E premte, 25.07.2025, 03:41 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Një “Kardinal Richelieu” me çallmë për shqiptarët... (2)

E enjte, 12.08.2010, 09:59 PM


Një “Kardinal Richelieu” me çallmë për shqiptarët: përgjigje frankofonit islamik nga Tetovë/Kumanova, Ardian Ramadani (2)                        

 

Nga Kastriot MYFATARAJ

 

Unë jam i shqetësuar për shqiptarët e Preshevës dhe në të gjithë shkrimet e mia me problematikë nacionale i kam përmendur ata. Unë kam shkruar e zeza mbi të bardhë se alternativa e vetme që të mbijetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës është që territori i tyre t’ i bashkëngjitet shtetit të bashkuar nacional shqiptar. Ata më së pari duhet ta kuptojnë rrezikun që përbën identiteti islam për ta. Ardian Ramadani thotë se Serbia po ndërton në Luginën e Preshevës bazën më të madhe ushtarake në Ballkan, shton se dihet se përse bëhet kjo gjë. Por nuk më duket se Ramadani e di, apo ndoshta bën sikur nuk e di. Serbia e ndërton këtë bazë ushtarake që nesër, kur të krijohen situatat e përshtatshme ndërkombëtare të invadojë ushtarakisht Kosovën me pretekstin e luftës kundër terrorizmit islamik, që e rrezikon Serbinë prej andej. Merret vesh, gjëja e parë që do të bëjë Serbia në këtë rast është se do të dëbojë shqiptarët e Luginës së Preshevës, me po këtë pretekst.

Ardian Ramadani, në polemikën me mua, thotë për shqiptarët e Maqedonisë: “Kjo pjesë e shqiptarëve ka probleme me moszgjidhjen e çështjes së flamurit, gjuhës... e shumë e shumë gjërave tjera, po assesi nuk i pengon prezenca e xhamive, teqesë, apo ndonjë tempulli tjetër fetar. Kësaj pjese të kombit i pengon, ajo që qeveritë maqedonase me paratë dhe tatimet e po këtyre shqiptarëve, e promovojnë Maqedoninë, si shtetin e Krishtit, shtetin më ortodoks në botë si dhe në shpëtimtar të krishterizimit nga shqiptarët mysliman”.

Por sllavo-maqedonët nuk e bëjnë kot këtë gjë, ata i njohin ndjeshmëritë latente të Perëndimit, idiosinkrasinë e tij islamofobike, dhe reagojnë në pajtim me të. Kjo duhet t’ i bëjë shqiptarët e Maqedonisë që të reflektojnë thellë, nëse nuk duan që të thyejnë kryet tek Guri i Zi i Mekës. Ardian Ramadani bëhet me të vërtetë zbavitës, kur thotë: “E ju z. Kastriot, që emrin e keni shumë të mirë, po që përpos emrit asgjë tjetër pozitive nuk mundet njeriu të ju gjej, në vend se të merreni me problematikat e lartpërmendura e të papërmendura, juve ju shqetëson Islami ndër shqiptarët dhe lëshoni kushtrimin për kthim në fenë e të parëve, duke e ditur se po të kthehemi në fenë e të parëve tanë Pellazgo- Ilirë, duhet të besojmë në religjionin druid apo pagan, gjë që mua personalisht nuk më pengon (lexo: që të parët tanë kanë qenë të tillë). Çfarë turpi!”

Çfarë turpi, them unë, që një intelektual shqiptar, kërkon të duket veçanërisht i zgjuar duke e quajtur kthimin në fenë e të parëve, kthim në paganizëm. Por a nuk e bart Islami paganizmin, çka është Guri i Zi në Mekë rreth të cilit tubohen në haxh besimtarët islamikë nga e gjithë bota? Po gjysmëhëna çka është? A nuk qe këto idhujtari pagane arabe, paraislamike? Ardian Ramadani e mbyll kështu polemikën e vet me mua: “Winston Çurçill në një rast pat cekur se nëse ndokush donë që një problem të mos e zgjedh asnjëherë, ai atij problemi le t`i vesh çështjen fetare, e ai problem kurrë nuk do të zgjidhet. E unë e dijë, po edhe shumica e shqiptarëve e dinë, që ti dhe soji i yt, nuk lëshoni kushtrim të tillë për zgjidhje të çështjes kombëtare shqiptare, sepse jeni larg patriotizmit, nuk e keni dëshmuar dhe nuk po dëshmoni që e doni kombin tuaj (lexo: po e dëmtoni), po ju këtë komb doni ta përçani (lexo: duke i servuar Shën Bartolomeun), ngase jeni pjellë e agjenturave greko-sllave”.

Osmanët ushtruan presion për fekthim mbi shqiptarët pikërisht se donin të siguroheshin që shqiptarët të kishin një pengesë për t’ u shkëputur nga imperia. Pra, osmanët i shtuan një dimension religjioz problemit të çlirimit të shqiptarëve nga pushtimi aziatik, dhe ky problem mbetet edhe sot në rrethana të tjera. Pra këtë ndërlikim religjioz nuk ia kam shtuar unë problematikës nacionale. Unë vërtet që jam larg patriotizmit, se unë jam nacionalist. Dallimi është se derisa patriotizmi ia fal përkushtimin shtetit, çka do të thotë se Ramadani është patriot maqedon, unë ia fal përkushtimin nacionit (kombit) dhe shteti i tashëm shqiptar për mua është thjesht instrumenti bazik për bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm nacional. Unë dua të nxit vetëm një përçarje, atë mes shqiptarëve dhe arabo-shqiptarëve. Unë nuk mund të jem pjellë e agjenturave greko-sllave se Greqia dhe Serbia, përfshi dhe sllavo-maqedonët duan që shqiptarët të kenë profil arabo-islamik, ashtu që në situata të përshtatshme ndërkombëtare të përmbushin aspiratën e kahershme për të kryer zgjidhjen finale ndaj shqiptarëve, asgjësimin e tyre dhe aneksimin e trojeve shqiptare.

Por Ardian Ramadani ka hapur një temë interesante, atë të pjellave të agjentura të huaja dhe unë tash do t’ i vërtetoj lexuesit se çfarë pjelle agjenturore është ai. Me këtë rast po shuaj kureshtjen edhe të disa studentëve të tij në UEJL, të cilët më kanë kërkuar që të shkruaj për karrierën e çuditshme të këtij njeriu dhe të shpjegoj enigmën e saj. Ky njeri ma dha vetë rastin. Kur njeriu kqyr karrierën e çuditshme të Ardian Ramadanit i bën përshtypje fakti se në 2009 ai ka magjistruar në UEJL me temën  “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`Etat”, me të cilën është titulluar magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike, me ç’ rast ka botuar librin “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`Etat dhe shteti-komb”.

Njeriu i arsyeshëm nuk mund të mos pyesë se përse Ardian Ramadani zgjodhi një temë të tillë kaq shumë të trajtuar në universitetet franceze, madje edhe në universitetet më të mëdha botërore, ku ai nuk mund të sillte kurrgjë të re. Në rast se Ramadani donte që patjetër të zgjidhte një temë që kishte të bënte me Francën, ai mund të kishte zgjedhur një temë për marrëdhëniet franko-shqiptare, çka është një fushë studimore ende shumë pak e eksploruar, se marrëdhëniet franko-shqiptare fillojnë së paku që në shekullin XIII. Është qesharake që një shqiptar, aq më tepër i cili nuk ka studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare, por për gjuhë frënge, magjistron me një temë të tillë! Për të ironizuar njerëz dhe bëma të tilla e ka shkruar Faik Konica satirën e famshme “Një ambasadë e zulluve në Paris”. Kjo që ka bërë zotëri Ramadani është një teatralitet akademik, i llojit të farsave franceze të shekullit XVIII. Por Ardian Ramadanit nuk i vjen turp se ai se ai e shikon angazhimin e vet akademik si një tjetër rol që ia kanë dhënë ta luajë. Se z. Ramadani ka hyrë në botën akademike, atë mediale, dhe eventualisht edhe në politikë, nga skena e teatrit. Ai shkruan për veten: «Nga Shtatori 2000 e deri në qershor 2002 kam qenë aktor në trupën teatrale frankofone ‘Vaiaje’ (shq. VAJAZH) e udhëhequr dhe e survejuar nga lektor francez dhe e mbështetur nga Ambasada e Francës».

Franca dhe vende të tjera i përdorin këto lloj veprimtarish, jo thjesht për të promovuar kulturën franceze por edhe si forefront të shërbimeve inteligjente, për të zbuluar njerëz të cilët gjykohen të përshtatshëm për t’ u përdorur si pionë të politikës franceze. Ardian Ramadani pati një karrierë impresionuese si aktor teatri, të cilën e përshkruan kështu: “Kam një eksperiencë të bujshme në fusha të ndryshme. Kësisoj në Prill 2001 kam qenë pjesmarrës në garën teatrale frankofone në Shkup dhe jam shpërblyer fitues i çmimit të parë. Në muajin Maj 2001 kam qenë pjesmarrës në festivalin e teatrit ballkanik frankofon në Burgas, Bullgari dhe jam shpallur fitues i çmimit të parë. Ndërsa në Mars 2002 kam qenë pjesmarrës në festivalin e teatrit ndërkombëtar frankofon në Rennes, Francë dhe jam shpallur fitues i çmimit të dytë».

Pas kësaj duhej pritur që ky aktor, i dytë më i talentuar në krejt botën frankofone, t’ i përkushtohej karrierës teatrore e ndoshta edhe kinematografike, por jo. Puppet-master i tij kishte planifikuar për të një rol në jetën reale si studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, profesor, kolumnist dhe eventualisht politikan. Në kulmin e karrierës së vet teatrore frankofone, në 2002 Ramadani shkoi në UEJL për të studiuar për frëngjisht. Me të marrë diplomën, megjithëse pa asnjë kualifikim shkencor, Ardian Ramadani, siç shkruan vetë: “Nga Shtatori 2007- e gjer më sot jam profesor i gjuhës frenge në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Departamenti i gjuhës frenge”.

Tashmë duhej pritur së paku që ai të fillonte të kryente një kualifikim shkencor për lëndën që do të ligjëronte. Por jo. Ramadani ndoqi një tradite të keqe të krijuar tashmë tek intelektualët shqiptarë, atë që të bëjë një kualifikim postdiplomik në një fushë jashtë asaj për të cilën ka diplomuar. Ai shkruan për veten se «Në mars të 2007 kam regjistruar studimet postdiplomike në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, drejtimi i studimeve të diplomacisë, ku më 2 korrik 2009 kam magjistruar me temën ‘Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`Etat’, me ç`rast kam marrur titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike».

Pas të gjitha gjasave Ramadani e quajti veten të aftë të ligjëronte për gjuhë e letërsi frënge veç me diplomën e gradës së parë, dhe tashmë mendoi se mund t’ i hynte edhe marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë. Në të njëjtën kohë, ky njeri me talent të shumëllojshëm, bën edhe një punë tjetër mjaft të çuditshme për një studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profesor:  “Prej muajit Tetor 2006- e gjer më sot jam përkthyes gjyqësor legjitim pranë Gjykatës Themelore të Kumanovës në gjuhët shqip-maqedonisht dhe anasjelltas, shqip-frengjisht dhe anasjelltas si dhe maqedonisht-frengjisht dhe anasjelltas”. Mos ndoshta e bën këtë gjë nga pasioni për teatrin se dihet që aulat gjyqësore janë një skenë e lakmuar për njerëzit me aftësi teatrale? Gjithashtu, Ramadani thotë për veten: «Jam autor i rregullt i shkrimeve të ndryshme nëpër Web portale të ndryshme dhe gazetat e përditshme shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë si Lajmi, Koha, Epoka e re, etj, nga fusha e diplomacisë, marëdhënieve ndërkombetare, historisë, gjuhësisë, kulturës».

Në kolumnet e veta Ramadani promovon pikëpamjet e shërbimeve inteligjente franceze për shqiptarët e Maqedonisë dhe për krejt shqiptarët në përgjithësi. Prej këtej edhe mbrojtja e posaçme që ai i bën Islamit, një gjë krejt e panatyrshme kjo për një intelektual frankofon, tek të cilët është shumë e fortë vetëdija laike. Ardian Ramadani nuk bën gjë tjetër veçse potencon idetë e ideologes zyrtare franceze për çështjet shqiptare, Nathalie Clayer, drejtuese kërkimesh në Laboratorin e Studimeve Turke dhe Osmane në CNRS (Qendra Nacionale e Kërkimeve Shkencore) në Paris, një qendër studimore shtetërore franceze kjo. Nathalie Clayer në 2007 ka botuar në frëngjisht dhe anglisht librin «Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë».

Që nga titulli i librit të Nathalie Clayer, «Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë», lexuesi e ka të qartë konkluzionin kryesor në të cilin arrin autorja në librin me rreth 700 faqe: Nacionalizmi shqiptar ka lindur para kombit shqiptar, duke u përpjekur ta krijojë më pas këtë komb, si një komb muslimann. Në shekullin XIX nuk bëhet fjalë për një Rilindje Nacionale shqiptare (term ky që nuk ekziston në fjalorin e autores), por si të thuash për një Lindje Nacionale, term të cilin megjithatë ajo nuk e përdor vetëm për faktin se përpjekjen për krijimin e kombit shqiptar e lidh kryesisht me krijimin e shtetit shqiptar, për të cilin thotë se u përpoq seriozisht ta krijonte kombin. Ajo paralajmëron se do ta shqyrtojë këtë proces në librin e ardhshëm të saj. Merret vesh, interesi i Francës për t’ i paraqitur shqiptarët si komb musliman vjen nga mbështetja tradicionale që Franca i ka dhënë Serbisë dhe Greqisë për t’ i asgjësuar shqiptarët si komb. Është e vërtetë se Franca mori pjesë në fushatën e NATO kundër Serbisë në 1999, por dihet se ajo u kaloi serbëve të dhëna sekrete ushtarake të NATO dhe vetë komandanti i NATO në atë kohë gjenerali Wesley Clark shkruan në kujtimet e veta se një gjeneral francez i tha atij se nuk duhej të luftonin kundër serbëve se ata qenë barrierë mbrojtëse e Perëndimit të krishterë nga muslimanët. Franca e njohu pavarësinë e Kosovës, për shkak se nuk donte të izolohej nga SHBA në një moment delikat të politikës së brendshme, pas trazirave të mëdha që e ndezën flakë Francën. Por Franca në një situatë tjetër nuk do të mungojë të kthehet në politikën e Miterrand të viteve 1992-1994, i cili ishte për t’ i dhënë dorë të lirë Serbisë që të kryente spastrim etnik ndaj muslimanëve. Potencimi nga ana e studiuesve francezë i profilit të paqenë islamik të nacionit shqiptar bëhet pikërisht në funksion të strategjisë greke dhe serbe për asgjësimin e nacionit shqiptar në situatat e favorshme që do të krijohen në të ardhmen. Në këtë linjë punon edhe frankofoni Ramadani, i cili ka marrë urdhër që të mbrojë Islamin që kështu të vërtetohet teza e zonjës Clayer, e cila në fakt është zonja Popoviç, se është martuar me një studiues serb, Alexander Popoviç, edhe ky specialist i Islamit ballkanas.  

Në filmin “The Devils” (1971) në gojën e Kardinalit Richelieu, për bëmat e të cilit ka magjistruar Ramadani, janë vënë do fjalë të cilat ai ia thotë mbretit të Francës dhe që Richelieu real do t’ i kishte pëlqyer, me të vërtetë shumë. Në film, kur mbreti e pyet kardinalin-kryeministër për politikën e tij të reason d’ etat, ky ia shpjegon duke ia ilustruar me mitin e lindjes së perëndeshës Venus, nga shkuma e detit, për çka është bërë dhe një tablo e famshme e Botticelli: “Një koncept shume origjinal, Madhëria Juaj, Lindja e Venusit, unë lutem që të mund të asistoj në lindjen e një France të re, ku Kisha dhe Shteti do të jenë një”.

Me këtë, autori i reason d’ etat (arsyes shtetërore) kuptonte që Kisha, feja të jetë në funksion të shtetit, pra nacionit, dhe jo e kundërta. A nuk duhet të lindë si Venusi edhe një Shqipëri e re, shteti i bashkuar nacional shqiptar, për çka feja të ndihmojë ashtu si shkuma e detit në lindjen e perëndeshës?

 



(Vota: 28 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx