Mendime
Amerikën nuk do ta mbante dheu po të mos i përgjigjej denjësisht 11 shtatorit
E hene, 13.09.2010, 09:15 PM
Dje kur pashë përvjetorin e 11 shtatorit, dhimbjen e familjarëve të viktimave, momentin e qetësisë në orën kur avionët u përplasën, më bëri të rikujtoja impaktin e madh që kjo datë pati tek të gjithë ne dhe fuqinë e popullit amerikan për t’i bërë ballë sulmeve të tilla.
Nëntë vjet më parë ne pamë botën të ndalonte rrotullimin e saj në kontinentin e Amerikës së veriut. Ne pamë pafajësinë e një kombi të shpërbëhet në qiell dhe në tokë . Ne pamë fytyrën e të keqes në shtëllungat e tymit. Ky ishte 11 shtatori i vitit 2001.
E gjithë bota, pavarësisht diversitetit kulturor, politik, ekonomik ktheu sytë nga kryeqyteti i planetit duke u shokuar me sulmin terrorist në zemrën e saj. Ndryshe nga sulmet e tjera terroriste, këtë herë mbreti i terrorit nuk erdhi nga toka por nga ajri. Ashtu si gjithë të tjerët edhe unë pasi ndeza televizorin, kuptova se kjo ditë nuk do të ishte njësoj si ditët e tjera të freskëta të shtatorit. Dëgjova se njerëzit dukeshin si statuja të ngurtësuara kur avioni i parë goditi njërën nga kullat, më pas zhurma e një avioni të dytë dhe përplasja e saj me kullën tjetër i bëri ata të ndryshonin këtë “gjendje agregate” për të vrapuar ashtu si vrapimi i një zebre kur kërkon t’i shpëtoj kthetrave të tigrit ose luanit. Në televizion pashë imazhet e figurave të vogla që dukeshin si zogj në dritaret e kullave me tym, vetëm se ato nuk ishin zogj por njerëz të detyruar nga flakët , njerëz të detyruar të bënin zgjedhje të pamundura në rrethana të pamundura. Të gjithë i pamë kullat tek sa rrëzoheshin duke rënë nga qielli, poshtë nga retë, një skenë drithëruese, befasuese dhe e pabesueshme, emocione që na pushtojnë trupin vetëm kur shohim ndonjë film të Stiven Spilberg. Në ato momente u ndjeva i ngrirë në vend, por nuk mbaj mend të kem qënë i frikësuar. Qëndrimi im atë ditë ishte i njëjtë me qëndrimin e shumicës së amerikanëve: terroristët nuk duhet të fitojnë. Një shtet i fuqishëm si SHBA-ja nuk do të lejonte që të përkulej, por përkundrazi tregoi muskujt e saj të fuqishëm. Madhështia e saj do të shkëlqej dhe idetë e lirisë do të mbeten një fener që do të ndriçojë botën. Kjo mbase mund të jetë arsyeja se debati për islamin në Amerikë, duke filluar nga propozimi i komunitetit islamik për ndërtimin e një xhamie deri tek djegia e Kuranit është kaq e vështirë për t’u vëzhguar dhe analizuar. Një pjesë e debatit duket se është përqëndurar rreth ndjeshmërisë së terroristëve të cilët kanë rrëmbyer pasionet e një besimi ,të cilët duan të shohin ndërtesa të shkatërruara dhe njerëz të djegur dhe që kërkojnë të rekrutojnë sa më shumë shpirta të brengosur për kauzën e tyre . Mbarimi i luftës së ftohtë zhduku disi paranojën e njerëzve ndaj kërcënimeve por pas 11 shtatorit duket se është krijuar një paranojë e re ndaj ektremistëve dhe kërcënimeve që ata paraqesin. Sipas anketetës së ABC News / Washington Post ,një anketë e lëshuar këtë javë, përqindja e njerëzve që thonë se vendi është i sigurt tani nga terrorizmi krahasuar me anketen e bërë në 2003 ,tre vjet pas 11 shtator 2001, ka arritur të ulët. Populli amerikan e ka kuptuar se nuk duhet të bëhen pre e një vale të re frikë. Ata jetojnë në një vend të lirisë së njeriut , ku liritë fetare dhe liria e fjalës qëndrojnë të ekuilibruara , një vend në të cilin ndërtimi i një ndërtese dhe djegia e një libri janë të drejta që shtrihen për të gjithë ,një vend ku parimet demokratike kanë arritur kulmin e tyre , ku fjala “frikë” nuk bën pjesë në fjalorin e tyre dhe në momentin kur ata harrojnë se janë amerikanë ,është pikërisht momenti kur terrorizmi fiton.
Përgatiti Redi Agolli, Gazeta 55