E hene, 29.04.2024, 11:33 AM (GMT+1)

Mendime

FIJA E KASHTËS

E merkure, 25.08.2010, 09:15 PM


Post festum

 

FIJA E KASHTËS

 

Konsumimi në tërësi i Marrëveshjes origjinale të Ohrit që moti do t’i kishte dhënë fund ekzistimit të BDI-së si subjekt politik. Këtu diku duhet kërkuar arsyen se pse BDI-ja vazhdimisht ka parapëlqyer ta përimtësoje dhe ta devalvojë këtë Marrëveshje! Ndryshe, në cilën fije të kashtës do të kapeshin derisa po fundosen në ambisin kombëtar

 

Nga Avni Halimi

 

Marrëveshja origjinale e Ohrit, si një dokument politik i nënshkruar nga katër subjektet më me relevancë politike si dhe e garantuar nga kryetari i shtetit por dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, është një produkt i sërë pakënaqësive të shqiptarëve të Maqedonisë të shprehura në mënyrë permanente që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më vitin 2001. Këtë pakënaqësi gjithëshqiptare e keqpërdori një grupth njerëzisht dështakë në karrierën e tyre, shumë të dyshimtë dhe tepër të diskutueshëm dhe më vitin 2001 shkaktuan një konflikt të armatosur. Qëllimi fundamental i tyre ishte zbatimi i urdhërave të nëntokës antishqiptare: të dëmtoheshin proceset shqiptare (arritjet politike të shqiptarëve të Maqedonisë, zbatimi në praktikë i Marrëvesjes së Konçulit për Luginën e Preshevës, përgatitjet për Pavarësinë e Kosovës, proces ky që u shty për disa vite) si dhe, të yshtur nga literatura marksite-leninis dhe nga broshurat e luftërave partizane, të vinin në pushtet me qëllim të zbatimit të projektit me qendër diku në ndonjë zonë gjithësesi kundër interesave gjithëshqiptare! S’do mend se kjo qendër tash e një shekull gjendet ose në Serbi ose te nëna e saj Rusi! Pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshje, ky grupth njerëzish dështakë, duke e keqpërdorur sasinë e madhe të armëve të padorëzuara si dhe çështjen kombëtare si karrem për ta kapur pushtetin, sapo u dorëzuan në front, formuan një parti politike (BDI) dhe pa kurrfarë problemi erdhën në pushtet, të ndihmuar nga të gjitha partitë politike shqiptare të asaj kohe si dhe nga elektorati shqiptar me qëllim që faqe maqedonasëve të mos shtrihej përdhe „krenaria kombëtare“.

 

“Marrëveshja e Ohrit” trampolinë për antishqiptarizëm

 

Këto ditë, BDI-ja festoi nëntëvjetorin e nënshkrimi të kësaj Marrëveshje. Asnjë nga forcat dhe faktorët relevantë falë të të cilëve u arrit kjo Marrëveshje nuk qenë prezentë në atë “party pizhama” të BDI-së. Kjo flet se askujt nuk i ka mbetur deri te kjo Marrëveshje përveçse partisë së Ali Ahmetit. Pse?

Variantet që kanë dëmtuar në esencë marrëveshjet origjinale kurrë nuk kanë hasur në përkrahje të gjërë përveçse nga ata që i bëjnë ndryshimet për të siguruar një qeverisje sa më të gjatë. As LSDM-ja dhe as VMRO-ja nuk e kanë respektuar këtë Marrëveshje të ciln e kanë konsideruar si kapitulim të popullit maqedonas, ndërsa PDSH-ja, pas tre muajsh qeverisje të VMRO-së me BDI-në kur u miratuan një dyzinë ligjesh, vendimesh, propozimesh e projektesh antishqiptare, hoqi dorë nga kjo marrëveshje e masakruar politikisht dhe në opinion hodhi një Marrëveshje të re e cila mundëson një shtet funksional duke u mbështetur mbi të drejtat absolute si për popullin maqedonas ashtu edhe për shqiptarët.

Pse shqiptarët duhet të dijne maqedonisht ndërsa maqedonasit ta përçmojnë gjuhën shqipe! Pse shqipja të mos dëgjohet dhe lexohet edhe në Shtip e Gjevgjeli, në Kavadar e Kumanovë, ashtu siç e garanton Marrëveshja origjinale e Ohrit! Pse simbolet kombëtare shqiptare të jenë të lejueshme, për shembull, në Çair dhe jo edhe në Butel lagje këto që ndahen nga një rrugë! Pse ligji për shtimin e natalitetit të stimuluar materialisht të vlejë vetëm në zonat maqedonase dhe jo në ato shqiptare! Pse buxheti shtetëror të jetë privilegj vetëm i maqedonasëve ndërsa në masë të konsiderueshme krijohet nga taksapaguesit dhe gurbetçarët shqiptarë. Pse të ketë ligj që garanton të gjitha benifitet humane për “branitellat” të cilët vranë e masakruan shqiptarë, shkatërrun deri në themel prona e pasuri shqiptare në zonat e konflikteve, ndërsa shqiptarët që luftuan për mbrojtjen e oborrit të vet trajtohen edhe më tej kriminelë derisa luftëshkaktuesit bëjnë kokrrën e qejfit në kolltuqet vasale të pushtetit. Enciklopedia ofenduese për shqiptarët si dhe për miqtë e vet ndërkombëtarë, imponimi i maqedonishtes si lëndë edhe për fëmijet shqiptarë të klasës së parë, botimi i librave shkollore ku rëndë fyhen ndjenjat kombëtare e fetare të shqiptarëve – të gjitha këto realizohen para hundës së BDI-së e në emër të “Marrëveshjes së Ohrit”. Jeta kulturore shqiptare përdit po vdes ngapak, ndërsa Ali Ahmeti e thekson si të arritur të madhe kulturore “Muzeun e lirisë kombëtare” hapur në një shtëpi të uzurpuar dhe që nuk pranohet si ent kulturor nga asnjë instancë përkatëse shtetërore. Për cilën liri mendon z. Ahmeti? Për atë liri që e fituan maqedonasit për ta shkelur përdhe dinjitetin shqiptar?

 

„Marëveshja kornizë“ në mes të VMRO-së dhe BDI-së

 

Cilën “Marrëveshje të Ohrit” sot e feston BDI-ja! Sigurisht që jo Marrëveshjen origjinale, sepse atë marrëveshje e fragmentarizoi dhe e devijoi që më vitin 2002 kur z. Ahmeti dhe z. Cërvenkovski, për hirë të dinjitetit të maqedonasëve që „dolën humbës nga lufta“, arritën marrëveshjen që gjuha shqipe të mos ishte zyrtare në tërë territorin e shtetit por vetëm në ato pjesë të shtetit ku jetojnë mbi 20 % të shqiptarëve. Organeve kompetente shtetërore nuk ua bëri obligim dhënien e dokumenteve personale në gjuhën  shqipe nëse kjo nuk kërkohet me lutje nga shqiptarët! Fare në fund, është më se e qartë se në mes të kryeministrit Gruevski dhe z. Ali Ahmetit ekziston „marrëveshja xhentile“: garantohet hyrja në qeveri me heqjen dorën nga Marrëveshja e Ohrit duke e sjellë atë në 4-5 pika politike!

Vetëm BDI-ja nuk heq dorë nga „Marrëveshja e Ohrit“ ndërkohë që tashmë për ndërkombëtarët ky kriterium politik është bërë demode! Vetëm ndërrimi i emrit Maqedonisë ia garanton një inkuadrim urgjent në Aleancën e NATO-s dhe në BE! Zbatimi i Marrëveshjes eliminohet nga lista e obligimeve që garantojnë inkuadrime, sepse, kur vetë shqiptarët heqin dorë nga kjo Marrëveshje për të cilën aq shumë investuan edhe ndërkombëtarët pse edhe këta të mos heqin dorë! Nëse dikush mendon se Maqedonia në NATO do të detyrohet të zbatojë pikër për pike tërë Marrëveshjen e Ohrit, e ka shumë gabim dhe vegjeton jasht orbitës së proceseve dhe rrjedhave të politikës. Shqiptarët nuk do të kenë as hapësirë e as mundësi për ta destabilizuar politikisht Maqedoninë në të mirë të të drejtave të tyre të natyrshme, sepse në një rast të tillë do të duhej që të armiqësoheshin me të gjithë shtetet dhe kombet aleate të NATO-s. Ali Ahmetit nuk i duhet dhe nuk i intereson përkrahja kombëtare, për të me rëndësi është përkrahja ndërkombëtare. Përkrahjen kombëtare do t’ia sigurojë si VMRO-ja ashtu edhe LSDM-ja përmes vjedhjes së votës shqiptare.

Cila është arsyeja e festimit të përvjetorëve të „Marrëveshjes së Ohrit“ ekskluzivisht nga BDI-ja. Sinqeriteti në politikë është diletantizëm ndërsa besnikëria është budallallëk ekstrem! VMRO-ja po arrinë t’i disiplinojë shqiptarët ndërsa t’i kënaq ndërkombëtarët me deklarimet me plotë pompozitet të strukturave të BDI-së se „Marrëveshja e Ohrit po realizohet me dinamizmin e paraparë në planet afatgjate të kësaj qeverie“! Asnjë shtet në botë nuk ka një administratë etnikisht të pastër e që funksionon në shtëpi, siç e ka Maqedonia. Mijëra administratorë shqiptarë të punësuar rrinë në shtëpi e paguhen kot. Inkuadrimi i tyre nëpër zyra ndot ambientin e maqedonasëve ndaj dhe dëbohen. Ky diskriminim racist nuk i bën përshtypje vetëm BDI-së, për këtë parti me rëndësi janë numrat dhe mbetja në pushtet. Në opozitë nuk do të mund ta përkrahte „Marrëveshjen e Ohrit“ dhe të kalkulonte në emër të saj.

Po ç’i duhet kjo „Marrëveshje“ BDI-së dhe pse me aq ngulm e përvetëson atë! Sepse i duhet një alet në dorë përmes të cilës do ta “mbante në gjumë” edhe më tej popullatën. Kurrë nuk do të heq dorë nga ky doument tashmë inekzistent, sepse, pa një “produkt” lufte në dorë, si do t’i arsyetonte ato qindra vrasje të djemve shqiptarë, si do t’i arsyetonte burgosjen, vrasjen e dhjetra komandantëve të cilët e mbajtën tërë peshën e luftës mbi shpatullat e tyre ndërsa “legjendarët” po mjekoheshin nëpër spitalet prizrenase! Si do ta argumentonin lojalitetin prej vazali i cili në kontinuitet garanton pjesëmarrje në pushtet! Nëse nuk do të ishte kjo “marrëveshje” si do t’i hidhej krip syve shqiptarëve duke u thënë se po sigurojmë bazë të mirë për gjuhën shqipe, për simbolet, për kulturën, për arsimin shqiptar, për ekonominë, mjekësinë e për paketat sociale për të rënit, për të plagosurit dhe për familjet shqiptare të prekur nga konflikti i 2001-shit, ndonëse të gjitha këto parashiheshin në Marrëveshjen origjinale të Ohrit e që duhej të implementoheshin në tërësi brenda katër viteve të BDI-së në pushtet, 2002-2006.

 

BDI-ja në pozitën e kudhrës

 

Marrëveshja origjinale parashihet që për 4 vjet të implementohej në tërësi dhe shqiptarët e Maqedonisë t’i gëzonin të gjitha të mirat e një shteti të përbashkët, demokratik e ligjor. Konsumimi në tërësi i kësaj Marrëveshje origjinal, që moti do t’i kishte dhënë fund ekzistimit të BDI-së si subjekt politik. Këtu diku duhet kërkuar arsyen se pse BDI-ja vazhdimisht ka parapëlqyer ta përimtësoje dhe ta devalvojë këtë Marrëveshje! Ndryshe, në cilën fije të kashtës do të kapeshin derisa po fundosen në ambisin kombëtar.

Heqja dorë e BDI-së nga ky truk i lirë do të thoshte prishje e planeve të VMRO-së për ta nëpërkëmbur kaq keq dinjitetin e shqiptarëve të këtushëm, do të thoshte prishje e kësaj qeverie, do të thoshte zgjedhje të parakohshme aprlamentare, do të thoshte edhe lamtumirë e saj me pjesëmarrjen në pushtet. Fitorja eventuale e PDSH-së në zgjedhjet e ardhshme nuk do të thoshte në asnjë mënyrë humbje e BDI-së por humbje e VMRO-së të cilës për aleatë i duhet një parti e fortë shqiptare e cila do t’i pezullonte si çekan mbi kokë. BDI-ja duhet të shpëtohet nga të qenurit në pozicionin kudhrë e këtij pushteti nacionalist me elemente të pastra të një racizimi klasik. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora