për martesat e shqiptareve nga Shqipëria me serbët e maqedonët, unë mendoj se problemi është i ekzagjeruar se bëhet fjalë kryesisht për vajza rome dhe magjype, nga të cilat shkijetë mund të marrin sa të duan, madje unë për të dëshmuar mungesën e plotë të çdo ndjenje raciste, do t’ i paguaja me kënaqësi shpenzimet e dasmës ndonjërës që martohet në Kumanovë, ku jeton Ramadani, i cili duhet të jetë në dijeni të ndonjë rasti të tillë, derisa ka shumë marrëdhënie me maqedonët, si përkthyes gjykate që është.
Por unë meqenëse erdhi rasti do t’ i tërhiqja vëmendjen Ardian Ramadanit për atë që tha një vajzë shqiptare nga Maqedonia para disa muajsh në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në “Vizion Plus”. Kjo vajzë, këngëtarja A.T., kur u pyet nga Çani nëse do të pranonte të martohej me një shqiptar të krishterë, hezitoi gjatë, pastaj tha “Nuk di ç’ të them” dhe shtoi se për të një djalë musliman do të ishte perfekt për t’ u martuar. Merret vesh, zonjusha e ndjen veten më së pari muslimane pastaj shqiptare. A keni gjë ju për t’ i thënë kësaj vashe, zotëri Ramadani, kësaj vashe bionde, ekzemplar i përkryer i gjenit ilir, të cilën e ndan nga pjesa tjetër e bashkëkombasve të saj feja islame? E duket se juve ju shqetësojnë më tepër vashat rome dhe magjupe të Shqipërisë që martohen me sllavë, se kjo vashë shqiptare që flet si arabe! E pra, sikur të gjitha romet dhe magjupet e Shqipërisë të martohen me sllavë, për mua kjo nuk është asgjë para fjalëve të kësaj vashe shqiptare nga Shkupi.
Kur Ardian Ramadani më kritikon mua se krijoj një problem religjioz, në kohën kur ende nuk është zgjidhur problemi kombëtar shqiptar, ai nuk e saktëson se çka është për të zgjidhja e problemit kombëtar shqiptar. Por këtë gjë e ka bërë në një shkrim të mëparshëm, me titull “Nacionalizmi shqiptar, a është rruga e vetme e realizimit të aspiratave shqiptare”, i botuar në 9 qershor 2009, në gazetën “Lajm”, ku thotë: “Nacionalizmi shqiptar nuk duhet të eksponohet në drejtim të bërjes një shtet i vetëm, sepse një shtet i vetëm jemi, por formalisht i kemi kufijtë, por ky nacionalizëm duhet të bazohet në intensifikim të kontakteve ndërshqiptare dhe ndërkombëtare, ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe, mos sajimi i identiteteve apo gjuhëve rajonale, unifikimi kulturor, gjuhësor dhe politik”.
Këtu njeriu që e mban veten për shkencëtar në shkencat politike, bën një marrëzi të madhe duke zhvilluar këtë koncept të nacionalizmit shqiptar. Nacionalizmi është pikërisht koncepti sipas të cilit kufijtë shtetërorë duhet të përputhen me kufijtë e hapësirës nacionale të një nacioni (kombi). Edhe dallimi që bëhet mes të ashtuquajturve nacionalizëm etnik dhe nacionalizëm civik, gjegjësisht nacion kulturor dhe naciona civik është një nonsens. Franca e cila mbahet si krijuese e modelit të nacionalizmit civik, me Revolucionin e fundshekullit XVIII, në fakt nuk e kishte realisht problemin e përputhjes së kufijve shtetërorë me ata etnikë, pas nacioni francez ka pasur kufij natyrorë. Nga perëndimi Oqeanin Atlantik, nga jugperëndimi Malet e Pirenejve, nga juglindja Detin Mesdhe dhe Alpet Europiane, nga verilindja Lumin Rin. Prandaj De Gaulle (De Gol) mund të shprehej ashtu si e citon Ramadani në të njëjtin artikull: “Sharl de Gol kishte thënë me një rast se ‘Nacionalizmi do të thotë luftë, ndërsa patriotizmi nder’. Nëse nisemi nga ky gjykim do të shihet se ai bënte një ndarje mes këtyre dy koncepteve. Por De Gol kishte dëshmuar se ai ishte nacionalist i bazuar tek patriotizmi Risheljan dhe tek interesat kombëtare franceze”.
Patriotizmi është një shpikje ekskluzivisht franceze, e një nacioni me kufij natyrorë, prej ku edhe një shtet me kufij natyrorë. Njëherë kur ndodhi që një fuqi e huaj i kapërceu këto kufij natyrorë, duke aneksuar një pjesë të territorit të Francës, siç ndodhi me Gjermaninë në 1871, e cila aneksoi Alzasë-Lorenen, bota u bë dëshmitare e lindjes së një nacionalizmi të papërmbajtur francez, i cili gjakoi derisa nuk pati satisfaksion me Konferencën e Versaille pas Luftës së Parë Botërore, kur Gjermania e mundur i dorëzoi dy provincat e aneksuara franceze. Ardian Ramadani, i cili e mban veten për ekspert të Francës së kohës së Richelieu (Rishelje) bën një marrëzi të çuditshme kur në paragrafin e mësipërm flet për “patriotizmin risheljean”. Termi “patriotizëm” as që kishte dalë në kohën e Richelieu, ai i përket shekullit XVIII.
Nga sa thotë Ardian Ramadani më lart, kuptohet se ai nuk është për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Ardian Ramadani është kundër bashkimit nacional, por ai është pro Islamit!!! Për të Islami vlen më tepër se aspirata historike shqiptare. Derisa Ardian Ramadani nuk e pranon bashkimin nacional shqiptar, ngjan mjaft hipokrite ajo çka ai më thotë mua: “shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë me miliona probleme të pazgjidhura kombëtare, përballë pushtetit represiv serb, të cilat po të numërohen nuk do të dilnin faqet e një libri të tërë, ku veç për shembull në Cepotin, Serbia për shqiptarët ndërton bazën më të madhe ushtarake në Ballkan, e dihet kjo se përse. E kjo z. Kastriot M... nuk ju shqetëson fare ju, që të merreni me këtë problematikë, apo jo?”
Vijon...