E premte, 25.07.2025, 04:43 PM (GMT+1)

Mendime

Historiani Pëllumb Xhufi: Deklaratat e Janullatosit mbajnë erë myk “Bollano e përdori vdekjen për helenizmin e Himarës”

E diele, 15.08.2010, 07:10 PM


Për Xhufin, deklaratat e kryepeshkopit Janullatos ishin të papërshtatshme, ndërsa i kërkoi atij të punojë për harmoninë dhe jo ndarjet fetare dhe etnike, në vend që të kërcënojë për prishjen e bashkekzistencën në këtë zonë.

 

Zoti Xhufi, dy ditë më parë në Himarë ndodhi një vrasje, e cila sipas gjasave ka pasur motive nacionaliste, mes disa të rinjve nga Vlora dhe një banori të Himarës. Si e gjykoni këtë akt, cili ndodh në pikun e sezonit turistik?

 

Së pari, ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, një banor nga Himara ka humbur jetën e tij të re, me sa duket, i përplasur qëllimisht nga një grup tjetër të rinjsh që udhëtonin me automjet. Për motivet dhe rrethanat e tjera le të presim të shprehen organet e hetuesisë. Por, nuk ka dyshim, që zbardhja e ngjarjes nuk do të mund të sjellë asnjë rrethanë lehtësuese për autorët e incidentit. Ajo që është e udhës në këtë moment, është që të respektohet në heshtje kujtimi i djaloshit të ndjerë, e t'i shprehen dhimbja dhe ngushëllimet njerëzore familjes, që ka humbur në mënyrë absurde djalin e vet. Njëherësh, urimi im është  kapja sa më e shpejtë e përgjegjësit apo përgjegjësve të kësaj ngjarjeje tragjike dhe vënia e tyre përpara drejtësisë.

 

Ajo që bëri përshtypje pas këtij akti të dënueshëm, ishte një deklaratë e kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili nën petkun e administratorit të shtetit shqiptar, u shpreh se nuk i interesonte aspak qetësia dhe vijueshmëria e sezonit turistik për ata qytetarë që zgjodhën Himarën për pushime, ai foli me një gjuhë ekstreme, duke thënë se banorët mund të pezullojnë periudhën turistike në vazhdim për shkak të kësaj vrasje. Madje, të ndjerin, Bollano e citoi si Aristotelis Gumas, duke i dhënë ngjyrim të fortë nacionalist këtij akti banal. Si i gjykoni këto veprime të Bollanos?

 

Kjo tragjedi e radhës ka edhe përgjegjësit e vet moralë dhe politikë, duke filluar nga zoti Bollano. Duke qenë kryetar bashkie, ky i ka hyrë një misioni të pamundur, ka punuar për ta kthyer Himarën, këtë bastion të luftërave të popullit shqiptar për liri e pavarësi, në një "llogore" të helenizmit, të intolerancës, të provokimit e të konfrontimit mes shqiptarësh. I mbështetur materialisht, politikisht e moralisht nga mjedise agresive nacionaliste, laike e fetare, në Greqi, diasporë e gjithashtu në Shqipëri, z. Bollano është përpjekur ta mbajë Himarën peng, duke bllokuar zhvillimin e saj. Pas 20 vjetësh nga koha e ndryshimit të sistemit, Himara mbetet pika e vetme në hartën e Shqipërisë, ku ende nuk janë kthyer pronat, ku nuk njihet tregu, ku ndalohen investimet, ku veprojnë "policitë" dhe "postat kufitare" të Bollanos. Qëllimi është i qartë: të mbahet Himara në gjendjen e 200 vjetëve më parë, të bllokohen pronat, të bllokohen rrugët që e lidhin me Vlorën, me Sarandën, me Kurveleshin, me qëllim që në Himarë të mos vijë e të mos shkojë kush, me qëllim që edhe ndonjë vetmitar që i bie të kalojë andej, të gjejë gjithmonë Vasil Bollanon dhe trimat e tij, që paguhen nga larg për të kryer jetë e mot të njëjtin ritual: të pinë raki, luajnë letra dhe, herë pas here të tundin flamurin grek. Një imitim i shëmtuar i prototipit serb, "rojeve të urës" në Mitrovicën e Veriut, që me paratë e derdhura nga Beogradi, e kalojnë jetën duke pirë raki e duke kënduar këngë çetnike tek klubi me emër domethënës, "Dolce Vita"! Me veprimet e tij antiligjore e antikushtetuese, Bollano në fakt ka kontribuar për të ngritur një kurth vrastar, ku më së pari janë të destinuar të bien të rinjtë, si ata që dje u bënë protagonistë të një vrasjeje fatkeqe. Të them të drejtën, e kam pritur ndonjë ngjarje të keqe në Himarë, sidomos këtë vit, kur edhe rruga e re do të çonte aty më shumë turistë e pushues. Por mendja më shkonte në incidente nga ato të tipit folklorik, që Bollanua organizon herë pas here, për t'i treguar dikujt në Athinë se atij nuk i kanë rënë dhëmbët, se ai është gjithmonë i vlefshëm. Por nuk e mendoja që incidenti i radhës do të ishte tragjik. Ndaj, shpresoj që ky rast tragjik të vlejë të paktën për një gjë. Shpresoj që, duke filluar nga dita e nesërme, të gjithë të reflektojnë e të sillen ndryshe. Në mënyrë të përgjegjshme e njerëzore. Uroj që ta bëjë i pari z. Bollano, i cili edhe këtë rast tragjik e shfrytëzoi për të "nënvizuar" të pretenduarin helenizëm të Himarës. Le të bëjë një përpjekje për të qenë pozitiv, i hapur, i qeshur, miqësor, mikpritës, siç kanë qenë himarjotët jetë e mot. Të heqë dorë nga një militantizëm e militarizëm butaforik, nga retorika e luftës, për të cilat vetë atij do t'i vijë turp një ditë. Le t'i shpallë vetes një moratorium për çështjet kombëtare. Do shohë se do ndjehet më mirë ai, do ndjehen më mirë himarjotët, do ndjehen më mirë pushuesit e shumtë që e kanë dashur dhe e duan Himarën, saqë vazhdojnë të shkojnë atje, pavarësisht pritjes hund-e-buzë që u bën kryebashkiaku i Himarës. Do ndjehet më mirë edhe z. Berisha, miku i tij në Tiranë, i cili shpeshherë është vënë në pozitë të vështirë për shkak të tij. Le ta përdorë këtë periudhë, nëse do, edhe për të lexuar diçka serioze mbi rrënjët e Himarës, apo edhe të atij vetë. Sa për "patriotizmin" e "helenizmin" e tij, ia kam kujtuar dikur zotit Bollano: një patriot i trefishtë i tij, S. Spiromilo, që ishte nga Himara, por me rrënjë të largëta në Progonat dhe që thoshte se ishte grek, shpenzoi një jetë të tërë duke luftuar për Greqinë, shpeshherë edhe kundër atdheut të vet, Shqipërisë. Por vdiq si qyqar, askush nuk i shkoi në varrim. Nuk i shkoi, sepse renegati është një specie e pështirë, me të cilin një ditë të gjithë duan të lajnë duart. 

 

Si të mos mjaftonte Bollano, patëm dhe një reagim të patriarkut të Kishës Autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos, i cili nga ana e tij ngushëlloi familjen e viktimës, por edhe deklaroi se ky akt ka cenuar bashkëjetesën mes komuniteteve? Mendoni se këto deklarata zbusin situatën apo konfirmojnë edhe më shumë ndjenjën nacionaliste në këtë zonë? Dua të kujtoj këtu se jemi shumë pranë zgjedhjeve vendore.

 

Deklarata e Prof. Janullatos ishte e papërshtatshme. Në fakt, ka krijuar një shije të keqe edhe tek ata që kanë dashur të shohin tek ai një njeri të paqes e të harmonisë. Në vend që të priste rezultatet e hetuesisë, Prof. Janullatos nxitoi ta shfrytëzojë këtë rast tragjik si një casus belli, për të na kërcënuar të gjithëve me prishjen e bashkekzistencës. Përse ky nxitim, përse kjo ashpërsi, kur jemi mësuar ta shohim Prof. Janullatos të heshtë për plot e plot raste të tjera tragjike. Ka heshtur për vrasje mizore të shqiptarëve të tjerë, të krishterë e myslimanë, në Tiranë e në Athinë. Ka heshtur bariu i ortodoksëve shqiptarë, edhe kur Milosheviçi përgjakte një popull të tërë në Kosovë, edhe ata shqiptarë. Kësaj radhe doli menjëherë në skenë, duke sjellë versionin e tij: vrasja ka prapavijë etnike dhe është e tillë, që kërcënon bashkëjetesën ndëretnike në Shqipëri. Përse Kasandër e së keqes? Një prift? Një kryepeshkop? Një njëri i doktrinës? Duke marrë shkas nga kjo ndërhyrje e papërshtatshme e Hirësisë së tij, do të doja të thosha se ai është njëri i Perëndisë, dhe si njeri i Perëndisë, duhet të punojë për paqen, për harmoninë duke parë përtej ndarjeve fetare e etnike, përtej politikës, sidomos kur kjo mban erë myk, siç është politika që përfaqëson z. Bollano. Dhe me që ra fjala, le t'ia lërë Bollanos gjuhën e ashpër, gjuhën e luftës. Krerët fetarë duhet të mendojnë për mirëqenien e grigjës së tyre. Por vjen një kohë kur duhet të mendojnë edhe për shpirtin e vet. Ka pasur njerëz vërtet të shenjtë, që për ndonjë mëkat të bërë në këtë botë, janë përcjellë në flakët e ferrit. Më vjen keq ta them, por jo vetëm ky rast i fundit, por një mori sjelljesh të Hirësisë së tij në këta 20 vjet të kryesimit të KOASH kanë qenë të kritikueshme e në kundërshtim me vetë kanonet e kishës së shenjtë. Prof. Janullatos kishte njëmijë arsye për të respektuar e për t'iu qenë mirënjohës shqiptarëve. Por me sa duket, nuk i kuptoi dhe nuk i deshi dot.

 

I ashpër ishte edhe reagimi nga politika e Athinës ndaj Tiranës, ndërsa politika shqiptare u tregua mjaft e vonuar në reagime, të cilat kur erdhën, u morën vetëm me ngushëllimet, ndërsa asnjë fjalë nuk u tha për deklaratat e Bollanos apo Janullatos e aq më pak të Athinës zyrtare. Si i vlerësoni këto reagime dhe mosreagime nga ana e politikës?

 

Sigurisht, që me reagimin e saj, Athina plotëson kuadrin imagjinar të një Himare, që është "greke", dhe që pikërisht se është greke, i bihet në qafë nga nacionalistët shqiptarë. Për fat të keq, Athinës i është lënë rrugë e lirë prej kohësh për të tilla insinuata dhe ajo do të vazhdojë ta bëjë këtë lojë, deri sa një ditë gjërat të arrijnë të thuhen me emrin e tyre. Është për të ardhur keq që për nënvizime të tilla me paragjykime nacionaliste, të shfrytëzohet edhe një vdekje tragjike. Sa për reagimin e Qeverisë shqiptare, mendoj se nuk kishte asnjë arsye që ajo të hynte në lojën e gatuar nga Bollano e të tjerë. Detyra e Qeverisë është të vejë në punë gjithë mekanizmat shtetërorë për të gjetur përgjegjësit e vrasjes e t'ia dorëzojë ata drejtësisë. Unë jam i bindur që deklaratat e menjëhershme të Bollanos, të Janullatos e të Qeverisë greke kishin për qëllim ta sugjestiononin Qeverinë shqiptare të pranonte edhe ajo se vrasja ishte për motive etnike. Më duket se një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe kjo është një gjë e mirë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx