Mendime
Arbana Xharra: Matrapazët që njollosin UÇK-në!
E enjte, 02.09.2010, 09:58 PM
Matrapazët që njollosin UÇK-në!
Nga Arbana Xharra
Me një entuziazëm të theksuar Adnoni po prezantonte një bashkëqytetar të vetin si një ish-luftëtar të UÇK-së në Kosovë, Maqedoni e Luginën e Preshevës. Me një modesti që më befasoi, bashkëqytetari i Adnonit i tha: mos të lutem, se jam i bindur se njerëzit mendojnë se je duke gënjyer! E sheh se kam ardhur me biçikletë. Nuk kam as makinë të madhe e as njerëz që më përcjellin nga mbrapa.
“Nuk ka vlerë që matet me jetën, prandaj nuk duhet koritur për një grimë pasuri pa meritë”, ka thënë Ukë Lushi, ish-luftëtar i UCK-së. Lushi, një ish-luftëtar i UÇK-së, tashti bën një jetë të thjesht pa kërkuar asnjë lloj trashëgimie të luftës, por duke u munduar që po ashtu me modesti të ndikojë që ajo për çka u luftua të arrihet.
A thua si ndihet një ish-luftëtar i denjë i UÇK-së, kur sheh bashkëluftëtarët, “komandantët”, që sillen si kapadainj me xhipa nëpër rrugë, ndërtojnë vila, abuzojnë me pushtetin që kanë në dorë për t’u bërë milionerë? Si ndihen ushtarët që disa vjet më parë ofruan jetën të gatshëm për të mos e duruar padrejtësinë?
Çfarë ndjesie ngjall kur ish-luftëtari i UÇK-së futet me një thes me matrapazët që sot po shkelin mbi çdo interes kombëtar për interesa personale. Ata filluan luftën për ta bërë Kosovën të pavarur,
me tërësinë e saj territoriale, por edhe për ta ruajtur pasurinë e kërcënuar nga gllabërimi serb. Asnjëra nga këto qëllime sot nuk është arritur. Madje sot jemi më afër se kurrë që të humbet tërësia territoriale, të humbet pasuria për të cilën u demonstrua më 1968-1981, u luftua në fund të viteve 1990.
Skemat e pasurimit në kurriz të shtetit akoma në krijim nuk kanë kapur të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Një pjesë e tyre që luftuan për këtë vend, nuk u pasuruan, por u harruan. Ata ngelën të papërkrahur të bindur se luftëtari i denjë nuk mund ta plaçkitë popullin e vet.
Sot, nëse kujtojmë fundin e luftës dhe vitet e para pas saj, atëherë kur shumëçka është bërë në emër të luftës, kujtojmë se gjithçka është arsyetuar. Mirëpo, të thirresh mbi 11 vjet në emër të luftës për të përfituar në secilin rast që të të vijë, kjo ka bërë që të stërlodhet ky popull. Nëse Kosova do të varfërohej në vazhdimësi për tërë këto vite, por që integriteti territorial dhe sovraniteti do të sigurohej, është e sigurt se njerëzit do të pajtoheshin. Mirëpo, të falësh tërë pasurinë publike dhe në fund të përballesh me plane për gjithfarë autonomish brenda territorit, kthimit të një grupi në superkomunitet, kjo besoj i dëshpëron më shumë se gjithçka tjetër ish-ushtarët e UÇK-së që luftuan përnjëmend!