Mendime
Kastriot Myftaraj: Robi i Allahut Maks Velo në iftarin e Edi Ramës
E merkure, 08.09.2010, 09:58 PM
Robi i Allahut Maks Velo në iftarin e Edi Ramës
Nga Kastriot Myftaraj
Maks Velo nuk e ka sharë më fenë islame që nga koha kur Edi Rama vizitoi Kuwajtin me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për financimin nga emiri i Kuwajtit të projektit për Sheshin “Skënderbej”.
-Mos të dëgjoj më ta shash Islamin derisa të përfundojë kjo historia e sheshit,- i tha Edi Rama,- se e dinë që je njeriu im dhe do të na prishësh punë. Kur të të vijë për të sharë Islamin, shaj Kastriot Islamin.
Dhe Maksi e dëgjoi kryetarin dhe që atëherë nuk është shfaqur më në ekrane për të sharë fenë islame. Maksi e dëgjoi kryetarin se ky i fundit i ka dhënë të drejtën që projektet arkitektonike për pallate që bën Maksi (megjithëse jo arkitekt por inxhinier hidroteknik), të marrin viston e Edi Ramës dhe Maksi të bëjë ndonjë lek. Prandaj Maksi bëri durim. Por një ditë Maksit i erdhi një ftesë për një iftar që do të shtronte kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, me rastin e Ramazanit.
-Po pse tallesh me mua moj vajzë,- i tha Maksi sekretares së Edi Ramës, kunatës së një ndërtuesi të madh minoritar grek,- ti je dhe e krishterë ortodokse me emër mitologjik. Të ishte ndonjë nga këto me kokën e mbuluar me shami, që më thonë në rrugë thuaj “Allahu Akbar” të vij me ty sot, mirë, por nga ty nuk e prisja!
-Jo xhaxhi Maksi,- i tha ajo,- të betohem, ftesën e ka lënë vetë kryetari për ty, dhe tha të mos mungosh.
-Atij kryetarit tënd, thuaji të marrë Abdi Baletën se mua nuk më ka për iftar,- tha Maksi dhe u largua.
Të nesërmen në drekë Maksi ishte ulur si rëndom në gjelltoren prapa ish-kinema “Partizanit” dhe po priste t’ i shërbenin me qëndrimin e tij të zakonshëm prej mendimtari. Kur erdhi shoferi i Edi Ramës dhe i tha se kishte porosi nga kryetari që ta merrte për ta çuar atje ku ishte i ftuar.
-Edhe ti more djalë je përzier në këtë shaka, - i tha Maksi,- le të vijë kryetari të ma thotë me gojën e vet.
-Ja ku e ke, foli në telefon, - i tha shoferi.
-Maksi, -i tha Edi Rama, - ti je shtetas amerikan dhe e ke për detyrë që të vish në iftar, se edhe Presidenti Obama shtroi iftar.
-Po Obama është i biri i Huseinit, kurse ti je i biri i Kristaqit,- i tha Maksi.- Ndryshon puna. Obama po ndërton edhe xhami në Ground Zero. Mos ke ndërmend edhe ti që t’ ua japësh piramidën islamikëve që ta bëjnë xhami kur të vijnë në pushtet, se kur ishe ministër e dhe me qira.
-Maks, gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë, - i tha Edi Rama,- por nisu shpejt se nuk fillon iftari pa ty. Dua që t’ u tregoj muslimanëve që ma lenë fajin mua për ato që thua ti kundër tyre, se të kam ndrequr.
-Jetojmë në Teheron, thuaj më mirë more djalë,- tha Maksi,- ç’ të të thom unë, të kam kryetar, ti më kërkon unë vij. Tani nuk të ka mbetur tjetër veç të më dërgosh për haxh në Mekë.
Kështu Maksi shkoi në iftarin e shtruar nga Edi Rama, dhe zuri një vend andej nga fundi i sallës, duke e ndjerë veten si mbi gjemba. Edhe pse Maksi përpiqej që të mos binte në sy, të gjithë të ftuarit sytë i kishin nga ai, sidomos muslimanët praktikantë, hoxh-ët dhe vajzat e mbuluara me shami, të cilët qenë me shumicë në sallë.
-Ç’ qe kjo kataklizmë që na gjeti kështu, - i tha Maksit Piro Misha, i cili fshihej pas shpinës së Maksit.
-Ç’ të të thom more djalë,- i tha Maksi,- ditë natë kryetari atje në zyrën e tij në bashki, me altoparlantët e minares që i këndojnë arabisht mbi kokë, pesë herë ditën, kjo kataklizmë do të na gjente.
-Unë erdha për hir të karrierës së djalit, Maklenit, se më ka premtuar që do ta bëjë deputet,- tha Piro Misha,- se të mos ishte për këtë, as që shkelja këtu.
-Pse unë për qejf kam ardhur more Piro,- i tha Maksi,- edhe unë për hir të karrierës së djalit kam ardhur, se si djalë e kam kryetarin. Si djalë për shpirt. Vetëm ai më kupton mua.
-Unë kam bërë librin “Arratisja nga burgjet e historisë”, - tha Piro Misha,- pikërisht kundër kësaj që po bëhet këtu. Kësaj i thonë që unë të hyj në burgjet e historisë. E tmerrshme.
-Hiç mos u tmerro o Piro, se në këtë “burgun e historisë” ku na kanë ftuar sot paska pilaf, hallvë, tasqebab, bakllava e gjithë këto të mira të tjera. Të ishe ti një ditë në ato burgjet ku kam qenë unë pa ta shikoje.
Dhe Maksi pas këtyre fjalëve futi hundën në pilaf se u çua Selim Muça që të lexonte ca vargje arabisht nga Kurani. Por sa e ngriti Maksi hundën nga pilafi, kur mbaroi Selim Muça, pa se djemtë dhe vajzat islamike kishin drejtuar celularët nga ai për ta filmuar dhe futi hundën në tasqebab.
-A mund të bëjmë një fotografi bashkë xhaxhi Maksi, - i thanë disa vajza me shami që iu afruan.
-Po ç’ t’ ju thom unë moj çupa, - tha Maksi,- më mirë shkoni bëni një foto me kryetarin se ai u bë sebep që të mblidhemi.
-Me ty, me ty duam ne xhaxhi Maksi,- i tha njëra nga vajzat, - e shikon që të ka bërë mirë iftari, edhe turqisht fillove të flasësh.
Maksi deshi të kundërshtonte përsëri, por që nga larg pa kryetarin i cili po e ndiqte me sy, dhe ia bëri me shenjë që t’ u bindej vajzave.
-Epo mirë moj çupa, le të bëhet si të thoni ju,- tha Maksi, - se nuk jam aq i keq sa më bëjnë, ja më shikoni dhe më thoni, jam unë aq i keq sa më bëjnëë
-Po çfarë do ta bëni këtë fotografië- Pyeti Maksi.
-Do ta nxjerrim në Al-Xhazira xhaxhi Maksi, bashkë me ato filmimet nga iftari.
Atë mbrëmje, kur Maksi kaloi si rëndom në trotuarin para Xhamisë së Ethem Beut në Sheshin “Skënderbej”, për herë të parë djemtë me mjekrra talebane që rrinë tek shkallët e xhamisë nuk i thirrën nga pas “Maksut”. Maksi, për idiosinkraci, ndaloi këmbët pikërisht në vendin ku ndalej dhe kthehej t’ u bërtiste: “Rrugaçë, talebanë!” Por këtë herë, kur ktheu kokën pa se ata vunë dorën në zemër me respekt.
-E vërtetë është ajo që dëgjova o Maksië- i tha Aurel Plasari që posa kishte dalë nga Biblioteka Kombëtare dhe po bënte shëtitjen e mbrëmjes me Fahri Balliun.
-Lere, lere more djalë,- tha Maksi,- Enver Hoxha më futi në burg, Edi Rama më futi në iftar. Më mirë të kisha bërë edhe një herë burgun e Enver Hoxhës, se të duroja këtë që hoqa sot. Nga Saliu, i biri i Ramës e prisja këtë, por jo nga Edi i biri i Kristaqit.
-Saliu është me frymë perëndimore,- tha Fahri Balliu, e ka marrë certifikatën nga vetë Nënë Tereza për këtë. Por mos e shaj më doktorin se do t’ i them Kastriot Dervishit që të gërmojë mirë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme për ty, dhe ta mbajmë nja tre javë gazetën me bëmat e tua.
-Rrugaç, taleban,- thirri Maksi.
Më keq nuk mund të ishte mbyllur dita e iftarit për Maksin se fjalët e Fahriut i kujtuan vitin 1978, kur ndodhi një ngjarje e pazakonshme në bllokun e udhëheqjes komuniste në Tiranë, plasën kanalet e ndërtuara së fundmi, të ujrave të zeza dhe vendi u përmbyt, pikërisht në kohën kur kishte ardhur për vizitë në shtëpinë e Enver Hoxhës, një grup marksist-lenistësh të huaj, të cilët do të dëgjonin nga udhëheqësi i komunizmit botëror për tradhtinë që Kina i kishte bërë marksizëm-leninizmit. Dhe kjo ndodhte në zemrën e vendit që ishte “fener ndriçues” mbi një “shkëmb graniti”, në mes të dallgëve të oqeanit kapitalisto-revizionist dhe “kopsht i lulëzuar”, nga i cili duhet të merrte shembull bota. Por ajo që po shihnin marksist-leninistët e huaj edhe në vetë bllokun e udhëheqjes qenë “dallgët” e ujrave të zeza, dhe se si “lulëzonin” fekalet.
Enver Hoxha thirri ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiun i cili i dha katër versione për ngjarjen:
1) Sabotim i organizuar nga CIA, 2) sabotim titist, 3) sabotim sovjetik, 4) sabotim kinez.
Por Enver Hoxha e kuptonte se nëse zbulohej një grup armiqësor që kishte sabotuar kanalet e ujrave të zeza të bllokut dhe nxirrej në gjyq, me këtë do të qeshte e gjithë bota. Prandaj ai i tha Kadri Hazbiut që ta harronte atë punën e sabotimit, por gjithsesi të dënohej ndonjë nga ata që kishin qenë përgjegjës për ndërtimin e kanalizimeve të reja, se derisa ato plasën, ata që i ndërtuan armiq do të kishin qenë patjetër. Kështu u arrestua dhe u dënua për agjitacion e propagandë kundër regjimit inxhinieri hidroteknik që kishte drejtuar ndërtimin e kanaleve të ujrave të zeza të bllokut të udhëheqjes.