E enjte, 24.07.2025, 10:02 PM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Të gjithë hedhin valle në Anë të Malit

E shtune, 04.09.2010, 07:58 PM


Të gjithë hedhin valle në Anë të Malit

 

Shkruan: Shaban Peraj

 

Kalojnë ditë nga shpallja zyrtare e zgjedhjeve lokale për Ulqinin ku shkrimet e deklaratat bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Kjo është normale për një fushatë elektorale ku të gjithë aspirojnë për të bindur masën për demokraci. Edhe kjo nuk duhet të habitë askend sepse tash e njëzet vjet  pothuajse të njëjtit kërkojnë votën. Ajo që për ta është interesante mbetet rajoni i Anës së Malit, atje ku politikanët e shohin të fundit për zhvillim, por të parën për votë duke nxjerrë mëri për njëri-tjetrin, me shumë parti politike, me shumë të “pavarur”, e me shumë politikanë të lidhur për kolltuqe. Këtë trevë që ka ditur të dëshmohet për mikpritje e besë duket se tani i ka ardhur fundi me politikanë që nuk bëhen merak për të nesërmen e saj, me politikanë që tjetër u thonë votuesve e tjetër veprojnë pas përfundimit të zgjedhjeve. Duket se atje falë këtyre politikanëve është thyer qerrja, ajo ka marrë teposhtëzën për çka një ditë do të jetë tepër vonë për ata që u besojnë duke e ditur se besë në politikë nuk ka.

Të gjithë ata votues atje e kanë të qartë se një lojë dreqi po luhet me ta, por jo se kur do t’i dalë fundi kësaj loje të flliqtë që po zhvillojnë politikanët e kolltuqeve të cilët vetëm atje kanë gjetur fushë veprimi për të hedhur dreqi valle, të cilët me “projekte” të mëdha dalin para elektoratit, ku njëri mat e tjetri pret, ku njëri luan me ta e tjetri nuk skuqet për premtime boshe pa e vra veshin për gjendjen e mjeruar të objekteve shkollore në atë anë tash kur ka filluar viti i ri shkollor, ku njëri ngre flamurin kombëtar në zyrë e tjetri nuk çanë kokën për tekstet mësimore të cilët nuk kanë edhe asnjë element kombëtar për nxënësit shqiptarë, ku njëri nuk dihet se kur do të vijë më këtyre anëve, kurse tjetri do të dërgojë mesazhe se atje bëhet buka, se atje ka vota për të gjithë! Të gjithë turren pas votuesve anamalas, pavarësisht se nuk dihet akoma  sa subjekte politike e individë të “pavarur” do të konkurojnë. Sodoqoftë, helbete, është e qartë se treni u ka ikur anamalasve, po frika është se edhe ky do t’u ikë e atëherë i vihet kapaku kësaj pune, i vihet kapaku besës e cila si duket ka gjasa të kalojë përtej malit të Rumisë. Atje në atë trevë kanë filluar të shtrohen darka me paratë e taksapaguesve, atje kanë filluar të defilojnë me “projekte” inekzistente që nuk ndikojnë në standartin e tyre ku po të kenë qëllimin e mirë partitë politike dhe individët e “pavarur” do të duhej të gjithë të kërkonin urgjentisht zgjerimin e rrugës Sukubinë-Ulqin e cila duhet të jetë kërkesë e përbashkët për të gjithë duke e ditur fluksin dhe rrezikun e krijuar, sidomos gjatë sezonit të verës. Tani është momenti për kërkesa urgjente rreth kësaj çështjeje e cila luan rolin e transportit ndërkombëtar, e jo sa drita dhe ku do të vendosen, sa metra asfalt do të shtrohen në rrugë rurale, sa thasë çimento do të marrin militantët e partive, jo se kjo nuk ka rëndësi, por arteria kryesore ka qëllim dhe vlerë më të madhe për ata që e kuptojnë drejt problemin e krijuar. Nëse ndodh kjo e çka ka gjasa reale të jetë ashtu, atëherë për ata që shohin ëndrra ditën, nata ka për t’i gjetur gjetiu. Do doja të mos ndodhë kjo i bindur në sinqeritetin e votuesve, i bindur në atë se kur është vështirë, atëherë do të paraqiten si një trup i tërë. Për këtë kanë dhënë fakte e dëshmi.

Tani është e qartë se vet ata (anamalasit) e kanë fatin në dorë, ata të gjithë së bashku  mund të krijojnë shumicën duke eliminuar me votat e tyre ata që punojnë në prapaskenë, ata që ofrojnë çimento, asfalt, drita, vende pune të paqena për të rinjt të cilët akoma mashtrohen  pas personave të kolltuqeve e që në fakt gjithnjë e më shumë po binden se u kanë vënë litarin në fyt e nuk guxojnë të veprojnë ndryshe. Kjo edhe njëherë dëshmon se akoma ka mjaft militant të partive që verbërisht u besojnë atyre të dhënë pas kolltuqeve. Kësaj radhe është momenti i fundit që këta të punësuar përmes partive të kuptojnë se po luhet me mundin e djersën e të parëve. A nuk e dëshmojnë këtë edhe shkrimet që po bëhen , edhe deklaratat që po jipen kohët e fundit, çka nuk dëshmon një realitet të gjendjes në bazë sepse atje edhe pulat në kotec e kanë të qartë se një dreq po hedhë valle vetëm në Anë të Malit. Besimi në vlerat e veta është shpirti dhe morali anamalas, është solidariteti në shoqëri ku gjejnë kuptim të gjitha dimensionet, ndryshe “gishtin kokës” sepse çdokush që mendon të jetë prej shokëve i ndarë përfundon në rrugë të devijuara. Për këtë arsye është për të adhur keq që disa politikanë dhe militant të tyre në Anë të Malit bëhen pengesë për të çuar atë masë në vendin që u takon. Mjerë për ata që marrin vendime të tilla duke harruar sakrificën e anamalasve, kjo sjellje e tyre është shumë e habitshme dhe e çuditshme! 



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx