Mendime
KLIMA TROPIKALE-POLITIKE NË KOSOVËN LINDORE
E marte, 24.08.2010, 07:57 PM
KLIMA TROPIKALE-POLITIKE NË KOSOVËN LINDORE
Shkruan: Nexhmedin Saqipi, Bujanoc, 15.08.2010
Gjysma e dytë e muajit Gusht, në rajonin e Kosovës Lindore, ka sjellë një klimë të thatë tropikale, ekonomike dhe politike.
Meteorologët prognozojnë një mot më të freskët në javën e tretë të Gushtit, kur edhe përgatitemi për muajin shtator, në të cilin hapen shkollat dhe përfundojnë ditët e pushimeve verore.
Lehtë e kanë meteorologët të japin prognoza dhe t’i komentojnë ato pas ndryshimeve klimatike, por si do të veprojnë prognozerët politikë, opsionet e të cilëve qarkullojnë si rosat në erë.
Kalkulimet
Vera e thatë politike në rajonin e Kosovës Lindore, nuk po jep bereqet. Si mund të priten të arritura në këtë fushë, kur pak po mbillet e aq më pak po korret.
Spektri politik i këtij rajoni ka 2 vjet, që merret më tepër me politikë lokaliste për të mos thënë lokale, se sa me probleme ndërkomunale e ndërrajonale.
Pushtet lokale merren me vetëqeverisje, ndërsa është lënë anash unifikimi i spektrit politik në një Këshill të përbashkët, i cili do të unifikonte mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre.
Derisa lëvizjet politike mes Prishtinës dhe Beogradit, kanë filluar të shtohen dhe intensifikohen, zërat politik në Kosovën Lindore nuk bëzajnë. Kalkulimet mes këtyre dy qendrave të vendosjes nuk po japin llogari, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitim shqiptarë të Kosovës Lindore në këto bisedime. Nuk mund të vendosësh për fatin e një populli, pa përfaqësuesit e tij.
Në Kosovën Lindore nuk ka një Institucion i përbashkët ku do t’i grumbullonte shqiptarët për të vendosur për ndonjë çështje madhore. Ata janë ndarë në shumë parti e shoqata dhe ashtu të ndarë i shohin problemet që i rrethojnë.
Kur nis ndonjë iniciativë për zgjidhjen e problemeve, subjektet politike i mbrojnë ngjyrat partiake secila sipas kutit të saj. Prandaj edhe kalkulimet për çfarëdo iniciative përfundojnë akoma pa u nisur mirë.
Pazaret politike
Kosova Lindore shpesh ka shërbyer si një monedhë kusuritjeje mes fuqive të mëdha të vendosjes. Këtë krahinë të bukur shqiptare dhe njerëzit e saj askush nuk i ka pyetur se në çfarë bashkësie ajo dëshiron të jetojë.
U mbajt një Referendum, në Kosovën Lindore, para 18 vjetësh, në të cilin u shpreh vullneti politik për bashkim me Kosovën, para 9 vjetësh u bë edhe një luftë për çlirimin e vendit si dhe para 10 vjetësh u arrit edhe një Marrëveshje Paqësore e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët e cila asnjëherë nuk u zbatua në praktikë.
Të gjitha këto pazare politike u bënë pa ndonjë formulë të qartë për zgjidhjen e problemeve të hapura në këtë rajon.
Pas kaq vitesh përpjekjesh e sakrificash vendi vazhdon të jetë i fokusuar si një rajon që prodhon destabilitet dhe pasiguri.
Ku mbetën premtimet parazgjedhore dhe zgjedhore të pseododeputetit popullor pas zgjedhjeve parlamentare dhe për Këshillin Nacional, do të çmilitarizohet vendi, se do të kthehen të zhvendosurit, se do të zgjidhen ligjërisht përdorimi i simboleve kombëtare dhe zbatimi në praktikë i dygjuhësisë dhe shumë probleme të tjera praktike.
Vizitat miqësore
Institucionet Kosovare kanë lejuar vizitën në Graçanicë të ministrit të Punëve të brendshme të Serbisë Ivica Daçiq, me arsyetimin se kjo vizitë ka karakter religjioz. Interesant për këso vizite në Kosovën Lindore, Mr. Naim ef. Tërnava, kryetar i BIK-ut as që kërkon leje nga autoritet e Beogradit, mirpo ai mund ti përdorë nga njëher edhe targat Pr. Kështu e ka politika, kur manipulohet edhe në emër të religjionit.
Vizitat mund të trajtohen sipas gjuhës politike ditore, kush kujt i konvenon. Por, një është e qartë. Në Kosovën Lindore, nuk mund të vijnë krerët institucional shqiptarë të Kosovës as për festën e Bajramit e lëre më për ndonjë manifestim politik apo kulturor kombëtar.
Klasa politike shqiptare e Kosovës Lindore me të filluar muaji i shenjtë i Ramazanit, nuk qëndroi indiferent. Ajo i mbushi faqet e internetit dhe mediumet lokale me mesazhet për muajin e Agjërimit.
Nëpër këto mesazhe lexohen fjalë të mëdha për tolerancën që nuk e kanë, flitet për bashkëpunimin i cili gjithmonë u ka munguar, për solidaritetin që kurrë nuk kanë qenë solidarë në kuptimin praktik, por vetëm moral e shpirtëror. Po t’i kishin pasur këto virtyte partitë politike shqiptare do të kishin vepruar ndryshe.
Shumica prej këtyre liderëve politikë nuk kanë ramazan, ata lëre që nuk agjërojnë por edhe marrin iniciativa në organizimin e iftareve politikë, thjesht ata edhe këtë muaj të shenjtë e keqpërdorin për qëllime politike.
Kjo klasë politike shqiptare e Kosovës Lindore në vend që të merret me organizimin e jetës politike në vend, ajo i fut hundët kudo qoftë për të përfituar poena të lirë politikë.