E enjte, 24.07.2025, 09:43 PM (GMT+1)

Mendime

Ferid Selimi: Medet...

E shtune, 04.09.2010, 06:54 PM


MEDET...

 

Nga Ferid Selimi

 

Për të shkruar një vepër sado të shkurtër, shkrimtarit i duhet goxha një kohë e mirë. Nganjëherë edhe vite të tëra, e, ndoshta do ta kalojë një dekadë e fiuuuu...

I gjori shkrimtar! Pos që duhet ta ketë gajlen e temës së rrahur, mbarështimit e stilit e të shkruarit, duhet të mendojë edhe “e ha pazari apo jo?”.

Shkruan ai, pa u ndalur dhe shkrimet i mban në sirtarë, derisa t’i sigurojë mjetet për t’i publikuar. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas botimit duhet që shpërndarjen e librit ta bëjë vetë, pastaj të organizojë promovimin, e kështu me radhë. Nga pesëqind ekzemplarë sa do t’i shtyp, dy-treqind copë shkojnë falas në promovimin që mbase mund ta bëjë. E kur rastis që ndonjë miku nuk i dhuron librin, plas sherri. “nuk ma ke dhuruar librin...”. Tjetrit i mbetet hatri që nuk është ftuar në promovim, e kështu me radhë. Prapë do të them: I gjori shkrimtar. Duhet të mbaj shënime, kujt i ka dhënë libër, kë do të ftojë në promovim,.. E,.. promovimi është i hapur për të gjithë. Dera e sallës ku mbahet promovimi është gjithnjë hapur. Por, rrallë dodh që salla të mbushet plot. Ka vend e vend e... E sikur harrojnë që ka kaluar koha e ftesave të tilla. Ato janë transparente dhe të gjithë dashamirët e artit e të letërsisë janë të mirëseardhur.

Po, nejse! E pata te të shkruarit e një shkrimi a libri, te shpërndarja dhe te ato të tjerat që mbeten...  e që i ha koha!?… Për një gjë të jeni të sigurt: Për t’u shitur, nuk shitet asnjë. E po, do të pyet dikush, po ai farë shkrimtari si do të jetojë. Si do ta mbajë gjallë familjen. Duhet të punojë pra. I duhet të shkretit të gjej një punë e cila do t’i sigurojë jetesën, e shkrimet mund t’i bëjë mbrëmjeve, kur të tjerët flenë ose dëfrehen nëpër lokale nate. E ky, le të shkruaj dhe le të ushqehet me to, sepse ato mbeten vetëm ushqim shpirtëror i tij. Po, po, ushqim shpirtëror i tij, sepse ndodh që, ata që e marrin librin nuk e shfletojnë fare. Bile, do të thotë mbase “kush i lexon këto fantazira”... dhe prapë u mbetet hatri kur nuk u dhuron librin. Shih ti shih. As lexojnë, as shkojnë në promovime, e këndej u mbetet hatri që nuk e kanë librin. Dikush do të thoshte: A është e mundur? E mundur, edhe mirë bile.

Kultura jonë e leximit dhe e dëgjimit ka rënë hundë e buzë në  “HENDEK” e s’ka kush t’i zgjasë dorën për ta shpëtuar.

Medet?!.

Po a shpëtohet leximi, hej?

Të rinjtë, por jo vetëm ata, më parë harxhojnë paratë për pije freskuese dhe kafe espreso nëpër kafene të ndryshme, sesa ta blejnë një libër në ditë.

Obobo! I rashë sëpatë!

Nuk them një libër në javë, apo edhe në muaj, po në ditë!

Ç't'i bësh unë jam idealist. Apo, paksa anoj kah soc-realizmi.

Ç’e do, të gjithë ata që e kanë shijuar sado pak atë kohë, e mirë e keqe, kanë nga pak nostalgji. U dhemb edhe atëherë, kur tani në Demokracinë e sotme, dëgjon që polici nuk guxon të ngre dorë në hajdutin. I dhemb edhe kur dëgjon që mësuesi nuk ngre thupër ndaj nxënësit dembel. I dhemb, kur burri nuk guxon të ngre zërin ndaj gruas pa terbije.

Po!.. se kjo është dhunë, e dhuna nuk tolerohet.

Prandaj, unë bëj hesapin tim. Nuk merrem me këto, ani se mund të më hidhërohet ndonjë mik. Se, miku për atë është mik: që të hidhërohet, e më pas, para se të pajtohet të t’i thotë troç të gjitha: “jam hidhëruar se nuk ma ke dhënë librin.., ose jam hidhëruar se nuk më ke ftuar në promovim të librit...”, e nuk e bën dert fare si arrij të botoj, apo a kam ndonjë libër për të botuar dhe si qëndroj materialisht. Dhe ajo më kryesorja, s’i ha palla që të lëndon shpirtin. Sepse, me rëndësi është që ai të laj hesapet e veta, e sa për tuat...

Nganjëherë, ndalem e bëj hesap, ashtu kot së koti: dy kafe espreso dhe dy pije freskuese, kushtojnë hiç më pak se tri euro. Aq kushton një libër.

Kam apo nuk kam të drejtë!?

Pinë ata edhe më shumë. Ndër ta edhe miqtë e mi që shpesh dinë të hidhërohen. Në vend që të blejnë librin, ata harxhojnë për ditë lek nëpër kafene, u hedhin bakshishe këngëtareve që nuk dinë tjetër pos të garraviten si gomaresh, sepse për të parën herë e kapin mikrofonin në dorë mu në kafene, duke u lavdëruar që janë alamet këngëtare. E mësojnë një këngë dhe pretendojnë të bëjnë klip të vetin. E këta miqtë e mi, në vend që të vinë në promovim, kohën e harxhojnë në kafene. Të nesërmen në mëngjes lavdërohen sesi kanë kaluar një natë të shkëlqyeshme.

E unë druaj për shëndetin e tyre. Nuk i pyes fare at, por me vete flas: Më mirë në një promovim libri, a duke lexuar kohën, apo të rrinë me orë të tëra nëpër kafene, plot tym. Unë kisha preferuar të parën, por miqtë e mi bëhen shurdh. E kam për të mirën e tyre! Pijet alkoolike mund t’i sjellin dëm lukthit, e ndodh që në aso gjendje të dehjes të fjalosen me dikë, e pastaj, mule të gjejnë njerëz t’i pajtojnë... Kafeja mund të çrregullojë shtypjen e gjakut. Ndërsa pijet freskuese mund të jenë të ftohta dhe mund të vijë deri te tonsillopharingitisi, e ata mund të përfundojnë në terapi antibiotike. Besa në këto kohë të vështira, kur nëpër barnatoret shtetërore nuk mund të gjenden kurrfarë lloji i antibiotikëve, mos pyet, të gjitha barnat duhet blerë nëpër barnatoret private. E një terapi për të shëruar tonsillopharingitisin kushton hiç më pak se dhjetë euro...

E shihni pra? Jo që mund të harxhojnë lek sa të kenë blerë pesë-gjashtë apo shtatë libra, por pjesën tjetër të kohës, diku rreth pesë ditë, do të humbnin të shtrirë në shtrat. Njeriun e shtrirë në shtrat e mbytë monotonia. Patjetër duhet të shikojë televizor a të lexojë ndonjë nga gazetat ditore. Prapë do t’i ngrihet shtypja e gjakut kur do të lexojë a dëgjojë ndonjë të pavërtetë apo edhe rrenë të kulluar.

Dhe ç’kanë fituar?!.

Sëmundjen de...

Po… Ja që, nuk mendojnë si duhet. Prandaj, kultura jonë e leximit është aty ku është. Nuk ka mbetur shteg tjetër, jo, jo, pos që veprat e autorëve të lexohen e të komentohen vetëm në rrethin e ngushtë të kolegëve.

Dhe... kultura..., ku është kultura?

Ka mbetur de, atje në hendek!

E, prapë sillen si të kulturuar. Formulojnë mendime e thënie të pakontrolluara dhe rrahin gjoks se u takojnë një populli të kulturuar dhe fisnik.

Po, mirë. Ku na mbeti fisnikëria?

E mbajmë në xhepa! 

Medet?!

Nuk na interesojnë ëndrrat e imagjinatat e poetëve! -do të thonë. Nuk merremi me ali-mulaja!? Na intereson fitimi. Ku është fitimi, ai na duhet.

Heu, bre, po në hall që kam rënë!

Unë flas për kulturë, ata kërkojnë mënyrën e fitimit!?

Të gjorët sikur nuk e dinë se edhe për të fituar duhet pasur kulturë...

Medet, medet për ne?!...

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx