E enjte, 24.07.2025, 01:00 PM (GMT+1)

Mendime

Pse flasin shkodranët tosknisht?

E enjte, 19.08.2010, 06:59 PM


Pse flasin shkodranët tosknisht?

 

Nga Kelmend Gruda

 

Tue qenë se gjatë stinës turistike (verës) nuk mundem me lëvizë prej Treviso (Itali), ku banoj e punoj, kthehem në Shqipni një herë në vit, për Pashkë. Aq janë edhe pushimet e fëmijëve, një javë kohë.

Vitet e para kthimi në Shkodër për mue ka qenë gjithmonë plot emocione. Por ja, me kalimin e viteve, në vend të emocioneve, ndjej zhgënjim, shpesh herë edhe trishtim të vërtetë. E arësyet janë ma se një, po sot do t’ju tregoj për zhgënjimin e fëmijëve të mijë, veçanarisht vajzës 14-vjeçare.

Ime shoqe dhe unë kemi kambëngulë me u mësue fëmijve shqipen, me e folë, me e lexue e me e shkrue. Vajza ka ardhë këtu pa mbushë vitin, kurse djali asht le këtu.

U kemi mësue shqip, po shqipen tonë, mbarëkomëtare, jo thjeshtë të folmen e Shkodrës ku jam le e rritë unë, kurse ime shoqe asht prej Hoti. E flasin mirë, lexojnë rrjedhshëm e shkruejnë jo fort keq (me ndonjë gabim, natyrisht).

Mirëpo, vitet e fundit, kisha vu ore se vajza kishte ma pak dëshirë me dalë me moshataret. Veçanarisht këte pranëverë (për Pashkë) m’u duk edhe pak e bezdisun.

Një ditë u kthye në shtëpi e më pyeti: Pse flasin shkodranët tosknisht, ba?

Nuk mujta me i kthye përgjegje shpejt. Joqë nuk i kam kthye ende përgjegje. Këte punë po e baj sot, pra, po i kthej përgjegje sime bije, njëherësh “po u trokas” në ndërgjegje bashkëqytetarëve të mijë.

Më pat thanë dy vjet ma parë një shok gjimnazi, tashti mësues letërsie në një shkollë të mesme, se të rijtë tashma nuk kuptojnë e lexojnë rrjedhshëm as Migjenin. E sime bije njena prej shoqeve i kishte thanë: U, sa trashë flet ti!?

M’u kujtue një mësues i imi, që më ka dhanë letërsi në vitin e dytë e të tretë të gjimnazit (nuk po ia përmend emnin meqë ka ndrrue jetë). M’u drejtue një ditë: “Ju të deklasuarit edhe në të folur e shprehni qendrimin tuaj reaksionar”. Nuk i pata kthye përgjegje atëherë (edhe prej frike), nuk kam në mend me i kthye përgjegje as tash, pse edhe ai ma i padijtuni e kupton nga i lindte kjo ide makabër mësuesit tonë “standard”: “… edhe në të folur e shprehni qendrimin tuaj reaksionar”.

Tash, tue dashtë me i kthye përgjegje sime bije, përshkova me mend 70 vjetët e fundit të historisë sonë. Gjaja e parë që më erdhi në mend ishte vrasja e gjyshit prej partizanëve (si quheshin prej popullit Brigada e Ndjekjes e toger Babës) më 1946, pse ky, flitej se kishte thanë: “E fituem lirinë me gjak. Po pranojmë ripushtimin pa gjak” (kupto: po bahemi republikë e shtatë e Jugosllavisë me dashjen tonë). Nuk ka asnjë dokument gjyqi, bile as akt vdekje të tij. Thanë se ishte anmik dhe kaq, shkoi hups, tue lanë jetim tim atë 4 vjeç.

Gjyshja u kthye tek prindët e saj, në gjini – si thuhej atëherë – po nuk u martue ma. Dajat e babës nuk ishin “të deklasuem”, kështuqë, në mos tjetër, vazhdoi gjimnazin, po atë gjimnaz që kam ndjekë edhe unë, “29 Nandori”, Shkodër.

Mirëpo, kur ishte maturant, student i shkëlqyeshëm, dikush u kujtue se i kishin pushkatue të atin e përfundoi traktorist në Fermë të Shtojit, deri sa doli në pension invalidateti më 1987, po nuk jetoj gjatë, ma pak se nandë muej mbas daljes në pension..

Na ka lanë një gja me vlerë: librat. Aso librash, që kur u rrita unë, nuk gjendeshin në Bibliotekën e Qytetit, tek profesor Bebeziqi, ku shkoja shpesh. Ato ishin libra “të ndalueme”: Fishta, Koliqi, Anton Harapi, Konica … 

Pra na lexonim edhe ndrysh nga standardi i 1972.

Mirëpo, kur ra diktatura, mendova se do t’i baheshin ndreqjet e duhuna standardit, pse, simbas meje, ai u sendërtue ashtu, e folme e një krahine impunue gjithë shqiptarëve, andej e këndej kufinit.

Jo, asgja nuk ndryshoi, përkundrazi. Puna shkoi deri atje sa ime bijë të më pyesë: “Pse flasin shkodranët tosknisht, ba”?

Kam mendue gjatë dhe kujtoj se e kam gjetë përgjigjen:

- Pse në pushtet, në të gjitha institucionet, edhe ato shkencore, janë po ata që vranë gjyshin tim, ose bijtë e tyne a nipat;

- Pse ata duen të ruejnë të paprekun një histori të fallsifikueme fund e krye, një gjuhë mjet, ndër t tjera, për tjetërsimin e shqiptarëve;

- Pse ata duen t’i mbajnë sa ma larg Fishtën, Harapin, Koliqin, Martin Camajn e “të gjithë të mallkuemit prej tyne”;

- Pse ata, bijë të krimit, duen t’i kenë duert e lira me vazhdue ”veprën” e baballarëve të tyne.

E ia kanë dalë m’anë, deri sa edhe shkodranët flasin tosknisht.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx