E premte, 25.07.2025, 12:05 PM (GMT+1)

Mendime

Kalosh Çeliku: Dizgëmadhja

E shtune, 14.08.2010, 09:58 PM


KALOSH ÇELIKU

 

DIZGËMADHJA

 

       E di, më keni mashtruar gjithë jetën. Edhe keni bërë shtet: Shqipëri Etnike. Rrugë keni ndërtuar anë e mbanë Atdheut. I keni hapur gropat “demokratike” edhe me dy – tri lopata beton përpara syve të priftërinjëve dhe hoxhallarëve. Dhe, të nesërmen i keni harruar si përmendore të gjalla në mes të qytetit. Universitete keni hapur edhe nëpër katunde. Shkolla në gjuhën shqipe me çati të rrëzuara në tokë. Edhe atë: vetëm e vetëm për t’ju dhënë diploma fakulteti, tituj shkencor vajzave, djemëve dhe partizanëve partiak të juaj gjysëmanalfabetë. Edhe vende pune, si profesorë Universiteti. Falemnderit. Amani, vetëm mos thuani se nuk keni ndërtuar edhe xhamia me dy e katër minare. Vetëm, në katundin tim i keni përuruar tri - katër xhami. E vetëm një shkollë fillore, edhe ajo e ndërtuar qysh në kohën e komunizmit.

      E them këtë se, çdo gjë ka fund një ditë. Vetëm, veprimtaria e juaj politike – “patriotike” në emër të popullit, si duket nuk merr fund. E “bëtë” shtet IRJ të Maqedonisë. Në njërën anë LSDM, në anën tjetër VMRO-DPMNE. E në anën tjetër, partitë politike shqiptare brez pas brezi argate: PPD, PDSH dhe BDI.  Fitorja: njëzetë vjet me radhë ky popull ende ecën në vend, nuk e ka bërë përpara asnjë hap. Nuk ka parti politike që na nxjerrë në dritë nga ky bërllok nëpër kontenjerët e historisë.

     Edhe: gjeni rrugë! Unë si plakë kam vetëm një fuqi natyrore, ose siç u pëlqen juve të thoni: Zoti. Përditë u shoh dhe dëgjoj: e hapëm një fabrikë. E përuruam një spital. E ndërtuam një xhami. E asfaltuam një rrugë. Edhe fotografoheni përpara kamereve televizive krah për krahu me shokë. Kulminacioni, kur dilni në ekranin televiziv dhe shisni mend, dje si analistë politik e sot si ekspertë shtetëror. Alamet burra, të përpunuar nëpër kabinete qeveritare, merrni poza për vlerësimin e veprimeve politike të partive në pushtet. E parashikoni të ardhmen e tyre, ju trusakatët e askushit, që unë nuk ua kisha dhënë të m’i ruani as lopët. E ku më ju t’i prini popullit në këto ditë të vështira për në liri. Ose, siç thotë Fishta i Madh te poema satirike, Gomari i Babatasit:

 

                 Ju rrugaça e sallahana

                 Vagabonda e shakllabana,

                 Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,

                 Qi të mjerës moj Shqipni

                 Kthjelltë hi i keni në mushkni,

                 Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

                 Po der kur, bre batakçi!

                 Bre coftina, ka kalbë mbi dhe! –

                 Der kur ju, tu’ u tallë nëpër ne,

                 Do t’na qelbni fis e atdhe?

                 Ah! bre ju… nuk dij shka u kjoftë,

                 Sa tash ma jemi tue u njoftë,

                 Se kush jini e se shka jini,

                 Se kah shkoni e se kah vini,

                 Plang e shpi se kah i kini

                 E sa pare u ban ju gjaku:

                 Se për ju, po, duhet laku.

 

                               ***

                 Ani kush, pra, me i pri kombit

                 Ju, do pyka bijtë prej llomit

                 Qi “Shqiptarë” vedit thoni,

                 Jo pse ju Shqipninë doni.

                 Jo pse ju ndo’i send kuptoni

                Shka asht Atdheu e shka asht Lirija.

                Shka asht Vllaznija e Parasija

                              Përparimi e Qytetnia.

                Por, veç pse ende der më sot

                      Një tyran s’po e gjeni dot.

                Nën kambë t’cilit ju me u shtrue,

                Se un ma tash jam regjë me jue.

                E jau njof shpirtin der m’palc:

                Pleh i ndytë, me u bartun m’shkalc

                      E me u qitë jashta Shqipnije…

 

     Nuk kam fuqi natyrore e as politike, vetëm e kam një fuqi personale: telekomanduesin e televizorit. Trraaaak! Aty për aty, ua mbyll gojën haramëve. Mjaftë më me demagogji patriotike! Nuk dua fabrika, nuk dua varreza kolektive, nuk dua përmendore me kuaj e më këmbë, nuk dua rrugë, nuk dua xhami, nuk dua kisha… E dini çka dua, bukë! Bukë… E ju vite me radhë më ushqeni me parulla patriotike, që nuk ma mbushin dot barkun e shtrënguar me dizgën e pashterkës.

      Në doni të dini pak më tepër për mua: unë i kam dhënë kësaj shoqërie, këtij shteti. Edhe, atë: përveç punës në ara, edhe shtatë djemë. Dy - tre doktora shkence, edhe puntorë krahu nëpër botë. I pyes publikisht: çka i dhanë kësaj shoqërie, këtij shteti këta politikanë teknefesë?! Dorën në zemër, i kanë dhënë, si nuk i kanë dhënë gjatë këtyre viteve. Erdhën pa brekë në bythë, dhe bëjnë politikë madhore, e gëdhinë mëngjesin me shtëpi personale në disa kate, dy - tri banesa e libreza kursimi nëpër bankat e shtetit e nëpër botë.

     Dhe, në fund them: unë jam patriote. Unë Dizgëmadhja, që i kam dhënë këtij shteti edhe pasuri, edhe punë me djersë. Haramët, vetëm i kanë marrë dhe ia marrin me të dyja duart bereqetin. Fatkeqësia: përsëri unë armike e shtetit. Përmëtepër, edhe na shurdhojnë me demagogji. Përurime të fabrikave. Përmendore mbi e nën Urën e Gurit. Punësime të reja në administratë sipas Marrëveshjes Kornizë të Ohërit. Arrnimin e rrugëve nëpër katunde. Tekste shkollore falas për nxënësit. Ose, siç thotë populli: fëlterja në zjarr e peshku në lumë.

     Mirë, po deri kurë do të zgjasë kjo demagogji patriotike e partive politike shqiptare?! Unë më jam plakë, nuk mund t’i lindi këtij shteti djem e vajza shkolle. E as punëtorë krahu për në kurbet. Edhe vota me thasë gjatë zgjedhjeve parlamentare. Jetën t’ua zgjas edhe për katër vjet në Qeveri.

      Shpëtimi: e kam gjetur si plakë Dizgëmadhe. Edhe pse më ka lënë forca, nuk mund të lëviz nga vendi, e kam afër telekomanduesin: trraaak. Dhe, ua mbyllë gojën këtyre haramëve të popullit, që përditë pëllasin si gomari i Babatasit në televizor. Herë nëpër foltore, e herë si analistë politik, ekspertë e kollumnistë patetik nëpër gazeta të “vëllazërim – bashkimit”…



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx